back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kryengritja e “Malësisë së Madhe”, që bashkoi kombin mbarë në Poemën “Mbi Ta”, të Lasgush Poradecit – nga Pertefe Leka

Gazeta

Dedë Gjo' Luli dhe Palok Traboini - Gojçaj (foto montazh)
Dedë Gjo’ Luli dhe Palok Traboini – Gojçaj (foto montazh)

Përshëndetje Jozef,

Po të dërgoj një shkrim-studim për Poetin Lasgush Poradeci.
Sa kohë kam ushtruar mësuesinë s’kam mundur të komentoja
e të bashkëbisedoja lirshëm me nxënësit, sidomos për ngjarjet e Veriut.
Kryengritja e Malësisë Madhe edhe për sot është model Uniteti
dhe veprimi luftarak e diplomatik, ku katrahura e politikës sot ka mbyllë çdo rreze shprese.
Edhe pse të rijtë lexojnë pak, unë e mora mundimin për ta paraqitur atë kohë herojsh
nga pena e Lasgushit, i cili nuk u pajtue kurrë me të keqen që sundoi në dekada.
Uroj çdo të mirë dhe suksese në plotësimin e kolonës tuaj shumëvëllimshme.
Të fala me shendet,  Pertefe
.
Lasgush Poradeci
Lasgush Poradeci

Kryengritja e “Malësisë së Madhe”, që bashkoi kombin mbarë

në Poemën “Mbi Ta”, të Lasgush Poradecit

nga Pertefe Leka

Titull i poemës “Mbi ta” i shprehur me pesë tinguj në dy fjalë, dëshmon për një ngjarje historike të lavdishme.
Lasgush Poradeci si poet i fjalës së urtë e të fisme në tërë krijimtarinë e tij, i këndoi lirisë në të gjitha poezitë e tij: patriotike, erotike e filozofike. Si Poet erudit dhe shumë dimensional ishte një luftëtar i vendosur dhe mbrojtës i traditave më të mira edhe për etninë dhe albanologjinë. (kujto letërkëmbimin e Musine Kokalarit me Lasgush Poradecin të cilët mundësuan hapjen e katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Romës dhjetor 1939)
Për Festën e Flamurit, që kurorëzoi përpjekjet shekullore të popullit shqiptar për mvehtësi, Lasgushi thurte poezi në harmoni me zjarrin e shpirtit dhe stilin e mendjes së tij të ndritur, duke i dhënë muzikalitet vargut si në Marshet Heroike – Patriotike.
25 Vjetorit të Pavarësisë, i kushtoi poezinë “Naim Frashërit”, ideologut të Rilindjes Kombëtare dhe poetit më popullor që ka edhe sot shqiptaria, mbrojtësit më të madh të gjuhës shqipe që e quan: “Shpat’e ndritur e lirisë”
Përvjetorin e 60-të të Pavarësisë, e kremtoi me botimin e poemës “Mbi Ta”, dedikuar kolegut, vjershëtorit, luftëtarit të paepur, për liri e pavarësi, “Poetit e Pushkatarit Rilindas” Risto Siliqit.
Si poet e historian ka paraqitur artistikisht sakrificat e një populli, të drejtuar nga heronjtë strategë të cilët si yje të pashuar kanë lënë një dritë të pashembullt.
Poema fillon me vargjet, që në strategjinë e luftimeve, mund ta titullojmë si faza e Sulmit: Risto Siliqi – nisu shpejt// ku shfren me kob e liga//
Ku ndeshet kombi i ngritur krejt// Me tri Kuçedra shtriga// Shpejt me mauzerin tënd zemrak// dhe pendën e praruar// Ku mposht halldupin turkoshak// Atdheu duke u dëshmuar//…
Është fjala për kryengritjen e Malësisë Madhe të vitit 1911, një epope e lavdishme e luftërave heroike që brezat e sotëm dhe ato që do të vijnë duhet ta mësojnë, jo vetëm për misionin që kreu duke bashkuar shqiptarët e të gjitha trevave, por edhe për jehonën që pati në botë nga shtypi i shkruar se si një popull i vogël, që betohet vendosmërisht për liri e pavarësi, mundi të mposht një armik shumë të fuqishëm.
Ky shembull solidariteti mbarë kombëtar na duhet më shumë se kurrë, kur fqinjët verior e jugor dhe forca të errta, përpëlitën me penetrue në forma të ndryshme përtej kufijëve shtetërorë të Shqipërisë, vazhdojnë avazin e vjetër me pretendime. (për kufijtë: tokësorë, ujorë, ajrorë, për varret, për kishat, për heronjtë, për lahutën e fustanellën…)
Shembull i lartë organizimi ishin edhe drejtuesit e kësaj kryengritje si Dedë Gjo Luli, Mehmet Shpendi… të cilët, kullat e tyre të thjeshta, i kthyen në institucione të rëndësishme, në kuvende ku pleqëroheshin planet e luftimeve, me miratim të përgjithshëm. Ata ishin jo vetëm kuvendar të urtë e të arsyeshëm, por për veprimet e tyre konsultoheshin, kërkonin dhe pranonin këshilla edhe nga intelektualët luftëtarë, si: Risto Siliqi, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Nikollë Ivanaj, mësuesi i ri Palokë Traboini, të cilët u bënë njësh me kryengritësit, dhe pas tyre u përfshi; “kombi mbarë” në luftën “Me tri kuçedra shtriga” (1-ballë për ballë me pushtuesit turq, 2-me tinzarët pas shpine serbo-malazezët, dhe 3-me fuqitë e mëdha që padrejtësisht copëtuan trojet shqiptare.)
