back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Krimi dhe Ndëshkimi – versioni shqiptar 
Ilir Seci (Illyria)

Gazeta

Pablo Picasso - Masakër komuniste
Pablo Picasso – Masakër komuniste

Krimi dhe Ndëshkimi – versioni shqiptar 
Ilir Seci (Illyria)

Dhe nji shënim… mbi kët shkrim nga Jozef Radi

Ky shkrim i Ilir Secit “Krimi dhe Ndëshkimi – versioni shqiptar”, më pëlqeu mjaft dhe me dëshirë ia kërkova autorit ta vendosja në sitin tim… sepse, shumë prej problemet që trajtohen në kët shkrim, i kam përcjellë me mjaft vëmendje, bile jam përpjekur t’i jap edhe njifarë logjike kësaj që ndodh… të cilën unë do ta konsideroja me pak rreshta si: Krizë të Figurave…
Rënia e diktaturës mori me vet edhe nji seri figurash mitike të asaj periudhe…  figura, të cilat komunizmi i prodhonte nga asgjëja, dhe që shumë shpejt shkuan atje nga ishin nisur… te asgjëja… Figura si ato të Shkurte Pal Vatës, SpiroKotes, Fuat Çelës, Adem Rekës, Isuf Plloçit, Ismet Sali Bruçajt, e plot të tjerëve, apo njerëz të verbër në shërbim të Diktaturës dhe të Armës së Sigurimit, që s’kishin lënë medalje në qarkullim, humbën madhështinë dhe misterin dhe e vërteta e tyre sot e ka zbehur at aureolë që ua mbante me dhunë dhe nënshtrim regjimi… Figura si ato të Koçi Xoxes, Bedri Spahiut, Pal Mëlyshit, Kadri Hazbiut, Feçorr Shehut, Mehmet Shehut, e krejt nji aradhe veglash të verbra diktature, humbën përmasat e pompuara me zulmë, sepse asgjë humane s’kishin në jetën dhe veprën e tyre, veç verbërisë dhe bindjes mjerane ndaj një regjimi kriminal, i cili nji ditë të bukur, pa asnji dhimbje i shkoi edhe ata nën ingranazhet e veta, bile ua përdhosi edhe ato shërbime aq të devotshme të tyre… Sot përditë e nga pak po dalin në dritë figurat e humanizmit, figurat e idealeve fisnike, të devotshmërisë ndaj kombit e atdheut, intelektualë që  përtej çdo dhune lanë një vepër, nji dëshmi, një hymn ndaj jetës dhe njeriut… Ato përditë e më tepër po fitojnë terren edhe pse hendeqet institucionale janë ende të pandjeshme ndaj të vërtetave të tyre… që s’ka zot që mund t’i ndalë në rrugën drejt dritës…
Prandaj i shkrova edhe zotit Seci se: “…e kuptoj shqetësimin e Arben Putos, Paskal Milos, Pëllumb Xhufit, Gramoz Rucit, Petro Koçit, Arta Dades, etje. E kuptoj dhe e vuaj edhe at gjendjen e tyre, pse sot pushteti është vërtet në hall të madh… duke mos pasur kurajo të pranojnë krejt at panteon figurash historike të përdhosura prej tyre, janë të detyruar t’i riciklojnë po ata, njerzit e krimeve të deklaruara… dhe shpesh t’i nderojnë me reveranca dalëboje shumë prej atyre që i patën “hequr qafe” ata vetë me mjaft pompozitet si “armiq të Popullit dhe Partisë“…
23 korrik, 2013

Ilir Seci
Ilir Seci

Krimi dhe Ndëshkimi – versioni shqiptar 
Ilir Seci (Illyria)

