back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Kujtesë për ata që votojnë për ndryshimin, kundër krimit – Perkujtim Vilson Blloshmi & Genc Leka – nga Agim Xh. Dëshnica

Gazeta

Poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka
Poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

Kujtesë për ata që votojnë për ndryshimin, kundër krimit

Perkujtim Vilson Blloshmi & Genc Leka

nga Agim Xh. Dëshnica

Ju që do të shkoni të votoni për ndryshimin kundër krimit, ndaluni pak pranë përmendores së Gencit e Vilsonit, hidhni do lule e kujtoni me nderim dy djemtë e pafajshëm, poetët demokratë të lirisë, të pushkatuar, pasardhës të denjë të mësuesve atdhetarë.
Si çdo ditë, në mëngjes herët, pas natës së 17 korrikut 1977, gra e vajza me drapër në dorë, tek zbrisnin, për në arat e kooperativës së Bërzheshtës mbi  Librazhd, s’kishin dëgjuar krisma armësh në mesnatë, as nuk dinin se në hijen e malit të Zgarës, ishin pushkatuar dy mësuesit e rinj, Genc Leka e Vilson Blloshmi! Kur kujtohen të dy poetët, shpaloset faqe maleve, bukuria e blertë e Librazhdit, dëgjohet jehona e poezive të paharruara, këngët si vaje të Bërzeshtës, isot e kabatë për vallen e vdekjes me dridhma shtatesh të Rrajcës në livadhet e përzhitura nga vapa e korrikut.
Në rrjedhën e kohës nga brezi në brez, kujtesa e ngjarjeve tragjike, mbart pamje nga të vërtetat e hidhura. Historia e trishtuar e viteve pas luftës, flet sesi  komisarët me yll të kuq në ballë, tjetërsuan jetën, me vrasje e burgosje në qytet e fshat, rrëmbyen tokat e bukës, pronat, shtëpitë, hotelet, teatrot, kinematë e dyqanet, rrënuan e mbyllën xhami, kisha e teqe.
Nga shtati i masakruar i poetit Dom Lazer Shantoja, pas sharrimit mizor të gjymtyrëve, u pushkatua çfarë kishte mbetur gjallë… Më pas vijoi pushkatimi i poetëve Manush Peshkëpia, Trifon Xhagjika, i muzikantit të ri Gramoz Omari. Nëpër burgje, humbën jetën nga torturat poetët e shkrimtarët Vinçenc Prennushi, Bernardin Palaj, romancieri i parë shqiptar Ndoc Nikaj, dramaturgu klasik Et’hem Haxhiademi e shumë të tjerë. Asokohe Lidhja e shkrimtarëve, botonte poemat “Enverit” “Me ty Stalin!”, “Strategu i fitoreve Stalini” etj. Pas pushkatimit pa gjyq të 21 burrave fisnikë dhe dijetares Sabiha Kasimati pranë Urës së Beshirit, një turmë e zhurmëshme, u mblodh para Legatës Sovjetike duke brohoritur për Stalinin, Enverin e Bashkimin Sovjetik.
Një përfytyrim i rrejshëm rreket të tregojë, edhe sot, sikur në atë sistem të çoroditur, gjthçka shkonte vaj. Veçse në orë të caktuara ditën, madje, edhe natën qytetarët mbanin radhë për bukë, kos e me raste për një a dy pula, të heshtur e të përulur para shitësit në dyqanet e shtetit. Një filozof gjerman shkruante: “…edhe populli gabon, madje është fajtor, meriton qeverinë që mban mbi shpinë!” Shtetëzim, burgim e pushkatim-fjalë tmerri. Vendim për shembje ndërtesash monumentale – çmenduri  sekretarësh në komitetet e partisë në qendër e në rrethe. Për të ndalur sadopak dorën e tyre rrënimtare, studiuesit më në zë, botonin hera-herë shkrime për formimin  e kombit  shqiptar, për kulturën, vlerat etnografike e ndërtimore. E megjithatë zjarri i luftës kundër feve, kanuneve e zakoneve, të trashëguar brez pas brezi, mbahej i ndezur nga poetët e shkrimtarët real-socalistë, të cilët ngrinin lavde për një të krisur me emrin Enver, mburrnin heronjtë e Sigurimit, të cilët për të mbuluar dështimet në ekonomi, me porosi të partisë, sajonin grupe armiqsh e sabotatorësh.
