back to top
5.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Krishtlindjet në Pol nga Luigi Pirandello

Gazeta

Luigi Pirandello (1867-1936)
Luigi Pirandello (1867-1936)

Krishtlindjet në Pol

nga Luigi Pirandello

Perktheu Iskra Thoma

Luigi Pirandello1 (1867-1936)

Dramaturgu më i madh italian i shek. të XIX, Luixhi Pirandelo, lindi në Agrigento, më 1867 e vdiq në Romë, më 1936. Edhe pse kritika italiane nuk e vlerësoi siç duhet, Pirandelo është një nga shkrimtarët e pakët italianë bashkëkohorë që ka fituar një famë të madhe internacionale, jo vetëm nga çmimi Nobel (1934), po në saje të një numri të jashtëzakonshëm teatrosh në mbarë botën, që kanë interpretuar e vazhdojnë të interpretojnë dramat e tij të fuqishme.
Pas përfundimit të liceut, u regjistrua njëkohësisht në Fakultetin e Juridikut dhe atë të Gjuhë-Letërsisë së Universitetit të Palermos, më 1887 u transferua në Fakultetin e Letërsisë së Universitetit të Romës, ku pas një diskutimi të ashpër me dekanin e atij fakulteti, u detyrua të regjistrohet në Universitetin Filologjik të Bonit. Ndërkohë, Pirandelo kishte botuar vëllimin e parë me poezi (Mal giocondo – 1889).
Në Bon, në një ballo me maska njeh një vajzë, me të cilën bie në dashuri e i kushton vëllimin e dytë me poezi (Pasqua di Gea – 1891). E vetmja dashuri rinore, që edhe pse vetëm në planin shpirtëror, do të zërë një vend të rëndësishëm në gjithë jetën e tij. Gjurmët e hidhërimit të një dashurie të parealizuar do të qëndrojnë gjithmonë brënda tij.
Më 1891, laureohet për Filologji në Bon e në po të njëjtin vit kthehet në Romë, ku fillon të japë mësim. Më 1894 botoi librin “Amori senza amore” e po atë vit u martua me vajzën e një prej ortakëve të t’atit, Maria Antonieta Portolano, me të cilën pati tre fëmijë.
Pas librave të para me poezi filloi bashkëpunimin me gazeta e revista të ndryshme, ku botoi artikuj e studime të shkurtër kritikë.
Më 1901, botoi romanin e tij të parë “L’esclusa”, që shënoi kalimin e modelit të tregimit natyralist (verrist) në atë të stilit humorist, spikat një përzierje e tragjikes me komiken, një veçori që në të ardhmen do të karakterizojë veprën pirandeliane.
Më 1903 shkrimtari u gjend para një situate të vështirë familjare, e shoqja sëmuret rëndë psiqikisht. Megjithatë, edhe pse paradoksale, vihet re, që kjo është periudhë e suksesshme në krijimtarinë e tij. Boton kryeveprën “Il fu Matia Pascal”(1904).
Këtë e ndoqën të tjerë romane të suksesshëm, midis të cilëve përmendim: “I vecchi e i giovani” (1913).
Viti 1915, ishte një nga vitet më të trishtuar në jetën e Luixhi Pirandelos, Italia hyn në luftë dhe i biri i tij, Stefano, që ishte në front, bie rob. Po në këtë vit i vdes e shoqja.
Më 1916, filloi periudha e vërtetë teatrale pirandeliane. Drama ishte gjinia që e vuri përfundimisht Luixhi Pirandelon në piedestalin e shkrimtarëve të mëdhenj botërorë. Teatri e kishte tërhequr që herët Pirandelon, ai kishte shkruar tekste teatrale që në adoloshencë. Pasi kishte arritur suksese me “Pensaci”, “Giacomo” e “Liola”(1916), i përforcoi ato me “Così e, se vi pare”(1917) e një sërë veprash të tjera të duartrokitura. Po viti që e bëri të padiskutueshme madhështinë e veprës Pirandeliane ishte viti 1921, kur vuri në skenë “Sei personaggi in cerca d’autore”, kryevepër që u fishkëllua në Romë, por që arriti një sukses të jashtëzakonshëm në Milano, pastaj në Amerikë e që vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Më 1926, botoi romanin e fundit (“Uno, nessuno, centomila”), po atë vit themeloi në Romë, me të birin e disa të tjerë krijues të shquar, “Teatro d’arte”, ku do të debutojë aktorja e re Marta Abba, e cila u bë muza frymëzuese e disa komedive të shkruara posaçërisht për të, me të cilën Pirandelo vendosi raporte sentimentale që do zgjasin për gjithë jetën.
Më 1934, i akordohet në Stokolm çmimi Nobel për letërsinë. Vdiq më 10 dhjetor 1936 në moshën 68 vjeç.
Hiri i trupit të poetit, shkrimtarit, dramaturgut të madh, Luixhi Pirandelo, sipas dëshirës së tij, të lënë me shkrim, u vendos në një nga shkëmbenjtë e vendlindjes së tij, me një ceremoni të thjeshtë private, nga njerëzit më të afërt.
I krahasuar herë herë me Kafkën, Camynë, Sartrin ose me dramaturgët e teatrit absurd Beket e Jonesko, Pirandelo është një nga shkrimtarët italianë që arriti një famë tё madhe internacionale. Edhe sot e kësaj dite, dramat e tij, pas atyre të Shekspirit, janë më të interpretuarat në skenat botërore.
Lexuesi shqiptar është njohur me disa nga veprat e tij.