“Babai im nuk më tregoi kurrë për Borovën.
Tani që zbulova aktet çnjerëzore, figura e tij më është kthyer përmbys” – u shpreh Markus Burger, i cili pasi ka shfletuar ditarin qe kishte fshehur i ati, Anton Burger, kishte mësuar mbi krimin. Në ditar ishin përshkruar lëvizjet e trupave gjermane gjatë luftës dhe në rreshtat e lexuar ai ka mundur të kuptojë se babai i tij ka qenë pjesë e atyre ushtarëve që masakruan fëmijë, gra e burra. Pasi është lidhur me ambasadën, ai ka mundur të kontaktojë me përfaqësuesit e zonës dhe më pas të vijë në Shqipëri me daten 6 korrik 2013, në 70 vjetorin e kësaj masakre… Ardhja e gjermanit dhe kërkimi ndjesë nga ana e tij për krimet e babait pati njëfarë jehone në shtypin shqiptar, por jo aq sa duhet… U diskutua në disa plane por në shumicën e analizave nuk u theksua mesazhi aq i fuqishëm i këtij akti kaq qytetar dhe aq njerëzor i gjermanit Markus Burger… Erdhi të kërkonte falje për krimet e babait në një vend ku askush nuk e priste dhe as e kërkonte një gjë të tillë! Markus Burger mund të kishte vazhduar jetën e vet i qetë, sepse ai nuk kishte asnjë lidhje me krimet e atit, sepse as nuk kishte lindur në at kohë! Krime të kryera në një vend të huaj, kur i ati ashtu si shumica e ushtarëve, ishte i detyruar të zbatonte ligjin dhe t’u bindej komandantëve ushtarakë. Mirëpo Burger ndjen keqardhje sepse kërkon që të qetësojë ndërgjegjen e vet…
“Të qetësosh ndërgjegjen!” – Nuk di po sikur ngjan ironike një frazë e tillë që përkthyer në gjuhën shqipe mbart kuptimisht mbi 70 vjet ndërgjegje të vrarë, krim shtetëror, vrasje dhe burgosje politike siç ishte praktika e viteve të diktaturës, praktika normale të jetës dhe punës. Ngjan sarkastike, bile një frazë e tillë në një vend si Shqipëria pësoi një shndërrim demokratik, falë një “revolucioni të kadifenjtë” dhe ku asnjëherë nuk u analizuan dhe nuk u dhanë konkluzionet se përse vendi ynë përfundoi në atë humnerë totalitare, siç ishte sistemi enverist gjysëmshekullor! Akti i gjermanit Burger, edhe pse shumë human e qytetar nuk e mori vëmendjen e duhur, pikërisht sepse siç thotë populli: “Në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari!” Sepse po të mendojë kush ndonjëherë të qetësojë ndërgjegjen në Shqipëri, nuk di nga t’ia nisë më parë?!… Kur nisen proceset e shndërrimeve demokratike u trumbetua me të madhe se do të vendosej drejtësia; se do dënoheshin kriminelët e sistemit dhe sapo u shpresua se PD, forca e re që mori votën plebishitare për shndërrime, kreu i saj Sali Berisha lëshoi bombën: “Të gjithë bashkëfajtorë e të gjithë bashkëvuajtës!”…Domethënë ideja e fajtorit kolektiv?! Si ti i nderuar i burgosur politik, si ti i lindur e rritur në internim jeni njësoj fajtorë me atë anëtarin e byrosë politike, jeni njësoj fajtorë për krimet e diktaturës dhe për gjithçka tjetër! Dhe për ta bërë edhe me tragjikomike farsën e vendosjes së drejtësisë, u stisën ca gjyqe që për prova të krimeve të diktaturës nuk kishin numërimin e të zhdukurve e vrarëve por numërimin e filxhanëve të kafesë, servirur në Bllok! “Bashkëfajtore dhe bashkëvuajtës!… Asnjëherë qoftë edhe për opinion nuk u kërkua ndjesë, nuk u kërkua falje për gjithë atë padrejtësi që u bë ato vite ndaj familjeve të të vrarëve e pushkatuarve pa gjyqe, mijra të internuarve padrejtesisht, mijra të shpronësuarve anë e mbane vendit! Berishës si ish sekretar i organizatës bazë të Partisë i takonte të kërkonte ndjesë! I takonte ashtu si shumicës së shqiptarëve që në një mënyrë apo tjetrën dështuan në mbrojtjen e bashkëqytetarëve me të cilët ndajnë të njejtin gjak e jetonin në të njejtin atdhe!
Në vitin 1996, me afrimin e zgjedhjeve të majit të atij viti, Berisha vendos në mënyrë diabolike të intrumentalizojë të kaluarën e të përdorë dosjet e diktaturës si mjet për zbutjen e kundërshtarëve. Ajo ishte farsa e dytë, sepse me “Ligjin per Gjenocidin”, përsëri drejtësia u kthye në mjet politik për përdorim vetjak. Dosjet u tundeshin para syve dhe të gjithë ata që nuk zbuteshin përjashtoheshin nga listat e deputetëve. Asgjëkundi drejtësi… pastaj ngjau, çfarë ngjau në vitin 1997, dhe dosjet e krimeve të diktaturës u harrua nga tronditja e krimeve dhe tmerrit të kaosit të 97-ës… një klimë e cila krijoi tymnajën perfekte për të mbuluar rikthimin në pushtet të ish-komunistëve disa nga të cilët edhe ish-ministra të diktaturës!? U rikthyen dhe asnjëherë s’kërkuan falje për krimet e veta e të baballarëve të tyre, me të cilët në të vërtetë mburreshin me të madhe! Dhe këta bij kriminelësh të kuq nuk ishin si gjermani