Kryengritja Antikomuniste e Postribës nga Ilir Seci
9 shtatori 2014 –
Përvjetori i 68-të i Kryengritjes Antikomuniste të Postribës
9 shtatori sjell çdo vit përvjetorin i e Kryengritjes Antikomuniste të Postribes, e cila ndodhi pikërisht me 9 Shtator të vitit 1946…
Postriba erdhi si revoltë në përgjigje të terrorit komunist të ushtruar nga kryekrimineli Mehmet Shehu që udhëhiqte ekspeditat për pushtimin e Shkodrës! Atë ditë kryengritësit sulmuan kazermat e partizanëve pushtues dhe burgun e qytetit ku mbaheshin qindra të pafajshëm… Kryengritja për fat të keq nuk pati forcë të zgjerohej, por sot ajo është provë e pakundërshtueshme e rezistencës së shqiptarëve ndaj diktaturës komuniste!
Në korrik, është mbajtë një mbledhje në shtëpinë e Cin Serreqit. Në Shegaj të Ibros në Postribë, nën drejtimin e Osman Haxhisë, po ashtu jane mbledhe përfaqësuesit kryesorë të fiseve edhe nga Hoti i Ri. Në këtë takim merrte pjesë edhe përfaqësuesi i njohur i fisit të Kazazëve, Jup Kazazi, i cili kishte një autoritet mjaft të madh në Shkodër dhe fshatrat rreth saj. Forcat nacionaliste të Ndoc Kol Bibës në Iballë të Pukës dhe të Mark Gjonmarkaj në Mirditë, u solidarizuan me këtë mbledhje kuvendi nëpërmjet një letre që i dërguan atij. Në Kuvend u cilësua data e fillimit të kryengritjes, e cila do të kishte karakter të përgjithshëm, që do të fillonte me çlirimin e të burgosurve politikë në burgjet e Shkodrës e me gjerë. Thirrja e djemve ushtarë, me datë 09.09.1946, nxiti mbledhjen e datës 07.09.1946 në shtëpinë e Abdullah Sahitit në fshatin Kullaj, ku u la që të nesërmen, pasdreke të mblidheshin bajraktarët e paria e popullit, rreth 150 vetë në fshatin Kodër Boks në vendin e quajtur Shegat e Ibros. Në mbledhje morën pjesë Osman Haxhia, Abas Sulejmani, Zyber Cafi, Kasem Rragibi, Jenim Zyberi, Selim Raci, Dervish Nuzi, Ismail Duki, Abdullah Sehiti, Jakup Dani, Muho Fetahi, Myrto Dani, Ali Brahimi, Metush Halili, Ram Fazi, Muho Osja, Haxhin e Idriz Tahiri, si dhe 150 kryengritës. Prijësi Osman Haxhia, i bindi pjesëmarrësit që kryengritja të fillojë me 09.09.1946.
Më datën 07.09.1946 një autoritet tjetër, qytetar shkodran, organizon mbledhjen në kullën e Man Hotit, për të njoftuar shokët për mbledhjen e Postribës. Në pritje të datës së caktuar, njerëz të Sigurimit komunist kishin depërtuar në rradhët e kryengritësve. Me datën 09.091946 filloi kryengritja. Asaj i parapriu aksioni i prerjes së telave të ndërlidhjes Shkodër-Tiranë, nga Hamza Trieshti me shokë. Ishte vendosur që grumbullimi i kryengritësve të bëhet në orën 02 të 9 shtatorit në Stom Golem, ku do të bëhet organizimi dhe përgatitja për fillimin e sulmit, sa po të fillonte të zbardhte drita. Kryengritësit synonin që me veprime të shpejta, të kordinuara me forcat e zonave të tjera të Gurit të Zi, të fshatit Oblikë, të ndihmuar nga forcat brenda qytetit të krijonin një situatë të pasigurtë për forcat qeveritare. Kryengritës nga Oblika e Anës së Malit dhe Guri i Zi, nuk arritën të kalonin urat. Qyteti nuk i ndihmoi kryengritësit, përveç ndonjë përjashtimi, sepse qytetarët nuk arritën të merrnin armët që ishin premtuar deri në orën 24 të natës, mungonte informacioni dhe organizimi. Sulmi u përqëndrua në tre drejtime: Kundër kazermave të ushtrisë pushtuese në Rus, kundër burgjeve politike dhe një pjesë tjetër do të sulmonte Degën e Punëve të Brendshme që të paralizonte veprimet e këtij organi.