Poema “Mbi ta” ka një lidhje edhe me krijime të tjera të poetit, me vargun: “mes për mes për Shqipëri// Drini plak e i përrallshëm// që mburon prej Shëndaumi.”
Gjë që e ka  përsëritur dhe e ka mbartë edhe nga poezitë “Poradeci”, “Naim Frashërit”…
.
Krerët e Kryengritjes së Malsisë së Madhe
Krerët e Kryengritjes së Malsisë së Madhe
Nuk i mungonte aftësia poetit për të krijuar vargje të reja e të skalitura, por diçka tjetër e shqetësonte… që e kishte kaq për zemër këte varg…
Lumi për Poetin nuk ishte thjesht një nocion gjeografik a peisazhi, por kishte ngarkesë emocionale, historike… sepse në Shqipërinë natyrale të Lasgushit, Drini kalon “mes për mes për Shqipëri”.
Ndaj lumin më të gjatë, do ta paraqesi si vijë mesi të fushës Arbërore… Lasgushi si mjeshtër i simetrisë, ia ka lënë “Drinit plak” ta kallxojë historinë që mbart… sepse edhe lumin edhe liqenin edhe tokën e etërve i deshi të pandarë, siç na e ka falë Krijuesi. (kujto vargun:” Perëndim i vagëlluar mi liqerin pa kufir”)
Nëse do të isha përpara nxënësve në vitet 1965, dhe më tej dhe ta komentoja këtë varg, duhet të kisha të varur në tabelë “Hartën e Shqipërisë Etnike” të projektuar nga Prof. Ahmet Gashi, dijetar e patriot kosovar (koleg i Lasgushit dhe mësuesi i Zonjës tij, Nafijës, në Institutin “Nana Mbretëreshë.”) Në atë kohë nuk mund ta paraqisja, një mjet të tillë për ilustrim sepse ne njihnim vetëm hartën e cunguar të Shqipërisë, ndërsa Lasgushi çdo gjë që kompozonte kishte parasysh, Shqipërinë Etnike, për të cilën mendonte, shkruante dhe për atë vuante.
Për të vërtetën historike, kufijtë nuk ishin pengesë për poetin. E paraqiti luftën e Malësisë me vullnetarë nga të gjitha trojet, duke bërë një paralelizëm me lumin Drin që gjatë udhëtimit mbledh ujërat e të gjitha degëzimeve malore duke u qetësuar deri në grykëderdhje.
Lumi Drin si vijë mbrojtëse, që rrethon gjithë Fortesën Alpine i jep Dritë (dritë emër i përafërt me Drin) gjithë këtij pejsazhi natyror, ku autori ka përshkruar ngjarjet e Malësisë Veriore.
Nëse te “Vdekja e Nositit”, poeti e ka personifikue vetëflijimin në emër të dashurisë për jetën, apo te “Gjeniu i Anijës”, ku shpirtin e fatosit “aspak nuk e thyen rreziku”, në poemën “Mbi Ta” poeti është i drejt për drejtë, me ngjarje dhe personazhe historikë që veprojnë shpejt dhe flijohen për të drejtat e tyre kundër masave represive të armiqëve shekullorë.
Ky është edhe misioni që ka marrë përsipër poeti: sakrifikimi për Ideale të larta si një patriot i lirë, e shprehur në të gjitha poezitë patriotike me frymën e Rilindjes. (në poezitë “Naimit”, “Gjuha e zjarrtë”, “Lundra dhe flamuri”, “Bjeri telat”…) që lidhen ngushtë me momentin aktual, ku fqinjët e ardhur nga ana e anës pretendojnë me makinacione nga ma absurdet, të përvetësojnë territore, për të ngushtuar hapësirat legjitime te kombit shqiptar, autokton mijëravjeçar.
