back to top
0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kujtime për Profesor Eqrem Çabeun* nga Thanas L. Gjika

Gazeta

Profesor Eqerem Çabej (1908-1980)
Profesor Eqerem Çabej (1908-1980)

Kujtime për Profesor Eqrem Çabeun*

nga Thanas L. Gjika

Nga koha studentore: Ora e fundit e leksioneve

Këto kujtime desha t’i shkruaja e t’i botoja në vitin 2008, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së profesorit, vit i cili u shpall Viti Eqrem Çabej, por atëhere mendova se ata që e kishin njohur më nga afër dhe për kohë më të gjatë mund të shkruanin gjëra me më shumë vlerë dhe më bukur se unë, mirëpo tani vonë, mbas disa komunikimesh me bijën e tij, zonjën Brikena Çabej, e cila nuk u kursye të më ndihmonte me korrigjime e saktësime, i shkrojta këto kujtimet për të si pedagog, si studiues dhe si njeri i madh.
Sivjet më 2016, mbasi i pasurova këto kujtime e gjej me vend edhe t’i ribotoj
Profesor Çabeu në degën Gjuhë Letërsi Shqipe të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë jepte kursin e plotë të leksioneve Historia e Gjuhës Shqipe, vepër origjinale e tij. Këtë lëndë ai e zhvillonte në dy simestra, gjatë simestrit të dytë të kursit të tretë dhe gjatë simestrit të parë të kursit të katërt. Ai ishte pedagogu më mbresëlënës i fakultetit, ndoshta dhe i gjithë Universitetit të Tiranës. Ai ishte nga ato rastet e rralla tw përputhjes tek një person i vetëm gjithë vlerat: pamja  fizike, bukuria shpirtërore, aftësitë profesionale dhe talenti.
Mbas shkërmoqjes së diktaturës, kur shpërtheu shfaqja e pakënaqësive të ndrydhura, profesor Çabeu ishte një nga personalitetet e pakta të kulturës sonë, që nuk u kritikua për asgjë prej askujt, që mbetet një dëshmi e vlerave të tij.
Ai ishte burrë i gjatë e i pashëm, elegant, me një shikim të ëmbël, gjithnjë i natyrshëm, asnjëherë pozant ose kërcënues. Mbante kapelë republikë, kur ecte i vetëm, ecte shpejt me hapa të gjatë, si atlet. Pëshëndetja e tij binte në sy: të shikonte në sy dhe me dorën e djathtë e çonte pak kapelën. Në sallën e leksionit, ose në korridoret e fakultetit nuk e pashë kurrë të parruar dhe asnjëherë nervoz. Gjithnjë i matur në të folur, madje pak i ngadalshëm. Na sillej sikur ishim të barabartë me të. Leksionet i mbante gjithnjë në këmbë tek katedra duke folur, rallë lexonte ndonjë fragment të shkurtër. Kur lexonte vinte syzet. Vënia dhe heqja e syzeve i kishte shumë lezet. Disa fjalë kyçe të leksionit i shkruante në dërrasën e zezë. Fliste me zë jo të lartë, gjë që e shtonte qetësinë në sallë. Ato që shqiptonte ai, ne përpiqeshim t’i përpinim. Në pamjen dhe sjelljen e tij kishte diçka madhështore që të tërhiqte e të bënte për vete. Leksionet e tij, ndonëse trajtonin probleme të vështira, ishin plotësisht të kuptueshme. Në to sundonte analiza logjike dhe argumentimi, nuk përdorte fjalë të huaja, gjithçka ishte e qartë.
Profesori përdorte disa shprehje të vetat, midis të cilave më kanë mbetur në mendje dy. Shprehjen: Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, e përdorte për të miratuar një mendim të kundërshtuar më parë, kurse shprehjen: Këtë, një Zot e di, e përdorte për të treguar dyshim ndaj një mendimi ose hipoteze të pazgjidhur. Këtë shprehjen e dytë, e cila ishte një shprehje popullore shumë e vjetër, e shqiptonte duke ngritur deri te fytyra e tij gishtin tregues të dorës së djathtë. Shprehjen e parë filluan ta përdornin edhe disa pedagogë, studiues e studentë, por shprehjen e dytë nuk guxonte ta thoshte askush tjetër veç tij. Për bindjet e tij fetare ishte e vështirë të krijoje një mendim të qartë. Ai asnjëherë nuk hapi ndonjë bisedë me temë fetare, por botëkuptimi dhe sjellja e tij të brumosura që në rini gjatë jetës në Austri, e kishin ndihmuar të ishte i çliruar prej shumë dobësive që manifestonin shqiptarët e lindur dhe plakur brenda atdheut. Në sjelljen dhe pamjen e tij binin në sy tipare prej një të krishteri të vërtetë, tipare që nuk i gjeje as në të krishterët e përkushtuar.
Ora e fundit e mësimit me të, dhjetor 1965, më ka mbetur në mendje. Atë orë, profesori nuk shpjegoi lëndë nga teksti, por duke na konsideruar kolegë, na dha disa këshilla për jetën tonë të ardhëshme. Për të krijuar afrimitet me ne, atë orë ai foli ulur. Këshillat e asaj ore më kanë lënë mbresë, ndoshta sepse, kujtimi i mjaft prej tyre më bën të ndjehem fajtor. Ndjehem fajtor, sepse në rininë time dhe më vonë nuk i vlerësova sa duhej dhe nuk i zbatova si duhej…
Mbasi u vendos qetësia, profesori filloi me shprehjen: Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëjnë profesionistët e ndryshëm, mund të korrigjohen me disa shpenzime, por gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë.
Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shëmbullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekesh njeriun.
Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur. Mos u merrni me muhabete gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet. Mos përzieni punën me pushimin dhe pushimin me punën. Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura.
Mos jini kategorikë.
Gjithçka shikojeni me sy kritik.
Mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime, kur mendoni ndryshe.
Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta. Gjërat e paqarta nuk mbahen mend.
Mos bëni asnjë punë shkel e shko.
Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj.
Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet.
Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë.
Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja kryesore…