Në vitet ’70, kur ekonomia e përqendruar po tronditej në themel, partia vendosi përsëri, të vriste njerëz. Ndaj si ujku në pergjim priste rastin te kapte gjahun e parë. Nisi me poetët, shkrimtarët dhe artistët e lirisë në burgje, kampe pune, e miniera.  Në vitin e zi 1977, u dënuan në kundërshtim me ligjet,   dy poetët  e rinj, me fat tragjik, Genc Leka, 32 vjeç e Vilson Blloshmi 29 vjeç, për vargjet, ëndërrimet e  shpresat e tyre djaloshare. Këta poetë të mohuar e të pambrojtur nga askush, u rrezikuan jo vetëm nga dëshmitarët e rremë, por edhe nga ekspertët e letërsisë, për realizimin e skenarit vrastar me “grupin e sabotatorëve” në Kooperativën e Bërzheshtës. Skenari fillonte me një mushkë të mbytur, diku në punë e sipër. Në vijim u sajuan akuzat: “zjarrvënës e vjedhës”. Sipas partisë e sigurimit ato “akte sabotimi synonin rrëzimin e pushetit popullor!!”
Për dënimin e tyre, u hartua një plan i gjerë masash nga Komiteti i Partisë së Librazhdit me urdhër të sekretarit të parë, druvarit Sotir Koçollari, bashkë me gjykatën, prokurorinë, hetuesinë, drejtorinë e policisë etj. U ngarkua një lukuni hetuesish me detyra të veçanta me kryehetuesin kriminel, Selim Çaka në krye. Në akuzën e sajuar u renditën shpifje nga më të ndryshmet: “krim e sabotim  në bujqësi, agjitacion e propagandë.” Të gjitha bashkë morën pamjen e një litari të përgjakur nga historia tragjike e fisit të Blloshmëve me zanafillë nga lufta vëllavrasëse e vitit 1944, zgjatimi hakmarrës në kohë paqeje, shpallja “kulak”, një nofkë e ngjashme me emrin skllav e së fundi, caktimi i “grupit të tetë sabotatorëve.” Në përfundim u dënuan me pushkatim dy më të rinjtë, Genci e Vilsoni “kryetarë e udhëheqës grupi.”, “Fajet”  e “krimet” e tyre më të rënda, ishin krijimi i poezive dhe përkthimet  nga Volteri, Viktor Hygo, Edgar Po, Alfred De Myse, Bodler, Rembo, Shatobrian, Maksim Gorki etj.
A ka ligj në botë për vrasje  poetësh, të cilët krijojnë poezi e kënaqen vetë me to? Dokumente për dënimin e tyre ishin ditaret, fletoret e shënimeve dhe letërkëmbimi me të afërmit e dashur, ku poetët shkruanin poezitë, mendimet  për letërsinë, artin e kulturën. Hetuesit pa shkollën përkatëse shqyenin sytë dhe me anën e torturave shtazarake përpiqeshin t’i detyronin të pandehurit, të pranonin “fajet, krimet dhe veprimtarinë armiqësore.” Pengësë e pakalueshme, për ata, që morën përsipër detyrën e caktuar nga sekretari i parë i Komiteti të Partisë, ishte vetëm një, Vilsoni i paharruar që mbante emrin e nderuar të presidentit shpëtimtar amerikan. Hetuesit-xhelatë, me britma e sharje, ua përplasnin kokën nga muri në mur, i qëllonin me grushta e shkelma, ku të mundnin. Vilsonit ia thyhen  krahun, por ai qendroi i patundur, shkëmb-vigan. Të tjerët, gjatë torturave të padurueshme, u lëkundën, pranuan disa nga fajet e paqena.
