back to top
8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Krijimtaria ime s’i ka kënduar kurrë partive as tiranëve… – Gëzim Hajdari intervistuar nga Jozef Radi

Gazeta

Dine Dine, Jozef Radi, Faslli Haliti, Gezim Hajdari
Dine Dine, Jozef Radi, Faslli Haliti, Gezim Hajdari

Krijimtaria ime s’i ka kënduar kurrë partive as tiranëve…

Gëzim Hajdari  intervistuar nga Jozef Radi

Në Panairin e Librit në 2007, së bashku me Botuesin e Besës, 
promovuam Antologjinë Poetike të Gëzim Hajdarit,
një vepër që udhëton prej vitesh jashtë dhe përtej realiteteve letrare shqiptare
edhe pse autori i saj, kujdeset që pjesën më të madhe e veprave t’i kurojë në dy gjuhë… 
Sigurisht, mungonte Autori, por takimi me lexuesit ishte mjaft i ngrohtë dhe prekës, 
në veçanti me ata të cilët kishim qenë dikur shokë klase në vitet e largëta ’70. 
Paraqitja e kësaj bisede midis nesh në periudhën e Panairit të librit më 2007, 
mbetet dëshmi e një komunikimi të gjatë dhe pozitiv, 
që e ka përcjellë jo vetëm jetën tonë, problemet dhe dashurinë për artin, 
po njëherësh edhe si shpirt i koherencës së autorit që me kurajo 
i ka denoncuar qysh herët raportet e politikës me artin në atdheu, 
po ka venë edhe gishtin në plagë për mjaft probleme që trazojnë shpirtin e poetit Hajdari…
jozef radi, 2021
Gezim Hajdari & Józef Radi - 2006
Gezim Hajdari & Józef Radi – 2006
Një jetë e madhe do të thotë poezi e madhe që i kapërcen kufijtë dhe u reziston shekujve,
një jetë e vogël do të thotë poezi e vogël, provinciale. Dhe bukuria e jetës s’është ta jetosh,
por ta përshkosh atë. Por s’mjafton, poeti i vërtetë duhet të shkojë përtej poezisë
duke sfiduar çdo rrezik, për t’u bërë një zëdhënës i kohës së tij.
Pra, poezia është dhe përvojë interiore e thellë dhe autentike, mision shpirtëror…”
gëzim hajdari 
.
Së shpejti pritet të dalë antologjia juaj poetike… Një libër ku janë përfshirë një pjesë e mirë e korpusit tuaj poetik… pyetja e parë dhe e domosdoshme e lexuesit është: Ç’është kjo antologji, si ka lindur, ç’përfaqëson për ju dhe çfarë mund të përfaqësojë për lexuesin tuaj?…
G.H. Antologjia Poezi të zgjedhura (1990-2007) përmbledh një pjesë të gjerë të poezive marrë nga vëllimet Barihidhët, Antologjia e shiut, Hije qeni, Gurë kundërerës, Trup i pranishëm, Vragë, Gjëmba të zinj, Dhimbjehëne dhe Peligorga.
Kanë kaluar plot shtatëmbëdhjetë vjet nga botimi i librit të tim parë. Vite të ngjeshur dhe intensivë me përpjekje për liri dhe demokraci në vendin tim, denoncime kundër krimeve të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, kundër abuzimeve dhe shqyerjeve të regjimeve të rinj të maskuar (qoftë të majtë a të djathtë)… zhgënjime, kërcënime me jetën, ikje, ezile, dënime me heshtje nga ana e mafies politike dhe kulturale të Tiranës. Mbi dymbëdhjetë vjet punë krahu për të mbijetuar, si në atdhe dhe në Perëndim, studime pa fund, udhëtime në Azi, Afrikë dhe në Jug të botës për të dëshmuar në librat e mi, shpesh duke rrezikuar jetën.
Pikërisht gjatë këtij perkorsi u lind dhe u trupëzua vargu im, ushqyer me këngët epike të malësorve. Stërgjyshit e mi vojnë nga Alpet e Veriut, vend mistik ku gjenden Bjeshkët e Nëmuna, e ku ka mbretëruar Kanuni dhe besa. Janë poezi të shkruara paralelisht në dy gjuhë: shqip dhe italisht.
