Kudret Kokoshi – poet i heroizmit kombëtar*
nga Reshat Kripa
Nё pёrvjetorin e vdekjes
Me 26 prill 1991, i mbylli sytë Kudret Kokoshi.
I mbylli pa shijuar mirë aromën e lirisë që sapo kishte filluar të lulëzonte,
por iku me po atë besim që kishte në rininë e tij kur shkruante:
Unë po vdes…! Oh, le të vdes!/ Vetëm shqipja le të rrojë!
.
Në varrin e tij nuk u mbajtën fjalime protokollare. U thurën ditirambe, u lexuan vargje. Folën bashkëvuajtesit e tij, vëllezёrit e tij, Engjëll Kokoshi si dhe Viktor e Tomorr Dosti… Ai nuk vdiq se martirët nuk vdesin. Ai vazhdon të jetojë me vargjet e tij, me veprat e tij, me personalitetin e tij.
Kudret Kokoshi, lindi në vitin 1908 në qytetin e Vlorës. Bir i një familje të madhe qytetare me tradita të pasura patriotike, nacionaliste dhe intelektuale. Lindi në ato vite kur Shqipëria përgatitej për të firmosur aktin më të madh të historisë së saj, që nga koha e Skënderbeut legjendar, aktin e pavarësisë kombëtare, ku krahas firmës së Plakut të Vlorës, do të vihej dhe ajo e Qazim Kokoshit, xhaxhait të tij. Do të ishte përsëri ky një nga ata që do të formonin treshen drejtuese Osmën Haxhiu, Qazim Koculi dhe Qazim Kokoshi në luftën patriotike të Vlorës më 1920, për të vazhduar me aktivitetin e tij patriotik deri sa do ta mbyllte jetën e tij në burgun e Vlorës më 1946, si kundërshtar i regjimit komunist.
Historia do të vazhdonte dhe më tej. Ajo do të bënte që dora e një pinjolli të kësaj familje, Altin Kokoshit, të kishte nderin për të ngritur në Vlorë nën hundën e komunistëve mbas dyzeteshtatë vjet mohimi flamurin dy krenor pa yllin e urryer të turpit dhe shtypjes më 28 nëntor 1991.
Që kur ishte fëmijë Kudreti, i ati Hasan Efendiu, e kishte njohur karakterin dhe intelektin e të birit. E dërgoi në Romë ku kreu studimet e mesme dhe të larta, duke u laureuar “Doktor në jurisprudencë” në vitin 1933.
Në kohën kur Kudreti studionte në Itali për drejtësi në ambjentet studentore të asaj kohe shqiptarët konsideroheshin inferiorë në krahasim me studentët e vendeve të tjera. Një gjë e tillë nuk kishte si të mos binte ndesh me karakterin e Kudretit dhe të miqve të tij. Ndaj vendosën që t’i sfidojnë. Organizuan një konferencë në të cilën përveç profesorëve dhe studentëve të universitetit, morën pjesë edhe disa nga mendjet më të ndritura të asaj kohe në Romë. Kumtesën kryesore e mbajti Kudreti.
.
Foli e foli me oratorinë e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, për shqipet dhe vendin e tyre, për doket dhe zakonet e këtij populli, për besën dhe nderin e shqiptarit. Foli për Pirron dhe Teutën, pёr Skënderbeun dhe Ismail Qemalin, për Faik Konicën dhe Fan Nolin. Foli per Bilbilenjtë që “vanë në litare vetë” duke dredhur cigaren. Në fund foli për historinë e malësorit krenar që luftonte i paepur para hordhive pushtuese otomane. Dikur malësori trim kapet nga koshadhet turke dhe dërgohet para trikëmbëshit. Në ekzekutimin e tij merr pjesë edhe valiu i krahinës. Në momentin e hedhjes së litarit ai, gjithë fodullëk, i drejtohet me ironi malësorit:
-Eh or mik, a e ke ndjerë veten ndonjëherë më ngushtë se sot?
Malësori i qetë, pa i lëvizur qepalla, i përgjigjet rëndë rëndë me një krenari mospërfillëse:
-Po mor zotni! E kam ndier atëhere kur më ka ardhë miku për darkë dhe nuk kam patun as bukë dhe as krypë per t’i nxjerrun.
Suksesi ishte i jashtëzakonshëm. Që nga ajo ditë nëpër gazetat e kohës filloi të shkruhej për Shqipërine dhe shqiptarët.
Kthehet në Shqipëri në moshën 26 vjeçare. Zotëronte në mënyrë të përsosur gjuhën italiane. Por jo më pak zotëronte gjuhën frënge, latine dhe greqishten e vjetër.
Karrierën juridike e filloi në vitin 1933, duke hapur një zyrë avokatie në Vlorë, aktivitet të cilin e vazhdoi deri në vitin 1936. Po atë vit emërohet ndihmës gjyqtar në Bilisht dhe më vonë në Pogradec.
