back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kryevepra “Princi” i Makiavelit, – refleksione nga Ervina Toptani

Gazeta

Nicolo' Machiavelli (1469-1527)
Nicolo’ Machiavelli (1469-1527)

Kryevepra “Princi” i Makiavelit,

refleksione nga Ervina Toptani

“Princi” i Makiavelit,
kryevepra që ndryshoi mendimin mbi filozofinë politike,
thelbin e shkencës së antroplogjisë
dhe sensin e fuqisë absolute mbi pushtetin
.
Ervina Toptani
Ervina Toptani

Ky titull më lart më tremb! Eshtë kaq e madhe kjo kryevepër (dhe kaq e vogël jam unë) sa për të diskutuar rreth saj nuk do të mjaftonin vite të tëra e jo më disa rreshta (sado të gjatë të jenë). Për ata që e kanë studiuar këtë kryevepër jam e bindur se nuk surprizohen kurrë nga lojrat politike apo taktikat e ushtruara nga “Princat” e sotëm të politikës. Për ata që nuk e kanë lexuar është vërtet një humbje e madhe, por që ka “shërim”. Mjafton ta gjeni librin e të humbni në filozofinë e tij kaq të qartë për të gjetur e kuptuar deri në rrënjë të vërtetën. Mendoj se nuk do të mashtroheni më kurrë nga politika më pas, asnjëherë!
Filozofia e Makiavelit është filozofia e të vërtetës, e një të vërtete të dhimbshme por e pakompromis, e vërteta e arsyes nga njëra anë dhe e vërteta e fakteve nga ana tjetër. Mendimtari i kësaj epoke sa më shumë është universal aq më fort arrin të mbërthejë elementet më karakteristikë të dramacitetit të epokës së tij sepse ai jeton (koha kur u shkrua Princi) në një epokë krize e dramaticiteti të jashtëzakonshëm që ravijëzohet edhe artistikisht nga pasazhi i kalimit prej periudhës humaniste në atë të botës kontemporane, nga utopitë e mëdha që shoqëruan filozofinë e humanizmit, konkordimit ndërmjet utopive të të gjitha filozofive të marra sëbashku për të arritur tek “paqja” politike dhe ajo e filozofisë politike, por që hasi në kolaps gjatë shekullit me shumë ngjarje, fillimit të epokës kontemporane që është e lidhur edhe me zbulimin e botës se re, ndërmjet viteve 1400 dhe 1500.
Italia ishte në këtë kohë një vend me një krizë të vështirë politike e dobësi të ndryshme, gjë të cilën e kishin hedhur në letër në formën e kryeveprave artistike qysh më herët edhe Dante e Petrarka, etj. Periudha ndërmjet 1400 e 1500 shënon kalimin nga mesjeta në atë të epokës moderne. Kjo periudhë karakterizohet nga ngjarje historike me një impakt e frymëmarrje të gjerë siç ishte zbulimi i botës se re, reforma protestante dhe lindja e monarkive të reja nacionale europiane.
Italia dergjej në një epokë fragmentarizimi dhe destabiliteti politik dhe u bë terreni perfekt për t’u pushtuar nga Franca e Spanja.
