back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024

Kufizimi i mandateve si garanci kundër uzurpimit të posteve publike – nga Kastriot Çipi

Gazeta

Kastriot Çipi
Kastriot Çipi

Kufizimi i mandateve

si garanci kundër uzurpimit të posteve publike

nga Kastriot Çipi

Precedenti Roosevelt dhe Amendamenti XXII
i Kushtetutës amerikane si mësim për Shqipërinë

Franklin Delano Roosvelt (1882-1945)
Franklin Delano Roosvelt (1882-1945)

Franklin D. Roosevelt është nga presidentët më të suksesshëm në historinë e SHBA. Është i vetmi president që u zgjodh për herë të tretë dhe po ashtu, i vetmi që u zgjodh për herë të katërt. Me këto dy rizgjedhje, Roosevelt prishi traditën e krijuar nga dy prej “etërve” të kombit amerikan, George Washington dhe Thomas Jefferson, përkatësisht president i parë dhe i tretë, të cilët kishin refuzuar të kandidonin për një mandat të tretë. Roosevelt qëndroi në post për 12 vjet, 1 muaj e 1 javë. Më 7 nëntor 1944, në pikun e Luftës II Botërore, ai u rizgjodh për herë të katërt, me sloganin “Mos e ndërro kalin në mes të garës”. Nëse nuk do të kishte vdekur, për shkaqe natyrore, më 12 prill 1945, Roosevelt me siguri do të kishte fituar edhe mandatin e pestë me sloganin “Mos e ndërro kalin fitues”…
Sjellja e presidentit Roosevelt nxiti një debat të madh politik. Shumica e amerikanëve mendonin se kjo nuk i shërbente demokracisë dhe kërkonin, që kjo të mos kthehej në një precedent të rrezikshëm. Një nga argumentet më të fortë kundër këtyre mandateve të njëpasnjëshme, ishte se Roosevelt gjatë mandateve të tij të ligjshme, arriti të emërojë të nëntë gjyqtarët e Gjykatës Supreme, duke prishur totalisht balancën e pushtetit në këtë organ, që është garantori më i madh i demokracisë amerikane. Kjo përvojë u mësoi amerikanëve se edhe një president i zgjedhur në mënyrë demokratike, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ka tendencën të kërkojë gjithmonë e më shumë pushtet, duke rrezikuar të jetë gjithmonë e më i korruptuar, sepse, siç ka thënë politikani i famshëm britanik, Lord Acton, “Pushteti të korrupton dhe pushteti absolut të korrupton absolutisht.”
Dy vjet pas vdekjes së Rooseveltit, në prill 1947, Kongresi Amerikan miratoi Amendamentin XXII të Kushtetutës, i cili sanksionoi kufizimin e numrit të mandateve të Presidentit në jo më shumë se dy. Amendamenti hyri në fuqi në mars 1951, pas miratimit nga 36 shtete, nga 48 që ishin atëherë gjithsej. Kështu mori fund rreziku i uzurpimit të postit të presidentit, qoftë edhe përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Shqipëria fatkeqësisht nuk e ka këtë traditë. Pas një mandati si kryeministër dhe një tjetri si president, Ahmet Zogu u shpall mbret. Me përjashtim të periudhës së revolucionit (apo grushtit të shtetit) të qershorit 1924, ai e qeverisi Shqipërinë për 16 vjet, nga 26 dhjetori 1922, deri më 9 prill 1939 dhe me siguri do të kishte vdekur në post, nëse nuk do të kishte ndodhur pushtimi fashist. Enver Hoxha qeverisi si diktator për mbi 40 vjet pa ndërprerje, derisa vdiq.
Në vitet ’90, Shqipëria zhvilloi 4 palë zgjedhje dhe pati 5 kryeministra dhe 3 presidentë. Më jetëgjatët në post ishin kryeministri Meksi, me dy mandate dhe diçka më pak se 5 vjet dhe presidenti Berisha me dy mandate dhe diçka më shumë se 5 vjet. Nuk pati raste rizgjedhjeje as të kryetarëve të bashkive, prokurorit të përgjithshëm, shefit të shërbimeve sekrete apo kryetarit të Kuvendit.