Festa e Krishtlindjeve
Festa e Krishtlindjeve

Krishtlindjet në Pol*

Nëse në zemrën tuaj është strehuar ndjesia e kësaj nate Krishtlindjeje, ashtu e ëmbël nën misterin e melankolisë suaj, nëse shpirti juaj di të ngrihet mbi krahët e bardhë e të kuptojë të ëmblën e të gjithanëshmen poezi, dëgjoni: këngën e kënduar me ritmin e notat hundore të një gajdeje para një prezepeje siçiliane.
Koreve që këndojnë këtë natë rreth pemëve të ndritshme në gjithë vendet kristiane, u përgjigjet nga larg një jehonë e trishtuar, dëgjoni: është një anije atje lart, që ngjan me një fantazmë gjigande të bardhë, me krahë proteze drejtuar nga kupola madhështore e qiellit, që e mbështjellë qetësisht shkretëtira e madhe dhe e mjerë e akullt, në mes të të cilës anija ka mbetur e burgosur. Vezullojnë në hapsirë, si shpirtëra të trazuar, yjet që bien, ndërsa nga majat e dhëmbëzuara fantastike të grumbujve të akullit në horizont spikasin yjet e ndezura në natën e pafundme polare.
Në qetësinë e akullt e të frikshme, që mban misterin e fatkeqësisë pa caqe, nga gjiri i kësaj anije të burgosur dëgjohet po e njëjta këngë: Iulen har brogt velsignet Bud, që Ingerman shkroi për fëmijët skandinavë; ose kënga e vjetër angleze: Ring mery Christmas bells
…ose kënga danese del Grundtvig: Deilig er den Himmel blaa… ose ajo shumë popullorja,
që prifti i urtë i Salsburgut kompozoi për fëmijët gjermanë: Stille Nacht, Heil’-ge Nacht...
Kjo anije është Frami Nansen, ose Alerti Mares, ose Tegetthoffi Payer. “Krishtlindja ka mbërritur! – shkruan ky i fundit në relacionin e udhëtimit aventuroz. – Me çfarë force kujtimet në këtë ditë na çojnë në atdheun e largët!”
“Pas dite, ndërsa bënim ecejake sipër një akulli të madh, marinarët vendosën pemën e Krishtlindjes, dhe kur u kthyem në dhomën e qymyrit ndriçonte e tëra. Krishtlindje jo e zakonshme, festuar mbi një copë akulli gronlandez!” – shpërthen kapiteni Hegemann i Hansa, një nga dy anijet e ekspeditës gjermane të 1869.
E pema ishte sajuar në mënyrë artistike, e bërë nga një copë bredh dhe fije kashte të nxjerra nga shpërthimi i një granate.
Për ndriçimin, doktor Laub kishte vënë një pjesë të rezervës së qiririt, mungonin kurorat prej letre me ngjyra e dhuratat.
“Ç’ndjenja e mendime na zienin në kokë – shkruan Hegeman – lëre Stalla në miniaturë ku lindi Krishti. Rikrijohet nga besimtarët katolikë për të kujtuar e përfytyruar sa më të gjallë momentin e ardhjes në jetë të Krishtit.