Në vitin 1494, mbreti i Francës, Karli i 8-të zbret në Itali, hyn në Firence dhe arrin të pushtojë Mbretërinë e Napolit. Në Firencë kjo gjë solli pakënaqësi të madhe popullore që pasoi dhe me largimin e detyruar të Piero de’ Medici dhe proklamacionin e Republikës së Savonarolës. Më pas në 1512, Medici-t u rikthyen, por forca e tyre ishte dobësuar ndjeshëm derisa pushteti i tyre u ndërpre 15 vite më pas me vendosjen e Republikës së Dytë. Në këtë atmosferë vështirësish ishin dhe shtetet e tjerë më të vogla ku më së shumti u ndie dobësimi i oborreve princërore si organizma politikë që bënte kontrast të dukshëm me përgatitjen artistike kulturore të arritura prej tyre gjatë periudhës së Rilindjes. Në këtë klimë tensionesh, si pasojë edhe e përplasjeve e ndodhive shumë të pakëndshme në jetën politike e personale të Nicolo Machiavelit, lind kryevepra “Princi” si një shpresë, e lexuar kështu mes rreshtash, për bashkimin e popullit italian e të të gjithë politikës së vendit. Libri lind gjatë një periudhë të vështirë për autorin, kur ai ishte tërhequr plotësisht nga detyrat politike, pasi u burgos dhe u torturua se u quajt si tradhëtar i vijës së politikës së Medici-t. Machiaveli këtë libër ia dedikon Lorenco de’Medici-t.
I madhi Leopardi pohonte se: “filozofia mbi të gjitha duhet të jetë e vërtetë. Kjo gjë mund të jetë shumë e dhimbshme por nëse nuk është e vërtetë ajo pushon së ekzistuari. E dhimbshme por e vërtetë deri në fund”, ky është dhe thelbi i “Princit” të Makiavelit. Mendimtari i vërtetë nuk imagjinon por i sheh gjërat e filozofinë nën dritën e realitetit, e vërteta është fakt dhe e vërteta është ajo që është e realizueshme efektivisht. Filozofia duhet të ketë natyrën magjepsëse të njeriut e nuk duhet të paraqesë iluzionin mbi atë çka njeriu është. Principi themelor antropologjik i Makiavelit është: natyra e njeriut është ajo që shfaqet në faqet e Princit. Sado të ndryshojë koha e sfidat e saj natyra e njeriut qëndron gati e pandryshueshme gjatë jetës. Në thelb njeriu është “ikës” nga rreziku dhe lakmitar për përfitime e pushtet, po aq sa është dhe inatçor, smirëzi, egoist, etj. Duke pasur kaq shumë ndjenja negative brenda vetes, njeriu që herë herë e lë vetën të udhëhiqet prej tyre e me raste edhe për gjithnjë, për nga natyra kërkon siguri gjë e cila bëhet dhe çelësi i zbërthimit të kryeveprës së Makiavelit. Njeriu kërkon të shpikë e të organizojë “urdhëra” (siç janë organizatat sot për të mos e keqkuptuar termin në fjalë) e cila është një tjetër fjalë kyçe në filozofinë e Makiavelit që ta venë njeriun në siguri por ndërkohë pikërisht ky njeri është dhe lakmitar për përfitime e pushtet, i ethshëm për të fituar sidomos pasuri, kontradiktë e përhershme e njeriut kjo. Po si mundet njeriu të jetë njëherazi transformist, të kërkojë siguri pareshtur e po kaq pareshtur të kërkojë ethshëm shtimin e pasurisë e pushtetit? Ky është thelbi i filozofisë antropologjiste të Makiavelit.