Krejt ndryshe janë zhvilluar ngjarjet në kohën e Monarkisë së përfolur, me Migjenin, mësues në shkollat e shtetit, kur poeti  i trishimit, botonte lirshëm poezi e shkrime kritike, si “Hidhet e përdridhet” (me nënkuptime kundër Mbretit.), “Poema e Mjerimit”, “Molla e Ndalueme,” “Legjenda e Misrit”, “Bukën tonë falna Zot”, ndërsa poetët mësues Gencin e Vilsonin, i vranë për krijime të pabotuara.
Në fillimet e demokracisë, njërëz të politikës e të kulturës, u munduan më kot të shfajsoheshin me frikën e diktaturës, heshtën  për librat e botuar dikur, por për çudi, as sot nuk po e marrin veten, përpiqen të harrohet gjithçka nga e kaluara me shprehje të tilla “se ashtu ishin ligjet në monizëm.” Ndërkohë të tjerët për pak desh u fshinë nga kujtesa e kombit. Gjithsesi, ndihen të qetë në ndërgjegje ndaj shkruajnë për të vërtetat e asaj kohe të mallkuar, kur ndalohej mendimi ndryshe, kur vriteshin poetët e lirisë për vargje kushtuar natyrës e dashurisë njerëzore.
Siç ndodh zakonisht me poetët, në moshë të re, me anën e poezive, Genci e Vilsoni shprehnin gjendjen  shpirtërore ndaj fatit të mbrapsht, për humbjen e të drejtave studimore, mendimin e heshtur kundër padrejtësive: largimi nga arsimi, në minierë e bujqësi, punëtorë në pyje dhe ushtri. Ajo lojë hetuesish, ishte në kundërshtim me faktet  e ekspertizës ekonomike  e juridike. Megjithatë tërë ato fakte pafajësije, u fshinë me vendosmëri nga sekretari i parë, i cili kryente verbërisht detyrat e caktuara nga lart, sipas parimit komunist: “Të vrasim njerëz për të mbajtur pushtetin!”
Kjo detyre u plotësua, edhe me ndihmën e njerëzve të kulturës nga Tirana. Faktet janë kokëforta, nuk merren me nderime ndaj askujt, qofshin dhe profesorë, të cilët nuk mundën të mbronin poetët me argumentin e fuqishëm, se poezitë, as ishin botuar as të shperndara dorazi…
Gazetarja Çuli e tmerruar nga Sigurimi, tejkaloi detyrat duke qëmtuar, edhe me hamendje vargjet e Gencit kushtuar dashurisë. Prof. Xhaxhiu bëri çmos t’i komentonte përkthime e krijimet si punime adoleshentësh. Ndërsa Nasho Jorgaqi për poezitë: “Vjeshtë”, “Rrethi i hënës”, “Harabelat”,  gjykon: “Vilsoni ka thënë se që të bëhesh njeri i afirmuar, duhet të studiosh dhe në gjuhë të huaj. Ai ka bërë përkthime nga autorë dekadentë, si: Lamartin, Shatobrian, Rembo, Bodler etj. Ka nxjerrë shënime me përmbajtje reaksionare si “S’ka gjë më të bukur se ajo që nuk shërben për asgjë…”, ka nxjerrë citime nga Gorki “nuk ka njeri më egoist se i sëmuri”, ose nga Naim Frashëri “mos u bëj mjaltë se të hanë mizat” – citime që i shërbejnë ideologjisë së tij”. Barra më e rëndë ra mbi mësuesin e poetin Koçi Petriti, me poezinë e Vilsonit  “Saharaja”. Sado, u orvat me disa e trajtime, me jo, të paqarta apo të errëta, nuk mundi t’ia dilte mbanë për shkak të hetuesve të egër, të cilët me klithma, kërcënonin, se për idealin komunist mund të hidhnin në erë, malet dhe vetë Shqipërinë.

