Kujtesa e shkurtër e shqiptarëve…
nga Shpend Sollaku – Noé
Me fotografi nga Edi Salla
Shqiptarët janë popull apo turmë?
Nëse një bashkësi njerëzish jeton në të njëjtin truall që prej antikitetit, flet që atëherë të njëjtën gjuhë; mbi atë gjuhë ka hedhur themelet e ngrehinës së kulturës së tij të dallueshme lehtësisht nga të tjerët dhe, veçanërisht, ka arritur të ketë një ndërgjegje kolektive; atëherë kjo bashkësi mund të quhet popull. Nëpër kohëra që vazhdojnë deri në ditët e sotme, kjo bashkësi ka pasur tendencën të mblidhet në një shtet etnik: vendi ku populli përmblidhet e mbrohet politikisht e ekonomikisht nga kufijtë e veta etnike.
Në themel të këtij shteti qëndron kujtesa historike e popullit të tij.
Si paraqiten shqiptarët të vrojtuar në këtë prizëm?
Në këto pak rreshta nuk mund të pretendohet një revizionim sado i vogël i historisë së psikologjisë popullore shqiptare. Këto janë opinione dhe, si të tilla, pre e çakejve llafazanë të social-networkëve apo edhe të mediave zyrtare.
Si janë sjellë shqiptarët gjatë historisë? Si popull? Si turmë? Çfarë kanë pranuar si të pakundërshtueshme dhe çfarë kanë vënë vazhdimisht në diskutim? Çfarë kanë harruar shpejt e çfarë mbajnë mend pjesërisht?
Këtu unë nuk do të ndaj sjelljen e njeriut të thjeshtë që e quan veten popull sipas sjelljes së liderëve të tij nëpër kohëra, sipas logjikës: liderë të mirë – popuj të mirë; liderë të këqinj – popuj të këqinj. Në fund të fundit ata tipa udhëheqësish ky popull i ka merituar të gjithë, pasi, edhe nëse nuk i ka zgjedhur, i ka pasë duruar, i ka pasë pranuar, u është nënshtruar. Të paktën për njëfarë periudhe. Të shumtën për dhjetëra vjet. Me gjithë të drejtën për t’u vetëshpallur si popull i mirë apo popull i keq.
Sipas këtij arsyetimi, populli ynë ka ekzaltuar dhe ka mohuar vazhdimisht vetveten. Duke ekzaltuar liderin e porsaardhur, duke mohuar liderët e përmbysur. Duke bërë mishmash edhe historinë e tij. Në drejtim të lashtësisë së vet – pak të dokumentuar, shumë të turmëzuar, pa kërkuar më shumë informacion, pa u thelluar në studime – ky popull mbetet akoma peng i opinioneve. Edhe kur mundësitë për t’u dokumentuar nuk mungojnë, për shembull në drejtim të Rilindjes së vet, në lëmin e Pavarësisë, dhe aq më tepër në periudhën famëkeqe komuniste, ky popull sillet akoma si turmë: i nënshtrohet me shumicë liderit të porsangjitur mbi shalë. Duke bërë instinktivisht si të parën gjë, uljen në gjunjë para tij.
Kjo ndodh edhe kur tentohet nga dikush të mbahen gjallë në kujtesë sidomos tragjeditë, që nuk duhen shlyer në asnjë mënyrë nga kujtesa e tij.
Dhe nuk ka tragjedi më të madhe që nuk duhet harruar sesa ajo e represionit komunist, që krodhi në gjak, në punë të detyruar, në burgime të panumërta që zgjatnin një jetë të tërë, në internime që zgjatnin edhe pas vdekjes, njerëz e familje të numëruara të paktën me gjashtë shifra; që zhveshi nga mendimi dhe injektoi ADN-në e skllavit edhe në pjesën e mbetur të shqiptarëve.
