Krenaria e hershme elbasanase
mes Et’hem Haxhiademit në arkivat britanike
nga Fatmir Terziu
Hyrje
Libri që mori dritën e “Dielli”-t, shtypshkronjës së atëhershme shqiptare, brenda pak ditëve shënon 77 vjetorin e tij. Shënimi i këtij 77 vjetori përket me datën 25 Maj të vitit 1938-të, datë në të cilën shkrimtari shqiptar me emër në letrat shqipe, Et’hem Haxhiademi, botoi “Abeli”-n. Kjo duket në parathënien e librit, ku autori ka vënë vendin Elbasan, dhe më pas datën përkatëse 25 maj. Në këtë parathënie, Et’hem Haxhiademi, shkruan “Dashnija vllaznore nuk rrjedh nga ajërimi i gjakut, sikundër besojnë të gjithë, por mbas pikëpamjes s’ime nga edukata e prindëvet” (f. 5). Ky libër me shënimin përkatës ndodhet prej vitesh në Bibliotekën Britanike, me një shënim të vogël që detajon edhe përkujdesësin apo dhuruesin e tij.
Krahas këtij libri gjendet edhe “Pirrua”, në parathënien e të cilit autori shënon se është përfunduar së shkruari më 18 Mars 1934 dhe është libër “Tragedi” për të pasuar pastaj librin tjetër “Lyra”, një libër që i jepet lexuesit elbasanas, të Shqipërisë dhe më tej në Ditën e Verës, një datë e shënuar për trevën që e lindi dhe një ditë festive dyfish për të. Pikërisht më 14 mars 1937-të “Lyra” do të udhëtonte me ndjesinë e saj më të fuqishme letrare edhe përtej dimensioneve gjeografike.
Këto dimensione letrare dhe po aq filozofike, e shpien mes parrathënies në një ridimensionim të tij, ku ai shkruan se “Artisti apo shkrimtari që ti bënjë ballë nevojave të ejtës së tij, duhet ma përpara të merret me një punë tjetër, me ndonjë punë që i jep bukë, siç flitet këtu në Shqipëri, dhe për mjeshtërinë qi i flet zemra, të punojë nëpër orë pushimi, ose të lanë mangut gjumin e natës” (f. 3). Më tej ai shton, se “deri sa në kohën e soçme quhet një marrëzi, duhet ta ketë edhe shkrimtari fatkeq vendin në çmendinën e Vlonës” (ibid).
Vjershat e barinjve ose “Bukoliket” autori i sjell edhe mes britanikëve në një gjuhë të pastër shqipe, mes dhjetë eklogave duke shënuar kështu përkthimin e parë nga gjuha latine në vitin 1922, por që botimi është bërë pas dhjetë vitesh në vitin 1932, nga shtypshkronja “Kristo P. Luarasi” në Tiranë. Ky libër në mbylljen e tij jep shënimin e vetë shtypshkronjës për koston e librin prej 1 frange ari dhe për një zbritje deri në 15% nëse blihej me shumicë. Ky libër, ka gjetur një përkujdesje edhe të britanikëve, ku vetë British Library, i përkushton ekzemplarit një veshje të trashë në vitin 1996, me një shënim të Chivers duke shtuar edhe disa fletë të bardha për të shtuar volumin e këtij libërthi të rëndësishëm.
Më e rëndësishmja lexohet në faqen 65 të “Lyra”-s ku Et’hem Haxhiademi, jep forcën e tij patriotike dhe intelektuale, me “Kanga shekullore 1912-1937”. Aty ai shkruan mjeshtërisht dhe poezia merr një formë të qartë e tejet diskursive:
“…i këshillove ambël qytetarët,
Të mos duroshin zgjedhën e Turqisë,
Dhe u përmende cilët janë shqiptarët,
Qi përqafoshin bishën e Azisë
Dhe qysh e denjë asht për një Komb të vjetër
Të rrojë i lir’ pa pas’ mbykqyrje tjetër”. (f 65).
