back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Kontributi i mjekëve shqiptare në Itali, në luftën kundër pandemisë të Covid-19 – nga Lutfi Alia – Siena Itali

Gazeta

Mjeket dhe beteja me Coronavirusin
Mjeket dhe beteja me Coronavirusin

Kontributi i mjekeve shqiptare në Itali,

në luftën kundër pandemisë të Covid-19.

nga Lutfi Alia – Siena Itali

Urgjenca sanitare e krijuar nga pandemia e Covid-19, e ka ndryshuar në mënyrë radikale jetën e qytetare në Itali, por në veçanti modifikoi shërbimin shëndetësor, i cili u riorganizua dhe u fuqizua për t’i bërë ballë vëllimit të madh të punës dhe problematikës mjekësore që krijoi ky virus. Në këto dhjetë muaj mjekët, infermjerët dhe operatorët shëndetësorë u përballën, përjetuan, vazhdojnë të përballen, por dhe në të ardhmen pasi të jetë shuar pandemia, do të përjetojnë efektet në popullatë të provokuara nga Covid-19.
.
Profesor Lutfi Alia
Profesor Lutfi Alia
Personeli shëndetësor, që në fillimet e epidemisë u ndodh në vijën e parë, duke kryer aktivitete intensive e me vlera profesionale dhe shoqërore në asistencën dhe kurimin e të sëmurëve, duke u ballafaquar me pasojat e rënda që krijon ky virus agresiv. Në veçanti mjekët u përkushtuan me devotshmëri dhe humanizëm shembullor në luftimin e sëmundjeve dhe ndërlikimeve që krijoi ky virus, duke shpëtuar me dhjetra mijëra jetë njerëzish të kërcënuara nga Covid-19. Për këtë kontribut të madh, personeli shëndetësor dhe mjekësor, me të drejtë cilësohen “heronjtë me bluza të bardha”.
Që në fillimet e epidemisë, shërbimi shëndetësor italian u modifikua në të gjitha aspektet dhe format, nga vizita e thjeshtë deri në ndërhyrjet kirurgjikale më komplekse. Ky impenjim vazhdon dhe në fazën e dytë, e cila filloi më 4 maj, periudhë gjatë së cilës personeli mjekësor po i intensifikon aktivitetet për administrimin dhe mbajtjen nën kontroll të situatës shëndetësore në popullatën e prekur dhe atë të rrezikuar nga Covid-19. Urgjenca kombëtare nga koronavirusi vuri para provave të forta spitalet, personelin mjekë, infermjerë dhe operatorët shëndetësore në shërbimin ambulator dhe sidomos mjekët e familjes, që ishin në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit, duke zhvilluar aktivitete të larta profesional në diagnozën, në asistencën dhe kurimin e të sëmurëve që vuanin nga pasojat e krijuara nga Covid-19, por dhe duke dhënë këshilla të vlefshme për masat parandaluese, për të bllokuar ekspansionin e mëtejshëm të panepidemisë së dytë, që shpërtheu gjatë muajit shtator. Ne do të bashkëjtojmë me koronavirusin për kohë të gjatë, andaj në fazën 2, krahas forcimit të kompetencave mjekësore në të gjitha nivelet, si nga mjekët e familjes, pediatrit, infermjerët dhe operatorët shëndetesor, duhen forcuar dhe intensifikuar masat parandaluese, të domosdoshme për të fituar luftën kundër këtij virusi agresiv dhe rezistent ndaj medikamenteve që disponojmë dhe kur ende nuk është prodhuar një vaksinë e efekteshme.
.
Dr. Liliana Kristuli, Dr. Lida Mulo, Dr. Evelina Sulaj Skënderi,
Dr. Liliana Kristuli, Dr. Lida Mulo, Dr. Evelina Sulaj Skënderi,
Gjatë këtyre dhjetë muajve të këtij viti të mbrapshtë, kemi parë punonjësit e shëndetësisë duke punuar me një humanizëm të rrallë. Askush nuk u tërhoq para vështirësive, përkundrazi punuan me zell tej sensit të detyrës, qëndruan në punë me përkushtim heroik 12 deri 24 orë pa pushim, një sakrificë sublime që shpreh ndjenjën e lartë të përgjegjësisë profesionale, shpirtin humanitar të punonjësve të shëndetësisë në misionin e shenjtë të mbrojtjes dhe shpëtimit të jetëve të sëmurëve të kërcënuara nga covid-19.