Të paktë janë ata që kanë ngritur si duhet zërin për moszhdukjen e dëshmive ngjethëse të diktaturës. Të shumtë për dreq, gjenden ata që janë të interesuar për zhdukjen e këtyre dëshmive, duke filluar nga të gjithë ata, që kanë qenë në krye të shqiptarëve në vitet e pas 1990-ës. Nuk po e quaj këtë periudhë postkomuniste, pasi, në të vërtetë, nëse komunizmi ra si sistem ekonomik, ai vazhdon të mbretërojë në Shqipëri si mënyrë të menduari e të vepruari. Ndryshe nuk ka sesi shpjegohen zhvillimet e sotme politike dhe kostumi shoqëror shqiptar i sotëm. Ndryshe nuk ka sesi shpjegohet qëndrimi ndaj ruajtjes së dëshmive më të prekshme të represionit: atyre të pazëvendësueshmeve, kampeve të internimit.
Dhe nuk ka vend me përqendrim më të madh në botë për to, sesa Lushnja.
I shtyrë nga ideja e njohjes së gjendjes reale të tyre, pak javë më parë vizitova ato kampe që, sipas meje, janë më përfaqësueset në atë arkipelag të dhimbshëm myzeqar: Savrën, Gradishtën e Çermë-Kampin.
Savra, lëngimi i mbetur pezull
Kur hyn atje, menjëherë të mbushen veshët me muzikë nga Përmeti apo Skrapari. Radiot apo stereot e kanë zërin të ngritur deri në fund, sikur konkurrojnë njëra-tjetrën. Një dukje normale. Me njerëz normalë, të cilët ngatërrojnë makinën tonë me atë të ndonjë qeveritari, që kush e di sa ka pa u kthyer atje. Dalin jashtë e fillojnë të paraqesin ankesat. Kur i themi kush jemi e përse kemi ardhur, ulin sytë përdhe. Na shpjegojnë se ku ndodhet rruga që kërkojmë, por askush nuk ofrohet si “ciceron”, edhe pas premtimit të një shpërblimi të vogël, që këtu do të thotë ndoshta një gjysëm pensioni, për ata fatlumë që mund ta gëzojnë. Kthehen në shtëpitë e tyre, ngrenë akoma më shumë volumin muzikës. Sikur ta përdorin si një “tobe estagfurllah” ndaj nesh që na konsiderojnë gjahtarë fantazmash.
Dhe fantazmat këtu duhet të gjenden me shumicë. Sepse ka patur shumë të vdekur të paqetësuar, larguar nga kjo botë të dëshpëruar e pa shpagim. Si ata që po shkojmë të rizgjojmë si turistë të pazakonshëm të krimit.
Një djalë i ri, që na shpjegon se nuk ka qenë internuar këtu, por që e njeh mirë atë zonë, ofrohet spontanisht, kur ne kemi marrë drejtimin për nga blloku i barakave të të internuarve. Quhet Gëzim Halili. Qëndroi me ne përgjatë gjithë kohës së hetimit, duke pyetur shpesh të tjerë rreth informacioneve që kërkonim. Informacione të cunguara, të dhëna me zor, nga njerëz të frikësuar prej zgjimit të fantazmave. Apo prej zemërimit të liderit aktual, që, si paraardhësit e tij, nuk ka dashur asnjëherë ballafaqimin me to.