Ndaj dhe poema “Mbi ta” është një thirrje për unitet për shqiptarët kudo në botë, dhe të harmonizojnë kërkesat ndaj çdo përpjekje shoveniste si në vargjet e poemës: “Ku ngrihet kombi peshë// Ku mposht t’urryerin armik// Malsija burrëreshë;//”
Kështu forca e bashkimit ka produkt fitoren: “Rrok pushkën plaku qindvjeçar// Dhe shtatëvjeçar çunaku// “Atdheu duke u dëshmuar”
Poeti duke njohur krenarinë natyrale të malësorve dhe kurajon e lindur, të cilët dallohen në ecjet e lehta e të shpejta, kur i thërret i pari tyre, i drejtohet Risto Siliqit: “Nisu shpejt”, sepse veprimet luftarake ishin në drejtimin e duhur. Kryengritësit kishin nevojë për njerëz si Risto Siliqi, mendimtar e jurist; organizator i shquar e luftëtar, që ishin në një Frymë ndaj: “Fluturonim plot hare// si t’ishin zogj me fletë// (Risto Siliqit (1882-1936) poet, publicist, avokat, aktivist i çështjes kombëtare shqiptare. I ndjekur nga regjimi turk e malazes, i dënuar dy herë me vdekje, jetoi 10 vite në syrgjyn. Pasurinë që dispononte e shiti, për të ngritur hotelin “Albania” në qendër të shqiptarëve të Malit Zi, që të ishte një vend takimi për patriotët shqiptarë. Udhëtonte shumë në vendet ku ishin mërgimtarët shqiptarë për çështjen kombëtare. Mori pjesë aktive në kryengritjen e 1911, bashkë me Hilë Mosin, luigj Gurakuqin… Si jurist e luftëtarë mori pjesë në Kuvendin e Greçës dhe ishte një ndër përpiluesit e memorandumit të quajtur “Libri i Kuq”. Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës, punoi si gjykatës në Vlorë dhe më vonë sekretar i Ministrisë së Drejtësisë. Me 1923, lidhi miqësi me Fan Nolin por pas 1924, nuk mori pjesë në jetën politike. Ishte themelues i klubit patriotik “Lidhja Shqiptare” dhe redaktor i organit “Shqypnija e Re”. Libri “Pasqyra e ditëve të përgjakshme” është një vepër dokumentare letrare, ku detajohen, kryengritja e Kosovës 1910, dhe ajo e Malësisë Madhe 1911, ku evidentohen heronjte, Isa Boletini, Idriz Seferi, Dedë Gjo Luli, Mehmet Shpendi…
Ku ngjarjet janë paraqitur me vërtetësi sepse ishte vetë pjesëmarrës në luftë. Protesta ndaj padrejtësive shoqërore ndihet në vjershën e gjatë “Burim Poetik” Vepra “Mrika në Shkangull” një vepër romantike, proteston kundër shoqërisë patyriarkale, me zakonet e egra. Mbi bazën e së cilës djali i tij, shkrimtari, Llazar Siliqi, shkroi libretin e Operas “Mrika”. Ernest Koliqi në emër të djemnisë shqiptare, me rastin e ndarjes nga jeta, e krahason me Pashko Vasë Shkodranin dhe me Naim Frashërin duke theksuar: “Poet me ndjenjë të hollë, gazetar me kurajo, avokat me zotësi dhe ndershmëri”)
Duke vazhduar me Risto Siliqin, të cilit ia njihte vlerat si poet i kryengritjes së Kosovës me 1910 dhe i Malësisë Madhe si dhe aktiv me armë në dorë në luftime ravijëzon në poemë të gjithë bashkëluftëtarët me të cilët bashkoi forcën fizike dhe mendore, në aksione dhe kuvende. Lasgushi nuk i ndanë malësorët e veriut, ata s’njohin kufij, kanë një qëllim të përbashkët duke përshkuar rrugë të vështira: “Kur zbritëm në shtegim jugor// Nga Drini i Zi matanë// këndonin me zë burrëror// Hotjanë dhe Shaljanë//”
Shqiptarët ngjiten majave si dragoj me fletë. Ata vijnë edhe nga ana tjetër e Drinit, për t’u bashkuar: “Në kulm të Malësisë” Lasgushi emrin e “Kosovës sokoleshë” nuk e ka përmendur në poemë. Sa jetoi, digjej e përvëlohej për të, bile edhe lotonte, (e pashë në një video) kur ia përmendnin ngrinte zërin me ton “Kosova është zemra Shqiptare, është Dardani”
Në kohën, kur poeti e shkroi poemën më 1965, si duket e kujtoi mikun e zemrës, Mitrush Kutelin, që shkroi “Poemin Kosovar” të cilit, jo vetëm që ia ndaluan veprën, por desh e futën të gjallë në dhè. Ndaj në poemë përmend – Istogun – dhe ja le “Drinit plak” të tregojë vendet ku përshkon.
Eshtë Peja tokë Shqiptare ku buron Drini i Bardhë dhe bashkohet me Drinin e Zi një arterie shekullore që lidhë Kosovën shqiptare me pjesën tjetër të Shqipërisë: “Ku Drin’i bardhë nën Istog// merr fill drejt Shqipërisë.” (Istogu shtrihet në pjesën veriore të Rrafshit të Dukagjinit, ku ngrihen lart “Bjeshkët e Rugovës”. Gjatë pushtimit turk i përkiste Sanxhakut të Pejës. Një zonë e banuar që nga kohët e prehistorisë. Këte e dëshmon rruga e vjetër që lidhte Detin Adriatik, gjatë kohës së Dardanëve dhe Romakëve e me tej, me Pejë, Mitrovicë, Shkodër.)
Për të vërtetuar lashtësinë e kësaj bashkësie poeti ka gjetur një toponim shumë interesant ku përdor një fjalë të vjetër të gegërishtës “drumi” në vargun: “Mes Arbërit, me mall rinor,// E zbret kalitas drumi”// Ku Drini plak e përrallor// Buron prej Shëndaumi.”
.
