back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Ata na mbyllën dyert e shkollave, por s’arritën t’na mbyllin dyert e dijeve… – bisedë me shkrimtaren Bajame Hoxha-Çeliku

Gazeta

Kozeta Zylo e Bajame Çeliku-Hoxha 2012
Kozeta Zylo e Bajame Çeliku-Hoxha 2012

Ata na mbyllën dyert e shkollave,

por s’arritën t’na mbyllin dyert e dijeve

Kozeta Zylo bisedon me autoren Bajame Hoxha-Çeliku

Zonja Bajame Hoxha-Çeliku së bashku me familjen e saj
u internua qysh fëmijë në Saver të Lushnjës.
Ajo punoi për shumë vite në punë të rënda, duke pasur mbi supe barrën e persekutimit
dhe mohimit të çdo të drejte elementare. Sot jeton me bashkëshortin dhe tre femijët e saj në Bruksel:
Nga dënimi i rëndë 31 vjeçar dhe pasojat e mëvonshme
ka fituar te drejtën e qëndrimit nëpërmjet statusit politik.
Ka botuar 16 libra dhe pena e saj është vlerësuar nga kritika serioze.
Zonja Hoxha ishte për vizitë pune në New York, me të u takova dhe i mora këtë intervistë:
.
Kampi i Savres 1991
Kampi i Savres 1991