Rruga e barakave ka një emërtim të ri, “Thoma Papano”, një emër që ua prish më shumë qetësinë fantazmave, të mohuara si qenie njerëzore gjatë të gjallit, të dënuara edhe pas internimit për të mbetur fantazma. Përpiqem të vjel në ajër shqetësimin e atyre. Dhe u dëgjoj zërin. I lehtë, por i mprehtë e revoltues: Ky që shihni si emërtim në rrugën tonë është askushi për ne. Pak mbiemra të shquar lënguan në këtë rrugë? Dhe nisin të m’i numërojnë: Deda, Hoxha, Markagjoni, Dine, Dukagjini, Kupi, Spahiu, Bajraktari, Mulleti, Mirakaj, Radi, Kolgjini, Plaku, Kulla… Kanë qenë shumë, por ne jemi fantazma, e na mbahet fryma nga lista e gjatë. Ah, shto këtu edhe mbiemrin Laholli… shto edhe Kokali… shto edhe…
Zyrtarisht kanë qenë shtatë baraka, tri në njërin krah dhe katër në tjetrin. Por në secilën prej tyre banonin vazhdimisht deri në gjashtëmbëdhjetë familje. Më e famshmja? Ajo me numër shtatë, atje ku edhe u martua i shumëvuajturi Ahmet Kolgjini, atje edhe ku u shua një nga figurat më të shquara çame, Rexho Plaku; atje ku u tret edhe Anton Dukagjini, atje kanë banuar edhe Vehip Hoxha, Mirakajt e sa të tjerë, të ndërruar në vite, sipas etjes gjakëse të më të zellshmëve të diktaturës. Dikush vinte nga burgimet e gjata, dikush kthehej pas hekurave, sipas një riti të kobshëm. Në cep të saj është përkthyer edhe “Orlando i çmendun”, vepër e Ludovico Ariostos e vitit 1532, prej mjeshtrit Guljelm Deda – çmim postum i vitit 2014.
U hedhim një sy barakave, ose më mirë të asaj që ka mbetur prej tyre. Sepse për mbetje mund të bëhet fjalë. Shumica, sidomos ato të pabanuarat, janë në grahmën e fundit. Dhe është një mrekulli që mbahen akoma në këmbë, falë kryeneçësisë së tyre dhe etjes për të dëshmuar. Por do të mjaftonte më pak se një tërmet, ndoshta edhe një erë e fortë, për t’i rrafshuar. Edhe ato pak që banohen akoma, nuk paraqiten më të shëndetshme: janë zënë nga njerëz të ardhur aq të varfër, që as nuk mundin t’i riparojnë. Për të mos përmendur ndërtimet e dikujt në mes të tyre, që do të jetë vështirë t’i shkulësh në rast se… në rast se…
Kjo gjendje mbetet e tillë deri në skaj të ish bllokut të të internuarve, atje ku dikur ndodheshin WC-të e përbashkëta, të rrafshuara që nga themelet. Të kthyera edhe ato në fantazma, me etjen për të dëshmuar diçka.
Çermë – turpi i fshehur
Prej të gjithë kampeve të Internimit, për atë të Çermës ndoshta është shkruar më pak. Ndoshta për faktin se atje nuk kish shumë baraka të mirëfillta që prej kohësh (kanë qenë vetëm tri, ndërtuar dikur, pas tharjes së Tërbufit, në mes të baltërave, si një vathë për të strehuar… ushtarakë), por të ashtuquajturat shtëpi të mbuluara në përgjithësi me tjegulla. Ndoshta sepse, në dukje, duke qenë më afër rrugës për në Divjakë, ishte më i dukshmi para syrit të popullit. Ndoshta…
Edhe pse në perëndim të tij ka qenë një karakoll i frikshëm, i lartë, syrit të të cilit ishte e vështirë t’i shpëtonte edhe zvarritja e urithëve.
Me gjithë këtë shëmbëllesë, ai nuk ishte më pak i tmerrshmi, jo vetëm për ndrydhjen e lirisë të familjeve të internuara, jo vetëm për demaskimet e turpshme dhe rrahjet e panumërta nga sigurimsat…
Zyrtarisht ka pasë qenë emërtuar Çermë Sektor nr. 2, në të vërtetë edhe nga banorët përreth është quajtur gjithmonë “Kamp”. Aty kanë pasë banuar pranë e pranë familje intelektualësh të internuar, fqinjësuar nga injorantë analfabetë bashkëpunëtorë të Sigurimit; emigrantë kosovarë të trajtuar si jugosllavë, përballë komunistësh që, edhe pas burgimeve, vazhdonin të donin komunizmin; poliglotë të dëgjuar pranë prostitutash.