Luftëtarë të Kryengritjes së Malsisë së Madhe
Luftëtarë të Kryengritjes së Malsisë së Madhe
Fjalë që e gjejmë edhe në dialektin Çam (-drom-dhrom -rrugicë ). (Në veri ka kuptimin e një arterie kryesore që lidh krahinat e largëta, edhe kuptimin e një ure që dikur lidhte përmes drumit të telit Pejën me Gjakovën. Në një këngë kreshnikësh këndojnë: “kur u ba Kotuzi ndan vjeç// Aj ndan vetë në mejdan i ka pritë// Aj ndan drume ka zaptue// Aj ndan shehre tuj urdhnue//…” “drum” rrugë përmes lumit, që kalohet me një mjet lundërues ose me një urë me tela. Dikur një vig që lidhte dy brigjet e lumit…)
Kur poeti jetonte, tregonin miqtë e tij, në ngjarjet e vitit 1981, buçiste zëri i tij “Kosova vullkaneshë”. E këtë tokë të dashur ia kishin ndarë padrejtësisht nga trungu mëmë. Lasgushi vlon në shpirt ndaj shpërthente me krenari: “Kush është lulja në Ballkan// Që bota i ka sevdanë// Kosova që s’njeh sulltanë// plot difë e kapedanë// Kosova që bën sulm në zjarr// porsi dragoj me fletë// siç bënte sulm ngadhimtar// Gjergj Kastrioti vetë.//
Edhe kosovarët e kanë nderuar e respektuar Lasgushin. Veprat e tij studioheshin, komentoheshin dhe botoheshin prej tyre. E ftonin në Kosovë, por për poetin kishte vështirësi të kalonte kufirin, kishte mospërputhje me regjimin. Edhe kur filluan të vinin individë të caktuar në tokën mëmë e kërkonin ta takonin, nuk lejohesh takim privat, me kollosin e Lirikës shqiptare. Njëherë kur donte ta takonte prof. Hasan Mekuli, nuk e lejuan t’i shkonte në shtëpi, kur gjendja shëndetësore e pengonte të dilte jashtë.
(Në dëshpërim e sipër u shpreh “Pra s’u takova me Kosovën vullkaneshë. Pse? Sepse nuk lejohet takim privat në Vendin Tim (Shqipëri), të mos takohem me Vendin Tim (Kosovë). Pastaj “privat” jam unë – unë Lasgushi i kombit? Sa më dhemb! dhe sa më dëshpëron!/ nga Gazeta Liberale.)
Ky është “Lasgushi i Kombit”, Lasgushi i Poradecit që e gjenë vetën me vullnetarët: “Mes Arbërit me mall rinor…”
Edhe pse në poemën “Mbi Ta”, luftimet janë fokusuar në betejat përfundimtare, harta gjeografike e kryengritësve, vjen e zgjerohet, për ta zbuar njëherë e përgjithmonë armikun shekullor deri në fitore: “Për t’u mbuluar me lavdi// Në sulmet fitimtare//”
Shtimin e rradhëve të luftëtarëve e vlerëson edhe si rezultat i virtyteve të larta që trashëgojnë, bujarinë, shpirtin e sakrificës, mikpritjen, besën… “Kaptuam shtatë male rresht// Malësisë për t’ju falë//… Dhe ja shtatë burrat tok// Në kulm të Malësisë//”
Të kujton heronjtë e legjendave si te Gjergj Elez Alia nandë vjet, nandë plagë… apo legjenda “Kush e solli Doruntinen” nandë djem, nandë nuse, nandë djepa…
Nëse do t’i referohemi historisë për shtatë burrat e malsisë, numri shtatë, nuk është vetëm një inspirim folklorik i autorit nga legjendat, sepse janë të njohura bëmat e shtatë shaljanëve, të cilët nuk janë legjendë, por u bënë legjendarë, ata janë shtatë emra të gdhendur në Përmendoren, buzë “Lumit të Shalës” dhe të përjetësuar nga Aktori i Madh, Ndrekë Luca, në Dramën “Shtatë Shaljanët”.
Atje, në betejën e Deçiqit, u betuan edhe shtatë prijësit e Bajraqeve të Malësisë: Hot, Grudë, Kastrat, Kelmend, Shkrel, Triesh, Kojë, (këto dy të fundit edhe pse ishin nën Malin e Zi morën pjesë në kryengritje). Atje në luftime të përgjakshme, për Majën e Deçiqit ranë edhe shtatë trimat e Kojës, bashkëluftëtarë të Dedë Gjo Lulit.
Ndërsa në poemën “Mbi Ta” të Lasgushit ata “shtatë burrat tok” vinin nga Malësia e Kosovës, sepse Malësia gjeneronte heronj.
Ata vinin fill pas kryengritjes së Kosovës më 1910, të vendosur për t’u ngjitur… “Në kulm të Malësisë”: “Mirë se të gjejmë atdhe bujar!/ Malësi e lavdëruar!/ Pranon ti, oh! Pak gjak shqiptar/ Që vjen për të dëshmuar./”
Atje, në “malësinë e lavdëruar”, u mblodhën tok dhe dëshmuan se kush janë: Një solidaritet i paparë nga të gjitha anët, u bënë si një forcë e vetme duke arritur një kulm me 6 Prill 1911. “U nismë shokë e miq// Prej Shkodrës në Malsitë// Ku Dedë Gjo Luli me Deçiq// I mbron atdheut kufitë//”
Me të vërtetë ishte simbolike, ngritja e flamurit në Deçiq, por betejat e luftimeve dhe diplomatike do të vazhdonin…
Dhe nga kjo luftë e drejtë për të mbrojtë tokën e të parëve, kundër armiqëve shekullorë poeti është optimist: “luftëtarët do të fitojnë lavd e nder… ta ndjejë Evropa Mbarë”
Duke ngritur lart jehonën e revolucionit të një populli mijëravjeçar në truallin e vet, me gjuhën më të vjetër, vargu i mësipërm bjen si këmbanë për shtetet e mëdha që e ndanë sipas oreksit tyre, duke e tkurrur në një shtet të vogël por të papërkulur.
Një përmendore për kryengritjen e Malësisë Madhe, ka ngritur Gjergj Fishta, me kryeveprën e historisë së letërsisë shqiptare, “Lahuta e Malcisë”, që është ruajtur si librat e shenjtë edhe kur ishte e ndaluar.