Zonja Hoxha mund të na tregoni diçka nga jeta e fëmijërisë dhe kur keni filluar si fëmije të ndjeni persekutimin dhe dhunimin që iu është bërë si familje? Cili ka qenë shkaku i internimit tuaj? Po… isha akoma pa mbushur 11 vjeçe kur shtëpia jonë prej një muaji ndodhej e rrethuar natën nga ushtarë e policë të fshehur pas mureve e gardheve. Babai im Zaim Çeliku ishte vetëm 45 vjeç, njohes i 7 gjuhëve të huaja kur nje natë vjeshte humbi, nuk u kthye më në shtëpi pas pune. Jeta dhe veprimtaria e babait tim ishte Gjirokastra ku kishim nje restorant të mirë në Qafë të Pazarit dhe një shtëpi tre katshe me avlli të madhe po pranë Qafës së Pazarit. Babai ishte tregëtar i dëgjuar dhe bamirës që njihej nga Jugu në Veri. Nuk ka njeri që e ka njohur babanë tim të mos ketë një dhuratë apo një të mirë prej tij. Dhe si një kujtim i bukur, por tepër i dhimbshëm më vjen tani para syve një burrë i vjetër: Ishim në një dasmë te dajot pas shumë vitesh internimi. Duke shëtitur jo larg shtëpisë së dajëve unë me tim shoq, dhe para nesh motra ime Shpresa me të shoqin Gezimin (të dyja të martuara në internim me të internuar) shoh se një burrë i vjetër i ndalon dhe i drejtohet motrës sime me butësi: Më falni zonjë e nderuar, mos jeni vajza e Zaim Çelikut? – Po, i përgjigjet motra dhe një valë mendimesh të përnjëhershme i dogjën asaj shpirtin e plagosur, sepse s’kishte qenë as gjashtë vjeçe kur e kishte humbur babanë. Sakaq personi i panjohur ishte ulur në gjunjë dhe i puthi këmbët motrës, dhe duke vënë dorën në zemër u largua dhe humbi midis njerëzve, duke lënë tek zemrat tona, lotin dhe atë kujtim të paharruar.
Nuk e di, nuk e di pse na shkatërruan…
Ishte një pasdite e bukur tetori 1959, kur pa pritur u gjendëm të rrethuar nga dhjetra ushtarë e policë. Unë isha kthyer nga shkolla dhe po bëja detyrat ne avlli bashkë me një shoqen time me të cilën ngrimë në vend nga prania e madhe e ushtarakëve të armatosur që u vërsulën brenda.
Ora gjashtë e mëngjesit na zuri në kampin e Savrës ku të internuarit sapo mbaruan apelin dhe po niseshin për në punën e detyruar. Na shkarkuan ato pak plaçka që na lejuan të merrnim dhe na lanë të prisnim në qendër të kampit. Pas dy orësh na futën në gazermën e grave duke na dhënë si vend banimi pranë derës dy metra vend për gjashtë persona, nënën me pesë fëmijë jetim. Kazerma ishte e gjatë me dritare të mëdha, por për fat të mirë ishte e shtruar me dërrasa se nuk kishim krevate. Në këtë kazermë gjetëm 40-50 familje, gra e fëmijë, por dhe burra të këtyre familjeve po që për të fjetur shkonin larg në kazermën e burrave ku i prisnin krevatet 2-3 katshe me nje dysheme gjithë lagështi deri ne mes.
Në këtë kazermë kishin kaluar shumë familje me emër dhe pastaj ishin sistemuar nëpër banesa gjithë lagështi si p.sh. në një dhomë katër familje, por edhe pesë. Aty në kazermë, gjetëm Babanë e Agim Prodanit, nënën e mrekullueshme Hanko Bylon, e cila ishte shume e vjetër dhe interesohej për ne gjatë ditës. Ajo na deshi shumë dhe vëllait tonë i thoshte: Luanka i nënës, sepse kishte emrin e djalit të saj Luan i cili ishte arratisur bashkë me dy vëllezërit e tij për çështje politike duke lënë pas nënën fillikat vetëm, dhe regjimi i pashpirt e kishte internuar. Aty gjetëm dhe të nderuarën Afërdita Skrami ish mësuese, motra e Liza Laskës, që familja përjetësisht e kishte mohuar. Ajo ishte një grua e re shumë e bukur dhe tepër inteligjente. Afërdita Skrami njihte mirë gjuhën shqipe, greqishten e vjetër dhe italishten. Nga kjo grua fisnike, që e dënoi koha, pse s’kishte pranuar të bëhej dashnorja e titullarëve, ne përfituam shumë. Ajo shkruante poezi, fliste me kulturë dhe ruante një memorje aq të fortë sa të linte me gojë hapur. Ajo s’kishte familje po nuk u dekurajua kurrë! Familja e saj ishim ne! Ne e deshëm të gjithë atë grua fisnike dhe