Në ndihmë të kolegëve italianë në luftën kundër Covid-19, kontribuan dhe 30 mjekë, infermjere dhe operator shëndetësor të ardhur nga Shqipëria e vogël, e cila megjithë hallet e veta, gjeti forca të ndihmojë Italinë mike. Në armatën e madhe të personelit në shërbimin shëndetesor italian janë shquar dhe shumë mjeke shqiptare, të cilat prej shumë dekadash jetojnë e punojnë në institucionet shëndetësore të Italisë dhe ndër ato theksoj në veçanti për kontribut të lartë profesional dhe humanitar në periudhën e pandemisë: Dr. Lili Kristuli në qendrën e dializës “Diaverum” në Fondi (LT); Dr. Lida Mulo mjeke familje në Monteleone – Spoleto; Dr. Evelina Sulaj Skënderaj në spitalin “Villa Maria” në Rimini; Dr. Aferdita Tafa në spitalin e Grossetto; Dr. Esmeralda Kacerja në klinikën e pneumologjisë në spitalin e Mattera; Dr. Manjola Dokle në repartin e reanimacionit të klinikës Villaerbosa – Bologna. Ka dhe shumë mjeke të tjera, por në këtë shkrim do të ndalem në këtë grup të vogël, andaj koleget e tjera nuk duhet mendojnë si i kam harruar, sidomos Dr. Ana Lito.
Ndjehem krenar që koleget dhe ish studentet, bashkatdhetaret tona të urta, të afta dhe të zellshme, punojnë në spitale, në klinika dhe qendra shëndetësor të Italisë, ku janë shquar për kontributet profesionale dhe përkushtim humanitar në shërbim të popullit dhe sidomos të dalluara me aftësitë dhe dedikimin profesional shembullor në përballimin e pandemisë të Covid-19.
Populli gjithmonë e nderon kontributin e personelit mjekësor, jo vetëm në plan personal, por dhe institucional, çka shpreh seriozitet dhe kulturë në vlerësimin e misionit humanitar në mbrojtje të shëndetit dhe të jetës të sëmurëve. Të gjithë vlerësojmë dhe nderojmë impenjimin e mjekëve, përkushtimin e tyre për të shpëtuar jetën e kërcënuar nga sëmundjet, ndërhyrjet e tyre dhe ne masë që e kapërcen sensin e detyrës, si e treguan në situatën e vështirë, që krijoi kjo pandemi pa preçedentë.
Pikërisht, për vlerësimin dhe nderimin e punës të personelit mjekësor në këto muaj të vështirë të tronditur nga pandemia e Covid-19 në Itali, Fondacioni ONDA (Osservatorio Nazionale sulla Salute della Donna), promovoi nismën “Donna e Covid-19 – Gruaja dhe Covid-19”, të konkretizuar me një çmim që celebron kontributin e çmuar të grave në shërbimet shëndetësore dhe mjekësore, gjatë urgjencës të pandemisë nga koronavirusi. Si kuptohet është vlerësim special për gratë e dalluara në veçanti me përkushtimin në administrimin e urgjencës mjekësore që krijoi pandemia në Itali. Ishte parashikuar që çmimi “Donne e Covid-19” t’iu dorëzohej mjekeve, infermjereve dhe operatorëve shëndetësore gjatë punimeve të Kongresit IV Kombëtar të Fondacionit ONDA, që do të mblidhej më 29-30 shtator në Milano, por për rrethanat e përshkallëzimit të epidemisë, me shtimin e rasteve pozitive gjatë javëve të para të muajit shtator, u detyruan që ky aktivitet të zhvillohet në version virtual dhe rezidencial. Ndërmjet mjekeve të nderuara me këtë çmim prestigjioz është dhe mjekja shqiptare Dr. Afërdita Tafa, në spitalin e Grossetto – Toskana, e vlerësuar për merita në impenjimin profesional për të përballuar pasojat e pandemisë në Provincat Grossetto dhe Siena. Është shumë sinjifikative çertifikata me dedikim citatin e Aldo De Martino: “Gjithmonë i kam konsideruar legjendarë, heronjtë dhe heroinat që veprojnë tej të përgjithshmes, personat të cilët pa bujë dhe në heshtje, punojnë me dashuri dhe pasion të veçantë”.
