back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kujtim Spahivogli portret nga Ferdinand Radi (1993)

Gazeta

Kujtim Spahivogli (1932-1987)img157
Kujtim Spahivogli (1932-1987)

Kujtim Spahivogli

– portret nga Ferdinand Radi (1993)

Biografi artisti

Në revistën kinematografike “Sovjetski ekran”,
ishte botuar një fotografi dhe poshtë saj titulli “Studenti brilant”.
Bëhej fjalë për një nga artistët më të shquar të kësaj shkolle
që e frekuentonin studentët nga të gjithë vendet e botës.
Me emrin e tij u lidh fati dhe ecuria e shumë prej nesh,
studentë e kolegë të tij.
Ai quhej Kujtim Spahivogli.
Emrin e tij do ta kujtojmë me mirënjohje, me dashuri, me dhimbje, me lot…
(gazeta Shekulli)

Kujtim Spahivogli në një rol...
Kujtim Spahivogli në një rol…

Kujtim Spahivogli ishte një artist i kompletuar.
Përveç teatrit që ishte pasioni i jetës së tij… se këndonte bukur, i binte kitarrës, pikturonte, bënte skulptura, shkruante vargje edhe drama.
Ai ishte një aktor dhe regjizor me përmasa europiane. Korriku i vitit 1993, na detyron ta përkujtojmë Kujtim Spahivoglin jo vetëm si 61-vjetorin e lindjes së këtij artisti, por edhe si 6-vjetorin e vdekjes së tij të papritur .
Kujtim Spahivogli, u lind në Tiranë, më 30 korrik 1932. Në 1944, edhe pse 12 vjeç, ai del partizan, ku merr edhe një bronshit që do ta shoqëronte gjithë jetën. Pas luftës ndjek Shkollën Teknollogjike, por pasioni i tij i madh për teatrin e detyron ta lërë atë shkollë dhe të ndjekë Liceun Artistik. Pas shumë vështërsish regjizori Pandi Stillù, i thotë se “do të ishte e pamundur që ai nji ditë të bëhej regjizor!”
Shkëlqen në degën e dramës!! Në vitin 1951, ndjek studimet në B. Sovjetik, pranë pedagogut të madh rus Juri Aleksandroviç Zavaski, i cili së bashku me të shoqen Uljanova, nji ndër balerinat më të mëdha të botës, tregojnë për djalin e talentuar nga Shqipëria një kujdes të veçantë…
Si student i shkëlqyer, ai mbron dipllomën në vitin 1956, dhe kthehet në atdhe. Mbasi refuzon propozimin për zëvendësministër të kulturës, Kujtim Spahivogli nis punën si aktor e më pas si regjizor në Teatrin Popullor, ku talenti i tij si regjizor, do të shkëlqente në shumë drama. Punon si dekan në Institutin e Lartë të Arteve, ku bëhet edukator i disa breza artistësh. Në të njejtën kohë Kujtimi shfaqet edhe dramaturg. Drama e tij “Një shok i klasës sonë”, korr një sukses të madh! Krahas kësaj ai vazhdon të shkruaj poezi, artikuj dhe esse.
Kujtim Spahivogli është themeluesi i Fjalës Artistike, ai do të kujtohet edhe krijues dhe drejtues i “Teatrit të të Rinjve”, pranë Institutit të Lartë të Arteve. Në mes pak pjesëve që arrriti të ngjisë në skenë me këtë trupë, do të ishte edhe komedia e njohur e Majakovskit “Banja”.
Nën damkën ”Regjizor anarkist me mendime estetizante” në vitin 1973, e largojnë nga Tirana. Fillimisht punon në disa fshatra, më pas e çojnë punëtor krahu në ndërmarrjen e bonifikimit në Fier, ku punon si puntor betoni në urën e Mbrostarit, dhe me ku porosi të Partisë urdhërohet “trajtim i keq ndaj tij!”. Kthehet sërisht në Tiranë në vitin 1979, por s’i jepet as punë dhe as mjete për të jetuar, duke e lënë në mjerim të plotë së bashku me nënën e tij plakë.
Në vitin 1982, e largojnë sërish nga Tirana, ndërkohë që një skuadër policësh i shkatërron edhe shtëpinë. Mbas vdekjes së nënës në vitin 1983, vdekjes së motrës në 1986, vjen edhe vdekja e tij tragjike dhe e papritur më 7 korrik 1987, pesëdhjetepesë-vjeçar, i sëmurë, i harruar dhe i braktisur nga të gjithë… edhe pse kish qenë një ndër regjisorët më të spikatur të Teatrit shqiptar… prelud i një terrori të vazhdueshëm në shpirtin e artistit.
Kritika botërore e ka krahasuar Kujtim Spahivoglin me regjizorin e përmasave botërore Piter Bruk. Ndërsa pas vdekjes shteti shqiptar u kujtua ta nderojë me titullin e lartë ”Artist i Popullit”
(botuar te Arbëria 11, shtator 1993 me disa plotësime…)