Në vitin 1998, u miratua Kushtetuta, përmes së cilës mandati i presidentit u kufizua në jo më shumë se dy mandate 5 vjeçare. Për mandatet e kryeministrit nuk pati një parashikim të tillë, ndonëse Shqipëria nuk është republikë presidenciale dhe pushtetet e kryeministrit tejkalojnë ndjeshëm ato të presidentit.
Por gjithçka do të ndryshonte, për keq, me hyrjen e Edi Ramës në skenën politike. Shenjën e parë Edi Rama e dha duke hyrë në fushatën për zgjedhjet bashkiake, pa dhënë dorëheqjen si ministër kulture. Kjo nuk ishte antikushtetuese, sepse Kushtetuta parashikonte një masë të tillë vetëm për deputetët. Më tej, ai u bë i pari kryetar bashkie në historinë e Shqipërisë, që u zgjodh për 3 mandate radhazi, sërish pa shkelur Kushtetutën. Më vonë këtë rekord e barazoi Vangjush Dako në Durrës dhe rrezikon ta barazojë Erion Veliaj në Tiranë, vitin e ardhshëm, të dy po aq të përfolur për korrupsion sa Rama.
Në vitin 2013, Berisha hyri në fushatën për zgjedhjet parlamentare si kandidati për një mandat të tretë kryeministror, duke krijuar një precedent të ri, të cilin Rama e çoi më tej, duke fituar mandatin e tretë si kryeministër, më 2021.
Kjo mendësi prej pushtetari që synon pushtetin absolut, është reflektuar gjerësisht dhe jo vetëm në segmentin politik të shoqërisë. Skënder Gjinushi e mbajti me thonj postin e kryetarit të PSD, për plot 28 vjet! Pas tij vjen Rama, kryetar i PS qysh prej vitit 2005, i cili, duhet thënë se vendosi edhe precedentin tjetër negativ, të mos dhënies së dorëheqjes pas humbjes së zgjedhjeve, traditë që e vazhdoi Lulzim Basha.
Nën shembullin e Gjinushit, Ramës e Bashës, po ecin të gjithë kryetarët e partive të vogla, parlamentare ose jo parlamentare. Secili prej tyre mban postin, pavarësisht rezultatit zgjedhor, që kur nuk mbahet mend dhe askush nuk di të thotë kush është zëvendësi i Mediut, Dukës, Shehit, Milos, Doshit apo Dules.
Por nuk është më pak anekdotik precedenti i dyshes Kastriot Çaushi – Petrit Malaj, që kanë 20 vjet që këmbehen me njëri-tjetrin, çdo katër vjet, në postet e rektorit të Universitetit të Arteve dhe dekanit të Fakultetit të Artit Skenik, duke shfrytëzuar në mënyrë brilante handikapin në ligjin për arsimin e lartë, që sanksionon se rektorët mund të marrin pafundësisht mandate, mjaft që ato të mos jenë të njëpasnjëshme.
Shembujt e mësipërm tregojnë qartë se, veçanërisht në një shoqëri si jona, me tradita tepër modeste të parlamentarizmit dhe institucione demokratike të reja e të brishta, mungesa e barrierave ligjore, u jep mundësi individëve të kërkojnë dhe marrin pushtet të pakufizuar në kohë.
Qëndrimi i gjatë në Shtëpinë e Bardhë, i dha mundësi Roosevelt të riformatojë nga e para Gjykatën Supreme dhe amerikanët reaguan menjëherë, duke miratuar Amendamentin XXII. Ç’duhet të bëjmë ne, që kemi një kryeministër në mandatin e tretë, që ka uzurpuar me Kushtetutë shumë kompetenca të Presidentit, që kontrollon Kuvendin, gjykatat, prokuroritë, Shërbimin Sekret, KLSH, KQZ, Akademinë e Shkencave, së shpejti edhe Avokatin e Popullit dhe tentoi të kapë edhe Federatën Shqiptare të Futbollit, pasi kapi Komitetin Olimpik?
Kushtetuta jonë, për organe individuale e kolegjiale, që zgjidhen ose emërohen, parashikon mandate nga 4 deri në 9 vjet, me ose pa të drejtë rizgjedhjeje, shpesh edhe pa kufizim, siç paraqitet në tabelë. Poste të tjera të rëndësishme, si kryetari i Shërbimit Sekret, kryetari i Akademisë së Shkencave, kryetari dhe anëtarët e KQZ apo rektorët e universiteteve kanë gjithashtu të drejtën e riemërimit pa kufizim mandati.