te të gjithë të internuarit ajo e kishte portën e hapur. Mamaja ime gjithnjë ia linte pjesën e ushqimit të barabartë me ne. Ajo kishte studiuar dhe njohuritë e saj i kalonte tek ne. Vëllai im Luani, motra Shpresa, si më të vegjël që ishin, ziheshin kush të flinte i pari me Drita Skramin, sepse shtretërit i kishim ngjitur. Nuk e di çu bë me fatin e saj pas demokracisë, po ajo ishte pjesa e jonë dhe meritonte respekt. Ne të gjithë të internuarit ishim familja e saj. Ajo kishte një karakter të çeliktë dhe nuk u bë kurrë vegla e kërkujt. Ishte grua besnike ku mbartëte mijëra besime brenda vetes. Nuk e di pse në këtë intervistë u përqëndrova te kjo figurë fisnike, ndoshta se ajo ndikoi fuqishëm, pozitivisht në jetët tona tmerrësisht të vrara.
Kur keni filluar të shkruani vjershëzën e parë dhe ngase u frymëzuat? Vjershën e parë e shkrova rrugës për në internim, më frymëzoi dhuna, më goditi padrejtësia, shkatërrimi i nje familje krejt papritur. A arrestohen fëmijët? Ishim në makinë kur po zbardhte drita e ne udhëtonim me policë për në kampin e Savrës. Mëngjesi i vjeshtës ishte shumë i bukur, por polici na rrinte mbi buzë dhe prishte agimin e bukur. Unë nxora nga çanta e cila më kishte mbetur ashtu në dorë që nga çasti i internimit, fletoren, lapsin dhe shkrova: Fjala ime sot, ka prerë gojë/ Ja, m’rri polici mu mbi buzë/ Zëri humb e dredh qerpikun/ Agim i bukur kthehet muzg/ Një nga një si mana toke/ Do mbledh gërmat ja tani/ Dhe me forcë porsi poete/ Do të shkruaj: për ty liri .(Demokraci)
Kjo poezi humbi me dyqind poezitë e tjera në Institutin e të përndjekurve politik ku i kisha derguar për botim, dhe që s’u botuan kurrë. Këtu te kjo poezi, te ky agim i bukur, te kjo nisje barbare, te ky fillim burgosje e internimi, nisi dhe fillin poezia ime dhe s’u ndal më, por edhe proza. Në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçe kisha mbaruar romanin e parë ku nuk e pa kurrë dritën e botimit, gjatë një kontrolli m’i zhdukën shkrimet, po unë i ruajta brenda vetes shumë poezi që më vonë i botova, me përjashtim 200 poezitë e para, ato që më dhembin më shumë më humbën në demokraci duke qenë shkaktar Kurt Kola me Stafin e tij.
Jeta juaj ka qenë midis Ferrit dhe Parajsës, ndërsa nekrologjia e së keqes ka ngelur e pavarrosur, klasa juaj e persekutuar a mund ta heqë të keqen që ka ngelur si ferra nëpër këmbë në poltikën shqiptare? Po, vërtet, jeta jonë për 31 vjet ka qenë një ferr i pafund si: torturat, fyerjet, puna e detyruar, lufta e madhe e klasave, diskriminmet përpara popullit se gjoja kërkoja Anglo-Amerikanët pse shkruaja, pse lexoja libra, pse komentoja e bëja recensione veprash të njohura, pse punoja dhe isha e zonja e punës së rëndë pa kërkuar asnjëherë lëmosh apo privilegj prej tyre, pse qëndroja e fortë e papërkulur përpara presioneve psikologjike e kërcënimeve të tyre. Kjo i tmerronte ata gjithnje e gjithnjë. Duke filluar që nga mosha ime 16 vjeç e më pas më nxirnin para popullit si shembull i keq që doja të përmbysja pushtetin popullor dhe që sabotoja komunizmin. Isha e zonja e punës dhe punoja një lloj me burrat në të njëjtin grup e skuadër. Punoja me shokët e mi me djemtë e burra të mrekullueshem që gjatë punës së rëndë kishim çfarë bisedonim e ata na i lehtësonin punën duke diskutuar për muzikën dhe letërsinë botërore. S’mund të harroj kurrë Koço Plasotin ky burrë i pashëm paqedashës dhe me kulturë gjithë ditën na këndonte, se kishte qënë me korin e Korçës. Gjithashtu Stefan Tasho djalë xhevahir dhe i urtë sa dhe i ngritur kishe qejf ta dëgjoje fjalën e tij të urtë, Gëzim Baruti, një djalë me sjellje korrekt inteligjent sa edhe i shkathet i binte kitares dhe këndonim së bashku mbrëmjeve për të harruar sado pak punën e vështirë dhe përbuzjen që kishim nga pas. Gjon Markagjoni, Jonuz Musai djem që s’harrohen kurrë