Nga një herë mjaftojnë pak fjalë, të shprehura me një mesazh të thjeshtë, për të vlerësuar meritat profesionale të mjekëve. Kështu ndodhi me Dr. Afërdita Tafa, e cila krahas kontributit të shquar në urgjencën e Spitalit të Grossetto, për çka u nderua me çmimin kombëtar “Donne e Covid-19”, gjatë ditëve të vështira të pandemisë kur punoi në Spitalin e Nottola në Montepulciano – Valdichiana – Siena, drejtori Dr. Luciano Franceschoni i dërgoi mesazh falenderimi drejtorit të spitalit të Grossetto, duke theksuar: “Buongiorno Dr. Mauro, volevo ringraziarti, ringraziare Simone e soprattutto la Dott-ssa Aferdita Tafa per la disponibilità fattiva dimostrate nell’averci dato un grosso aiuto in questo momento così critico, senza timore di smentite, per tutti i PS della nostra Azienda: e questo aumenta i valori del gesto. Tenevo, personalmente, a fare i complimenti alla dott-ssa Aferdita per la capacità razionali e profesionali dimostrate, ma soprattutto riconosciute dai colleghi, infermieri ed operatori sanitari. Veramente brava. Grazie di nuovo ed a presto. Dr. Luciano Direttore UOC Pronto Soccorso Nottola. Area Funzionale Dipartimentale PS (Territorio Provinciale Senese. Sede Opeerativa Provinciale Senese. AUSL Toscana Sud – Est). [Mirëdita Dr. Mauro, dua të falenderoj ty, të falenderoj Simone dhe në veçanti Dr. Aferdita për gadishmërinë që tregoi duke na dhënë ndihmë të madhe në këtë moment kritik. Personalisht i shpreh komplimentat Dr. Aferdita për aftësitë racionale dhe profesionale, në veçanti të vlerësuara dhe nga kolegët, infermjeret dhe operatorët shëndetesorë të spitalit tonë. Me të vërtetë shumë e aftë… etj.]
.
Dr. Manjola Dokle, Dr. Esmeralda Kacerja, Dr. Aferdita Tafa.
Dr. Manjola Dokle, Dr. Esmeralda Kacerja, Dr. Aferdita Tafa.
Kështu si Dr. Afërdita punojnë dhe shumë mjeke të tjera shqiptare, njëra më mirë se tjetra, sa nuk mund të bësh diferencime, nuk mund të bësh klasifikime, apo mbivlerësime. Ashtu si thekson Shën Nënë Tereza e jonë, këto mjeke bëjnë “punë të vogla me dashuri të madhe”, për të mbrojtur jetën e të sëmurëve. Punojnë me përkushtim, me aftësi profesionale, me vetmohim shembullor, shquhen për shpirtin e sakrificës, si Dr. Manjola Dokle në repartin e reanimacionit, sa drejtori i klinikës ku ajo punon, duke parë përkushtimin e saj thotë: “Nuk e kuptoj ku e gjen këtë forcë Dr. Dokle, që punon 24 orë pa pushim dhe e impenjuar vazhdimisht pranë të sëmurëve”. Për mua është e qartë, është përkushtimi humanitar në ndihmë të atyre që vuajnë, është shpirti i dhëmbshurisë për ata që kërkojnë ndihmë, është impenjimi për ta çliruar pacientin nga sëmundja munduese dhe e rrezikshme, që po kërcënon dhunshëm jetën e të sëmurëve, sidomos të moshuarve.
Mjeket tona punojnë me përkushtim të admirueshëm por dhe me ankth, kanë ngarkesë emotive, punojnë me frikën se mund të infektohen dhe t’ia transmetojnë virusin fëmijëve dhe familjarëve, andaj bëjnë shumë kujdes duke respektuar rigorozisht masat mbrojtëse e për këtë aspekt janë bërë shembull, respektojnë me rigorozitet rregullat vetëmbrojtëse, madje të sëmurët i quajnë “kozmonautet shpëtimtare të jetës”.
Mjeku nuk është vetëm diagnostikues dhe kurues i sëmundjeve, por është dhe psikolog si me të sëmurët me Covid-19 dhe me të afërmit e tyre, që përjetojnë një situatë dhimbjeje të thellë ankthi dhe frike, por pasi u bën tamponin dhe merr rezultatin negativ, Dr. Lida Mulo iu jep sqarimet e hollësishme dhe me shumë durim e me ëmbëlsi, i çliron familjarët nga frika dhe terrori i kësaj sëmundje tinzare dhe kërcënuese për shëndetin dhe jetën. Pikërisht ky rol, shpreh qartësisht misionin humanitar të Dr. Lida si mjeke e familjes, sidomos për ato raste, që janë të detyruar të qëndrojnë në quarantene. Pavrësisht se nuk kanë shenja klinike të sëmundjes, ata shprehin ankth dhe frikë nga Covid-19. T’i çlirosh personat nga vuajtje psikologjike nuk është e lehtë, kërkon aftësi profesionale, kulturë, durim dhe impenjim të veçantë, cilësi këto që karakterizojnë punën e Dr. Lida.