Profesor Eqerem Çabej (1908-1980)
Profesor Eqerem Çabej (1908-1980)

Profesor Çabeu nuk i pëlqente djallëzitë dhe jetonte thjesht

Mbasi mbarova fakultetin, në verë të vitit 1966, u emërova redaktor në Radio Tirana. Në vitet 1967-1969 punova në redaksinë e kulturës dhe përgatisja emisionet Enciklopedia e Radios, Në Botën e Shkencës dhe Teknikës, Universiteti Popullor i Radios, Përkujtim Datash të Shënuara Historike, etj. Midis bashkëpunëtorëve që më ndihmonin për materiale të ndryshme kisha aktivizuar edhe agronom Ilia Mitrushin, specialist i dendroflorës shqiptare. Ai kishte studjuar në Grac të Austrisë dhe disa vjet ai, Eqremi e Lasgush Poradeci, kishin qenë studentë në degë të ndryshme e jetonin në shtëpi pensione të ndryshme.
Një herë ing. Mitrushi (ky nuk e quante veten agronom, por ingjinier) e solli materialin në fund të orarit zyrtar dhe iu luta të shkonim bashkë. Po ecnim drejt lumit Lana. Ilia më tregoi se prof. Norbert Jokli, albanologu më i shquar i kohës, i ftonte këta tre studentë shqiptarë një herë në dy javë të djelave për vizitë në shtëpi të tij. Aty ai hapte diskutime për probleme të gjuhës shqipe. Eqremi ndonjëherë mungonte. Unë me Lazgushin, shtoi Ilia, mendonim se Eqremi mungonte sepse si student i rregullt i Joklit i kishte dëgjuar ato diskutime në leksione. Mirëpo Jokli një të djelë tha:
-Çabeu është i ri, për të ka më shumë rëndësi një shëtitje me një vajzë të bukur sesa diskutimet e mia që i ka dëgjuar në auditor.
Ing. Mitrushi desh të më tregonte me këtë thënie të prof. Joklit, se Eqremi i ri kishte qenë dhe qejfli femrash. Unë kisha idenë se prof. Çabeu kishte qenë gjithnjë si tani, njeri i përkorë dhe i përkushtuar pas studimeve. Për ta ngacmuar z. Mirtushi thashë:
-Profesor Eqremi më duket pak naiv dhe njeri i padjallëzuar.
-Eqremi dhe ne të tjerët që kemi studiuar në Austri dukemi naivë, por nuk jemi të tillë. Ne i kuptojmë fare mirë djallëzitë e të tjerëve, por nuk bëjmë vetë djallëzira. Ne u rrijmë larg djallëzive, sepse e kemi të qartë ku të shpien ato…
Kjo përgjigje ma qartësoi më tepër karakterin e profesorit dhe ma shtoi dashurinë e respektin për të. Një gjë e ngjashme më ndodhi edhe në një nga takimet me z. Nush Shllaku, i cili kishte qenë nxënës i gjimnazit të Shkodrës rreth vitit 1935. Padër Gjergj Fishta i ftuar prej pedagogut Eqrem në një nga orët e mësimit të letërsisë shqiptare u kishte thënë nxënësve: “Eqrem Çabeu ka le me u ba klerik, por i asht kushtue shkencës!”

