back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

“Kthimi symbyllur në vendlindje” – nga Faruk Myrtaj

Gazeta

Babë e bir, Hilmi & Faruk Myrtaj
Babë e bir, Hilmi & Faruk Myrtaj

“Kthimi symbyllur në vendlindje”

nga Faruk Myrtaj

Babai Ynë, i iku fshatit herët. Pa mbaruar mirë lufta. Ia rriti gjyshi moshën, që të fillonte mësues. Intuitivisht, nuk e desh kthimin në fshat. Nuk u lidh kurrë me ullinjtë, me vreshtat, me truallin atje si pronë. As neve nuk na foli për prona…
Por, ne që e dinim, ia shihnim buzën që i dridhej për vendlindjen, Trevllazërin…
Në vitet e fundit iu fanit njëra nga kodrat e atjeshme, kur hyn në Trevllazër. Ishte pronë e Myrtajve, Riza Selimit, gjyshit tonë. 
Pikërisht në të, Hilmiu bëri skicën për rikthimin. 
Sy-mbyllur, vendosi të kthehej. Vetëm vdekur. 
Jo për ata që u rrekën ta kthenin në fshat si të pa-dëshiruar. 
Ai po kthehej për qejf të vet, për shpirt të vet…
Në mënyrën e Tij! “…in my own way” – këndonte Frank Sinatra, por… tjetërkund!
Vendosi të kthehej në vendlindje duke skicuar/dekretuar, hapjen e një varreze nga e para.
Atje, nga ajo majë-kodre, shihet tërë Gjiri i Vlorës me blu Joni det që, pasi ishullohet me Sazan (dhe “Vatanet e mia”) bëhet Adriatik! (E mbajti tërë jetës, edhe fshehur, një hartë të Shqipërisë Reale të vjetit 1942…)
Shihen prej atje tërë relievet e Lumit të Vlorës, deri përtej Drashovicës së Sabos, motrës së madhe, dhe Fieri e motrës tjetër të Tij, Buqes! 
Natyrisht Armeni i Kasajve të Gjyshes Harziana. Por si të harronte Selenicën ku besoi se projektonte fillimin e Udhës së Dijes së bijve të tij?!
Gorishova, prej nga Barie Myrtaj (Shehaj), ishte nisur Nuse me Shtatë Kuaj, për t’u bërë Fat-Njëjta me Të dhe Nëna Jonë, dukej e bekuar prej aty…
.
Varri i Hilmi Myrtajt në Trevllazër - "Tërë bota, duket prej aty!"
Varri i Hilmi Myrtajt në Trevllazër – “Tërë bota, duket prej aty!”
Tërë bota, duket prej aty! 
Për mbërritjen e saj ai ktheu në himn qëndresën e tij dhe kujtesën tonë, sado jo kollajtë. 
Është krejt e besueshme për ne, fëmijët e Tij, se ai e dinte qysh në nisje këtë Udhë të Vetën.
Ndodhi që ai vet e shtoi mundin e mundimin, ndonjëherë, shtoi dhimbjen për hir të kryelartësisë së tij, e mundoi ndonjë herë më shumë se sa si nënë të fëmijëve Barien e Tij, nënën tonë, por gjithnjë mbeti sakrifikuesi dinjitar, edukatori i pashembullt, ftuesi për jetë sa më të vërtetë…
Për këto e të tjera, kur ndjeu afrimin e Fundit, babai ynë skicoi aty, një varrezë të re, nga e para. 
Dhe, si tërë jetës së tij, pa kërkuar kurrë nga të tjerët çmim më të madh seç ishte gati të paguante vet, do të shkonte vet, i Pari, në atë “vendbanim” të ri Varrezë të Re: 
Ishte i Vdekuri i Parë Aty…
.
Marrë nga muri i fb i Faruk Myrtajt 8 gusht 2021
 .
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.