si dhe Ahmet Kolgjini, dijetar dhe krijues me karakter të fuqishëm. Bajram Hoxha njeri punëtor i urtë me virtyte të larta, e më vonë fëmijët, Ganiu, Azizja, Myrvetja, Servetja dhe Byslimi që kishin një karakter të fuqishëm dhe s’u përkulën kurrë. Vëllezërit Kuqeshi, Thanasi, Petraq, Polikron, Sofokliu, Mondi dhe motra e tyre Evgjenia, motër e djem shëmbullor që punonin një lloj me traktorin. Sokol e Simon Miraka djem të edukuar e të përgatitur nga ana intelektuale. Musa Sina familje fisnike burrë korrekt me një humor të hollë dhe e shoqja Myrvetja ishin model i qëndresës. Elez Hoxha djalë fisnik model qëndrese, Nikoll e Drane Mernaçi familje me tradita e besnikëri të lartë. Bekim Heri, ky djalë zotëri që gëzonte besimin e të gjithëve, vinte nga kampi i Gradishtës shpesh me leje për të na dhënë kënaqësi të veçantë, ai i binte fizarmonikës dhe ne nën tingujt e saj harronim të keqen e madhe. Vëllezërit Kokali, Kiço, Vasili, Llambi familje shembullore, që rritën dhe fëmijë të mrekullueshëm brenda kampit. Vëllezërit Çapo, Idaiu, Eqeremi, Fadili dhe Lefteri djem këta me një karakter të fuqishëm. Vëllezërit Prengjoni ishin krenaria e benikërisë si Hyseni, Kadriu, Zeqiri, Alushi dhe dy motrat e tyre. Vëllezërit Laholli, Luani, Ahmeti dhe Ferdinandi, me nënën e tyre kreshnike Zengjine, ishin ilaçi i plagëve të shoqërise, djem shumë pozitivë. Familja Çeliku, Luani me nënën Hatixhe, dhe katër motrat e tij ishin model i qëndresës. Familja Cafi, Taze e Idriz Cafi nënë e bir shembull i qëndresës. Lazër Radi me familje qëndresë shëmbullore. Familja e Dinejve, Tomori, Sazani dhe Dine dhe motrat e tyre shembull i qendresës. Liri dhe Genc Bajraktari motër e vëlla model i qëndresës. Sherif Nela familje korrekte me fëmijë shembullor. Kristina Gjoni, Irena Dukagjini e Tefta Çapa, Esma Biçaku, Valbona Miraka, Luftani Agolli që vetëm u qeshte buza dhe fjala e tyre e urtë, gjithashtu, Lajde e Evanthie e Sofie Kokali familje që u respektua gjithë kohën, Motrat Herri, Dezdemona, Shpresa, Bardhylja, shoqja dhe moshatarja ime Fjorentina, që të kënaqte me fjalën e urtë dhe zërin e bukur kur këndonte. Motrat Kolgjini: Sania, Feridja, Fatime, dhe Shpresa, ishin model i qëndresës. Familja Musai, Jonuzi, Shpresa, Hysnia dhe Dervishi ishin një familje e lartë me cilësi të rralla, e shumë e shumë të tjerë.
Në këtë intervistë përmenda shumë emra miqsh me të cilët herë pas here kam punuar e jetuar me ta për 31 vjet. U kërkoj ndjesë të gjithë atyre që s’pata mundësi dhe kohë për t’i përmendur këtu. Po ju siguroj miqtë e mi të mire që asnjëri prej jush edhe pse s’jeni në këtë intervistë, nuk do të përjashtoheni në librin e ardhshëm dokumentar
“Vajet e pranveres” që del së shpejti…
Dua të shpreh se vuajtja gjysmë shekullore ishte e jona, e të gjithëve e jo e poltikanëve të soçëm e të moçëm shqiptar. Ne duhet të duam e të nderojmë njëri tjerin si dikur në ato kampe ugurzeza. Do të thosha si vështirë shkulet dhe harrohet nga zemra jonë ai persekutim i tmerrshëm, ajo fëmijëri me përbuzje nga pas, ajo rini aq e bukur e humbur kampeve të tmerrit komunist.
Pra, e lamë pas ferrin e Enver Hoxhës, dhe tani jetoj në paqe, në liri të plotë. Unë e ndjej se e arrita parajsën vonë, por e arrita. Keshtu do ta quaja dhe kjo do të ishte përgjigjja ime. Parajsa për mua është liria, është kjo që po jetoj! Është Brukseli.
Ndërsa nekrologjia e së keqes ka ngelur vërtet e pavarrosur, do të thosha nuk ka vdekur akoma, duhet të vdesë një herë e t’i bëhen të tëra ritet e detyrimet që janë borxh, pastaj të varroset me nderime. Pas varrimit të kemi një datë përkujtimore, që dhe media të angazhohet e ta dijë planin e punës atë datë. A nuk duhet vendosur një datë ku të kujtohen këto viktima e të bëhen homazhe?
Pa ne, pa ekzistencën tonë, nuk do të kishte nisje dhe vazhdim demokracia.