Lasgushi e adhuronte Fishtën e quante “Shkëmb i Tokës dhe shkëmb i shpirtit shqipëtar”. Kur Lasgushi vizitoi Shkodrën me Asdrenin dhe këmbyen librat me Fishtën, i bëri këte kushtim: “Njeriut të Zotit meditans dhe militans, Burrit Shqiptar përfaqësonjës. Më të madhit epik të shekullit”. Liriku i madh, dinte përmendsh vargjet e Lahutës dhe i citonte kur ishte me miqtë e tij (Ah kadalë, Nikollë, t’vraftë Zoti// Se s’ke pa shqiptar me sy// Mu më thonë Oso Baroti// e djeg vedin megjithë ty…)
Edhe poema “Liria” e Ndre Mjedës i përket vitit 1911. Vargje kushtruese na ushtojnë edhe sot “Lirim, Lirim… bërtet gjithkah malsia” të cilën në tekstet shkollore e kishim të përgjysmuar sepse përmendej Washingtoni si frymëzues i lirisë. Kurrë nuk patëm guximin të komentonim me nxënësit vargjet e mëposhtme nga poema “Liria” e Ndre Mjedës “Të lumtë o Washington! u zhvillat qielli// E njom toka për mall me brohorië// E mbi flamuj të zotnuem ndejt Luani// Pushoi te drita që shpërndan si dielli// Lirim, tuj britun në Filadelfia: Amerikën zhgon Amerikani”
Me vlerë për këto ngjarje është edhe poema “Lufta e Maleve” me 1500 vargje e Palokë Traboinit. (1888-1951) I lindur në Traboin, i shkolluar në Shkodër, mësues në Prizren, Shkodër, Tuz, Bajzë e shumë fshatra të Malësisë, autor i shumë artikujve në revistat e kohës. Bashkëluftëtar dhe sekretar i Dedë Gjo Lulit. I ngarkuar prej tij të sillte në Hot nga Vjena përmes Dalmacisë flamurin që ngritën në Deçiq. Martuar me mbesën e Kolë Idromenos, vajza e motrës Tone. P. Traboini ishte i panjohur për ne si edhe në historinë e letërsisë gjatë periudhës së diktaturës.
Ashtu  edhe vepra e Risto Siliqit, “Pasqyra e Ditëve të Përgjakshme”, paraqet me vërtetësi kryengritjet e Kosovës 1910, dhe të Malësisë 1911. E njëjtë ishte edhe veprimtaria e Hilë Mosit të cilin Fishta te Lahuta e përshkruan: “Ky Hila djalë shkodran… pushkën n’dorë// N’prazme flamurin kuq e zi//…” Na mburremi me këto intelektualë luftëtarë, që përveç kontributit shpirtëror e mendor ishin aktiv me armë në dorë, në Komitetin e Kryengritjes së Malësisë së Veriut.
(Hil Mosi 1885-1933, ishte poet i “Zanit Atdheut”, botues e publicist në shumë organe shtypi,përkthyes, por me gradë shkencore arsimtar. Me 1908, kthehet në atdhe nga Bukureshti me “Himnin e Flamurit” të thurur nga Asdreni. Pjesëmarrës në shumë kongrese si i Manastirit… Ishte senator e deputet i Shkodrës, 1920-’24, Prefekt në kohën e Nolit. E mbylli karrierën si Ministër Arsimi ku pati rastin të emërojë si mësues në Dhërmi të riun Petro Marko.)
Nuk mund të paraqiten të gjithë poetët, sepse janë shumë vepra letrare e studime historike për këte ngjarje madhështore, që përgatiti Pavarësinë e Shqipërisë 1912.
Në këte vazhdimësi të këtyre poetve, poema “Mbi Ta” shkruar nga kollosi i lirikës shqiptare e plotësoi tablonë e kësaj ngjarje të rëndësishme kombëtare aqë më tepër, që merrte vlerë, sepse zëri i poetit vinte nga Poradeci.
Kështu Lasgush Poradeci (1899-1987) ishte në vazhdimësi me këte plejadë autorësh të përmendur për ta mbajtur të gjallë në kujtesen historike, artistikisht, këte ngjarje të lavdishme që çuditi botën, të bashkuar në luftën për liri. Lasgushi ishte koshient për çfarë shkroi sepse e jetoi Rilindjen në periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha, prandaj shqetësimin atdhetar të mbrojtjes së kombit dhe përparimit të shoqërisë shqiptare e ka shprehur edhe në poezi të tjera si te “Këng’e lashtë ku “do këndoj një mall’ të ri…”
Edhe në poezinë filozofike, Ai është tokësor e kombëtar sepse në vargun e tij zotëron Dheu, mali, liqeni, lumi që janë jetësore, prandaj kanë edhe ngarkesë emocionale. Këte lidhje me tokën, poeti i gjenë edhe te malësorët e alpeve Shqiptare të cilët betohen: “Për at qiell e për ket dhe”, “Për kët votër” apo përshëndetjet, “bre burrë i dheut”, që kanë forcën e Anteut të lidhur me tokën dhe që shprehin vendosmërinë e betimit “Pasha besën!”
Nisur nga kjo lidhje shpirtërore vargjet në poemën “Mbi Ta” rrjedhin si ujëvarë, ku trimat si rrufe përshkojnë, maja e gërxhe të thepisura, për t’i treguar gjoksin armikut turk, sllav a kushdo tjetër.