mos pyet: ishin të njëjtat tek secili nga ne. Nëse kjo festë – thoshim me vete, është e fundit, sidoqoftë do të jetë mjaft e bukur; në qoftë se është e shkruar ta shohim përsëri atdheun, festimet e ardhshme do të kenë vlerë të veçantë. Megjithatë, Zoti do t’na mbrojë!”
Po jo të gjithë eksploratorëve të guximshëm të ekspeditave artike iu qesh fati për të kremtuar të shenjtën e të ëmblën festë në gjirin mbrojtës të anijes, që për ta është atdheu, qyteti, shtëpia e tyre.
E ndërsa, për shembull, Nansen, në relacionin e mrekullueshëm të udhëtimit të tij, tashmë me famë, përshkruan festën e Krishtlindjes në
Fram-in solid me të gjitha komoditetet me parashikimet e mrekullueshme të kapitenit të tij; madje edhe tenente Tyson, i humbur në përmbytjet e Polaris mbi një agsh akulli, në mëshirë të fatit, pa rezerva, pa ndihmë, në një pjesë të ditarit të tij tragjik flet për Krishtlindjen: “Era fryn me forcë nga veriu. Kemi pasur dy agime polare njëri pas tjetrit. Kanë ardhur si për të kujtuar që jemi pranë Krishtlindjes. Na ka mbetur vetëm një proshutë2, e kemi ruajtur për festë. Secili do të hajë një copë fare të vogël, si për të bërë adetin. Nuk bën ndonjë i ftohtë i madh: aty tek zero!”
“Krishtlindje! Gjithë bota e qytetëruar feston lindjen e Shpëtimtarit. Ne nuk do të bëjmë përjashtim. Pak gëzim do të hyjë edhe një herë në botën tonë të rrethuar prej akullit, të ftohtit, stuhisë, errësirës. E ndiejmë që Zoti nuk na ka braktisur. Jemi edhe ne bijtë e tij”.
Besimi është i thellë tek të gjithë eksploratorët e zonave të panjohura të Polit. Dhe ndoshta asnjë shkrim nuk të prek më shumë se ajo e udhëtimeve të tyre. Unë shoh, shoh anijen e burgosur midis akullit, fantazëm gjigande e bardhë, me krahë proteze drejt kupolës së paanë të qiellit, të zhytur në qetësi; shoh eksploratorët të ngecur brënda në anije, të lënë në mëshirë të fatit… Është Krishtlindje! Edhe atje, edhe atje, pra, përshëndetet me këngë gëzimi, kometa jote lajmëtare, o Jezu Krisht.

Trëndafili i Dimrit - Autorë italianë - nën përkthimin e Iskra Thoma
Trëndafili i Dimrit – Autorë italianë –
nën përkthimin e Iskra Thoma

*Shkëputur nga libri me përkthime i Iskra Thomas “Trëndafili i dimrit”

1.Luixhi Pirandelo shqip. (shën.i përkth.)
2.Kofshë derri e stazhonuar (shën.i perkth)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.