Sulmi filloi në orët e para të mëngjesit. Me tri të shtëna pushke, nisi sulmin mbi gazermat e ushtrisë në Rus. Luftimet në këto gazerma u zhvilluan të ashpra deri në ndeshje trup me trup, sepse një pjesë e kryengritësve nuk kishte armë. Luftimet zgjaten rreth një orë e gjysëm. Nëpër lagjet e qytetit, patriotë si Qazim Rroji, u përpoqën të ngrinin popullin në kryengritje, por organizimi jo i mirë bëri që përkrahja e tij të ishte e vakët.Gjatë luftimeve 12 kryengritës u vranë dhe mbas shtypjes së kësaj kryengritje 18 burra u pushkatuan pa gjyq, 30 shtëpi u dogjen… qindra u burgosën dhe terrori komunist vazhdoi në këtë zonë deri në vitin 1991…
Nderim për Martirët e Lirisë dhe turp për Kriminelet e Kuq!
Meqe kriminelet e kuq dhe pinjojte e tyre po mprehen të festojnë të ashtuquajturin 70-vjetor të Çlirimit të vendit sot në këtë datë duhet t’ua kujtojme se nëse data 29 Nëntor 1944, paska qenë datë e Çlirimit të vendit atëhere data 30 nëntor 1944, është data e Pushtimit të vendit! Sepse duke filluar nga e nesërmja e hyrjes së të ashtuquajturve “Çlirimtarë” në Tiranë, Shqipëria pa vetëm arrestime, pushkatime, gjyqe të sajuara e burgosje të secilit kundërshtar! Vendosja e diktaturës komuniste u bë me gjak dhe fakte historike si Kryengritja e Malësisë së Madhe në vitin 1945, Kryengritja e Postribës me 1946, dëshmojnë se sa i ka dashur populli Çlirimtarët…
Me 29 nëntor largohet gjermani i fundit nga Shqipëria sipas historiografisë komuniste…atëhere ç’deshën forcat komuniste në Shkodër?! Malësia e Madhe, Shkodra, Postriba, Malësia e Dukagjinit, Nikaj-Mërturi, Tropoja, Luma, janë pushtuar nga forcat komuniste! Sepse pushtim është kur forcat priten me pushkë! Nëse forcat partizane ishin çlirimtare përse duhej të përhapnin ideologjinë e tyre me forcë?!Partizanët francezë apo ata italianë fill mbas çlirimit të vendeve të tyre vendosën një qeverisje provizore dhe shpallën zgjedhjet demokratike duke vendosur një pushtet legjitim të dalë nga vota e lirë! Po komunistët e Enverit?! Të vetmin rast që bënë zgjedhje ishin në vitin 1946, edhe fill mbas atyre zgjedhjeve pushkatuan deputetët e dalë me votë popullore!? Rast unikal në Europë… rast që të bën shumë krenar për “çlirimtarët”!!
Në Malësitë tona ku komunizmi nuk kishte shkelur akoma, mbas 1944, vazhdonte lufta për liri. Në Kelmend vepronin çetat e Prek Calit, me Ded Lulash Smajlin, Nik Mark Ujkën, etj. Në Malësi të Madhe vepronin forcat e Llesh Marashit, Lul Grizhës, Pjetër Gjok Bajraktarit, Caf Smajlit, etj; në Kastrat forcat e Nik Gjelosh Gjekës. Në malet e Dukagjinit dhe Nikaj-Mërtur vepronin forcat e Nik Sokolit, Ndue Palit, etj, po kështu në Shllak etj. Në Postribë u printe Jup Kazazi, në Mirditë u rezistonte dera e madhe e Markagjonëve… Në Lumë forcat e Muharrem Bajraktarit… Në Tropojë të Vjetër, (Gashi) partizanët pritën me pushkë nga familja e pasardhësit e patriotit të madh Ali Ibra… Për fatin tonë të keq si popull triumfuan komunistët e partisë se krijuar nga Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha dhe sllavët më në fund panë të realizohej ëndrra e tyre shekullore që ishte: Çfytyrimi i shqiptarëve, varfërimi i tyre në ekstrem me të ashtuquajturat kolektivizime që shkatërruan pasurinë kombtare, zhveshja nga dinjiteti njerëzor deri në ekstrem, poshterimi dhe telendisja e tyre në atë pikë që u gjend Shqipëria në vitin 1991…
Endrra e sllavëve për nxjerrjen e plotë jashtë loje të Shqipërisë dhe defaktorizimin e saj në rajon u realizua me një vetizolim 50 vjeçar që e realizoi më së miri klasa e nxënësve të Nexhmije Xhuglinit, (Hoxha), sekretarja e Miladin Popoviçit gjatë luftës… Dhe me e keqja është se edhe këto 24 vjet të ashtuquajtura “Demokraci” po njësoj vazhdohet e njëjta linjë e lënies së Shqipërisë jashtë loje në rajon nga vetë drejtuesit e saj!
9 shtator 2014