S’kam ndjekur një renditje kronologjike të vjershave sipas botimeve, por sipas krijimeve të vëllimeve. Dëshiroj të vë në pah, se në kët’ përmbledhje të zgjedhur, s’kam përfshirë Poemën e mërgimit (1700 vargje, botimi i dytë i zgjeruar), pse e konsideroj kët’ libër një vepër komplekse dhe më vete. Si e tillë, s’mund të copëtohej, por duhet të lexohej si e tërë. Ata që kanë pasur mundësinë ta lexojnë, e kuptojnë vendimin tim. Përzgjedhja e këtyre teksteve në një “libër të ri” (i cili pritet të dalë edhe në gjuhën italiane), ka qenë për mua tejet e vështirë dhe prekëse: Një rikthim mbrapsht në kohë e në hapsirë, një ripërjetim i perkorsit poetik, i cili nis në vendlindjen time Hajdaraj, një fshat i vogël kodrinor në provincën e Darsisë, ku gjatë vjeshtës dhe dimrit shpërthejnë vetëtima dhe gjëmime të tmerrshme e fryn vazhdimisht erë… Mendoj se kjo përzgjedhje, promovuar nga botuesi im, Besa, do ta plotësojë dëshirën e lexuesve shqiptar, duke u dhënë atyre, më në fund, një pamje më të plotë të udhëtimit tim poetik midis botëve në kët’ hark vitesh. Paraqitja e kësaj “përmbledhje të re” ka qenë një detyrim, pasi mjaft nga vëllimet e mia botuar në Itali pas viteve ’90, s’gjenden më nëpër librari dhe pritet ribotimi i tyre.
.
Për herë të parë një vepër e juaja prezantohet në një manifestim të rëndësishëm siç është Panairi i Librit në Tiranë. Si do ta shpjegoni prezantimin e këtij libri pa praninë tuaj, kur ky rast mund të shërbente edhe si mundësi komunikimi me lexuesin shqiptar…?
G.H. Teksa po bashkëbisedojmë bashkë, ndodhem në panairin e librit në qytetin Chiari të Lombardisë, për të marrë çmimin Editorial di Qualità për Poemën e Mërgimit (Poema del’Esilio), botimi i dytë 2007, i dhjeti çmim letrar ndërkombëtar që fitoj jashtë vendit tonë, duke përfshirë çmimin Montale, më i rëndësishmi për poezinë në Itali. Prezantimi i poezisë sime në Shqipëri vjen pas tridhjetë vjetësh, dhe kët’ herë iniciatorë janë jo organizuesit e panairit të librit, por botuesi im italian, Besa. Mungesa e pranisë sime në promovimin e antologjisë së zgjedhur, shpjegohet me faktin se s’kam marrë asnjë ftesë zyrtare nga Tirana. Edhe pse unë kam mbi një çerek shekulli që promovoj imazhin e poezisë shqiptare nëpër botë. Vetëm në Itali krijimtaria imë është prezantuar në trembëdhjetë universitetet më prestigjoze. Përkundrazi, siç theksoj edhe më sipër, vepra ime është më cinike nga mafia politike dhe kulturore e Tiranës pse s’u ka kënduar kurrë partive dhe tiranëve, por njeriut. Përfitoj nga rasti për të përshëndetur ata pak miq të mi që do të jenë të pranishëm në promovimin e antologjisë sime. Kam shumë vite që s’shkel në Tiranë.
.
Viti 2007, ka qenë viti më i rëndësishëm i botimeve tuaja si fjala vjen “Poema e Ezilit”, “Peligorga”, “Antologjia e poezisë – në Italisht” si dhe botime të rëndësishme që janë në fazën e botimit në Greqi dhe Gjermani… Nuk besoj se janë dhurata të pakta që i keni bërë vetes në kët 50-vjetor…! Si do ta vlerësoni këtë fazë të krijimtarisë suaj?
G.H. Janë dhurata për lexuesin, krijuar me mund, studim, këmbëngulje, disiplinë pune dhe ritme masakruese; për autorin veçse privime, sfilitje dhe ikje nëpër botë, i vetëm. Veç botimeve që përmendët, ia vlen të përmenden se gjatë këtij viti janë mbajtur shumë kumtesa mbi veprën time nga studiues dhe profesorë të universiteteve italiane, greke, franceze dhe amerikane, teza të laurave prej studentëve. Kush ka dëshirë të njihet me to mund të konsultojë botimet përkatëse akademike dhe sitin e kërkimit google, duke klikuar mbi emrin e autorit në fjalë. Të shumta kanë qenë dhe promovimet e vëllimeve, konferencat, leksionet dhe intervistat. Së shpejti pritet të dalë në Greqi vepra e zgjedhur poetike dhe në Gjermani vëllimi Dhimbje hëne.