Perkujtimorja Vilson Blloshmi dhe Genc Leka
Perkujtimorja Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

Pra, ishin, vetëm dy nga ekspertët të cilët duke kryer detyrën e letrarit bashkëkohor, shqyrtuan poezitë intime e përkthimet e bukura të poetëve. Ishin ata të dy, që poshtëruan veten me fyerjet ndaj poetëve të mëdhej europianë e kësisoj lehtësuan punën e hetuesve për dënimin e Gencit e Vilsonit.
Dokumenti i vendimit të jashtëligjshëm, me vdekje, u miratua nga kryetari i Gjykatës së lartë, Aranit Çela dhe Kolegji i Apelit, ndërsa Presidiumi i Kuvendit Popullor, nuk e pranoi lutjen për faljen e jetës. I fundit, ministri i brendshëm, urdhëroi me shkrim policinë e Librazhdit për ekzekutimin larg qytetit. Qarkullon dhe një dëshmi nga një pjesëtar i togës së pushkatimit. Në moshë të thyer, i munduar nga ankthi i padurueshëm i heshtjes, si në një rrëfim, ai tregon për çastet e fundit të jetës së dy poetëve Genc Leka e Vilson Blloshmi. Para pushkatimit, kryehetuesi kriminel, iu qas buzëgas Vilsonit. Mesa kuptohej pas torturave ç’njerzore ai kërkoi poshtërimin e tij, edhe në çastet e fundit të jetës, bashkëpunimin me organet e sigurimit. Kundërshtimi këmbëngulës i poetit të lirisë, qe i menjëhershëm. Pas pak u dha komanda, “Zjarr!” Gjithçka mbaroi. Krismat në hijen e malit të Zgarës u përzihen me zhurmën e rrjedhës së Shkumbinit e jehonën maleve, ku poetët të pandarë ndrijnë si yje lart në qiell, ndërsa vepra e tyre e bukur jeton në mendjen e zerat e rinisë. 
Kur diktatori i pashpirt, u zhduk nën dhè, dëgjohej gaz-hidhët në festivale, kënga e vdekur, “Lule për xhaxhin Enver” nga barinjtë e dhive, “bilbila me lule mbi qeleshe…” Një nga këngëtarët-vallëtarë nga Librazhdi, mban emrin Taulant Balla. Sot ai është një prej mashtruesve të më koruptuar dhe gënjeshtar i gjobitur nëpër gjyqe. Ndërkohë, edhe shërbëtor besnik i kryeministrit Rama. Për çudi vetëm aty nga viti 2017, shkrimtari i realizmit socialist, Ismail Kadare, u bë i gjallë tepër vonë, me parathënien në librin “Genci e Vilsoni”, botuar nga Sadik Bejko për dy poetët e pushkatuar në 1977.
I pyetur disa vite më parë Kadare ishte përgjigjur, se për vrasjen e dy poetëve qe njohur nga një shkrim i historianit Uran Butka!
Nxënësit në shkolla, kudo në Shqipëri, presin të kthehen mësuesit e vërtetë, të mësojnë, si krijohen poezitë e lirisë. Tashmë poetët, Genci e Vilsoni,  ligjërisht janë jo vetëm të pafajshëm e Martirë të Demokracisë, por Nderi i Librazhdit, e Nderi  i Kombit.
Dy nga  poezitë e dënuara të Gencit:

Kujtimi yt

“Kujtimi yt më hodhi këtë natë
Në thellësinë e brengave pa fund…
(Ah! ëndërr e kaltër,  këputur për mes)
Dhe nis mendimi  rrugën më të gjatë.
Shtegun e blertë kur nuk e gjen gjëkund
Vezulluar  prapa mbrëmjes e çdo mëngjes.” 

Poezia e fundit

“O hënë pse dole, moj kaq e trishtuar
Mos vallë për mua po mban zi?