Ferdinand Radi (1942-2003)
Ferdinand Radi (1942-2003)

Skeda Biografike e Ferdinand Radit

Ferdinand Radi u lind në Durrës, në 29 gusht 1942, në një familje intelektuale. Ai ishte nip i Vinçens Prennushit nga e ëma, dhe i Lazër Radit nga i ati. Në vitin 1945, me çlirimin e vendit, familja vendoset në Tiranë. Që në vitet e shkollës shquhet për humorin e tij të hollë. Ishte i shkathët, i fuqishëm dhe merrej edhe me sport. Fillimet e veta Radi i ka në sportin e futbollit, ku nga viti 1958 deri në vitin 1962 luajti me ekipin e parë të Dinamos, derisa mbaroi shkollën e mesme, por që në një moment iu desh të zgjidhte midis sportit dhe artit. Vendosi për këtë të fundit. Për këtë ndikoi njohja që ai kishte me Kujtim Spahivoglin, njohje nga e cila më pas do të kushtëzohej vetë jeta e Ferdinand Radit. Spahivogli u bë shoku dhe miku i tij më i ngushtë, i cili ndikoi drejtpërdrejt në formimin e tij artistik. Në vitin 1965, krahas punës në Uzinën “Partizani”, Radi fillon edhe aktivitetin e tij artistik me amatorët e kësaj uzine. Në vitin 1968 mbaron kursin e regjisurës nën drejtimin e pedagogëve të nderuar, Pandi Stillu e Pirro Mani. E megjithatë, formimi i tij nuk ishte i kompletuar, ndaj në vitin 1970 ndjek një kurs pasuniversitar për regjisurë, nën drejtimin e Kujtim Spahivoglit. Krahas aktivitetit të tij me amatorët, Radi punoi me kontratë edhe pranë Teatrit Kombëtar dhe Teatrit të ILA (Akademia e Arteve). Këtu interpreton në një sërë pjesësh, të cilat evidentuan aftësitë aktoriale të tij. Kjo pjesëmarrje me trupën profesioniste ndikoi edhe në aktivizimin e tij në filma. Me dënimin e Kujtim Spahivoglit në 1974-ën, Ferdinand Radit iu hap një plagë e madhe në shpirt, kështu mori fund edhe ëndrra e tij për t’u bërë aktor profesionist. Shto këtu edhe vështirësi të tjera politike të familjes, Radi nuk arriti të bëhej i tillë, vetëm atëherë kur u shemb diktatura.
E famshme mbetet shprehja e thënë ndaj tij nga një anëtar i Komitetit Qendror: “Ti do të luash vetëm role negative, sepse portreti yt u ngjan aq shumë fytyrave të armiqve tanë!”
(Wikipedia… me disa përmirsime)

Related Images:

More articles

4 KOMENTET

  1. Juela Sulka
    Në këto 2 ditë më ka qëlluar të lexoj më shumë për Jusuf Vrionin, Ramadan Sokolin, Kujtim Spahivoglin dhe është e pamundur të mos shtrëngohet shpirti, është e pamundur të mos rebelohesh për këta gjenij të artit dhe të kulturës shqiptare, të shfrytëzuar, të pavlerësuar… dhe për brezat e rinj fare të panjohur. Kanë lënë një thesar të paçmuar, kanë marrë vlerësime nga bota dhe janë dënuar nga shqiptarët!!!
    I paharruar kujtimi i tyre, puna e tyre dhe shpirti u prehtë në parajsën hyjnore
    (Marrë nga muri i fb. 23 janar 2014)

    • Gjergji Anastasi
      Nuk do kishte qenë maksimali i lumturisë së këtij aktori, kur ka dëgjuar këto fjalë: “Ti do të luash vetëm role negative, sepse portreti yt u ngjan aq shumë fytyrave të armiqve tanë!”
      (Marrë nga muri i fb. 23 janar 2014)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.