back to top
5.5 C
Tirana
E martë, 5 Nëntor, 2024

Kronikë e nji dasme të pashoqe me pak sfond historik… – nga Jozef Radi

Gazeta

Familja e Gjok Nilajt në dasmën e të birit, Françeskut
Familja e Gjok Nilajt në dasmën e të birit, Françeskut

Kronikë e nji dasme të pashoqe me pak sfond historik…

nga Jozef Radi

Sigurisht, promovimi i librit “Mrì Dedja e Merrnaçajve” pak kohë ma parë, asht shkaku po edhe arsye që të dielën e 24 shtatorit, të isha i ftuem në dasmën e djalit të vetëm të Gjokë Nikollë Nilajt, Françesk Nilajt me Melisa Gjakovën.
Asht krejt e thjeshtë! Mrì Dedja,vajza e vetme e njenës prej tre familjeve të Bajraktarit të Vuklit, Dedë Nilajt, mbetet sot Patriarkja e Vetme e krejt Nilajve, të mbledhun në New York të Amerikës, kështu që ky libër kushtue Mrìsë, asht edhe arsyeja e respektit të veçantë të kësaj familjeje, që më bani pjesë e dasmës së Gjokë Niljat, organizuem të dielën në mbramje, prej orës gjashtë të mbasdites deri në 12 e gjysëm, në restorantin “The Venetian” në River Drive, Garfield, të New Jersey-it, nji lokal tejet luksuoz e me shije aristokratike…

Vajzat shoqëruese të Nuses së Nilajve
Vajzat shoqëruese të Nuses së Nilajve
Djemtë shoqërues të Djalit të Nilajve
Djemtë shoqërues të Djalit të Nilajve

Prej së shtunës kishte nisë nji shi i imtë që kishte zgjatë përgjat tanë ditës së dielë e me siguri kishte me vazhdue edhe të hanën, (njaq shtruet e kishte marrë). Rruga prej Yonkersi deri në Garfield, na shkoi paqshëm, me muhabet të kandshëm e pa asnji vonesë trafiku. Posa jena futë në lokalin në fjalë jena ndodhë të mbytun prej luleve, e lehtë mund ta kuptoje se gjithçka ishte organizue në mënyrën ma të përsosun të mundshme. Makinat që vinin njena mbas tjetrës, boshatiseshin para portave të lokalit, dorëzonin çilsat, ndërsa djemtë e shërbimit me të shpejtë i merrnin dhe i spostonin ato tue ofrue edhe kuponin për kthimit të makinës. Të ftuemit e shumtë kalonin nëpër nji koridor të gjatë, thuajse njiqind metra, zbukurue gjithkah me lule të bardha me tis të blertë, me u ndalë në sallat e pritjes ku mund të vetshërbeje koktejin e mirseardhjes e të ndaje biseda me të njoftun e të panjoftun, me kalue ma mbas në sallën e madhe, ku rreth 60 tavolina prisnin thuejse pesqind vetë, të cilët do të ishin edhe të ftuemit e asaj dasme të madhe, baza e të cilëve me shumicë dërmuese kishin me qenë, kelmendas.

Melisa Gjakova - Para daljes nga Porta
Melisa Gjakova – Para daljes nga Porta
Çifti Françesk Nilaj & Melisa Gjakova
Çifti Françesk Nilaj & Melisa Gjakova

Gjokë Nilaj me tre vllaznit e tij, familjen e grues e ma të afërmit e tyne, do t’ishin mikpritësit e mëdhenj t’asaj feste të pazakontë… e cila zgjati pak ma shumë së gjashtë orë.
Isha edhe un pjesë e asaj atmosfere feste, e që vështirë se mund t’i shlyhet shumicës së pjesmarrësve t’asaj mbramje, ku jashtë ligjëronte si me violinë shiu i vjeshtës… e mbrendë gjimonin tupanat e dasmave tipike shqiptare, atyne malsorve kelmendas, që tashma vuejtjet e mdha i kishin shty egërsisht me i braktisë trojet e lashta, e po mundoheshin me iu përshtatë jetës amerikane, pasqyrue në nji formë mjaft të ngroftë e pozitive at mbramje… 
Fiks n’orën tetë, kur gjithçka ishte sistemue njaq bukur e të gjithë kishin xanë vendet, në pritje të fillimit të ceremonisë së dasmës. Gjithë tavolinat ishin dhjetëvendshe e të ftuemit ishin sistemue me nji perfeksion elektronik, me tavolinat e vendin përmes nji tabele elektronike në hymje të sallës së madhe, ku shërbimi i veshun në t’zeza ndihmonte për ndonji sqarim të vogël gjithkënd! Ishim në kambë në tavolinën 37, së bashku me grupin prej nantë vetash të Merrnaçajve të Mrìsë, kur s’bashku me muzikën ekzaltuese nisën me u hapë dyert e mëdha ballore e nisën m’u futë çiftet e brezave ma t’ri të fisit të Nilajve, djem me kostume të zeza, e vajza me fustane të gjata në ngjyrë mjalti, derisa u krijue gjysëharku i pritjes së çiftit: Françesk Nilaj & Melisa Gjakova, pra e djalit prej Nilajve të Kelmendit me vajzën prej Gjakovajve të Pejës, tue i thye paksa edhe do “rregulla të ngurta” e tue i hapë udhë festës e muzikës, kangës e valles n’nji gëzim të pambarim, ku për t’parën herë mujta me ndjekë përsosjen e nji organizmi kronometrik, për të cilën mbas familjes, lëvdatë meriton edhe ndërmarrja e cateringut që kishte marrë përsipër çdo gja, po mënyra se si e kishin përshtatë atë dasëm malsore shqiptare, në nji sallë luksoze, jo e admirueshme… po e shkëlqyeshme, në gjithë elementet e saj emocionuese…!