Ç’më fsheh ashtu me sy të lotuar,
Mos m’u sos jeta dhe unë s’e di?
Po dhe në vdeksha, jeta s’ka të mbaruar
Dhe pse sot po shkruaj  të fundmen poezi
.
Nga dosja e Vilsonit:
Në dosjen e Vilsonit u gjetën  shënime  me shqipe të pasur, arsyetime të thella, ligjërime prej shkrimtari, me vlerë për ata që studiojnë gjuhën e letërsinë shqipe:
“Në vitin 1966, mbrojta shkollën e mesme pedagogjike. Ishim 208 maturantë. Nga të 208-ët vetëm unë u ndava: nuk m’u dha e drejta për të ushtruar profesionin si arsimtar. Me sa duket, kjo lidhej me të kaluarën jo të mirë të familjes sime. Në vitin 1972, kam shkruar një poezi. E kam bërë në ditët kur po hapej viti i ri shkollor; isha i dëshpëruar, mbasi me kohë kisha kërkuar që të ushtroja profesionin si arsimtar dhe kjo e drejtë nuk më jepej. Në ato rrethana kam shkruar poezinë:

“Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë
Zjarr përsëri unë kam në shpirt të djegur
Nëse më i vdekur jam nga çdo i gjallë,
Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur.”

Jam thyer para dëshirë sime, para dëshpërimit tim. Kohët shkonin dhe unë vazhdoja të punoja në prodhim. U bëra pesimist. Nuk jam llogaritur mes njerëzve dhe shokëve me të cilët bashkë mbaruam shkollën, por u llogarita midis klasave të vdekura, mes njerëzve të vdekur. Në poezinë më sipër unë kam dashur të them se jam më i gjallë se të vdekurit.
Shënimet në ditarin tim japin mbresa nga jeta e përditshme, shprehje të nxjerra nga studimi i autorëve të ndryshëm të letërsisë së huaj, ngjarje dhe ndodhi të jetës sime, të jetës shoqërore. Me shprehjen se njerëzit mbajnë ndonjëherë emra falsë, dua të them se njerëzit ndryshe hiqen e ndryshe janë. E kam shkruar këtë si vlerë njohëse për njeriun, ose dhe për ndonjë njeri konkret.
Ndryshe nga shokët e mi të shkollës, të cilët kanë disa vjet që e ushtrojnë profesionin e mësuesit, jeta ime është monotone, e mërzitshme dhe pa asnjë gëzim. Ata janë arsimtarë, unë punoj në minierë. Ky trajtim nuk më pëlqen dhe më duket i padrejtë. Perspektiva ime është e një njeriu të pafat në jetë. Çfarë kam bërë? I ri jam, forcat nuk më mungojnë, por nuk kam qetësi, ndërgjegjja nuk më lë të qetë. Kulmi i dëshpërimit arrin atje ku unë them më mirë të mos kisha lindur sesa linda në një jetë që më vret e më brengos. Unë kam një natyrë të keqe, kjo është natyra e trishtimit, unë mërzitem shpesh. Në jetën e përditshme e kam për natyrë që të mos i bëj keq askujt. Gjithmonë vrisja mendjen: çdo bëhej më vonë, madje, duke qenë i brengosur, rrija zgjuar, i mërzitur, i dëshpëruar, sa arrija ta bashkoj mbrëmjen me mëngjesin…”
Pra, në dëshpërim  e sipër poeti përfytyronte veten në një botë të ngjashme me Saharanë:

Saharaja, larg është Saharaja,
Saharaja shkëmb e rërë e gurë,
Që ka shok veç emrin e saja
Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.