Bajame Çeliku-Hoxha
Bajame Çeliku-Hoxha

Mendoni se letërsia e shkrimtarëve të internuar vazhdon ta ndjejë indiferentizmin e kritikës së mirëfilltë, apo më e keqja mos vazhdohet të kërcënohet si në kohën e diktaturës? Shpesh konstatoj me dhimbje, diku e diku lidhje të forta me diktaturën, dhe klanet e tyre mjerisht vazhdojnë. Kush është përkëdhelur nga diktatura kërkon përsëri po ato privilegje e trofe, “Kush është mësuar nuk rri pushuar”. Por ka, ka me të vërtetë poetë e shkrimtarë të shquar, përparimtarë që dinë të vlerësojnë edhe klasën tonë, dhe ata janë shumë.
Ju keni qenë fqinjë në internim me Dr.Lazër Radin, një erudit i shquar i Kombit, mik i ngushtë i Migjenit, i dënuar per 50 vjet, përse kritika dhe politika vazhdojne ta mohojnë dhe ç’është më tronditësja i mohojnë dhe ja fshejnë foton me Migjenin, kur këtij të fundit i botojnë ose e kujtojnë me ndonjë seminar ose libër, cili është opinioni juaj si shkrimtare? Është për të ardhur keq! Dijetar si Dr. Lazër Radi në jetë përsëriten pak. Ai ishte mik i Migjenit, po dhe i imi, i të gjithëve, këtë s’e luan as topi, dhe libri i tij “Një verë me Migjenin” është një kryevepër për letërsinë shqiptare dhe të gjithë duhet të krenohemi. Ky libër u internua bashkë me autorin për 50 vjet radhazi dhe vuante nëpër syrtare gjithë atë persekutim.
E kam theksuar dhe në artikujt e tjerë që kam shkruar, Dr. Lazër Radi, mbetet një hero në radhët e të shtypurve, një mit, një njeri pozitiv që dha shumë nga vetja, që dha dritë në ato vite të errëta kur ne kishim aq shumë nevojë!
Gjatë kohës së botimeve të librave tuaj ju është dashur të mbroheni nga meskiniteti i ndonjë kritiku të vjetër, pasi letërsia dhe arti kanë nevojë për drenazhime, për një spastrim dhe rivleresim të domosdoshëm? Jo, përkundrazi, unë jam ndjerë mirë nga shumë personalitete e kritikë të letërsisë shqiptare, pavarësisht se nuk kam marrë asnjë çmim, përveçse në tekste këngësh ku kam marrë çmim të dytë, fletë nderi dhe flamur. Por jam e kënaqur si për çudi kur ishte në fuqi partia socialiste më janë pranuar libra nga ministria e arsimit për shkolla. Kjo do të thotë se unë jam pritur mirë nga kritika shqiptare dhe është një vlerësim që më është bërë nga njerëz e figura të njohura. Kurse për çmime poezie, kjo dihet, këto janë rezerva dhe dhelka që i ruajnë vetëm për vete dhe brenda klanit të tyre të gjitha juritë. Po për një gjë jam krenare: Unë e kam vargun plot ndjenja dhe madhështi kohërash! E kam frazën e bukur dhe të fortë! Edhe pse kam qenë klasë e përmbysur, i njoh mirë rregullat… Ata vërtet na mbyllën dyert e shkollave, po s’arritën kurrë t’na mbyllin dyert e dijes dhe shkollave brenda shtëpive tona, siç ishte edhe shtëpia e Dr. Lazër Radit, një shkollë e fortë. Tani dhe gjithmonë mbetem tolerante… jam me paqen dhe i dua të gjithë shqiptarët qofshin këta të majtë apo të djathtë.
Diçka nga jeta personale juaj në internim dhe jetesës së familjes suaj në Belgjikë? Nga t’ia nis? Lumë kujtimesh të hidhura më vijnë e më godasin shpirtin ende… si dikur në ato apele, në ato fyerje, në ato baltra, në ato fusha e kanale, që hapëm dhe që i lamë me lotët e fëmijërisë sonë, me lotët e rinisë sonë, dhe më tej, me lotët e një nëne të re, kur nuk kishte me se të ushqente fëmijën e saj. Na mungonte gjithçka. Mbi të gjitha na mungonte Liria, pika e qumështit për fëmijën e porsalindur në atë skëterrë-internim.
Jeta ime Personale shkoi e humbi si shumë jetë të tjera nëpër kampet e egra të komunizmit. Megjithatë tani kam shtrirë dorën dhe dua të kap kohën që më ka mbetur përpara me optimizëm. Dhe po mundohem me forcë të harroj atë lot të dhimbshëm që më mbeti atje larg në vendin e mallkuar.
Po për Belgjikën ç’mund të na thuash? Belgjika vjen shteti im i dytë, mëmë. E dua dhe e çmoj se më priti si bijën e saj. Unë në Belgjikë gjeta qetësinë, lirinë e humbur, dhe një demokraci të vërtetë, pasi vendi im për 50 vjet m’i mbylli të gjitha portat, më mohoi si njeri. Kurse ky shtet m’i hapi të gjitha dyert me dashuri duke më dhënë vendin e merituar edhe statusin politik.
I jam shumë mirënjohëse këtij shteti bujar që ka demokraci kaq të madhe, ku më hapi edhe portat e shkollës ku unë mësova frëgjishten për katër vjet, dhe tani merrem dhe me përkthime poezie dhe proze. Faleminderit Belgjikë! Merci, c’est très gentil de votre part.
Atëhere s’më mbetet gjë tjetër znj. Hoxha veçse t’ju falënderoj për këtë intervistë të pasur dhe të bukur. Edhe një herë faleminderit, dhe ju urojmë gjithmonë suksese të mëtejshme! Faleminderit znj. Kozeta për këtë interesim plot mirësi dhe kulturë që ju i bëni gjithnjë shtresës sonë.
Bisedoi Kozeta Zylo Maj, 2012 (Dielli)
Staten Island, New York

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.