Shumë kanë qenë të internuarit si individë, më pak familjet e internuara, të dërguara aty për t’u survejuar më imtësisht, jo vetëm prej atyre që u bënin apelin, por edhe prej bashkëpunëtorëve të padeklaruar të Sigurimit.
Kam pasë punuar si arsimtar në shkollën e mesme të Çermë-Shkumbinit dhe shumë prej të internuarve i kam pasë njohur personalisht, sidomos bijtë e tyre, që studionin në shkollën tonë. Janë të shumtë dhe nuk do të mjaftonin libra të tërë për të përshkruar vuajtjen, pasigurinë, frikën e përhershme në sytë e tyre, edhe pse, shpesh, ishin më të zgjuar e përgatiteshin më shumë sesa moshatarët e tyre pa “njollë” në biografi.
Lista e atyre që pësuan internimin më të rëndë në këtë kamp është e stërgjatë: Familja e Sefer Mujos – me Bajamen, Fatmirin, Eqeremin, Novruzin, gratë dhe fëmijët e tyre; Familja e Daut Sokolit – me Xhemilen, Kujtimin, Ritvanin, gratë e fëmijët e tyre; Familja e Islam Dobrës – me Xhemilen, dy djemtë Muhamet e Shefqet, gratë dhe fëmijët e tyre. Të gjitha këto familje i kanë pasur kryefamiljarët të arratisur jashtë vendit dhe djemtë nëpër burgje.
Më tej kujtojmë familjen fatkeqe Islami me Hajdarin, Nadiren, Klementin, Isabelën dhe Zamirën, të cilat më pas u arratisën në Amerikë; Familjen e Rrok Pjetrit – Nënë Nusha, Pjetri, Frani, Lazri, Lina, bashkëshortet e tyre, fëmijët; Familjen e Odise Tsollos – grek minoritar, me bashkëshorten dhe dy djemtë; Familjen e Theodhori Files – gruan dhe tre fëmijët; Familjen Kau – me plakun e urtë Xhemalin, Dejen, Paqon, bashkëshortja e djalit të tyre Shefqet Kau, i burgosur politik dhe fëmijët, Sajmirin e Flamurin; Familjen Gjuta – me Zaimin, Humën, Agimen, Avniun, bashkëshorten dhe fëmijët; Familjen e Gani Kodrës – me Ikbalen, dy djemtë, vajzën me dy fëmijë; Familjen e poliglotit në nivel ndërkombëtar Mitat Aranitasi; Familjen e poetit dhe intelektualit të shquar Ahmet Kolgjini, familjen e…, familjen e… Të gjitha familjet e mësipërme kanë pasur të paktën një person të familjes të burgosur politik.
Lista mund të zgjatet me “kosovarët” Hashim Toplica – 36 vjet burg, Nazmi Berisha – 20 vjet burg, autor i një libri me kujtime rreth burgimeve të tij; mandej me familjet e tjera prej Kosove: Mehaj, Prekllukaj, Çelaj, Hasa apo edhe me ato të “vendasve”: Bratko, Hoxha, Alla, Bezati, Kurti, etj., që, edhe pse zyrtarisht nuk qenë të internuar e nuk u nënshtroheshin apeleve, demaskimeve apo rrahjeve, nuk është se jetonin më mirë se “bashkëkampistët” e tyre. Nga koha në kohë aty kanë incizuar vuajtjet e tyre edhe të tjerë, që kujtohen më pak, si një farë Stavri, të cilit nuk i kujtohet mbiemri, por i mbajtur mend sidomos si një ish partizan që ka pasë pësuar rrahje të panumërta nga një demaskim në tjetrin. Ky personazh më kujton një tjetër minoritar të lagjes “Teqe” në Lushnje, që e pësoi vetëm pasi, kur dikush e kish pyetur “Ç’thotë puna?” ish përgjigjur: “Puna shuma, leka muta!”.