Në krye të kësaj lëvizje gjithëpopullore, ngrihet madheshtorë kryetrimi 70 vjeçar Dedë Gjo Luli: Figura e tij është e njohur botërisht; në publicistikë, në letërsi, në folklor, në studime shkencore…
Në figurën e Dedë Gjo Lulit, të dalin para syshë gjithë luftëtarët nga të gjitha anët që iu bashkuan Sulmit, kushtrim, “Mbi Ta! Mbi Ta!”
Shqiptarët kudo që janë, duhet ta përjetësojnë Heroin e Maleve edhe jashtë atdheut, siç bënë emigrantët italianët për Garibaldin, ku ngritën statujën e tij në “Washington Square Park in Manhattan, N.Y.C” e gjetkë…
Pra edhe “Dedë Vigani “ ishte Garibaldi Shqiptar,që bashkoi shqiptarët në beteja vendimtare. Ky Deda “Mbi krepat tmerrimtare// Ku as shqiponjat s’ngjitën dot…”
Një figurë shumë e dashur për poetin, një luftëtar që e entuziazmon sa herë përmend bëmat e tij duke i dhënë përmasat si të Skenderbeut.
(Dedë Gjo Luli, (1840-1915), udhëheqës popullor, një strateg i ndërgjegjësuar në odat e kuvendeve, i stërvitur në beteja të përgjakshme në mbrojtje të Hotit e Grudës, kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit, anëtar i Lidhjes së Prizrenit, e vazhdoi luftën edhe kur ishte i moshuar për vendimet e padrejta të Konf. së Ambasadorëve në Londër. Ishte Dedë Gjo Luli që u prini djemëve të Hotit për të shpëtuar Oso Kukën nga flaka e barotit në kullë të Vraninës. (i përjetësuar edhe te Lahuta e Fishtës.) Si udhëheqës u dallua në luftën kundër ushtrisë së Malit Zi të drejtuar nga Mark Milani, që ishte më i plotësuar ushtarakisht, por që malësorët e zmbrapsen me turp, si në betejën e Rrzhanicës… E gjithë familja dhe fisi i Dedës ishin të angazhuar në luftërat për liri. Mbas tij vinin djemtë, vajza Nareja, nusja e djalit Kolë, Nora… Ai nuk u step kurrë edhe kur mori lajmin e hidhur të djalit, Gjergjit 22 vjeçar, që ra heroikisht në një betejë të përgjakshme, e priti burrërisht dhe vazhdoi po me ate vrull luftën për mbrojtjen e trojeve të ndara padrejtësisht. Kryengritja që e ngriti në majë figurën e tijë ishte Beteja e Deçiqit në Prill-Maj 1911, kundër Osmanëve, ku ngritën flamurin shqiptar, aty ku u plagos edhe Nora…
Kjo ngjarje bëri bujë të madhe në botë vuri në lëvizje të gjithë luftëtarët të penës e të pushkës për të bërë një agjendë ndërkombëtare për kryengritjen. Në ate kohë, Ismail Qemali vjen nga Italia, i jep një impuls bashkimit të shqiptarëve, ku mblidhen në Greçe, luftëtarë të pushkës e të penës, me 23 Qershor 1911…
Po aq e rëndësishme për Poetin në poemë është edhe figura e Mehmet Shpendit, i përmendur në betejen e përgjakshme të Qafës së Agrit, ku për 14 ditë me forca të pabarabarta i thyen me turp forcat turke që mbaheshin si të pathyeshmit, Shefqet Turgut Pashën. (10-24, 1910) “Mirditë e Shalë e Dukagjin/ Puth Mehmet Shpend Luanin/… Dhe puth kuvendin heroik,/ Ku ngrihet kombi peshë,/ ku mposht t’urryerin armik,/ Malsija burrëreshë./
Dedë Gjo Luli dhe Mehmet Shpendi, ishin bashkë në Lidhjen e Prizreni 1878, ishin bashkë në Betejën e Rrzhanicës, bashkë në Deçiq, bashkë në Greçe… dhe të dy i vranë tradhëtisht veç e veç me 1915 nga forcat serbo-malazeze.
(Mehmet Shpendi, 1851-1915, i njohur me emrin Sokol Shpendi, një nga themeluesit e Djelmnisë së Shalës. Me 1908, kur po festohej Hyrjeti në Shkodër, mbledh shokët në aksion që të nxirrnin luftëtarët e burgosur, duke thënë:”…të festojnë edhe ata me ne, se të drejtat dhe liritë po na i garantoka kushtetuta…!” Me 1911, në Memorandumin e Greçës do të firmoste në emër të “Djelmnisë së Shalës”.
Me 1912, përkrah Bajram Currit, do të hynin në Shkup si triumfatorë. Me shpalljen e Pavarësisë, me trimat e Shalës e të Dukagjinit, ngritën flamurin Kombëtar në Logun e Kuvendit të Shalës në Abat. Por trupat malazeze nuk i rreshtën sulmet, për të avancuar në Shqipërinë e Veriut. Gjenerali malazes, Radomir Veshoviq, e thërret për bisedime dypalëshe për një marrëveshje armëpushimi me shqiptarët, si duket sa për ta larguar andej dhe futën 1500 forca në trojet shqiptare. Shqiptarët e fituan betejen, por Mehmet Shpendin e prenë në besë, e masakruan bashkë me shoqëruesit e tij 15 Korrik 1915.