Saharaja s’di të ëndërrojë.
Ajo bluan gurë në mënt’e sajë…
Saharaja s’ka këngë të këndojë,
Saharaja s’ka as lot të qajë,

Saharaja nuk ka miq e shokë
Saharaja është një copë tokë,
Thonë se dhe natën nuk shkon mirë.
Natës s’i pëlqen në Sahara,

S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;
Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;
Shkretëtirës shket e shkrepë
Kur hynë dielli e kur hesht thëllimi
Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë…”

Ekstaze – nga Viktor Hygo

Një natë plot me yje, pranë dallgëve isha vetë.
As dhe një re në qiell, as dhe një vel mbi det.
Më larg nga bota jonë vështrimi zhytej thellë.
Dhe pyjet mbarë, dhe malet, natyra pa mbarim
Sikur po pyesnin ngjanin, me të turbullt murmurimë
Dallgët e detit, zjarret edhe qiell.
 
Edhe të lartë yje, legjiona me mijë
Me zë të lartë e të ulët me mijëra harmoni   
Thoshin duke përkulur  atë kurorë të zjarrtë.
Dhe dallgët blu  q’asnjë s’mund, t’i drejtojë, t’i ndalë,
 Thoshin duke mbështjellë shkumën mbi shkulm e vale:
Ky është Zoti, Zoti i lartë.

* * *
Në kujtim e peng nderimi, shkruesi i këtyre rradhëve u ka kushtuar poezinë “Dy yje mbi hijen e malit.”
 .

Agim Xh. Deshnica
Agim Xh. Deshnica

Dy yje mbi hijen e malit

Në hijen e malit, në përvëlim korriku,
shkretëtira bijtë e nënave mbuloi,
bylbylat  e pyjeve, poetët e freskisë rinore,
poetët e bukur të qiellit, guximtarët e lirisë.
 
Me klithma  e flakë vrastare
në terr mizor,
shkretëtira e tërbuar mori hak,
kundër ajrit, kundër lirisë,
kundër dritës,
kundër ëndrrave, kundër këngëve.
Heshtja e thellë sundoi
veç një çast!
Jehona  e dhimbjes së malit
fluturoi gjithkund!
 
S’është aq lehtë të vrasësh poetët
në hijen e malit,
s’është aq  lehtë të vrasësh poetët,
të ndalësh rrjedhat e mendimit,
të zhdukësh shpirtin, të fikësh ditën,
s’është aq lehtë të vrasësh poetët,
krimin ta fshehësh nën dhe!..
 
Nga zemra e tyre,
këngët e gjakosura, thirrjet për liri,
me flatrat e shqipes,
kryengritëse u ngritën lart,
murlanin e fjetur zgjuan,
zëmërimin ndaj tiranisë.
 
U rrafshuan dunat e sfilitjes,
në shkretëtirë  zhegu  u shua,
pluhuri gri  u tret.
U tund piramida në themel,
muret e ngujimit ranë.
 
Fryma e kohës i shkundi retë ujëplota,
u zbut dheu, ngriti kryet bari i njomë,
plasën gonxhet, shpërhyen lulet,
mbi blerim e hijeshi.
 
Frymë e kohës me psherëtimë,
tymin shpërndan nga hija e malit,
gjurmë krimi, njolla gjaku zbulon.
 
Fryma e kohës i shkundi retë ujëplota,
u zbut dheu, ngriti kryet bari i njomë,
plasën gonxhet, shpërhyen lulet,
mbi blerim e hijeshi.
 
Frymë e kohës me psherëtimë,
tymin shpërndan nga hija e malit,
gjurmë krimi, njolla gjaku zbulon.
 
Në oborre shkollash,
vështrojnë ndër lot malin e trishtuar,
rrëzimin e gjetheve në vjeshtë.
Pse vonojnë mësuesit,
pse s’po vijnë poetët
Genci e Vilsoni?
 
Shkumbini shkumëzon
dredhon ndër  gurë e kthesa,
zëra valësh zhurmërojnë,
kërkohen poetët.
Oshëtima nga hija e malit
çohet  në qiell.
 
Dilni e shihni,
mbi  rrethin e hënës
vezullues dy yje  të qetë,
dy yje të bukur,
dy yjet e ndritur të zgjimit

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.