Të gjitha këto më vijnë ndërmend ndërsa vizitoj atë çfarë ka mbetur prej ish Kampit, pasi për mbetje mund të bëhet fjalë edhe këtu, ashtu si në Savër. Ajo çka shohim nga ish-banesat e të internuarve, mund të skedohet në dy grupe: njëri përbën atë të më të rrënuarave, shpesh të kthyera në magazina silazhi apo stalla; tjetri atë të të mbajturave më mirë, sipas mundësive të banorëve të rinj. Ish-banesa e Kolgjinëve për shembull nuk kish pësuar rrënime, edhe për shkak të kujdesit apo të mundësive të pronarëve të saj të ardhur nga Mokra. Kishte edhe më keq: Shtëpia e Dobrajve, dhe jo vetëm, ish kthyer në stallë të dikujt dhe kish filluar të rrënohej. Ajo e Islamëve, përndryshe, kish pësuar pak ndryshime, por ish në gjendje të mjeruar. Ndërsa po fotografonim pikërisht këtë shtëpi, dikush na u afrua dhe, pa u prezantuar, na the se kish qenë prezent kur, pas arratisjes së Isabelës, Klementit dhe Zamirës, policia kish bastisur banesën e tyre. Ndër të tjera, kishin gjetur rreth 800 mijë lekë të vjetra si edhe fotot e tre brezave të ruajtura me kujdes. “Ne i lamë në vend, na tha ai. Nuk morëm asgjë me vete.” Dukej se thoshte të vërtetën. Në fakt, qoftë prej atyre parave, qoftë prej fotove, Islamët më vonë nuk mundën të rekuperojnë asgjë. E dhimbshme, para së gjithash, ajo e humbjes së afekteve familjare.
Sidoqoftë, ajo që më bëri përshtypje më tepër, sidomos pas rrënimit të dëshmive historike, ishte ruajtja ende, jo vetëm në ndërgjegjen popullore, të emrit të kësaj skëterre të dikurshme: Kamp. Qe shkruar edhe në një emërtim pothuaj zyrtar: Qendra shëndetësore Çermë-Kamp. I ka shpëtuar censurës ky emërtim? Rastësisht? Qëllimisht?
Gradishta: një geyser rënkimesh
Për nga shtrirja, por sidomos për nga numri i shumtë i personave të kaluar nëpër sitën e internimeve të këtushme, pas 1969-ës e këtej, Gradishta mund të mbajë edhe një rekord, sa të trishtuar aq edhe tragjik. Një gulag tipik, ndërtuar në mes të baltës, shpesh po prej vetë të internuarve, pa kanalizime për ujërat e zeza (ato ishin gropa në qiell të hapur, që prisnin një qerre për t’u pastruar, që shpesh përziheshin me ujërat e mbetura prej larjeve të të internuarve, edhe kalonin nëpër kanale të cekët, mes barakave, por edhe anash rrugicës së ngushtë që ndante dy blloqet kryesore të banesave), pa ujë të rrjedhshëm (ai vinte i racionuar, me autobot, vetëm vonë u soll një çezmë e përbashkët, në radhën para të cilës nuk mungonin bërrylat, sherret dhe provokimet për të përçarë të dënuarit). Lista e emrave të familjeve të shquara të sjella këtu, të ripostuara gjetkë, apo të kthyera sërish, është e stërgjatë. Me pak, përjashtime, janë pothuaj ata që gjenden edhe në kampet e tjerë, por sidomos në Savër. Ndërkaq emrat që mungojnë gjenden në sektorët Plug, Gjazë, Çermë-Kamp e Savër. Ky i fundit, Savra, ka pasë qenë lëmi i grumbullimit dhe i shpërndarjes së “prodhimit armiqësor”, dhe mund të konsiderohet kampi mëmë. Që andej niste popullimi me skllevër i kampeve “bij”. Kjo mëmë sadiste i shpërngulte apo i rikthente, sipas ekzigjencave të survejimit, por edhe sipas nevojës së partisë për krahë pune në bujqësi.