Në të ardhmen do të botohen poetë shqiptarë në gjuhën italiane dhe poetë në gjuhën angleze në italisht me përkthimin tim. Por projektet e mia s’mbarojnë me kaq.
.
Gezim Hajdari  - Antologjia 1990-2007
Gezim Hajdari – Antologjia 1990-2007
Ju tashmë e keni krijuar lexuesin tuaj përtej… A e pretendoni lexuesin shqiptar, dhe çfarë bëni ju për të gjetur urat e komunikimit me të…?
G.H. Komunikimin me lexuesin shqiptar s’e kam ndërprerë asnjëherë, dëshmon botimi i vëllimeve të mia në dy gjuhë, shqip dhe italisht. Tash i takon lexuesit shqiptar të komunikojë me mua, me veprën time. Jam i vetmi poet shqiptar pa lexues shqiptarë. Herë pas here më mbrrijnë letra e ftesa nga vende të ndryshme të botës, por kurrë një letër apo ftesë nga artdashësit e vendit tim. Ndoshta shkruaj për lexuesit që do të vijnë… Pra lexuesi im shqiptar është imagjinar. Dhe kjo më mjafton për t’u ngushëlluar në ezil. Kjo ndodh pse lexuesi shqiptar, fatkeqësisht, është më i indoktrinuari në Evropë. Për t’u çliruar nga “prangat e realizmit socialist”, duhet të deprogramohet, dmth të çlirohet nga magjepsja e pseudonimeve të së kaluarës enveriane dhe të fillojë të mendojë ndryshe, pra të rilindë sërish; të rilindësh kërkon ndërgjegje, kurajo qytetare dhe impenjim. Në Shqipëri janë poetët e shkrimtarët-politikanë ata që i diktojnë shijet, pëlqimet estetike, vlerat letrare opinionit publik dhe jo lexuesi. Jo pa shkak çmimet letrare, ftesat për të marrë pjesë në panaire a takime letrare kombëtare e ndërkombëtare imponohen nga lart, nga politikanët dhe pushtetarët ish komunistë. Çfarë duhet bërë? Para së gjithash heqja e vlerave kulturore nga duart e politikanëve dhe krijimi i instituteve kulturore, i shoqatave dhe qendrave kulturore të pavarura nga politika e nga ishët e djeshëm. Çmimet letrare dhe takimet kulturore duhet të organizohen dhe administrohen nga organizma të tillë në mënyrë objektive, transparente dhe legale. Vetëm në Shqipëri ndodh që festivalet e letërsisë apo çmimet letrare kushtuar Fishtës, Konicës, Nolit, Poradecit, Migjenit, etj., të organizohen nga Ministria e Kulturës, nga qeveria. Në asnjë vend të Evropës s’ndodh një manipulim i tillë. Në Itali dhe në botë festivalet letrare apo çmimet letrare, kushtuar figurave të shquara të kulturës kombëtare, organozohen nga qendrat dhe shoqata kulturore të pavaruara, nga shoqatat e librashitësve, apo fondacionet – Letërsia dhe arti janë një terren i brishtë dhe si i tillë duhet të qëndrojë jashtë çdo influence politike a partiake. Një veprim i tillë i lë shteg korrupsionit, manipulimit të vlerave letrare dhe shpirtërore dhe, në të njëjtën kohë, përdhunon dhe denigron vlerat e vërteta letrare, edukon keq brezin e ri, izolon vendin nga bota.
.
Në këtë libër është përmbledhur nektari i tridhjetë viteve tuaja në fushën e poezisë… a shterret një poet në mesazhet e tij brenda kësaj hapësire kohore…?
G.H. Për një poet që jeton midis botëve dhe që ka vendosur t’ia kushtojë jetën letërsisë dhe kërkimit, s’ka shterrje, ka veç male me mesazhe pata penës së tij. Të shkruash do të thotë rinovohesh, ta tejkalosh vetveten nga libri në libër dhe nga antologjia në antologji. Poeti duhet t’i ngjajë udhëtarit të përjetshëm që s’ndalet kurrë në një vend, por është gjithnjë në zbulim të botëve të reja.
.
Pse asnjë shtëpi botuese shqiptare s’ka kërkuar ta botojë veprën tuaj, pse kjo e ftohtësi midis jush dhe botuesve shqiptarë?
