back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kosova pret fitore të tjera opinion nga Arbana Xharra

Gazeta

Arbana Xharra - gazetare
Arbana Xharra – gazetare

Kosova pret fitore të tjera – opinion nga Arbana Xharra

***
Parantezë…
E konsideroj veten prej atyne që në vazhdimësi jam përpjekë me i kuptue problemet dhe rrethanat në të cilat përpiqet të ngjizet dhe të shtyhet në të ardhme Shteti i Kosovës… Edhe zgjedhjet e fundit të 8 qershorit, me kët frymë i kam ndjekë e i kam përcjellë: nëse mbas atij opinioni kombtar e ndërkombtar negativ në rritje, ky popull i masakruem dhe vital, i shkëputun për ma shumë se nji shekull prej shtetit të cilit i përket mundet me i gjetë si njerzit edhe ritmin për me u projektue drejt proceseve gjithnji e ma të vështira që e presin… Asnjiherë s’e kam lejue vedin me u zbilancue ne favor të njenës apo tjetrës parti, por e kam quejtë pozitiv çdo hap që i bashkon dhe i sinkronozon idetë dhe veprimet e krejt bashkësisë kosovare drejt nji synimi ma final… që ma merr mendja se asht edhe dëshirë e shumicës kosovare…
Kët shkrim të shkruem qartë jo me penë po me thikë ndër dhambë të nji vajze të re e vlersoj shumë dhe e konsideroj ndër shkrimet ma të pallustrueme të kësaj fushate që ende asht pezull…
Urimet e mia Arbana Xharra…
j. radi
10 qershor 2014

Poster i Partive Politike - Kosove 2014
Poster i Partive Politike – Kosove 2014

Kosova pret fitore të tjera opinion nga Arbana Xharra

Askush nuk i kontestoi zgjedhjet, e shumëkush mbeti gojëhapur me fitoren e Hashim Thaçit. Ndonëse mbetet të pritet konfirmimi nga KQZ-ja, duket se PDK-ja kryeson pas zgjedhjeve të së dielës. Nuk pati ankesa as për procesin zgjedhor, të gjithë jo vetëm që pranuan zgjedhjet, por në heshtje miratuan faktin se opozita ka dështuar. Deri në orët e vona askush nga liderët e partive opozitare nuk e tha një fjalë. Karshi tyre arriti të dalë fitues Hashim Thaçi i vetëm, përkundër skandaleve dhe mesazheve, që erdhën edhe nga bota perëndimore se: “Kosovës i duhen fytyra të reja në politikë…”
Verdikti final i kosovarëve është një mesazh i qartë për opozitën: bashkë jeni shumica, por për të qenë shumicë e vërtetë duhet të ketë një koalicion për Kosovën. Këtë shans nuk e vërejtën, ose refuzuan ta vërejnë para zgjedhjeve Isa Mustafa (i ngathët deri në fyerje të publikut), Albin Kurti (me opozitarizmin e tij kundër të gjithëve) dhe as Ramush Haradinaj (i cili humbi shumë nga fama e tij me vardisjen qesharake ndaj Thaçit pas lirimit nga burgu i Hagës). Partitë opozitare në euforinë e tyre iluzioniste morën goditjen e radhës, në kohën kur më shumë se kurrë kanë mundur të kapin momentumin. Por, duke synuar secili prej tyre karrigen e Thaçit, rastësisht me dashje ia siguruan bindshëm edhe një katërvjeçar në pushtet, pa marrë parasysh çfarë koalicioni do të krijohet. Qytetarët me një pjesëmarrje jo edhe të vogël, në një proces të rregullt secilës parti i treguan se çfarë duan…
LDK-ja, si parti më e madhe opozitare, pësoi goditjen e radhës pas humbjes së Prishtinës nga “Vetëvendosja”, e cila fitoi me votat e mbështetësve të PDK-së, kundërshtarëve të Mustafës në LDK dhe një pjese të elektoratit urban, që ishte ngopur me pushtetin e LDK-së. LDK-ja nuk arriti të krijojë bindjen për ndryshim. Ajo sërish mbeti parti e cila nuk dëshiron të reformohet. Isa Mustafës i është siguruar pensionimi i përhershëm me këto zgjedhje. Do të ishte mirë që pas tij të shkonin Sabri Hamiti, Eqrem Kryeziu dhe të tjerë që kurrë nuk morën përgjegjësi për asnjë dështim.
LDK-ja mbetet me imazhin e partisë ku “uji nuk lëviz” dhe ku të rinjtë nuk kanë shanse. Isa Mustafa nuk e pati guximin për reforma. Por, gjysma tjetër e të vërtetës është se çdo reformë do t’i kishte çuar në shtëpi shumë figura të LDK-së dhe do ta hapte partinë për personalitete me kredibilitet. Garda e vjetër po qëndron me arrogancë në barrikada.

Harta e zgjedhjeve dhe prognoza 2014
Harta e zgjedhjeve dhe prognoza 2014

“Vetëvendosja” arriti të zërë vendin e tretë duke i shtuar votat me prurjet e reja. Por, ajo gjendet larg fitores së madhe. Albin Kurti duhet ta kuptojë se nuk fitohen zgjedhjet me tema të mëdha dhe me kundërshtim të çdo iniciative. Ndonëse fryma e re brenda VV-së ka shpresë se do të sjellë reformim radikal dhe është e vetmja mundësi për të ecur më lehtësisht përpara, por gjithnjë duke krijuar atmosferë bashkëpunimi me parti të tjera, me përjashtim të PDK-së.
Për AAK-në e Ramush Haradinajt zgjedhjet përfunduan me debakël. Një gjë e tillë edhe pritej për shkak se Haradinaj, pasi u lirua nga Haga, ra në një grackë historike: filloi t’i vardisej Thaçit dhe t’i besonte përrallave të dëgjuara në qarqe diplomatike se mund të merrte drejtimin e Qeverisë. Ky është një mësim i mirë dhe i hidhur për Ramush Haradinajn.
Partia e Behgjet Pacollit, i cili hyri në politikë për t’i marrë votuesit e LDK-së, dhe kështu i ndihmoi PDK-së që të vijë në pushtet për herë të parë më 2008, duket se nuk do ta kalojë pragun. Fitoret e AKR-së në disa komuna ishin të rastësishme apo rrjedhojë e rrethanave specifike. Euforia e fitores në Gjakovë, për shembull, iku si flluskë sapuni.
Mbetet të shihet se si do të duket Qeveria e ardhshme. PDK-ja përfaqëson pakicën e elektoratit. Partitë e tjera që futen në koalicion me PDK-në duhet të marrin përsipër jo vetëm premtimet marramendëse që ka bërë Thaçi para zgjedhjeve (p.sh. 200 mijë vende pune), por të identifikohen edhe me trashëgiminë plot njolla. Fituesit e vërtetë të këtyre zgjedhjeve janë djemtë e Adem Grabovcit.
Kosova pret fitore të tjera.
Marrë nga http://zeri.info 9 qershor 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.