Sapo mbërritëm në atë zonë, kërkuam të dimë se ku ishte kampi. Unë nuk kisha qenë atje qëkur ishim gjendur në kuadrin e një mitingu për demokracinë, në fillimin e vitit 1991, dhe e pata të vështirë të orientohem, edhe për shkak të degradimit të gjithanshëm të gjithë zonës përreth.
Këtu jemi në Ferras, më tha dikush, emërtimi kamp nuk ekziston. Dhe u përpoq të më shpjegonte diçka që në fakt e dija që më parë.
Ferras ka qenë quajtur ky vend para se të merrte emrin Gradishtë-Sektor. Ashtu siç u krijua emri Savër – Sektor, Çermë – Sektor (i mbetur pa emër tjetër edhe sot e kësaj dite), Çermë – Sektor nr.2, i mbetur me emrin që të fut drithmën “Kamp”; ashtu si Sektori – Grabian, Sektori – Plug, Gjazë etj.: kamuflim i vendeve të internimit si sektorë të ndërmarjes bujqësore.
Në ish sheshin kryesor të “sektorit” të degraduar, kërkuam dikë që të na shoqëronte. Kemi kryeplakun këtu, u hodh njëri prej frekuentuesve të klubit të atjeshëm. Edhe ai ka qenë i internuar. Unë iu drejtova grupit ku mund ta gjeja. Dikush prej tyre tha me zë të ulët: Do jenë gazetarë, nuk del gjë nga këta. Unë u prezantova dhe kërkova të flas me kryeplakun. Edhe ai u prezantua, ftohtë. Quhej Bajram Koloshi. Ishte pikërisht ai person që kish shprehur mosbesim në drejtimin tonë. I thashë përse kisha ardhur deri aty. Eh, sa gazetarë e qeveritarë kanë ardhur këtu, bëjnë intervista, premtojnë, e pastaj zhduken. Unë u përpoqa t’i them që nuk bëja pjesë në ato kategori, por ai ndërkaq ish larguar, por pasi t’i thoshte njërit prej burrave të pranishëm që të na ndihmonte. “Ciceroni” kësaj here quhej Agron Zaçe. Me të përshkuam të gjithë zonën e barakave të të internuarve.
Dhe dua të them që në fillim se në Kampin e Gradishtës gjendja ishte shumë më e keqe sesa në Savër apo në Çermë-Kamp. Këtu ishte kaluar nga mjerimi i barakave të dikurshme, në shkatërrim total. Përjashtuar ndonjërën nga barakat në të cilën jetonte akoma familja e Zenel Tërnakut, apo ndonjë tjetër bujtës, të gjitha të tjerat ishin vetëm mirazhe banesash të dikurshme, më të dhimbshme në këtë formë të re, si dëshmi në agoni. Sa më thellë të futeshe në atë realitet, aq më dramatik bëhej ambienti. Më të shpërfytyruarat baraka kishin në kujtesën e plagosur emrat e Lekë e Mojs Mirakës, Xhevdet e Bujar Kaloshit, Thanas Budës, Abdurrahman Kaloshit, Lek Pervizit… Menajt, Kupët, Dostët, Demajt, Herrajt… Staraveckët, Zevot, Resulët, Bylykbashët…
Gjithandej zot i vendit ishte degradimi: Çati eterniti duke rënë, mure prej qerpiçi e kallamash, të cilëve u kishin mbetur vetëm hunjtë e shtrembër, diku mbuluar nga barërat e këqija, diku shndërruar në stalla bagëtish, në magazina rrangullishtesh apo jonxhe, në strehë qensh.
Monumenti i dhunshëm i Lushnjes
Që shqiptarët e kanë kujtesën të deformuar, një shembull tipik e japin edhe lushnjarët. Nuk ka sesi të jetë ndryshe, kur durojnë, në sheshin e tyre kryesor – sa herë që bëjnë festa, sa herë që dalin nga klubet, apo në xhirot e mbrëmjes – monumentin më të lartë të këtij qyteti, atë të marrjes së tokave të fshatarëve. Duhej të ndërronin rrugë, por i sillen vërdallë indiferentë; duhet t’u vinin të vjellat para saj, por ata kanë stomakë të fortë, siç duket; duhet të ishin revoltuar për një kohë “no limits”, por ata heshtin.
