back to top
6.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Krijesë e përsosun! nga Desantila Qerimaj

Gazeta

Desantila dhe Izabel
Desantila dhe Izabel

Krijesë e përsosun! nga Desantila Qerimaj

Dedikim për Isabel

Sot bahem dy vjet nanë.
Krijesa e sjellun në jetë prej meje quhet Isabel (Ízabel). Kët emën e zgjodha sepse tingëllimi… më ngjallte nji harmoni tejet të ngrohte, elegante… Asht emën që më shtyu me hapë fjalorët dhe pashë se në hebraishte përkthehej: “Zoti asht betimi jem!!” Se çka duhet me besue ajo në jetë, mendoj do të jetë zgjedhja e saj, po gjithsesi besimi në Zot, si forcë e dashnisë, e ndjenjës së artit dhe bukurisë, ka me kenë besimi i vetëm që un kam me i rrëfue gjithnji, tuj fillue prej emnit.
Isabel asht nji fmijë lojcak dhe i lumtun. Ajo rrin tuj vrapue e këndue tanë kohën, dhe ban sherre prej nadjes deri në mbramje. Në kohën kur ime bijë nisi me u rritë, e me u hjedhë prej divanave, shtretënve e karrigeve si me kenë nji notare që zhytet në ujë pa e pasë aspak frikën e rrezikut, ajo çka m’kujtohej ma shpesh, asht nana jeme. Kam nji kujtim të thellë, shum të thellë t’fminisë, kur axha jem më fut’te në nji strajcë e më varte n’maje të murit. Prej kësaj tan familja gzoheshin fort, pse ju dukte shum e veçantë me kenë nji fmijë 3-4 vjeç i varun maje murit e që nuk ban za jo se trembet, po e kundërta ndjehej fitimtar. Mue m’u dukte shum interesante… se me nxjerrë kryet prej atje nalt e mbledhun kruspull në nji strajce e me kqyr teposhtë, tan entuziazëm ftyrat e gzueme e t’habituna njiherit të axhës, nanëbabes, hallave e fmijve të tjerë ishte gjà e rrallë, por sa takojsha në sytë e nanës, euforia më stepej, pse ajo m’shifte e trembun, e rrinte nën mue me krahët hapë, tuj pritë mos po bijsha, e tuj thanë me za të naltë: “Ma ulni vajzën shpejt prej atje, ma ulni vajzën shpejt prej atje…!!”
Kjo që më ndodh mue sot me Isabel. Çdo gja që ajo ban, unë i rri afër, aq afër sa ndoshta e frenoj në lojën e saj, me e ndihmue nëse për nji çast ajo mund t’pengohet a rrëzohet…
Në muejt e shtatzanisë, kur fmija mbas ngjizjes formohej, fantazia jeme prej nane të paditun, imagjinonte realitete nga ma të ndryshmet e ma të pabesueshmet. E imagjinojsha se si kishte me kenë, si do t’i kishte sytë e flokët, buzët e kuqe, duert e vogla e kambët topolake; mendojsha se si kishte me luejtë, e po ashtu si kisha me kenë un përballë saj??? Mbrenda meje merrte frymë nji krijesë t’cilën se njifsha, por ajo tan jetën do t’u bante pjesë e pandashme e trupit, mishit e gjakut tem.
Asgja çka kisha mendue…! Kur bebja asht në bark, nuk i afrohet asaj çka vërtet fmija bahet për nanën nga dita që vjen në jetë, përmasat e dashnisë vijnë e rriten e zgjanohen deri aty ku nuk ka nji shpjegim…

Thomas Benjamin Kennington - Nanë e bijë
Thomas Benjamin Kennington – Nanë e bijë