"Princi" i Machiavellit
Princi” i Machiavellit

Princi i Makiavelit është një ndër veprat më kontroverse të historisë së mendimit etiko-politik të krizës së vlerave e mbivendosjes së tyre por që shërben si sfond përgjithësues për sensin e boshllëkut që le pas. Ekzaminimi i kthjellët dhe i milimetruar i natyrës njerëzore që Makiaveli ka bërë me kryeveprën e tij shënjon dhe fundin e të gjitha idealeve që periudha e mesjetës dhe humanizmit kishin mbrojtur e nxitur deri atëherë. Njeriu i paraqitur deri në detaje nga Makiaveli nuk ka fytyrën estetike e “soditëse” të njeriut të mesjetës e as atë të qetë e idilike të Rilindjes, por ka fytyrën e njeriut modern që vepron e punon për një qëllim të caktuar. Jeta nuk është një lojë imagjinare e as soditje e qetë në natyrë, nuk është teologji e as art. Ajo ka në tokë të vërtetën e saj, qëllimin dhe mjetet për ta arritur atë. Synohet rehabilitimi i jetës sipas qëllimeve të vëna nga njeriu, t’i japësh asaj kuptimin e duhur sipas këtyre qëllimeve, të riaftësosh ndërgjegjen, të rikrijosh apo rindërtosh forcën shpirtërore, ta kthesh njeriun në seriozitetin me të cilin Zoti e krijoi për t’i shërbyer vetvetes e shoqërisë dhe aktivitetit të tij personal që e plotëson atë.
Për të marrë pushtetin është e nevojshme mbështetja e popullit ose ajo e shtresës aristokratike të një vendi. Në një shtet në fakt realizohen gjithnjë dy tendenca politike të ndryshme, një është ajo në favor të popullit dhe një tjetër është ajo në favor të aristokracisë (e përkthyer në terma bashkëkohorë ajo e të pasurve të rinj, bisnesmenëve e njerëzve të lidhur pranë ose me pushtetin në ditët tona). Populli dëshiron të mos jetë “i kapur”, i komanduar apo i shtypur nga të fuqishmit sikurse dhe këta të fundit nuk duan të jenë të komanduar apo në shërbim të kërkesave të popullit. Sa aktuale është kjo gjë dhe sot! E për dreq e gjen hapësirën e kësaj filozofie të shtruar këmbëkryq në Shqipërinë e ditëve të sotme. E të mendosh kur është shkruar kjo kryevepër! Pra, njeriu sjell regresin duke kërkuar progresin por mbetet i ngatërruar shpesh në vend numëro duke mos pasur kulturën, përgatitjen e mendjen e aftësuar për të shkuar përpara! Dy tendencat e thëna më lart përcaktojnë tre modalitete të ndryshme të shtetit të evidentuar nga Makiaveli: të principatave, kohën e lirisë dhe atë të anarkisë, megjithëse Makiaveli nuk flet asnjëherë hapur për rastin e gjendjes së lirisë apo të anarkisë.
Në sytë e Makiavelit, fakti që aristokratët e konsiderojnë veten të barabartë me princin sjell delegjitimizimin e fuqisë absolute që shteti duhet të ketë mbi njerëzit (që duhet të jenë të gjithë të barabartë përpara tij njësoj siç duhet të jemi sot përpara ligjit përsa kohë vetë ligji është forma më e lartë e pushtetit e të së vërtetës). Kështu vjen mungesa e atij “pushteti kurore” (edhe në ditët e sotme po njëlloj) themelore të ekspozuar nga sunduesi apo pushtetari në krye që është në bazën e çdo rregulloreje politike. Atëherë kur individët e një shteti mendojnë të ngrihen në lartësinë e shtetit pikërisht aty fillon qarku i shkurtër politik që shkatërron themelet e institucionit politik që bazohet mbi lartësimin e pushtetit. Pikërisht për këtë arsye është më mirë të kesh një shtet me shtetas që janë gjithnjë të gatshëm t’i binden pushtetit shtetëror sesa një anarki ku fuqia shtetërore është gjithnjë e deligjitimuar nga ata që mendojnë se janë “instanca” e fundit politike. Makiaveli nënvijëzon se duhet të ketë një diferencë cilësore ndërmjet instancës që përmban pushtetin dhe atyre që janë të nënshtruar ndaj këtij pushteti.
Si përfundim mund të them se në thelbin e “Princit” të Makiavelit janë hedhur themelet e origjinës së shtetit modern, kalimi nga gjendja e anarkisë në shtetin e së drejtës dhe premisat e tërësisë së filozofisë politike.
Fichte dhe Hegel (ndër mendjet brilante që unë i adhuroj veçanërisht) e kanë studiuar Princin e Makiavelit aq sa për ta kthyer filozofinë e tij deri në piedestalin më të lartë të njohjes së vlerës dhe gjenisë njerëzore, të pushtetit e ushtrimit të tij. Ndërsa Voltaire i madh ka qenë një jo-përkrahës i Makiavelit. Ndoshta për këtë ka ndikuar refuzimi që pati për “Princin” Frederiku i II i Prusisë që shkroi dhe një pamflet kundër mendimit politik filozofik të Makiavelit, i cili u shpërnda dhe pranua gjerësisht nga intelektualët iluministë të kohës. Voltaire propozoi rreth vitit 1740 që “Princi” duhet të ribotohej me titullin “Antimakiaveli”.

***
P.S. sa do të doja të dëgjoja debate e mendimtarë shqiptarë që të sjellin përpara ekraneve televizive kryevepra e filozofi të tilla për të “iluminuar” mendjet e njerëzve të thjeshtë sepse studiuesit këtë kanë për qëllim e në bazë të punës së tyre në fund të fundit. Por ne jemi kaq të varfër shpirtërisht e kaq dorështrënguar në këtë aspekt sa vërtet duket sikur Makiaveli, në kryeveprën e tij na ka njohur mirë dhe ne të sotmëve njësoj si ata të epokës së tij (duke iu përmbajtur filozofisë së tij se thelbi i njeriut nuk ndryshon me kohën).
 .
Marrë nga muri i Ervina Toptanit, 14 shtator 2021
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.