Profesor Selman Riza dhe Poeti Lasgush Poradeci
Profesor Selman Riza dhe Poeti Lasgush Poradeci

Për të përgatitur emisionet e Radios, përveç bashkëpunëtorëve shfrytëzoja dhe dy tre revista të huaja që vinin në bibliotekën e atij institucioni. Një ditë shtatori të vitit 1969, duke shfletuar revistën franceze Science et Vie (Shkenca dhe Jeta), pashë brenda saj një disk me inçizime. Mësova se në Francë kishte filluar krijimi i enciklopedive zanore, me inçizime të personaliteteve të artit, shkencës, kulturës, politikës, etj. Më shkoi mendja se mund ta filloja dhe unë një punë të tillë sado modeste me disa njerëz të shquar të botës shqiptare. Disa ishin inçizuar prej kolegëve të mij, ose prej meje në emisione të ndryshme, por shiritat nuk i ruanim. I sugjerova shefit të redaksisë, z. Ruzhdi Pulaha që t’i ruanim disa disqe me inçizime me këtë synim, por ai më tha se shiritat ishin mall importi dhe sot për sot ruhen vetëm inçizimet e fjalimeve të udhëheqësve kryesorë të partisë. Në Shqipëri nuk ka filluar hartimi i enciklopedisë së shkruar me fjalë, një enciklopedie zanore kushedi kur i vjen radha…
Atëhere mendova të bëja diçka vetë, së pari me profesorin më të dashur, prof. Çabeun. E takova dhe i thashë se doja të inçizoja një leksion përmbledhës të tij, me synimin që ta ruante ai e familja për kohën kur mund të krijohej një enciklopedi zanore. Ai më tha se i kishte të inçizuar disa leksione të Historisë së Gjuhës Shqipe. Më ftoi për t’i dëgjuar dhe pastaj të vendosnim ç’duhej bërë. Si vendtakim ai la shtëpinë e tij, mbi Unazë, në lagjen Varri i Bamit.
Aty, gjatë tetor-nëntorit ‘69, të djelave njoha familjen e profesorit. Zonja Shyhret, nikoqirja e shtëpisë, në minutat e para të pritjes vinte rrotull me lëvizje të shpejta, na qiraste rregullisht me ëmbëlsira të bëra vetë e ndonjë shurup frutash, pastaj ulej për të dëgjuar dhe ajo. Ishte elegante dhe shumë e kujdesëshme. Ishte një dibrane e vërtetë, shtëpinë e mbante shumë pastër, në biseda ishte e shpejtë, hazër xhevap si i thonë fjalës; gjykimet i formulonte shpejt e saktë. Kuzhina dhe dhoma e pritjes ku pata rast te rrija, ishin mobiluar thjesht, me disa kolltuqe, divane e karrike të bëra dikur nga marangozët privatë, që ndryshonin prej mobiljeve uniforme që prodhonte Kombinati “Misto Mame”, të cilat i gjeje në apartamentet tona.
Djali, Artani 16 vjeçar, i gjatë, i ngjante nga pamja babait. Kishte qejf të konsultonte herë pas here fjalorin francez Petit Larousse. Ndjehej se kishte lexuar shumë për moshën e tij. Mori pjesë vetëm në dëgjimin e leksionit të parë, herët e tjera, pas përshëndetjeve, shkonte te dhoma e vet, ku lexonte e studionte.