Herën e parë kur ia ndjeva rrahjet e zemrës, kuptova çka janë vërtet lotët e lumtunisë… “lotët e naltë”… përjetim i cili m’shoqnon hala sot me t’njajtën forcë emocioni. Mjafton me mendue at “tak-tak, tak-tak, tak-tak”, ritmik, (kur mjekja m’tha: -Voglushja asht krejt mirë), me u kujtue se nji dhuratë si kjo, asht thelbi i asaj çka mund të quhet “Dashni”.
Ísabel pruni te unë kuptimin e lumtunisë, nji lumtuni sa e qetë njaq edhe surprizuese; nji lumtuni pa grimën e dyshimit, nji gjendje sigurie dhe gzimi, e cila asht gjithnji njaty… Aroma e saj asht paqe lutjet, ndoshta edhe ma shum… kur i marr erë tuj i mbyllë sytë, m’duket se jam në nji botë që s’e kam njoftë kurrë ma parë, sikur më hapet shpirti… e më duket se… ringjallem! Asgja tjetër s’mund të jetë ma shum sinonim i mrekullisë, se ajo aromë dehse e fmisë tand…
N’se kur lindi e fillojsha nadjen me dyshimin se a mund t’realizoja çdo gja, me e rritë si duhet teme bijë, tash të dyja bashkë e fillojmë nadjen tuj u dashtë e tuj ba laradasha në shtrat, pa e vra hiç mendjen për botën jashtë.
Tash ajo asht dy vjeçe… dhe më rrok, më puth fort, më flet, (ka nji gjuhë të vetën me rrokje e me zanore: ouuu… iaaaa… takaaa… duguuu…) më merr përdore me ecë bashkë… dhe un ndjehem ma fëmijë se ajo, çlirohem prej çdo gjaje që jam, o më kan mësue me kenë, veç me ia ndie njata gishtat e vocërr tuj e shtrëngue dorën teme, pse asht tejet e lumtun se po luejmë bashkë… apo kur e merr malli për mue, turret vrap e vjen e m’i puth duert… dhe un kjaj! Kjaj prej lumtunisë… me ata “lotët e naltë”…!
Mandej vijnë do momente të randsishme ku shpërthen gjallnia e rritjes së saj si: m’i fut gishtat në sy për me ndje se çka asht mrenda tyne; m’i prishë tana lojnat me i pa si janë të bame; e sjell biçikletën mrapsht me e pa a po punon si mbarë; m’i shkul flokët, dhe rrin tuj mbulue kryet e vet me to; m’i vizaton muret e divanat; rrëzohet orë e çast, tuj ma ba gjakun “ujë”; e shum tjera si kto.
Shum njerëz të dashtun e miq më pyesin nëse i kam ba ndonji poezi?! Deri tash asgja!! Sa herë marr laps e letër në dorë, s’mbrrij me shkrue asgja!! Ndoshta përmasat dhe thellësia e ndjenjës për të, s’i afrohet asnjenës gjuhë që unë njof… Asnji gjuhe që unë ndjej… s’e ndjej si at krijesë të dalun prej vedit…
Kshtu e vogla jeme! Unë s’kam mbrritë me ta kushtue nji poezi…mos ndoshta due me të thanë diçka ma të madhe se cilado fjalë, ndjej për ty diçka ma shum se cilido diell, apo hapsinë qiellore… Hana asht e humbun në sytë e mi para teje, dhe qiejt së bashku me luginat, fushat e detnat janë veç zbukurim i frymmarrjes tande…

Nanë e bijë - 2014
Nanë e bijë – 2014

Ti erdhe si nji zog i pushtë e i tulatun n’kët botë, nji ditë vere ku un s’e di çfarë kohet ishte; s’e di a ishte fresk a xetë; s’e di nëse jeta jeme ishte aty apo dikund tjetër; di vetëm se ti ishe n’krahët e mi njashtu e lehtë si engjull i bardhë, në nji dhomë t’vogël të nji spitali londinez, që për mue ishte ajër i kthjellët, e ku për të parën herë fluturuem së bashku mbi do re t’purpurta, ku ti thithe tamlin – limfë të jetës prej trupit tem, tuj më thanë me at ftyrën tande rozë e të njomë: se çdo gja që kisha kalue, ia kishte vlejtë veç për njat moment…
Ishe n’krahët e mi… që unë ta kuptojsha se gjaku jot, asht gjaku i shpirtit tim të gjallnuem; se veç nji përlotje e jotja, ishte ma e randë se krejt plagët e mia… N’krahët e mi… ti ishe dhe je harmonia e përsosun e dashunisë!
Sot, gjithnji e ma fort po shof si bota struket e largët para qeshjes tande. Për mue, me ngadhnjye don me thanë: me m’përqafue ti!!!Çdo qelizë e jemja numron lëvizjet tueja, në pritje që ditët, muejt, vitet dhe tane jetën, ta kesh nji qiell ku t’mundesh me fluturue e lirë… e sigurt… si nji shqiponjë.
Edhe sot edhe kur t’rritesh…
Un due:  Që ti, me u ba e lumtun!!!

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Desantila asht nji vajze e re, asht nji nanë e re, asht nji muzikante e re, asht nji shkrimtare e re… Ajo shfaqet kësaj here me nji urim kushtue vajzës së vet dy vjeçe, nji urim i veçantë që ka mbrendë përveç dashnisë dhe tingujve të violonçelit, edhe muzën e saj poetike… E nëse në krye ajo kishte shumë gjana të reja mbi vedi, ky shkrim asht diçka me të vërtet e bukur se asht e ndjeme gërmë për gërmë, tingull për tingull, fjalë për fjalë…
    Uroj që ajo çka i uron kjo nanë e re bijës së saj… t’u ndodhë të dyjave përditë…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.