Familja e Gjok Nilajt në dasmën e të birit, Françeskut
Familja e Gjok Nilajt në dasmën e të birit, Françeskut
Familja e Gjok Nilajt në dasmën e të birit, Françeskut me Melisen
Familja e Gjok Nilajt në dasmën e të birit, Françeskut me Melisen

Mandej erdh shfaqja triumfale e çiftit të ri… nji atmosfere elektrizuese duertrokitjesh, brohoritjesh e muzike që i dhanë krejt atij ambjenti, pamjen magjiplote të nji feste të ndjeme, e cila shoqnohej përgjat tanë kohës me muzikë shqiptare dhe valvitjes së nji flamuri te kuq… Ajo çka binte mjaft në sy, ishte hijeshia dhe bukuria malësore, me gjithë koloritin e veshjeve vezulluese e karaktereve të spikatuna n’pashì… Edhe pse pjesë e kësaj bote amerikane, lirshmëria e festës dhe hareja e plotë s’do ta gjente asnji sy që vëzhgonte trishtueshëm…
Lexohej kjartë se gjithkush do kishte dashtë nji feste ksisoji ta kishte organizue edhe ai për fmijën e vet!
Familja e Gjok Nilajt, janë pjesë e trungut të Luc Gjon Bajraktarit, të cilin edhe pse e varrosën gjallë komunistët s’mujtën me e zhbì! Për fat, ai la tetë fëmijë, prej të cilëve gjashtë djem… nëse dy vllaznit e tjerë, Dedë Gjon Bajraktari e Kolë Gjon Bajraktari lanë pak fëmijë, si ma t’vogjël që ishin e me nji jetë tragjike edhe ata, fati i Luc Gjonit që la shumë fmijë, që edhe pse në mjerim të skajmë ja dolën me mbijetue… Ndaj edhe drita e kësaj dasme, duket se asht ndërtue mbi at shumësi të fëmijve të tij, tashma përplot me nipa e stërnipa. Përtej gjithçkaje, ata sot janë fryma përtëritëse e nji fisi me emën e shfaqun përmes kësaj dasme. Sepse mbetet e vërtetë: Familja e Bajraktarit të Vuklit, kishte pësue nji genocid të papamë në Kelmendin e masakruem prej komunizmit, e kjo dasëm m’u shfaq ndër sy edhe ma madhshtore prej atij demostrimi të fuqisë përtëritëse të këtij fisi kelmendas, dhe nji historie që s’mundej kurrsesi me tretë e me shkue hupë njaq lehtë…
Gjok Nikollë Nilaj, me krejt familjen, në kulm të festës “shetitën” në tanë tavolinat e të ftuemve tue ba urime e foto falenderuese ndaj krejt atyne që i kishin nderue me praninë e tyne…

Familja e Gjok Nilajt në dasmën e të birit, Françeskut me Melisen
Familja e Gjok Nilajt në dasmën e të birit, Françeskut me Melisen

Mes zhurmave brohoritse, muzikës n’kupë të qiellit, buzqeshjes së lumtun të çiftit të ri, i thashë Gjokës: N’se Mrija e ka çue nalt emnin e familjes së Bajraktarit, ti me kët festë të bukur, e dëshmove se dasmën e ke ba si nji bajraktar i vërtetë…!
Mbas mesnate, ndërsa largoheshim nëpër shiun e butë të së hanës, përtej kënaqësisë ishte mendimi i gjithsecilit prej nesh se nji dasme kësisoji, asht vshtirë me e harrue… dhe jo fort e lehtë me u përsëritë…!
e hanë, 25 shtator 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.