Para se të mbyllte sytë la amanet “Tokë e Qiell dorëzanë ju paça, besë anmikut kurrë me i n’zanë!”
Lufta e drejtë kundër pushtuesit u jepte forcë trimave që nuk ndaleshin për asnjë çast edhe pse ishin të pabarabartë në numër “dymijë me njëzetmijë” thirrja për një sulm përfundimtar do të ishte humbja me turp e pashait me njëzetmijë: “Dhe prap sulm: Mbi Ta! Mbi Ta!// Mbi mijërat e tjera,// Iu shtir përmendsh të ziut pasha// sikur vërshoj skëterra…”, “Prapo-u shpejt, bre derbede,// Marsh! Me gjithë ushtrira!// Vjen Luma dhe t’i shtrin përdhe// Të majmet egërsirat.//
Kurorëzimi i kësaj fitoreje ishte ngritja e Flamurit në Deçiq, por për fitorën përfundimtare lufta do të vazhdonte në të gjitha drejtimet.
Ata prijës të maleve janë edhe të urtët e “kuvendit heroik” siç e cilëson poeti, sepse me emrin e tyre janë bërë peticionet, memorandumet, strategjia dhe organizimi i luftimeve. Ata trashëgonin përvojën luftarake dhe diplomacinë e etërve të tyre.
Me 10 Qershor 1878, Lidhja e Prizrenit, 22 Qershor 1911 Kuvendi i Greçës, që nga rëndësia janë si Kuvendi i Lezhës me 1444.
Në poemë Lasgushi i drejtohet heroit, Mehmet Shpendi “Puth Kuvendin heroik” që ishte “Kuvendi i Greçës” vepër e malësorëve dhe e ideologve luftëtarë si R. Siliqi, Luigj Gurakuqi, Hilë Mosi, Ismail Qemali, Nikollë Ivanaj… ku patën përkrahjen edhe nga kuvendet e tjera; nga Vlora, Berati, Mitrovica, Çamëria, Arbëreshët e Italisë dhe të diasporës të dërguar nga Vatra.
Kryengritja e Malësisë ishte e mirëstudiuar: në krye kishte një komitet, që përgatiti një tubim, që i la historisë një dokument me 12 pika (si më vonë 14 pikat e Presidenti Wilson) i paraprini dokumentit të pavarësisë 1912. Kjo Greçe e bekuar e katundit Bëkaj të Trieshit, ku dallohen edhe sot vendbanimet Ilire, ishte e ndarë nga trungu mëmë, ashtu si Prizreni ku u bë kuvendi historik, si Manastiri, ku u vendos Alfabeti shqip…
Në Greçe doli deklarata më e fortë e bërë ndonjëherë nga shqiptarët para ngritjes së flamurit të Pavarësisë që e detyroi Portën e Lartë të fillonte negociatat me krerët e kryengritjes dhe të pranonte shumicën e kërkesave, të cilat i hapën rrugën autonomisë. Ato kërkesa edhe sot nuk e kanë humbur aktualitetin, derisa Shqipëria të realizojë bashkimin kombëtar në Evropën e Bashkuar.
Lasgush Poradeci në këte zjarr betejash nuk e ndanë kontributin e grave malësore në luftime dhe në kuvende. Nuk ka dhënë emra të veçantë se ato janë shumë. “Dhe prap djem e pleq e gra// Ngarendin t’armatosur//”
Një ndër këto luftëtare është e përmendur Tringa sokoleshë, të cilës shtypi botëror i bëri jehonë, me 1911 “Le Petit Journal” e përshkruan Tringë Smajlin si (“Yannitza, Albanian Joan of Ark” ) Virgjeresha (burrëresha) shqiptare Zhan D’Ark po të njëjtën gjë e përshkroi edhe gazeta “Neë York Times “ ndërsa Fishta i madh e kishte ngritur heroinën, në piedestalin e pavdekësisë te “Lahuta e Malcisë”…
.
Ngritja e Flamurit ne Deçiq
Ngritja e Flamurit ne Deçiq
Në kryengritjen antiotomane të vitit 1911, Tring Smajlja u shqua së bashku me bashkëluftëtaren e sajë Norën (nusja e djalit e Dedë Gjo Lulit), bija e Kolë Baca Kurtit e shumë të tjera….
Kur vëllezërit e Tringës ranë dëshmorë, ajo veshi çakçirët, ngjeshi armët brezit, dhe iu ngjit malit përpjetë duke marrë pjesë në luftime direkte si luftëtare e sprovuar deri në majë të Deçiqit të Grudës, ku u valviti flamuri i Skënderbeut, me 6 prill 1911. Ajo u dallua si pjesëmarrëse direkte në kuvendin historik të Greçës 10-23 qershor 1911, gruaja e parë që merr pjesë në një kuvend historik duke u trajtuar si e barabartë me hartuesit e memorandumit, që kishte në themel autonominë. Ajo e vazhdoi luftën edhe mbas 1912 kundër padrejtësisë, në aneksimin e trojeve shqiptare nga Konferenca e Londrës 1913, ku përfshihej edhe Gruda e saj e shtrejtë. Duke dhënë gjithë potencialin e saj fizik, shpirtëror e mendor për lirinë e Atdheut ajo mendoi edhe për përparimin shoqëror nepërmjet shkollimit, për këtë shkrini gjithë pasurinë e saj për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe si një traditë e hershme, që pranë çdo Kishe ngrihej një Shkollë.
