back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kujtesë, në ditën e fotografisë… nga Artan Kafexhiu

Gazeta

Fotografi Gjon Mili (1904-1984)
Fotografi Gjon Mili (1904-1984)

Kujtesë, në ditën e fotografisë…

nga Artan Kafexhiu

U bë shkak dita e djeshme, që konsiderohet edhe si Dita Ndërkombëtare e Fotografisë, të gërmoj në “kujtimet” e mija për një emër, tashmë të njohur të fotografisë, Gjon Milin.
Ka kaluar më shumë se një çerek shekulli, kur në New York, rashë në kontakt për herë të parë me kontributin e tij fotografik. Në Tiranë, kisha dëgjuar për të në një rreth të ngushtë njerëzish, në një kohë kur ishte krejt i panjohur në vendin ku lindi dhe e kishte lënë kur kishte qenë, vetëm një katër vjeçar.
Gërmova në “letrat” e mija, e në fund gjeta faqet e zverdhura nga koha të gazetës Illyria, ku në vitin 1995, ishte botuar në anglisht një shkrim imi, pikërisht për Gjon Milin. Po aty, gjeta përkthimin tim të po të njëjtit shkrim në shqip, i cili u botua më vonë në një periodik të Tiranës, me duket në RD.
Po e risjell në FB në shqip, me ca ilustrime fotografike që lidhen me përmbajtjen e shkrimit!
.
Artan Kafexhiu - shkrim per Gjon Milin (1995)
Artan Kafexhiu – shkrim per Gjon Milin (1995)

