Krishtlindjet e para… dhe të fundit bashkë…
nga Miranda Jegeni
Dimri vinte shumë shpejt në qytetin tonë të vogël, që shtrihej përgjat liqenit dhe rrethohej në perëndim nga malet e z bardhura dhe në jug e në lindje nga kodra të buta. Kalaja zotronte me gjithë madhështinë e saj, dhe dimrit dukej si ato nuset e veshura me të bardha, velloja së cilës i qëndronte si një kurorë mbretëreshe, mbulesa e së cilës dukej e tej përtejme…!
Atë vit, dëbora e kishte zaptuar qytetin. E ftohta të thante. Era të fshikullonte keqas dhe veriu ia mbante ison për qejf. Në çdo çati shtëpie shihje oxhakë që lëshonin shtëllunga tymi dhe bardhësia nuk venitej aspak prej asaj fryme që lëshonin oxhakët…
Qyteti qe zgjuar. Nga jashtë dukej sikur ende flinte, ama nga brenda ishte zgjuar… me ato drithërimën e pabesueshme të festës së parë të Krishtlindjeve…!!
Jehona e jetës brenda ndjehej nga oxhakët që lëshonin në qiell retë festive. Dëbora me gjithë madhështinë e saj dukej e patrazuar nga tymnajat e oxhaqeve, bile dukej sikur bënin garë me njeri tjetrën gjithnjë duke respektuar secili sinoret e veta. Të dyja diku bashkoheshin, njëra nisej nga toka drejt qiellit, e tjetra nga qielli drejt tokës.
E mbështetur mbi parvaz të dritares, me fytyrën ngjeshur mbas xhamit, shihja natën tek largohej, dhe bardhësinë e dëborës që merrte shkëlqimin e hënës nën atë qiell ku pak më parë yjet i rrinin aq madhërisht asaj gjithësie të paskaj, duke formuar një kolorit mahnitës.
Nuk ngopesha duke parë atë mrekulli.
Herë pas here hidhja vështrimin nga fëmijët që flinin në paqe dhe asaj pamje të ngrirë jashtë u shtoheshin fytyrëzat e tyre ngjyrë trëndafili nga ngrohtësia e dhomës po edhe e ëndrrave të tyre me një babagjysh imagjinar që çapitesh natën nëpër borë që t’u sillte lodrat e premtuara e me to t’u krenoheshin shokëve a shoqeve… Edhe pse nuk e përcaktoja dot lumturinë e tyre të përgjumur, në të dyja rastet isha e kënaqur…
U ngrita nga vendi, iu afrova pranë, e me dorë tashmë të sigurt i përkëdhela, dhe me krejt forcën e shpirtit, gjunjëzuar para tyre i putha lehtë një nga një. Një puthje ashtu si me pupël, sa u merrja erë, nga frika se më zgjoheshin, e rendnin me vrap te Pema e Parë e Krishtlindjeve, që ishte ende bosh!
Qesha lehtë, siç qesh një nënë e re, por që thellë thellë ndjehesh mbi moshataret e saj. E qeshura brenda meje ishte si ajo ngrohtësia që lëshon shpirti i lumtur o si avulli i zjarri që lëshonin drutë në sobën e bardhë shtatëmijëedyqind lekëshe, tubat e së cilës gjarpëronin nëpër atë dhomë ku të gjitha orenditë dukeshin të rehatuara e në harmoni të plotë me kuadratin gjashtë me gjashtë.
Hapa derën e sobës dhe pashë me kënaqësi zjarrin… Futa me të shtyrë nja dy dru brenda, dhe flegrat e hundës m’u mbushën me aromën që lëshonin drutë që digjeshin… Ishte aroma e jetës.
U ktheva te vendi im e ndërkohë vështrimi m’u mbërthye te pema dhe pjesa poshtë saj që ende ishte bosh, po nuk më zgjoi asnjë pasiguri…! U ula te poltroni im me vështrimin hedhur përtej, aty ku qetësia ime shpirtërore më në fund kishte gjetur folezën e saj. Për një çast m’u bë sikur ndjeva tinguj muzike. E ktheva kokën me vërtik të shoh se mos e kisha lënë ndezur manjetofonin e markës Internacional, por jo… Ai pushonte aty mbi boronë me dru arre të cilën e kisha dhuratë nga mami im. Por unë vazhdoja të dëgjoja një muzikë… Si duket ishte ndonjë melodi brenda meje, ca nota e ca tingujt të përzier me zërat e fëmijëve të mi, me imazhin e zbardhjes së atij mëngjesi. Ngazëllimi ma kishte mbytur gjumin…
Edhe pritja më dukej e gjatë, aq e gjatë sa më bëhej sikur shihja nëpër dhomë hijen e atij që prisja, e cila përzgjatej e dukej dy bojë e gjysëm njeriu. E pashë që po kapërcente rrugën. Në ato çaste qe zvogëluar aq shumë sa e krahasoja me agimin dhe zgjimin e tyre të befasishëm. Çfarë nuk bën një zemër nëne për fëmijët… por dashuria e fshehur brenda burrit për fëmijët është përtej çdo imagjinate dhe një baba si ai mund të gjunjëzohej e ta humbiste edhe burrërinë vetëm kur bëhej fjalë për fëmijët e tij.
Ja po e shihja tek çapitej, jo të zvogëluar, përkundrazi të lodhur nga gjoli, i shpenguar edhe pse me duar të zëna… Zemra me rrahu fort! Më rrahu siç s’më kishte rrahur më parë, m’u bë sikur më gjëmonte nga brenda. U ngrita me vrull, hapa derën dhe i thashë…
-I mendon ata në mëngjes… se çdo bëjnë e çdo thonë?!…
Ai me pa i ngazëllyer buzëqeshi ashtu butë, dhe me fjalë të tërthorta më tha…
-Mirë moj Landa, mirë… Po kush rri e dëgjon atë miushin dhe automatikun e tij nesër dhe gjithë këto ditë që do na i shurdhojë veshët….!!
Zgjata duart dhe e përqafova me dashuri, dhe ashtu të përqafuar qeshëm e shkuam pranë tyre për t’i vendosur dhuratat poshtë pemës. M’u duk sikur ai nuk e ndjente më lodhjen, kur i shihte fytyrat e qeshura dhe gezimin e tyre. Edhe unë, ndjeja lumturinë e të dy palëve dhe me imagjinatën mendoja bukurinë e atij mëngjesi kur fëmijët të zgjoheshin… dhe aty nën pemë të gjenin dhuratat e tyre….
Hodha vështrimin nga dritarja. Kish filluar të zbardhte nji ditë e re…!! Po zbardhte një agim pa e ditur se nuk do të kishte më një të ngjajshëm si ai…
Nuk e kisha besuar se vjen një agim, i cili befas t’i zbardh flokët si dëbora e bardhë e dimrit… po kurrë s’e kisha besuar se vinte aq të shpejt…
Dhe si pa e ditur, sot në kët ditë e kujtoj se ato ishin të parat Krishtlindje që festonim së bashku… po edhe të fundit…
Ishte 25 dhjetor i vitit 1991…!!
Shkruar me 25 Dhjetor 2015…!!