Një shembëlltyrë tjetër si e Tringës dhe e vashave shqiptare, Lasgushi e përjetësoi edhe te poezia “Lavdurim” botuar më 1931.
Një dedikim për Parashqevi Qirjazin, që punoi pa pushim për çështjen kombëtare. (Një nga themelueset e institutit femëror “Kyrias” në Tiranë e Kamëz (1922-’23). E para grua shqiptare dhe në botë që merr pjesë në një Konferencë ndërkombëtare në Paris me 1919, si burrneshat malësore, pjesëmarrëse në kuvende.)
Nuk mund ta ndajmë nga këto ngjarje edhe “Mbretëreshën e Maleve”. Edith Durham, e cila shkruan te “Brenga e Ballkanit”: “Unë nuk gjej tjetër gjë që ata i besojnë vërtetë, përveç “Kanunit” dhe thënies që përbën kodin e tyre: “Nuk ka ushtri që të na nënshtrojë!”
Edith Durham, ishte prezent në grupimet e malësorëve me 1911, por në një funksion tjetër, në fushën diplomatike e cila me deputetin e parlamentit Britanik, Aubrej Herbert, lobonin për Shqipërinë, duke u bërë thirrje fuqive të mëdha, për dramat që po luheshin në kurriz të shqiptarëve. Ata shkuan edhe më tej, me 1912 krijuan Shoqatën Anglo-Shqiptare.
Lasgushi (1899-1987) si progresist i jep prioritet pjesëmarrjes të të rinjëve të cilëve u përket e ardhmja, ashtu si heronjtë e poemës që shtuan radhët me pasonjës të vendosur për të vazhduar rrugën e tyre: “Ky Deda që nuk njeh sulltanë// Na dha Kolë Marash Vatën// Ky Shpendi që s’njeh Turk Osman// Na dha Zef Bua Shpatën// Nga një djalosh për luftë e zjarr// nga kull’e vet krenare// nga gjaku i zemrës, gjak shqiptar// Për Motrën shqiptare…//”
Edhe Lasgushi ishte një luftëtar i paepur, edhe pse fizikisht kishte kaluar sëmundje jo të lehta, arma e tij e fuqishme ishte fjala e urtë dhe e zjarrtë (siç e thotë te poezia Sokrati “Zoti ynë quhet Dituri”)
(Vetë Lasgushi qe një shembull i shkëlqyer në rininë e tij: studioi 17 vite nepër Universitetet e Evropës duke mbrojtur tri doktorata dhe tëre diturinë që akumuloi ndër vite e ndriçoi me yje në veprat e tij “Vallja e Yjeve” 1933 dhe “Ylli i Zemrës” 1937. Lasgushi si mjeshtër i penelit dhe skalitës i vargut, luftoi me vargjet që i përzgjodhi me mjeshtëri për t’i dhënë jetë dhe vazhdimësi idealit tij si njeri i lirë për një shoqëri të emancipuar në një shtet të bashkuar e të pavarur. Pena e tij e Artë, e shkroi gjuhën e bukur shqipe, me një stil të ri elegant e te zhdërvjelltë. Veshja gjuhësore e zgjedhur prej tij dhe e inspiruar nga folklori, i ka dhënë poezive të tij ngjyrimin dhe përmbajtjen kombëtare. Nga kjo, poezitë e kollosit të lirikës shqiptare, kanë ritëm e melodi, kanë qenë dhe janë produkti më i mirë për kompozitorët. Poezitë e tij të hedhura në pentagram janë përjetësuar nga këngëtarë të famshëm si sopranoja e pavdekshme Tefta Tashko, apo këngëtari i fuqishëm i këngëve patriotike Ilir Shaqiri…
Duke qenë Lasgushi i tillë i pamposhtur, me një qëndrim dinjitoz dhe i pakomprometuar gjatë regjimeve të ndryshme, kishte besim te rinia, që energjinë mendore e fizike ta vejë në funksion të zhvillimit, të progresit si te vargjet që nxitë edhe sot djalërinë të lidhin besën për Atdhe e komb, për liri, për lumturi, se Ata i duhen Shqipërisë më shumë se kurrë, sepse Ai vdiq me brengën e Shqipërisë të ndarë në pesë shtete dhe të pavarësisë së Kosovës dhe bashkimit të saj me trungun mëmë, si dikur në Iliri. Le të udhëhiqet sot Rinia nga ky Himn Maratonomak….
.

Poeti Lasgush Poradeci
Poeti Lasgush Poradeci

“Marshi i Djalërisë”

Urdhëroj i madhi Zot/ Zu ndrin yll i Shqipërisë/ Ndrin e më s’përmbahet dot/ Po rreh zemr’e djalërisë/ Djalëri lart pë liri/ Lart për Zonjën Shqipëtare!/ Yll në ballë e zjarr në gji/ Zjarr në gji për Shqipëri/ Digjen zemra djaloshare/ Lidhni besën për Atdhe/ Ju me gjak të Kastriotit/ Lidhni e shpejt e bëni be/ Be që vret porsi rrufe/ Para kombit,  para Zotit/ Djalëri hen Yll i ri/ Djalëri këng’e shendetit/ Për Liri, për lumturi/ Rrofsh e lumja Djalëri!/ Rrofsh e qofsh sa val’e deti.
Lasgush Poradeci
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.