Burger, që as ka ambicie politike e jo të jeëe kryeministër!Skënder Gjinushi, Fatos Klosi, Fatos Nano që erdhën në pushtet mbas 1997, ishin drejtëpërdrejtë funksionarë të diktaturës dhe bij të etërve vrasës, por asnjëherë nuk menduan të kërkojnë falje… Nga ajo kohë, pra që nga 1997 e deri më sot, krimet e diktaturës dhe ndjesa publike për to, janë arkivuar në arkivat e harresës dhe vetëm për ndonjë përdorim për ngut ditor përmendet “Lustracioni”… Gjithçka u mbulua nga pluhuri në një shoqëri me kujtesë të shkurtër, ku as mendonte kush për të përndjekurit politikë as kur ata vetsakrifikoheshin në akte sublime duke u djegur demostrativisht, njeri nga ata Lirak Bejko edhe vdiq si pasojë e atyre djegieve! Mirëpo e gjitha has në indiferencën e pushtetit “demokratik”, në indiferencën shoqërore të një shoqërie që ishte indiferente kur këta njerëz u dënuan e vazhdon të mbetet indiferente edhe kur këta u vetëflijuan! Vetëm opozita e asaj kohe artikuloi mbështetje për këta të burgosur politikë kuptohet për përdorim politik, sepse në të vërtetë ishte sarkazëm, që Gramoz Ruçi, ish-funksionar i Ministrisë së Brendshme, u qante hallin viktimave të veta?! …Moszbardhja e këtyre krimeve të diktaturës, vmosvendosja e drejtësisë rëndon mbi kujtesën kolektive… duam apo nuk duam ne, sa kohë që nuk janë dënuar kriminelët, sa kohë që nuk është bërë distancimi nga ajo e kaluar, ndërgjegjet nuk janë të qeta e shoqëria vazhdimisht do ketë problem në funksionim normal…
Gjermani Markus Burger, një njeri i thjeshtë kërkon falje për krimet e të babait, kurse kryeministri i ardhshëm Edi Rama, as mendon të kërkojë falje për krimet e baballareve të shumtë që ka në Partinë e vet e më së pari të babait të vet me firmën e të cilit është varur poeti i fundit në kontinentin europian, Havzi Nela! Jo vetëm që nuk kërkon falje Rama, por është edhe krenar për Kristaq Ramën, funksionarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve?! Mëso nga gjermani Markus Burger z.Rama… meqë flisni për standarte e shkuarje në Evropë! Demokraci pa drejtësi nuk ka!
Nëntë ditë mbasi gjermani Markus Burger kërkoi ndjesë, në të njetin muaj, me 15 korrik ne Mallakastër mbahet një ceremoni ku ndërohet kujtimi i Mehmet Shehut një nga pjesëmarrësit aktivë të LANCL-së, ku merr pjesë pikërisht një nga figurat drejtuese të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, gjegjësisht ish-funksionari i fundit i diktaturës komuniste shqiptare që është ende politikanë aktivë…Jehona e ndjesës së gjermanit u përkthye kështu në mendjet e ish-ministrave të diktaturës komunsite… nderim për kriminelët! Arta Dade, një tjetër figurë e PS-së nxiton të përfitojë nga moment dhe qytetaria e gjermanit dhe sugjeron datën e masakrës së Borovës si ditë europiane të kujtesës… Ide e mirë znj.Dade por a nuk do ishte më mirë që ju e para t’u kërkonit falje viktimave të djalit tuaj?!…
Ne shqiptarët jemi një komb që ushqejmë simpati ndaj gjermanëve… tifozë sporti me atë ekip gjerman ka më së shumti në Shqipëri. Admirojmë forcën dhe vitalitetin e atij kombi që doli nga lufta e dytë si humbës dhe u kthye në fuqinë e dytë ekonomike të botës! Por nuk njohim sa duhet udhën nëpër të cilën ai komb kaloi, për të bërë “katarsis” moral për ndarjen nga e keqja, dënimet e kriminëleve dhe procesin e denazifikimit që çliroi shpirtrat dhe qetësoi ndërgjegjet! Bazat mbi të cilat ecën një komb janë Edukimi dhe Besimi…aty janë themelet që ndërtohet një shoqëri e shëndoshë! Çfarë niveli kanë këto baza në vendin tonë?! …Ja ku e keni përgjigjen… Shihni Gjermaninë dhe shiheni Shqipërinë! Pse Shqipëria nuk është Gjermani?! Markus Burger që vjen e kërkon falje në Borovë sjell modelin gjerman… Gramoz Ruçi që në të njejtin muaj nderon kriminelin e kuq, Mehmet Shehu… sjell modelin shqiptar…
Ky artikull u botua si editorial në “Illyria” të premten, 19 korrik, 2013

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Më pëlqeu ky artikull, dhe analiza e hollë që ke bërë… Me keqardhje mbështes mendimin tënd, dhe me shpresën që brezat e rinj të ndryshojnë për mirë… E vetmja kritikë? Lëre rehat ngjyrën e kuqe… është shumë e bukur për ta njollosur… dhe nuk ka kriminelë të kuq, të zinj apo jeshilë… janë vetëm kriminelë…

  2. Më pëlqen analiza juaj. Do të duhen edhe shumë vite që të çbëhet “njeriu i ri” që krijoi sistemi diktatorial në Shqipëri.
    Edhe pse u vendos pluralizmi, shtresat që mbajtën barrën e rëndë të atij sistemi, nga më të egrit në Europë, kane fituar vetëm lirinë e fjalës…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.