Tabela e Mandateve qeverisese
Tabela e Mandateve qeverisese

Është e qartë se kemi nevojë për një nen parimor në Kushtetutë, që sanksionon se asnjë zyrtar publik (duke përjashtuar vetëm deputetin), i zgjedhur apo i emëruar, nuk duhet të mbajë të njëjtin post më shumë se dy mandate, se kohëzgjatja e mandatit nuk duhet të jetë më shumë se 4 vjet dhe se midis dy mandateve duhet të ketë një ndërprerje, që të mos kemi nevojë “t’i vrasim kalorësit, për t’i zbritur nga kali”. Ky parim kushtetues duhet të vlejë njësoj edhe për drejtuesit e institucioneve dhe ndërmarrjeve publike, që nga Akademia e Shkencave, deri tek Posta Shqiptare.
Ky amendim kushtetues nuk do të sjellë demokracinë me magji. Ai do të jetë vetëm një ndërhyrje urgjente, që do ta largojë përkohësisht nga vdekja pacientin, i cili do të vazhdojë të jetë edhe për shumë kohë në terapi intensive, në reanimacion. Por ky amendim do të bëjë që zyrtarët publikë të kenë sadopak frikë nga pasojat e rotacionit të detyrueshëm.
Në momentin ku ndodhemi, ky amendim do të haste në kundërshtimin e PS, sepse miratimi i tij do të shkaktonte ndërprerjen e mandatit të kryeministrit Rama dhe ndalimin e rikandidimit të kryetarit të bashkisë Tiranë, Veliaj. Ky amendim, nga ana tjetër, do t’i hiqte të drejtën Berishës kandidonte për kryeministër dhe do të kufizonte të drejtën e Metës për t’u zgjedhur kryeministër vetëm një herë dhe kryetar i Kuvendit vetëm një herë.
Por, opozita e ka për detyrë ta bëjë këtë hap, për të treguar se vërtet kërkon ndryshimin, rikthimin e demokracisë në vend dhe jo rikthimin e Berishës dhe Metës në poste drejtuese. Fundja, për asnjërin nga të katërt nuk do të mbyllej karriera. Berisha dhe Rama do të kishin sërish të drejtën për të qenë edhe nga 8 vjet kryetarë të Kuvendit, Meta do të kishte sërish të drejtën të ishte 4 vjet kryetar i Kuvendit dhe 4 vjet kryeministër, ndërsa Veliaj do të kishte sërish të drejtën të ishte 8 vjet kryeministër dhe 8 vjet kryetar i Kuvendit.
Neni 177, paragrafi 1, i Kushtetutës, i jep të drejtën 28 deputetëve të propozojnë amendimin kushtetues. Shprehja e vullnetit kundër nga deputetët e pozitës, nuk mund të shërbejë si alibi për ata të opozitës, për të mos vepruar. Opozita duhet ta bëjë propozimin, për ta sfiduar pozitën, për ta detyruar atë të pozicionohet kundër vullnetit të shumicës, sepse gjasat janë se shumica dërrmuese e shqiptarëve, përfshi votuesit e PS, e duan këtë ndryshim dhe kjo mund të verifikohet fare lehtë, përmes sondazheve apo peticioneve nga zgjedhësit, për deputetët e zonave të tyre. Nëse pozita voton kundër, ajo do ta ketë të sigurt humbjen në zgjedhjet e ardhshme, në cilat opozita duhet të vijë duke e vendosur këtë propozim në krye të listës së premtimeve zgjedhore.
Nëse deputetët e opozitës nuk e bëjnë, atëherë Shqipëria është zyrtarisht pa opozitë, njësoj si pas djegies së mandateve në vitin 2019, por kësaj here, pa asnjë shpresë tek deputetët dhe partitë opozitare parlamentare. Shpëtimi i vetëm i Shqipërisë mbetet një parti e re, që u shpall luftë të gjitha partive parlamentare aktuale. Ne nuk duhet të detyrohemi të braktisim vendin tonë, për egon dhe makutërinë e katër individëve!

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.