back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 17 Nëntor, 2024

Korça fole artistësh…

Gazeta

Sotir Kozmo & Jorgjeta Filçe (Truja), Tiranë 1935.
Sotir Kozmo & Jorgjeta Filçe (Truja), Tiranë 1935

Korça fole artistësh…

Nji shkrim i viteve ’30, i përcjellë nga Klodi Stralla

Materiali i mëposhtëm është pjesë e një artikulli të marrë nga gazeta e viteve ’30, “Shqiptari”, me shënime dhe kujtime nga një koncert artistik i vitit 1933, në Korçë.
E përcjell si material për të parë se si gjallonte jeta artistike e qytetit të Korçës 80 vjet më parë, kush ishin protagonistët, dhe se si shtypi i kohës i pasqyronte këto evenimente artistike. Shkrimi është në gjuhën shqipe të kohës dhe paraqet interes për të parë edhe evolucionin e gjuhës, krahasuar me atë të sotmen.

***

“Shqiptarët e Bukureshtit duhet ta dijnë se një nga djemt e asaj Kollonije z. Sotir Kozmo ka zhvilluar në Korçë, vjete me radhë, një aktivitet të gjallë dhe pemëprurës në fushën artistike. I pajosur me talent të gdhendur e të cizeluar prej studimesh muzikale serioze, por veçanërisht i pajosur me një dëshirë të pashoqe për punë krijuese, me një vullnet që nuk hepet e nuk lodhet, maestro Sotir Kozmo e konsideron misionin e tij më tepër si një apostullatë se sa si një mjeshtëri. Nuk duam të flasim për z. Sotir Kozmo, profesorin e muzikës në shkollat e mesme të Korçës. Gjyrmimi i aktivitetit të profesorit i përket Ministrisë s’Arësimit. Ne dëshërojmë të shprehim kënaqësinë dhe admiratën tonë për veprën ekstrashkollare të maestros Sotir Kozmo, vepër të cilën e ka nisur me enthusiazmë apostulli dhe po e vazhdon me kokëfortësi misioneri, vepër së cilës i kushtoj dhe po i kushton gjithë kohën e shlodhjes, pa pritur prej saj asnjë shpërblim pos kënaqësisë shpirtnore të krijuesit kur shef se mundimet e tija kurorëzohen me sukses.
Sot Korça mund të mburet. Nga pikëpamja muzikale është e para ndër qytetet e Shqipërisë. Ka sot Korça, të nxjera nga gjiri i saj, elementa me vleftë artistike të pakontestueshme, ka soprano lirike dhe tenorë dramatikë, ka violinista dhe pianista, ka kore mikste që do t’i bënin ndër çdo qyteti të qytetëruar. Të gjitha këto, i gjeti, i mblodhi, i krijoi, maestro Sotir Kozmo. Do vijë dita kur e gjithë kjo vepër do të inventarionet, do të matet do të çmohet dhe krijuesi do të marrë kunorën e meritueshme dafinash.

Jorgjia Filce-Truja, Lola Gjoka, Tefta Tashko ne vitet '30.
Jorgjia Filce-Truja, Lola Gjoka, Tefta Tashko ne vitet ’30.