7 Prilli 1939 e gjen anëtar të gjykatës së shkallës së parë në Korçë. Më vonë shkon po me këtë detyrë në Shkodër dhe Tiranë. Ishin vitet e përplasjeve të mëdha. Si në shumë situata të tjera edhe atëhere vendi pati forca që nuk i verboi demagogjia e atyre që propagandonin se do ta bënin popullin “të hante me lugë të florinjtë…”.
Ishte nacionalizmi shqiptar, një nga forcat e të cilit ishte ajo e Ballit Kombëtar e drejtuar nga Korifeu i Shqiptarizmës, Mit’hat Frashëri dhe ajka e inteligjencës shqiptare të asaj kohe.
Në këtë forcë gjeti veten e tij edhe Kudret Kokoshi. U angazhua në radhët e Ballit Kombëtar si anëtar i qarkorit të Vlorës dhe mori pjesë në të gjitha aktivitetet kryesore të tij. Me porosi të Mit’hat Frashërit në vitin 1941, Hasan Dosti i propozoi për të shkuar në Kosovë për organizimin e gjykatave të atjeshme dhe për formimin e kuadrove me njohuritë juridike bashkëkohore.
Më 28 nëntor 1942, është në ballë të demonstratës së madhe antifashiste të zhvilluar në Prizren, ku plagoset nga milicia italiane. Ishte ndërhyrja e një oficeri të xhandarmërisë shqiptare që e shpëtoi nga vdekja duke e hequr nga kthetrat e milicisë që megjithëse i plagosur vazhdonin ta qëllonin me kondakët e pushkëve të tyre. Pa ndjenja dhe me plagë në kokë, ky kosovar patriot e mori dhe e shoqëroi deri në spitalin e Tiranës ku edhe u operua.
Gushti i vitit 1943, e gjen ne Mukje, në konferencën historike, që me vendimet e saj tentoi të hidhte themelet e demokracisë shqiptare, por që komunistët i kthyen në vendime të tradhëtisë së madhe.
Zëri i atdheut e ftoi përsëri Kudretin. Në mars 1944, shkon përsëri në Kosovë, ku pas pak kohe arrestohet nga Gestapoja dhe internohet në kampet e shfarosjes në Prishtinë dhe, më pas, në kufirin Austro-Hungarez.
Lirohet pas dëbimit të gjermanëve nga forcat aleate në fund të dhjetorit 1944. I lodhur, i dobët i zhveshur, i sëmurë dhe me shumë mundime arrin në qytetin e Gracit, ku fal njohjes së gjuhës latine, mundi të fitonte besimin e drejtoreshës së spitalit, e cila e shtroi dhe e kuroi. Bashkë me të ndodhej dhe biri i industrialistit të shquar francez, pronarit të uzinës së makinave “Renault”, me të cilin kishte lidhur miqësi të madhe. Ai e ftoi që të shkonin të dy në Francë, por Kudreti nuk pranoi. Atë vazhdonte ta thërriste zëri i atdheut. Ndaj mori rrugën e kthimit. Rrugës spiunohet nga agjentët shqiptarë të UDB-së. Arrestohet dhe i lidhur i dorëzohet Shefqet Peçit në kufirin shqiptar.
Nje farsë e vërtetë gjyqi i zhvilluar kundër tij. U quajt antishqiptar dhe bashkëpuntor i fashizmit. Lakejtë e regjimit lëshonin thirrje histerike. Prokurori Selim Alimerko çirrej dhe hakërrohej. Kudreti në vend që të revoltohej apo të mbrohej me termat juridike për të cilat ishte mjeshtër, u drejtohej me vargjet e tij që i kish shkruar pas demonstratës së zhvilluar në Prizren:
Mallkuar qofsh, Benito Musolini!/ Një zë nëmës shpërthen nga çdo stërkalë,
Mallkuar qofshi ju që vdekjen bini,/ Dhe nëma ushton nga mali në mal.
Kështu për Kudretin filloi kalvari nëntëmbëdhjetë vjeçar i vuajtjeve të Burgut të Burrelit. Me një fizik të dobët, në konditat e tmerrshme të atij burgu, Kudreti mundi të mbijetonte në saj të forcës së rrallë shpirtërore dhe besimit të patundur për të ardhmen. Ai e ruajti të paprekur shpirtin e lartë poetik. Aty për aty krijonte vargje të cilat ua deklamonte miqve të tij pa i shkruar, se rregullorja e burgut nuk lejonte të shkruaje më shumë se një gjysmë faqeje letre në muaj.
Kudret Kokoshi ndërroi jetë më 26 prill 1991. Ai ishte njeri dhe poet i madh. Ishte poet i heroizmit kombëtar.
*titulli nga radiandradi