Gjon Mili – “Teologu” i Fotografisë

Pa dyshim është pasioni im i veçantë për fotografinë, që më udhëhoqi drejt mjeshtrit “të momentit të llogaritur”, Gjon Milit, njeriut që dramaturgu irlandez Sean O’Casey e thërriste, “shqiptari gjenial”.
Gjon Mili lindi në Korçë në vitin 1904. U rrit dhe kaloi vitet e rinisë në Bukuresht. I nxitur nga i ungji, në moshën 18 vjeçare emigron në “kontinentin e shpresës”, Amerikë, ku e priste një e ardhme e ndritur. Në vitin 1927, ai diplomohet në Institutin e Teknologjisë të Masacuset (MITJ, në Kembrixh, si inxhinjer elektrik dhe punon si specialist në fushën e ndriçimit artificial, në një prej shoqërive amerikane më të mëdha të kohës.
Mund të thuhet pa ndrojtje, që ishte pikërisht Gjon Mili, ai që i dha një shtytje të re motërzimit të publicistikës, e shtypit në përgjithësi, me fotografinë, duke ndikuar kështu brezat e ardhshëm të artit fotografik. Kjo i kushtohet kryesisht punës së tij eksperimentuese në ndriçimin artificial, të quajtur “stroboscopic”, teknologji krejt e re deri atëhere. Pikërisht, në atë studion e tij të sajuar, në rrënojat e një kishe të braktisur në Neë Jersey, lindi dhe u zhvillua përdorimi i ndriçimit artificial në shërbim të fotografisë, stroboscopic photography. Gjon Mili ishte fotografi i parë, që përdori ndriçimin artificial në fotografi.
.
Gjon Mili - Teologu i Fotografisë
Gjon Mili – Teologu i Fotografisë
“Mili ishte një largpamës i vërtetë. – thoshte Harold Edgerton, profesor ne Institutin e Teknologjise te Masacuset (MIT), njëkohesisht bashkëpuntori i parë i Milit. – Ai kuptoi të ardhmen e ndriçimit artificial në fotografi dhe e udhëhoqi këtë fushë me shumë imagjinatë. Ai drejtoi. Ai na shtyu përpara.”
Ishte Faik Konica, një mik i tij i afërt, që tërhoqi vemendjen e Milit në ‘London Illustrated News’, ku shkruhej shpesh rreth kinematografisë dhe fotografisë si mediume tepër domethënëse dhe të rëndësishme në të ardhmen e artit. Bisedat me Faik Konicën, intelektual me njohuri enciklopedike, zgjeruan dhe rritën interesin e Milit për artin në përgjithësi.
Karriera e vërtetë e Milit si fotograf profesionist, filloi kur fotografitë e tij, që “ngrinin lëvizjen” e kampionit të atëhershëm të tenisit, Bobi Ring, u botuan në revistën amerikane Life. Botimi i atyre fotografive shënoi fillimin e karrierës së tij dyzet vjeçare, si një prej fotografëve më të përmendur dhe më të përkushtuar të artit dhe botës së fotografisë.
Mili në të vërtetë, u njoh si ‘Papa’ (Pope), i atij rrethi të ngushtë mjeshtërish të mëdhenj të fotografisë dhe ambicieje profesionale, të mbledhur rreth revistës të herëshme dhe tepër të njohur amerikane, Life. Ai u bë veteran i kësaj reviste, por duke mbetur gjithmonë “i jashtëm” (free-lancer), thjesht një bashkëpuntor, e duke ruajtur jashtë saj, një jetë me të vërtetë të pavarur profesionale si fotograf klasi.
Bashkëpunimi i vazhdueshëm me revistën, e çoi Gjon Milin në shumë vende të botës; në Riviere (Francë), përsëri në Francë për violinçelistin spanjoll, Pablo Kazal në mërgim, në Izrael për të asistuar në gjykimin e nazistit Adolph Eichman, etj. Kamera e tij fotografoi qendrat më të mëdha të kulturës, politikës, e artit botëror si Londrën, Firencen, Dublinin, Berlinin, Athinën, Romën, Hollivudin, etj. Ai fotografoi vende e popuj, njerëz të famshëm e artistë, skulpturë e arkitekturë, ngjarje sportive dhe koncerte. Në fund ai shkoi në Bukuresht për të risjellë kujtimin e nënës së tij, kaq të dashur e po aq të dëshiruar prej tij. Bashkëpunimi i Milit me revistën Life zgjati deri para vdekjes së tij, ardhur si pasojë e një aksidenti në rrugë.
.
Fotografim i Gjon Milit
Fotografim i Gjon Mili
Gjatë karrierës së tij jashtë revistës Life, Mili hapi një numër ekspozitash individuale në MOMA të New York si “Kërcimtarët në lëvizje”, në vitin 1942; “Mbi Pikason” në vitin 1952; në Francë në ‘Paris Galerie’ dhe ‘Musee Arleton’ në 1946 dhe 1971, etj. Gjithashtu, ai ishte pjesëtar i disa ekspozitave të fotografëve më të zgjedhur të botës në Nju Jork, London dhe Paris. Midis tyre ishte “Familja e Njeriut”, një nga ekspozitat më të vizituara të artit fotografik, e instaluar përsëri në MOMA të Nju Jorkut, e që u mbajt e hapur për një kohë të gjatë, rreth dy vjet. Mili për rrjedhojë të talentit të tij, njohjes dhe kulturës muzikore, fitoi famën e fotografit numër një të baletit. Edhe kopertina e një prej librave të tij, kishte për ilustrim një prej baleteve më të famshëm të fotografuar prej tij në Metropolitan Opera në Lincoln Center.
Me një sërë ekspozimesh të kamerës së tij, ai krijoi variantin e tij shumë të njohur të pikturës klasike kubiste të Marcel Duchamp, “Vajza lakuriq duke zbritur shkallët”. Ai ndoshta është më tepër i njohur prej dy momenteve fotografike magjike; njëra me kërcimtaret e Lindi Hop, në fluturim në ajër, dhe tjetra, Pikaso, duke skicuar në boshllëk (ajër) me një llambushkë të ndriçuar një minotaur, e njohur si “piktura definitive (e fundme, përcaktuese)” e artistit. Mili vizitoi Pikason dy herë, fillimisht në vitin 1949, dhe për herën e dytë në fundin e viteve 60-të. Gjatë këtyre vizitave, ai shpenzoi mjaft kohë me artistin, duke jetuar e punuar sëbashku në shtëpinë-galeri të Pikasos.