Et’hem Haxhiademi në rrjedhën arkivore britanike
I pari që ka sjellë në vëmendjen e britanikëve të studimeve të letërsisë dhe kulturës shqiptare emrin e Et’hem Haxhiademit, është studiuesi britanik Stuart E. Mann. Tek libri i tij “Albanian literature: an outline of prose, poetry, and drama” Stuart Edward Mann (B. Quaritch, 1955) e quan shkrimtarin shqiptar një vendas nga Elbasani, që shënon datën e tij të lindjes 1907, por që emrin e tij e shkruan Et’hem Haxhiademi. Në faqet 196-197 të “Biographical Dictionary of Albanian History”, Robert Elsie e quan me Et’hem Haxhiademi duke vendosur respektivisht dhe datën e tij të lindjes 08.03.1902 dhe datës e vdekjes 17.03. 1965. Në faqen 14 të studimit të tij “Udhëzues i Kembrixhit për Teatrin” (1995) Martin Banham korrigjon ditëlindjen e tij duke e vendosur 1902 dhe emrin e tij e shkruan në të dy format Et’hem Haxhiademi dhe Etëhem Haxhiademi. Ai shkruan “Ete’hem Haxhiademi (1902) shkroi tragjeditë e bazuara në karaktere mitologjike dhe historike – Ulysses (1921), Akili (1921), Alexandër (1921), Pirro (1934), Skënderbeu (1935) dhe Diomedi (1939).
Në arkivën britanike emrin e shkrimtarit, dramaturgut, themeluesit të tragjedisë letrare shqiptare, Et’hem Haxhiademi e gjejmë me këtë format: “Etëhem Haxhiademi”. Edhe pse dihet se në alfabetin anglez nuk gjendet gërma “ë”, prapë katalogimi i emrit të tij është i përkujdesur deri në detajin më të ndjeshëm. Ai shkruhet ashtu si në kryeradhën e librave të tij që ndodhen në këto arkiva. Dhe ne për hir të bazimit në këto arkiva do të vazhdojmë ta quajmë si të tillë, pra Etëhem Haxhiademi.
Etëhem Haxhiademi, jo thjesht si dramaturg, përkthyes dhe një figurë intelektuale e shquar shqiptare, por edhe si një urë e hershme kulturash, ka patur nderin të jetë në mesin e arkivave britanike për vite e vite me radhë, ndërsa ai fat nuk e gëzoi, as atë as edhe pasuesit e tij të nderuar. Dhe ndjen një krenari të veçantë shqiptare dhe intelektuale, kur në mjedisin britanik sheh katalogun arkivor ku shënohen statistika të leximit të hershëm të tij. Mes këtij leximi janë “Pirrua”: tragedi me pesë akte në Gjinokastër i botuar në Tiranë nga Shtëpija Botonjëse “Luarasi”, në vitin 1934; është “Lyra” e botuar në Tiranë nga shtëpia botuese “Dielli”, në vitin 1939, gjenden “Bukoliket” përkthyer nga latinishtja prej Etëhem Haxhiademi; të autorit P. Vergil Maroni. Shënimet e botimit të këtij libri na shpien në Tiranë tek “Kristo Luarasi”, në vitin 1932. “Abeli”: tragedí me pesë akte e shkruar nga Etëhem Haxhiademi shënohet në Elbasan, por shtypja e saj është nga “Luarasi”, në vitin 1938-të.
Dramat e Et’hem Haxhiademit, një pjesë e poezisë së Fishtës, duke përfshirë këtu edhe “Lahuten e Malcis” përfaqësojnë karakteristikat e neoklasicizmit në letërsinë shqipe. Karakteristikat e neoklasicizmit në letërsinë shqipe pasohen nga shumë arsye në traditën e letërsisë popullore shqiptare dhe më pas në atë të shkruar. Në traditën shqiptare letërsia popullore dhe ajo e shkruar jo vetëm se kanë shumë përbërës të përbashkët brenda stukturës së tyre artistike, por në periudha të caktuara kohore kanë ecur paralelisht, duke përcaktuar edhe strukturat e përbashkëta zhvillimore. Kështu, për shembull, mund të thuhet lirisht se përrallat shqiptare, baladat, eposi i kreshnikëve me strukturën e vet shtresore përfaqësojnë brenda letërsisë shqipe jo vetëm fazën e saj paraletrare, mitologjike, por edhe etapat e tjera që e plotësojnë në shumë aspekte letërsinë e vjetër fetare e madje i japin lëndë të bollshme edhe letërsisë neoklasiciste që përfaqësohet nga Fishta, Et’hem Haxhademi e ndonjë tjetër.