Këtu e njëzet e tre vjet më parë, në gazetat “Ora e fjalës” dhe “Republika”, hodha idenë e dërgimit të atij monumenti në fonderi dhe ngritjen e një tjetri në vend të tij, atë të genocidit komunist. E meqenëse që atëherë asgjë nuk ka ndryshuar, po i përsëris të gjitha arsyet dikur prej meje të përmendura:
Ai monument i turpshëm është politikisht i dëmshëm, pasi kërkon të përjetësojë reformat më të përgjakura e tragjike të Myzeqesë. Pacipësisht është edhe quajtur “Toka jonë”. Toka e kujt? Ajo e atyre që ua morën? Ajo që e kolektivizuan? Ajo e atyre që zhveshën fshatarin deri në palcë? Që nuk ia shuan urinë as me bukë misri?
Duke qenë i ngritur nga komunistët atëherë kur po e kuptonin falimentimin e rendit të tyre antinjerëzor, pra shumë vonë, (në vitin 1987), ai monument u kuptua si tendencë e tyre për t’u përjetësuar. Sot, në një shtet të vërtetë demokratik, ai është edhe i rrezikshëm; është dhe, sa të jetë në këmbë, do të jetë burim tensionesh politike. Edhe pse për momentin të përgjumura.
Për arsyet e mësipërme, ai është edhe një monument historikisht i falsifikuar. Provoni të pyesni ata pak të mbijetuar të kohës së kolektivizimeve se me sa “gëzim” i kanë dhuruar tokat dhe bagëtitë! Shfletoni vetëm dokumentet e lëna pas po prej arkivave të diktaturës, lexoni shtypin shqiptar të atyre viteve, pyesni familjet e Fuat Kurtit, Demir Guberës, Hysen Bahos, Mitro Vulos, Hamdi Sefës, Veiz Kurtit, Rrap Qerretit, Naum Dajës dhe Jorgji Dajës, të dënuar me vdekje e sekuestrim të pasurisë. Nëse nuk ju mjaftojnë këto jetë të sakrifikuara, mund t’ju ofrojmë edhe ato të atyre me burg të përjetshëm… Të gjithë sepse ishin shpallur kulakë, pasi nuk u kish pëlqyer kolektivizimi.
Monumenti i turpshëm i Lushnjes duhet dërguar në fonderi edhe pse ai nuk është skulpturë me taban kombëtar (ky term i pëlqente shumë komunistëve). Përjashto bazamentin, ai kompleks në bronx është i punuar i gjithi sipas modeleve sovjetike. (Dhe kjo nuk është e vetmja skulpturë në Lushnje që vuan prej sovjetikërisë apo kinezërisë, shpesh edhe e kopjuar 100% prej “veprash” të atyre vendeve). “Toka Jonë” është edhe një vepër tipike sipas mësimeve të partisë: në njërën dorë kazmën e në tjetrën pushkën, apo sipas idesë standard të aleancës së “kllasës” punëtore me fshatarësinë kooperativiste.
Nga pikëpamja e realizimit artistik, kjo masë tre-figurëshe prej bronxi, me gjithë respektin për autorin Perikli Çuli, është tejet mediokre, prandaj me shkrirjen e saj nuk shoh as edhe më të voglën humbje për artin kombëtar.
Prandaj ky monument kaq poshtërues në përmbajtje, artistikisht mediokër, politikisht i dëmshëm dhe historikisht i falsifikuar, duhet zhdukur prej andej.
Me se mund të zëvendësohet?
Me diçka të natyrshme, për të cilin Lushnjes duhet t’i njihet rekordi zyrtarisht: Me një kompleks monumental për persekutimin komunist.