G.H. Editoria kërkon njerëz të ndershëm, të kualifikuar, të apasionuar, vizionarë, seriozë e intuitivë. Një botues inteligjent e kërkon vetë autorin dhe për ta “zbuluar”, kapërcen dete, shtete dhe kufij, investon për autorët e tij… por më e keqja është se shtypësit e librave në Shqipëri, çdo vlerë letrare e matin me kutin e “realizmit socialist” dhe jo me parametrat botërorë. Në shtëpinë time – fondacion – vijnë gazetarë, studiues, përkthyes, fotografë dhe botues nga vende të ndryshëm, por jo nga atdheu… E kam theksuar dhe do të më duhet të vazhdoj ta theksoj se Shqipëria është si Medea: shqyen bijtë e saj.
Megjithatë, tash të drejtat e autorit të veprës time, në shqip dhe në italisht, i zotëron botuesi Besa.
.
Sot librat poetikë nuk i pranojnë libraritë, shitja e tyre ka rënë në nivelet më të ulta të këtij shekulli. Pse kjo armiqësi me poezinë, dhe si duhet zgjidhur kjo nyje gordiane, ç’magji duhet për ta ringritur artin e fjalës magjike…?
G.H. Përgjegjësia për mosshitjen e librit poetik bie mbi industrinë kulturore, e cila manipulon konsensin. Botuesit e sotëm s’botojnë libra, por fabrikojnë libra si këpucët apo karamelet. E vetmja logjikë është fitimi dhe jo vlera. Dikur redaktorë të poezisë ishin figurat më të shquara poetike, sot vendin e tyre e kanë uzurpuar tregtarë që hiqen si poetë, menaxherë apo nëpunës që rendin pas sensacioneve, shoë-t dhe spektaklit. Pra, janë vetë shtëpitë botuese që i largojnë të apasionuarit nga poezia, të cilat shpesh kontrollojnë mjetet e medias, çmimet letrare; shkëmbejnë ndere dhe favore midis tyre. Por nuk mungojnë botues të veçantë, të cilët kanë vendosur të qëndrojnë sa më larg industrive kulturore, duke bërë një punë të jashtëzakonshme e të mençur në zbulimin, përzgjedhjen, botimin dhe promovimin e poezisë së vërtetë, e cila historikisht ka banuar dhe banon jashtë hierarkive zyrtare. Një nga zgjidhjet për shpëtimin e poezisë është hapja me botën. Gjakun e ri dhe freskinë poezisë bashkëkohore do t’ia sjellin botët e reja në zhvillim si Afrika, Azia dhe Amerika e Jugut, Evropa është mplakur, përkulur mbi vetvete. Poetët e vendeve të lindjes, pas rënies së Murit të Berlinit, nuk sollën kryevepra. Poezia zyrtare perëndimore, në përgjithësi, s’është poezi, por letërsi, akademi. Shumë poetë evropianë dhe amerikanë janë poetë autoreferencialë, u këndojnë gjërave të vogla, anktheve ditore, halucinacioneve. E vetmja alternativë kundrejt poezisë minimaliste dhe shterpë është rikuperimi i sensit epik, muzikor dhe qytetar të poezisë.
.
Sa e ka ndihmuar komunikimi me botën poezinë tuaj?
G.H. Unë jam një udhëtar i përjetshëm, jetoj midis kontinenteve dhe komunikimi me botën ka qenë iluminant për poezinë dhe prozën time. S’mund të pretendosh art të madh nëse nuk çlirohesh nga lidhjet atdhetare, për të nisur pastaj udhëtimin në gjurmët e Gilgameshit, në kërkim të jetës dhe vdekjes.
.
Çfarë do t’i këshilloje dikujt që mendon se ndjehet poet?
G.H. Asnjë këshillë, është vetë jeta që të bën të ndjehesh poet. Një jetë e madhe do të thotë poezi e madhe që i kapërcen kufijtë dhe i reziston shekujve, një jetë e vogël do të thotë poezi e vogël, provinciale. Dhe bukuria e jetës s’është ta jetosh, por ta përshkosh atë. Por s’mjafton, poeti i vërtetë duhet të shkojë përtej poezisë duke sfiduar çdo rrezik për t’u bërë një zëdhënës i kohës së tij. Pra, poezia është dhe përvojë interiore e thellë dhe autentike, mison shpirtëror.
.
Kur do të kthehesh në Tiranë?
G.H. Ndjehem në Tiranë kur jam larg saj. Ndoshta ka ardhur koha ta zhvendosim qendrën në periferi.
.
Marrë nga Gazeta Ndryshe, e enjte, 15 nëntor 2007
.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.