Një koncert u dha në 14 shtator, prej artistëve shqipëtare të Korçës, nën udhëheqjen e z. Sotir Kozmo. Shtypi shqipëtar flet gjer-e-gjatë mi suksesin e atij manifestacioni artistik. 
Zojusha Lola Aleksi, pianiste e mbaruar, ka studiuar në Rusi, u dha korçarëve një dëshmi përfundimtare të talentit të saj të pakontestuar duke çelur koncertin me copën e bukur të Franz Von Supe-së: “Poet dhe Katundar” e duke kënduar më von me finesë artisti të kllasuar Të dytën Rapsodi hungareze. Dhe kur gjishtërinjtë e saj të zbehtë, duke kërcyer ritmik mi kllapat e pianos, shkaktonin atë melodi engjëllore nga qindrat fytyra që e dëgjonin dhe e admironin, fare pak veta dinin se në atë çast zonjusha Lola Aleksi kishte 39 grada temperaturë. Ishte e sëmurë. Por dëshira e saj për me i sigurue koncertit suksesin pat qenë më fuqishme nga urdhri i doktorit që kish porositur të mos lëvizë nga shtrati.
Zojusha Gjeorgjia Filçe (Jorgjeta) është dhe do mbetet për shumë kohe asi femëror i këngës shqipe. Zë i talentuar, soprano lirike, që tingëllon ëmbël në vesh dhe nga veshi zbret në zemër të dëgjuesve shprehi dhe lëvizje të matura, por të nxehta dhe ekspresive të harmonizuara plotësisht me notat e copës së ekzekutuar. Vetë zonjusha Filçe është një armoni, dishka e lindur për art e predestinuar artit. Gjynah që nevojat e jetës e detyruan të pranojë postin e profesores muzike në një shkollë tiranase. Filçeja është lindur të shkëlqejë në sqenë e jo që të myket në një katedre shkollore, të venitet në ambientin semianadollak të Tiranës. Por kush t’i mer vesh këto gjera ndër ne…
Na këndoi Gjeorgjia Filçe atë mbrëme këngën e “Solvegut”, të Eduard Griegut, një copë nga e pavdekshmja “Boheme” të Gjakomo Pucini-t, na këndoj “I Capuletti e Mantechi” të Vincenzo Bellini-t, na këndoj një copë nga “Mefistofele” i Arigo Boito-s dhe të gjitha i këndoj mirë. Por në Serenadën e Franz Schubert-it “Kënga ime ndaj nat here”, të përkthyer prej Asdrenit dhe ne “Pushoj Bilbili” të Vincenzo Billi-t, të përkthyer prej vetë këngëtorës, Gjeorgjia Filçe ka cikur kulmin, ka kapërxyer çdo pandehmë dhe është ngritur në këngëtore e dorës së parë. Publiku, sado publik që është, por paska dhe ay vesh muzikal ndash me insistencë duke duartrokitur e ka thirur për-së-dyti dhe detyruar zojushen Filçe t’i përsëritë këto dy copë. Po të mos këndoheshin me sukses të shkëlqyeshëm, po atë natë dhe po prej asaj këngëtore, “Serenada” e Schubertit dhe “Pusho Bilbili”, do të formonim konviksionin (bindjen) që gjuha shqipe nuk është e përshtatëshme për muzikë. Por s’na paska faj gjuha…

Jorgjia Filce-Truja, Lola Gjoka, Tefta Tashko, Marie Kraja.
Jorgjia Filce-Truja, Lola Gjoka, Tefta Tashko, Marie Kraja.

PS. Në foto është profesori i muzikës të Liceut Sotir Kozmo, themeluesi i korit “Lira” dhe këngëtarja korçare, e mirënjohura Jorgjeta Filçe (Truja), dalë në Tiranë 1935.

Sotir Kozmo, muzikolog, instrumentist, mësues kanto dhe solfezhi. Njeriu më kompetent në fushën e muzikës në Korcën e viteve ’20 – ’40 të shek. të kaluar. Profesor i muzikës në Liceun francez dhe dirigjues i parë i korit “Lira”. Studimet muzikore i kreu në Bukuresht të Rumanisë. Pati një fund tragjik në Romë në vitin 1948, i vrarë në rrethana të dyshimta.

Jorgjia Filçe-Truja, u lind në qytetin e Korçës më 20 janar 1907. Studioi në Konservatorin “Santa Сеcilia” të Rоmës në vitet 1927-1932. Jorgjia ka dhënë koncerte në vitet ’30-’50, kа qenë një ndër pedagoget e Institutit femëror “Nana Mbretëreshë” në Tiranë, nismëtaret e hapjes së Liceut Artistik, Akademisë së Arteve, ku kreu detyrën e pedagoges së kantos dhe dirigjimit. Ajo përfaqëson një nga figurat më të spikatura të këngëtareve lirike në Shqipëri. Truja ka interpretuar në disa opera si dhe ka vënë në skenë si regjisore mjaft vepra. Ndrroj jetë në vitin 1994, duke na lënë me shkrim një “Rrëfim autobiografik” me shumë vlera historike.

(Marrë nga faqja “Dashamirët e Mendimit”)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.