Dhe jo vetë kaq. Lushnja ka nevojë edhe për një muze të këtij persekutimi të pashoq.
Po ashtu duhen bërë muzeale edhe kampet e internimit kudo që kanë qenë.
Sa nuk është vonë, sa mundet akoma të rekuperohen. Përveçse dëshmi të patjetërsueshme historike, ato fshatra – muze mund të jenë edhe burim biznesesh për popullsitë e atjeshme pasi, sigurisht, kanë për të tërhequr shumë vizitorë shqiptarë e të huaj.
Kryeqeveritari i sotëm, në premtimet e tij paraelektorale, sidomos në Amerikë, ka pasë premtuar që do të zgjidhte shumë probleme të ish të dënuarve e të persekutuarve politikë, madje e ka pasë paraqitur veten si i vetmi që mund t’i zgjidhte ato probleme. Pa asnjë paragjykim parafabrikat nga të tjerët, ai ka rastin të japë konfirmim edhe të këtyre premtimeve.
Le të shpallë një konkurs kombëtar më temën e monumentit të ri të Lushnjes, lë të përpiqet ta ndihmojë me fonde. Nëse do t’u kërkohet ndihmë edhe ish të persekutuarve, të ndodhur në Shqipëri apo diasporë, jam i sigurt që angazhimi i tyre nuk ka për të munguar.
Duhet rekuperuar kujtesa kombëtare, sa nuk është shuar akoma e gjitha. Pavarësisht nga partitë që mendojmë se përfaqësojmë. Që të mos vazhdojmë të mbetemi një gjysmëpopull, duke çnderuar vazhdimisht pjesët tona nga më të rëndësishmet. Që të arrijmë të bëhemi një komb i vërtetë, i plotë, që njeh tek lideri të gjithë vetveten, jo vetëm ndonjë gjymtyrë të saj.
(fotot nga Edi Salla)
Eugjen Merlika komenton:
Falenderime të sinqerta autorit të shkrimit për vullnetin e mirë të ruajtjes së kujtesës historike të qytetit të tij.
Kujtoj një ditë të largët të pranverës 1991, për të cilën flitet në artikull, kur u ballafaqova me “habinë” e gazetarëve lushnjarë që nuk e dinin ekzistencën e sektorit të Gradishtës, edhe se në të jetonin njerëz të “tërrnur” që nga viti 1958!!!
Sa vlera të vërteta shqiptare kanë kaluar në ato kampe… sa e pasur do të ishte historia e qytetit të Lushnjes sikur ky i fundit t’i quante ato pasuri të tij…
Përgëzime autorit, një nga të paktit që shkon në kërkim të kasolleve të fantazmave, të cilët sot i gjen të shpërndarë (ata që janë në jetë) në Shqipëri e në botë, për kënaqesinë e idhtarëve të Monumentit të sheshit, që vazhdojnë ende t’u besojnë jo fantazmave të Shpendit, por “përrallave të dimrit” që buronin nga “Ndërtesa mbrapa monumentit”, apo më keq, nga ajo “Buzë përroit…
E megjithatë… në Lushnje vij gjithmonë me dëshirë e me mallin e viteve të rinisë…
Skënder Rusi shkruan:
Shpend i dashur, me dy shkrimet e botuar në “Shqiptarja” i ke bërë grafinë dy kohëve, asaj që ka ikur (po unë them që nuk ka ikur plotësisht) dhe asaj që po jetojmë sot (po unë them që nuk ka erdhur plotësisht!” Janë dy kohë që u përplaën me njëra tjetrën si dy meteorë, duke lënë pas vetëm një tymnajë që kërkon të fshihemi nga njeri tjetri. Ti e ke skanuar këtë, dhe memorja jote nuk di të gabojë…
Unë të uroj për shkrimin, i cili është për një të vërtetë tronditese që nuk duhet harruar!
Ndër gjithë komentet do të veçoja komentin e Skënder Rusit dhe jam plotësisht i një mendimi me të!