Gjatë një bisede me personelin e repartit ku punon, pneumologia Dr. Esmeralda Kacerja, iu fliste për një rrethanë të veçantë e me shumë rëndësi, që përjetojnë mjeket në këtë situatë të tensionuar: “Jemi ende në një fazë, kur mjekët dhe infermjerët ende nuk janë ndërgjegjësuar për tensionin dhe traumën psikologjike që kanë në punë, pasi gjithçka e zhvillojnë shpejt, me pasion profesional dhe të mbushur me aktivitete dhe manipulime mjekësore, sa e harrojnë veten, harrojnë lodhjen, andaj duhet t’i ndihmojmë të racionalizojmë dhe të lehtësojmë punën e tyre, të shmangim mbingarkesën në klinikë. Situata e urgjencës përballohet kur të gjithë së bashku e me kolegjialitet, bashkpunojmë për të koordinuar forcat”. Natyrisht këshilla të tilla dhe veprime konkrete të këtij karakteri janë të vlefshme më shumë se leksionet për përgjegjësinë në ushtrimin e profesionit.
Pandemia e Covid-19 u shpreh me të papritura të shumta e komplekse, ndryshe nga të gjitha epidemitë e tjera virale dhe bakteriale. Infektimi me koronavirus në pjesën më të madhe të rasteve dhe në subjektet me forca imunoreaktive të ruajtura, nuk shpreh shenja klinike, por këta subjekte bartës të virusit, janë burim infektimi, andaj duhet të mbajnë maskat për të mos infektuar familjaret dhe të tjerët. Në një pjesë të popullatës infeksioni me Covid-19 shprehet me shenja klinike të lehta ose të moderuara, andaj janë të detyruar të qendrojnë të izoluar në quarantene; kurse ato me pneumoni shtrohen dhe trajtohen në spital. Në rreth 25 % të rasteve sëmundja ka ecuri të rëndë, andaj trajtohen në repartet e terapisë intensive dhe në reanimacion, në mënyrë të veçantë këto gjendje rastisen në të moshuarit dhe në subjekte me humbje të forcave imunoreaktive të organizmit. Ky është dhe kontigjenti i të sëmurëve me vdekshmëri të lartë. Për këto raste në gjendje të rëndë mjeket vuajnë shumë shpirtërisht, përjetojnë “paaftësinë” për t’i mjekuar dhe për t’i shpëtuar jetën këtyre të sëmurëve në gjendje të rëndë, madje shumica pashpresa të mbijetojnë. Natyrisht jo gjithë të moshuarit e infektuar me Covid-19 vdesin nga ndërlikimet e rënda, plot prej tyre mbijetojnë e dalin nga spitali të shëruar.
Në një bisedë me Dr. Lili Kristuli, me tregoi për një të sëmurë 83 vjeçar me Covid-19, i trajtuar në qendrën e dializës ku punon: “Na vështronte i përhumbur brenda respiratorit, në sytë e tij shprehej dhimbje, ishte vështrim që kërkonte ndihmë për ta nxjerrë nga kthetrat e virusit, kërkonte nga ne ta shpëtonim. Sytë e tij ishin të qeshur kur na shihte që i vendosnim serumet dhe kur largoheshim për një çast, i rridhnin lotët në vetminë munduese. I përkushtuam kujdesin e duhur dhe ia shpëtuam jetën. Pas një muaj trajtimi intensiv doli nga spitali, por ne nuk na ka harruar, vjen shpesh e na falenderon. Nuk njeh asnjerën nga ne, por i di emrat tona, që i kishim shkruar me germa të mëdha në bluzat, na njeh nga sytë, sepse vetëm ato shihte pas syzave, pasi fytyrën e kishim të mbuluar me maska dhe kokën me kapuç, ishim shndërruar në kozmonaute…”.
