back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Kosova vendi i luftrave për pavarsi Ushtima e Sharrit 1944

Gazeta

Dr. Lazër Radi 1942
Dr. Lazër Radi 1942

Kosova vendi i luftrave të para për pamvarsi

(“Bashkimi i Kombit” 1944)

Ushtima e Sharrit (Lazër Radi)

Shtypi kombtar, qysh ditën që vendi ynë e shkundi zgjedhën fatkeqe të zaptuesit, ka fillue të merret me Kosovën, me djepin e shqiptarizmit, me at truall që asht Jeruzalemi i gjithë shqiptarëve, ku ajka e burrnisë dhe e trimnisë ka dhanë kurdoherë kushtrimin.
Truelli i Kosovës u mbrojt me gjak dhe me eshtnat e bijve të saj, të cilët si heronj u derdhën në çdo kohë që trupat e armikut u sulën për me bà at tokë pronë e pasuni të tyne. Shekuj të shumtë kaluen, gjak i madh u derdh, por kosovari qëndroi gjithmonë shqiptar, për mos me u përkulë përpara armikut dhe e mbrojti tokën e vet ashtu si e kishin zakon të parët e tyne.
Në Kosovë u banë luftnat ma të përgjakshme, në Kosovë u derdh gjaku përrua, në Kosovë u ba Lidhja e Prizrenit, lidhja e besës shqiptare, që nëpër afshin e dashnisë për Atdhe, burrat shqiptarë i treguen botës mbarë, se shqiptari për së gjalli nuk bahet rob i anmiqve shekullorë, i atyne që veç tek e vona na erdhën fqinj. Në Kosovë filloi lëvizja e Rilindjes shqiptare, dhe prej andej filloi agjitacioni për përhapjen e ndjenjës kombtare me Haxhi Zekën e të tjerë. Historia kombtare asht dëshmitare për veprat e bame në Kosovën tonë. Në kët truell u banë luftat e para për liri 1910-1912. Kaçaniku dhe Ferizaj janë dëshmitarë: Për atë që bënë kosovarët, asht zani i Bajram Currit, që thirri dje e që thërret edhe sot “Kosova asht Shqipni!”. Asht zani i idealistit, asht zani i dlirë që thotë: Shqipnia me kufijtë e 1913-ës nuk mund të jetojë.
Ne dje kemi pà heroizmin e Kosovës, kemi qà me lot robninë e saj nën zgjedhën sllave. Zoti vonon por nuk harron, thotë nji proverb i vjetër i popullit. Kur valëvitej në ajrin e pastër të Kosovës dykrenshi i Skëndërbeut, simboli kombtar, ne shqiptarët e ditës së sotme, i vumë Kosovës: Djepit të Nacionalizmit shqiptar emnin: Shqipnia e Madhe.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit
Lidhja Shqiptare e Prizrenit

Shtypi i djeshëm, i shitun kambë e krye në intrigën politike të fashizmit, na e trumbetoi duke thirrë: Shqipëria e Madhe u realizue. Kjo ishte nji dhimbje për shumë shqiptarë, të cilët nuk kishin andërrue dhe as mendue se do të ketë Shqipni të Madhe a të Vogël.
Kemi ditë se ka vetëm nji Shqipni, nji Shqipni etnike, gjuhësore, me kufijtë e saj të natyrshëm, Shqipni me kufijtë e 1913-ës, pa Kosovën e dinim se asht e cungueme. Dhe qanim për Kosovën dhe punuem për Kosovë, por që të quhet e Madhe nuk ishte ushqye në zemrën e ndonji shqiptari. Për fashizmin do ta kishte at kuptim, se politikanët e Imperias fshinin mbas kësaj fjale, qëllimin e shfrytëzimit ekonomik të Kosovës; ata mendonin atë që Perëndija shqiptare nuk e kishte thanë, atë që nesër ta quanin koloni të fitueme me gjakun e bijve të vet. Për ne as ka pasë as do të ketë Shqipni të Madhe, a të Vogël, por do të ketë vetëm nji Shqipni, të dhanë prej natyrës shqiptare e të mbrojtun me gjakun e bijve të saj, që u banë e do të bahen fli në altarin e shenjtë të Atdheut.
Shtypi shkruajti n’ato kohë për bukuritë e Kosovës dhe tregoi pasunitë e saj të begatshme, kështu u lëshuen ushunjëzat e fashizmit me shpirtin e tyne të pangopun, jo për ta naltësue mendërisht, moralisht e materialisht, që për tridhjetë vjet vuejti kërbaçin, thikën, plumbin e torturat e barbarit serb, por për ta mënjanue, për ta ndrydhë e për ta varfnue;
Ditët e para qenë ditë gazi e mallëngjimi: lotët e syve preknin zemrat e njeri-tjetrit; zemra i foli zemrës, shpirti shpirtit dhe gjaku gjakut. Këto ditë plot dashni shkuen gjatë se armiku vështroi, pa dhe punoi, ai gjet në Shqipni shqiptarë të kuletës e të kolltukut. Gjeti bij shqiptari të bastarduem, e nëpër rrugë të administratës që urdhëronte, e mbushi Kosovën me gjithë farë elementësh; i la të lirë të vepronin si të donin, mjaft që të fitohesh ftohtësia midis njëri-tjetrit. Ç’thurja kapi kulmin, spiunazhi gjeti fushë, e kur ngrihej ndonjë zà për nji “Mjaft mà!” humbiste si nëpër shkretëtirë. Por Kosovari edhe në këto ditë, ndejti burrë, ai e kuptoi qëllimin e anmikut, prandaj përgojoi me nji fjalë popullore: “I joti mishin mund t’më hajë, por kockën ka me ma ruejtë!”.
Tash kemi nji qeveri kombtare që e dalun nga gjiri i popullit, e forcueme prej nacionalistëve të shqiptarizmës, do t’u vejë kujdes shërimiyt të plagëve. Kosovari s’kërkon asgja nga ne, vetëm të vllaznohemi dhe ta ndihmojmë në luftën që ai mendon për mbrojtjen e truellit të Kosovës që asht njikohësisht total e shqiptarizmës: mos me e lanë përsëgjalli që kambë e huej ta shkeli at truell, por ta mbajmë porosinë e Bajram Currit:
“O Shqipni me Kosovën, ose të gjithë dëshmorë në fushën e nderit!”
Ky duhet të jetë vendim i premë i çdo shqiptari që e don me të vërtetë Shqipninë.

P.s. Shkrimi asht pa datë botimi, po sigurisht i përket gazetës “Bashkimi i Kombit” 1944

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.