back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Ku janë Historianët…!? – nga Shefqet Dibrani

Gazeta

Shefqet Dibrani
Shefqet Dibrani

Ku janë Historianët…!?

nga Shefqet Dibrani

Ka kohë që në veten e tyre qytetarët e Kosovës shtrojnë pyetjen: “Ku janë historianët”?! Pyetje e kahmotshme e përditshme fare e zakonshme. Pra çfarë bëjnë sot historianët? Ku rrinë historianët? Me kënd takohen historianët? Kah notojnë e kah anojnë sot historianët? A ekziston ndokund Shoqata e Historianëve të Kosovës? A ka Kosova klube historianësh? A ka… e ku janë historianët e Kosovës…?
-Ku janë arsimtarët e historisë dhe si do t’ua shpjegojnë nxënësve historinë më të re të Kosovës?!
-Ku janë profesorët e historisë dhe si do ta fillojnë orën e historisë?!
-Ku janë profesorët universitarë dhe a janë gjallë dhe çfarë do t’u thonë studentëve të tyre në këtë vit akademik, a do t’u flasin për histori apo për historira të vuajtjeve e sakrificave të jetuara e përjetuara?!
Në të vërtetë çfarë do të flasin dhe çfarë do të shkruajnë historianët?!…
Sot e gjithë ditën në Kosovë shkencën po e bëjnë mediokritetet kurse shkencëtarët po sodisin nga shkallët e amfiteatrit, duelin e përgjakshëm atje në Arenë. Dhe në këtë betejë janë kacafytur e vërteta dhe gënjeshtra, realiteti me irrealitetin, demagogjia me hipokrizinë, tutorizmi e totalitarizmi metoda të mësuara dhe të aplikuara prej ma se një gjysmëshekulli. Sot në Kosovë po shkruhet një Histori e Re nga antihistorian të cilët vazhdimisht nxijnë shkencën e shkretë, kurse historianët e vërtetë dhe ata që ia kanë zanat së bashku me shtresën elite të kombit, janë në heshtje. Në heshtjen e pakuptimtë dhe të pajustifikueshme.

Sgkrim i Shefqet Dibranit - Rilindja 21 shtator 1999
Shkrim i Shefqet Dibranit – Rilindja 21 shtator 1999

Sot janë bërë heronj kombëtar e legjenda të përjetësisë edhe të gjallët, ata për çdo ditë ngjiten tribunave të lavdisë duke i stolisur rrugët sheshet e stadiumet sportive me emrat dhe portretet e tyre, kurse ne nesër kur të na pyesin brezat e ardhshëm nuk do të dimë çfarë t’u themi për të vdekurit në këmbë dhe dëshmorët ndër varre. Sot nëpër institucionet e Kosovës kanë vërshuar Mësuesit e Fshatrave, Normalistët e Normaleve të Natës dhe sidomos Studentët e përjetësisë apo të burgosurit e “ndërgjegjes” të cilët po e bëjnë ligjin dhe topuzin në mënyrë të pandërgjegjshme. Ndonëse politikën në Kosovë ka ardhur për ta ndërtuar dikush tjetër, kurse topuzi në duart e “axhamive” ka rrezik edhe për kokat e tyre, tashmë me marrëveshje “vullnetare”?!, ata ua hoqën nga dora topuzin të gjithë atyre që kanë mundur ta shkrepin e përdorin shkujdesshëm aty dhe atëherë kur nuk duhej.
Edhe shkencën e historisë ky klan po e shkruan rrufe e ngutshëm ashtu qysh nuk ishte, ashtu qysh nuk duhej. Ka me dhjetëra mijëra banorë dëshmitarë okularë të këtyre historive, të këtyre betejave dhe të këtyre fitoreve?! Ata po flasin fshatrave e zonave rurale, ata po flasin edhe periferive të qyteteve dhe do të kishin folur edhe në parlamente por thuhet se ato janë uzurpuar?! Po ashtu këto lëvdata i ka kapur syri optik i botës i ka shënuar e arkivuar sipas kornizave të shkencave që i kanë krijuar vet, kurse historianët tanë i ka pllakosur gjumi i ka përfshirë heshtja. Zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe ata nuk duhet të na shkruajnë historinë sipas metodave komuniste të viteve ‘45, as sipas logjikës së direktivave informbyroiste të të famshmes Lidhjes Komuniste. Ata nuk duhet ta shkruajnë Historinë e Re të Kosovës me huqet e përçudshme të Historisë së vëllazërim-bashkimit. Sot historia nuk guxon të shkruhet nëpër “sekretariatet policore”, as në komitetet politike, ajo duhet të shkruhet në institucionet profesionale, në katedrat e fakulteteve, në Akademinë e Shkencave të Kosovës. Histori e Re e Kosovës duhet të jetë histori reale dhe e së vërtetës, jo histori e partizanëve dhe komisarëve të partisë. Sot, Histori e Re e Kosovës duhet të shkruhet ashtu siç ishte, jo sipas direktivave të sekretarëve të partisë as me urdhrat nga lart. Histori e Re e Kosovës duhet të shkruhet e sistemohet nga duart e mendja e shkencëtarëve jo nga rrobaqepësit e zejtarët privatë as nga shkularakët e ardhur prej Evropës.
Sot më shumë se kurrë është në rrezik shkenca kosovare, sidomos Histori e Re e Kosovës. Ajo ka rrezik që të ndërtohet në themele të rrejshme, ajo ka rrezik të shtrembërohet dhe ka rrezik të na imponohen heronj të rrejshëm. Histori e Re e Kosovës duhet t’i respekton të gjithë të rënit në Luftën e Kosovës, të gjithë ata që ujitën këtë tokë me gjakun e tyre. Të gjithë ata që u gjymtuan, të gjithë ata që sakrifikuan. Të rreshtohen sipas meritave dhe bëmave të tyre jo sipas përkatësisë së racës politike. Në Historinë e Re të Kosovës nuk duhet të zënë vend meritat e klaneve mafioze e kontrabandistëve. Histori e Re e Kosovës duhet të bëhet rishtazi nga shkencëtarët jo nga gazetarucët dhe bashibozukët që po i nxijnë vazhdimisht faqet e gazetave me të pabërat e bëra sot nga heronjtë e gjallë – folës nëpër tribunat e improvizuara mbi varre.
Histori e Re e Kosovës duhet t’u shërbejë brezave që vijnë dhe ata të kenë çfarë të mësojnë nga e kaluara e tyre për ta ruajtur Kosovën, për ta zhvilluar e emancipuar edhe më tutje Kosovën.
Prandaj me të vërtetë shtrohet pyetja: “Ku janë historianët…?!”

Botuar në gazetën “Rilindja”, 21 shtator 1999, faqe 8

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.