Dihet se mjekët, gjatë jetës profesionale janë ndeshur me sëmundje mortale, ose janë ndodhur para sëmundjesh për të cilat nuk ka medikamente kuruese, por deri në fund kanë bërë përpjekje të jashtzakonshme për të përmirësuar gjendjen dhe për të shpëtuar jetën e tyre. Kështu po ndodh me të sëmurët rëndë me Covid-19. Edhe pse ende nuk ka medikamente specifike kundër këtij virusi të mallkuar, mjekët i përkushtohen të sëmurëve duke bërë gjithçka të mundshme, duke iu qëndruar pranë që të mos ndjehen të vetmuar në “kafazin” e respiratorit, të mos ndjehen të braktisur. Bisedat me të sëmurët i ndihmon për t’iu lehtësuar dhimbjen, si ka thënë sociologu dhe filozofi Jean Baudrillard: “Ne jemi të aftë të ushtojmë forcën e simbolikës, për kompensuar atë që na mungon”.
Të sëmurët me Covid-19 gjatë trajtimit në reanimacion dhe në terapinë intensive, krahas terrorit nga virusi dhe gjendjen e rëndë shëndetsore, vuajnë vetminë, izolimin nga mjedisi familjar, pamundësinë për të komunikuar me të afërmit, sidomos me nipat dhe mbesat, tregon Dr. Evelina Sulaj Skenderi. Kur i jepja cellularin një të sëmuri për të folur me mbesat dhe nipat, i ndrisnin sytë nga gëzimi, mallëngjeheshin me bisedat dhe urimet që merrnin nga nipat dhe mbesat. Dr. Evelina tregon se gjatë kësaj periudhe urgjence, jam ndeshur me vështirësi të pa imagjinushme, sidomos me bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Rimini, me të cilët më është dashur të zhvilloi biseda të gjata dhe insistuese, por të kujdesëshme, t’i bindja për t’u shtruar dhe kuruar në spital. Pasi u shëruan dhe u kthyen në shtëpitë e tyre, nuk harronin të vinin të më falenderonin dhe ky është një sodisfaksion i veçantë i profesionit tonë, është mirënjohje për punën tonë.
Kjo epidemi na detyroi të kryhen dhe veprime të pazakonta dhe johumane, si ndodhi me ato familje, që nuk mundën të asistonin në funeralet e të afërmeve. Kështu ndodhi në Bergamo, ku qindra arkivolë u transportuan me kamiona ushtrie në krematoriumet e komunave fqinje. Kjo skenë tronditëse u transmetua nga të gjitha stacionet televizive të botës dhe shkaktoi dhimbje të thellë e të pashlyeshme. Kjo pandemi, vdekjet i shndërroi në numra, jo në persona me historitë e jetëve të tyre, me kontributet familjare dhe shoqërore. Edhe familjarët e viktimave të Covid-19 nuk mundën të merrnin pjesë në varrimin e të afërmëve, për më tepër, që shumica ishin të detyruar të izoloheshin në quarantene, pasi kishin qënë në kontakt më të afërmit e tyre të shtruar.
Në këto 10 muaj, Covid-19 ka mbjellë vuajtje, ankth, frikë, terror izolim dhe shumë vdekje. Numri i të sëmurëve dhe i të vdekurve nga pandemia e Covid-19, janë më të lartat ndër te gjitha epidemitë që kanë prekur njerëzimin në 100 vitet e fundit dhe e keqia është, se ende nuk është shuar dhe në këto muaj vjeshte virusi u rikthye përsëri me epideminë e dytë, me shtimin e numrit të rasteve pozitiv me Covid-19, me shumë të sëmurë të shtruar për kurim në terapitë intensive dhe me vdekje. Kjo situatë është akuzë ndaj negacionistëve, të cilët çmendurisht thonë se nuk ekziston virusi Covid-19, nuk ekziston pandemia. Kësaj kategorie njerëzish të papërgjegjshëm deri në marrëzi, i kujtoj se nga Sofokliu me “Antigone” dhe Ciceroni me “La vecchiaia – pleqëria”, nga Kanuni i Maleve Shqiptare, deri te sugjerimet e mençura të Sigmund Freud e të Gustav Jung, theksohet se njerëzimi gjithmonë ka vlerësuar domosdoshmërinë e trajtimit me respekt të vdekjes me rite fizike dhe psiqik, që shprehin vuajtjen njerëzore për ndarjen e dhimbëshme të afërmeve, të prindërve dhe të gjyshave fisnikë.
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.