.
Pablo Pikasso fotografuar nga Gjon Mili
Pablo Pikasso fotografuar nga Gjon Mili
Kur donte të njihej me Pikason, Mili i kërkoi ndihmë piktorit francez Matisse për ta njohur me të. Por miku i tij piktor, Matisse, i sugjeroi se mënyra më e mirë ishte të njihej vetë me të, pa ndërmjetësi. Pikaso ishte pasionant i detit, diellit, e një notar amator, që shpenzonte një kohë të konsiderueshme në bregdet. Një ditë, Mili iu afrua dhe nisi bisedën me të. “Më falni, unë jam një fotograf dhe kam dëshirë t’iu bëj një portret”. Pikaso duke qeshur iu përgjegj: “Oh? Ja ku më ke!” Mili insistoi, duke i thënë se ai e kishte seriozisht dhe i tregoi disa fotografi të një patinatore, të fotografuara në errësirë, me ndriçim artificial, prej disa llambushkave të vendosura në patinat e saj. Mili kishte ndjekur e fotografuar lëvizjet e saj në errësirë. Pikaso reagoi pozitivisht e menjëherë.
Nevoja për të kuptuar piktorin e famshëm, i lindi Milit idenë, e një prezantimi të tillë. Ajo çka kishte mbetur në mendjen e Milit, duke qënë befasuese njëherazi, ishte shprehja e njohur e Pikasos: “Në fund të fundit, nuk janë mendimet, por duart ato që e materializojnë një vepër arti.” Pikaso i këshillonte piktorët e rinj: “Nëse don të vizatosh, duhet të mbyllësh sytë e të këndosh.”
David Douglass, një nga drejtuesit e korporates TimeLife, kur e pyetën se çfarë i sillte atij ambjenti Gjon Mili, u përgjegj: “Episodi me Pikason dëshmon për inteligjencë.” – e vazhdoi, “Inteligjencë. Këtu (në TimeLife) Gjon Mili sjell inteligjencë.” Duke studiuar e përcjellë Pikason, publikut të gjerë mbarëbotëror, Mili dhe Pikaso mbetën miq të mirë deri në fund.
.
Gjon Mili - Balerina duke vallzuar
Gjon Mili – Balerina duke vallzuar
Mili respektohej prej emrave më të shquar të botës së artit dhe të letrave; një pjesë kishin pozuar për kamerën e tij, e më vonë u bënë miqtë e tij. Filozofi dhe shkrimtari francez, Jean-Paul Sarter, shkruajti parathenien e njerëz prej ekspozitave pariziane të Milit. – “Primitivet e Deteve të Jugut thuhet se refuzonin të fotografoheshin, duke besuar se do të mbeteshin kështu përjetë robër të fotografit. Për të kuptuar urtësinë e tyre, mjafton të shikoni portretet e Gjon Milit.” Fotografë si Saul Steinberg ndihmuan në krijimin e ilustrimeve të ekspozitave të Gjon Milit. Alexander Schneider adhuronte “Kuartetin Pranveror të Budapestit”, të varur në studion e Milit. Fotografi i famshëm francez, Henri Cartier-Bresson, një nga miqtë dhe kolegët më të ngushtë të Milit, e quante studion e Milit si “Athinën e Nju Jorkut”. Ai e karakterizonte Milin kështu: – “Pavarsisht miqësisë tonë të ngushtë, Gjon Mili për mua paraqet njeriun e drejtë dhe mendjen e kthjellët. Unë e admiroj sensin dhe respektin e tij prej mjeshtri artizan për punën e dorës, e përbuzjen e tij ndaj teprimeve. Kjo buron nga një personalitet me të vërtetë kompleks e një urtësi filozofike.” Studio e tij në të 23-ën rrugë në Manhattan, ishte vendi i preferuar i shumë prej yjeve të muzikës amerikane, veçanërisht muzikës jaaz, si Duke Ellington, Billy Holliday, Gene Krupa, Ted Williams, etj.
Niveli i lartë cilësor, që karakterizon veprën e Gjon Milit, i atribohet vlerësimit dhe njohjes së tij të thellë të letërsisë dhe artit në përgjithësi, duke përfshirë historinë, baletin dhe teatrin. Ai e vlerësonte artin e fotografisë si të ishte teologji, duke iu përkushtuar dhe e përhapur atë, sikur të ishte një mësues teologjie.
Gjon Mili - Balerinat
Gjon Mili – Balerinat
Kur vështrojmë fotografitë e skulpturave të artistit francez Roden, të ndriçuara nga shkëlqimi i një dielli në perëndim, ngjan sikur marrin frymë e bisedojnë me njera-tjetrën.
Respekti i Gjon Milit për gurin dhe metalin, nëqoftëse nuk ishte unik, sigurisht mbetet i rrallë midis fotografëve. Ai u bë i njohur si mjeshtri i “momentit të llogaritur”. Kur bisedohej rreth teknikës së tij, ai thoshte: – “Kohën nuk mund ta ndalësh. Pëlhura (duke patur parasysh fotografinë) mund ta ruajë lëvizjen përgjithmonë, çfarëdo qoftë ajo.”.
Megjithatë, gjatë gjithë jetës së tij, ai mbeti një shpirt i thjeshtë. Gjatë leksioneve si pedagog i fotografisë në Yale University, ai i drejtohej studentëve me këto fjalë:
“Unë kam ardhur këtu si një humanist. Do të ishte dështim t’iu mësoja juve artin e fotografisë. Si mundem t’iu mësoj diçka, që u deshën 50 vjet për ta mësuar e harruar? Nuk mund t’iu mësosh këtë gjë në jetë!”
Për ironi të fatit, arritja më e madhe e Milit, e quajtur “stroboscopic photography”, mbetet e lidhur me fotografinë e reklamës dhe modës, se sa me foto-publicistikën (fotogazetarinë). Modelet pozojnë para bliceve të pandërprera të kamerave të fotografëve, e dikur “notat” e para të kësaj “muzike”, u dëgjuan në kishën-studio të sajuar të Gjon Milit, shumë dekada më parë.
Mili vdiq në shkurt te vitit 1984, ne moshen 79 vjeçare. Gazeta New York Times lajmeroi vdekjen e tij. Thuhet se Mili në portofolin e tij, gjithmonë mbante një copë letër, ku ishte shkruar një shprehje e Heraklitit: “çdo gjë është dhe nuk është, çdo gjë është fluide, gjithmonë në ndryshim, duke ekzistuar dhe u zhdukur pandërprerë.”
.
©AK, muri i Fb, 19 gusht 2020

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.