Akademiku Rexhep Qosja, në veprën e tij “Shkrimtarë dhe periudha”, e trajton me vëmendje emrin dhe veprën e Etëhem Haxhiademit. Sabri Hamiti, në studimin e tij “Shkollat letrare shqipe”, duke u ndalur në evidentimet e shkollave respektive të datuara në letërsinë e shkruar e fut këtë autor në shkollën moderne përkrah emrave të tjerë që kanë shënjuar këtë shkollë si L. Poradeci, E. Koliqi, M. Kuteli, Migjeni. Sipas studimeve reciproke këtë autor e rendisin në mesin e atyre autorëve kritikë që në shkrimet e tyre, janë përpjekur ta analizojnë që ta shpjegojnë fenomenin e letërsisë në përgjithësi, ndikimin e saj, si dhe t’ia afrojnë lexuesit atë në mënyrë sa më të qartë. Për këta autorë, ku bën pjesë dhe Haxhademi, mund të thuhet se kanë qenë kritikët, teorikët, estetët dhe historianët e parë të letërsisë në kulturën tonë.
Por ndodhte ndryshe kur bëhej fjalë për vlerësimin dhe rendin e veprës së tij. Për tekstin e tij si të disa të tjerëve mbizotëronte kriteri tematik. Por këto kritere në tekstet e pas ‘90-tës edhe pse u zëvëndësuan me paraqitjen historike të poezive e të prozës së shkrimtarëve, përfshi dhe ata që më parë ishin ndaluar, interpretimi mbetet i njëjti. Një orientim i shtrembër jepej dhe në pyetjet e aparatit pedagogjik në analizën e një fragmenti nga tragjedia “Skënderbeu” e E. Haxhiademit.
Autori Haxhiademi, është ndoshta më i paploti në tërë dimensionin e tij studiues, në një rast më të saktë ai vazhdon të mbetet ende më i pastudiuari. Herët kam ndeshur një studim të Tomor Plangaricës, dhe më pas një shkrim të shkurtër e më pas më të detajuar nga Makensen Bungo. I pari pedagog i mirënjohur, ndalet në detaje të rrëndësishme që lidhen me veprën dhe emrin e tij, dhe e i quan “Mesazhe që nuk mënojnë të vijnë sërish tek lexuesi: Me rastin e 101 – vjetorit të lindjes së shkrimtarit Ethem Haxhiademi, ndërsa Bungo na sjell dhe një fakt tjetër që flet për një roman të zhdukur që në dorëshkrim. Makensen Bungo thotë se “gjatë bisedës që bëmë, ai (E. Haxhiademi) na tha se kur ishte student në Austri kishte shkruar një roman erotik me titull “Tyrbja e Gocës”, dorëshkrimi i të cilit i kishte humbur gjatë udhëtimit, kur ishte kthyer në Atdhe. E shënoj këtë detaj, sepse deri tani autorët që janë marrë me këtë shkrimtar nuk e kanë përmendur këtë vepër.”
Koha e autorit në Austri, kur ai ishte student cilësohet nga Stuart Edward Mann, si një kohë mjaft aktive, duke shtuar se ai ka qenë mjaft aktiv dhe në disa revista shkencore si “The national Calendar” etj. Sipas Stuart Edward Mann, ai cilësohet një shkrimtar midis klasikes dhe patriotikes, me një vlerë të rallë dhe tejet të rëndësishme studimore. Më tej Ernest Koliqi dhe Nazmi Rrahmani shkruajnë: “Et’hem Haxhiademi, dalëzotës me fjalë e me vepra i nji klasicizmi të rreptë, autor poezish të thukta, të meditueme, të ndërtueme, të hartueme në gjuhën mâ të pastër t’Elbasanit, qytet i Shqipnisë së Mesme…”