Vajza, Brikena 12 vjeçe, ngjante nga të dy prindërit. Ishte elegante dhe e shkathët si mamaja, por vështrimin e kishte të qetë si të babait. Ajo kishte qejf të lexonte në dhomën e vet, ose të luante jashtë me shoqet. Nuk erdhi kurrë për të dëgjuar leksionet.
Pata rast të njihja dhe tre nga nipat e profesorit, Tanushin, Hysenin dhe Fatosin, djem të gjatë, seriozë dhe të pashëm, nuk ngjanin midis tyre. Hyseni kishte diçka të ngjashme me profesorin në qëndrim dhe buzëqeshje. Ata erdhën herë njëri herë tjetri, herë dy bashkë. Një të djelë rastisi të vinte për vizitë në atë orë dhe mjeku Flamur Topi, i cili ishte mik i familjes. Unë e njihja, sepse ai ishte gazetar i jashtëm i Radio Tiranës.
Për disa të djela me radhë dëgjuam nga një leksion, një orë e gjysëm. Prej z-njës Shyhret mësova se ditët e djela profesori i shfrytëzonte zakonisht për të shkruar letra, për të bërë ndonjë vizitë a shëtitje. Ai mbante korrespondencë të rregullt me shumë studiues e miq austriakë, gjermanë, francezë, rumunë, italianë, etj. Nuk dij a i shkruante letrat duke përdorur letër kopiativ për të ruajtur një kopje për vete, apo jo. Mësova gjithashtu se profesori pëlqente të lexonte shpesh herë duke qëndruar në shtrat gjysëm shtrirë e duke vendosur librin në një copë kartoni, të cilën e mbante me dorën e majtë mbështetur mbi gjoks. Kurse për të shkruar, më shpesh ai ulej te tavolina e punës.
Shyhreti e qortoi veten se tani që kishin ardhur në këtë apartament larg pazarit nuk gjente kohë për të shkuar shpesh në pazar për të blerë peshk të freskët, ushqimin e nevojshëm për bashkëshortin e saj.
Të djelën e parë të dhjetorit ’69, dëgjuam leksionin e fundit. U thashë se inçizimet kishin cilësi të mirë dhe duheshin ruajtur me kujdes. Prej tyre mund të riprodhohej një material më i shkurtër, duke e hedhur në një bobinë të re, etj.
Para se të ngrihesha për të ikur, profesori tha se kishte dëgjuar që zyra e kuadrit të Universitetit po kërkonte të merrte disa kuadro të rinj, midis të cilëve ishte përmendur dhe emri im, që mund të transferohesha nga Radio Tirana në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë (në atë kohë Instituti varej nga Universiteti). Pastaj më pyeti nëse kisha kërkuar unë që të transferohesha, apo drejtoria e Institutit po më kërkonte me që kisha mbaruar fakultetin me nota të larta. I thashë se puna në Radio ishte shumë robotike, aspak shpirtërore dhe nuk më pëlqente. Unë kisha kërkuar disa herë të vija me punë në institut, sepse më pëlqente të merresha me studimin e jetës dhe krijimtarisë letrare e gazetareske të rilindasve tanë.
-Gëzohem, po të jetë se ke kërkuar vetë të vish aty. Nuk ka më mirë sesa ta zgjedhësh punën vetë. Kur ta zgjedhin punën të tjerët, shpesh herë bëhen gabime, – tha ai dhe vijoi – Unë fëmijët e mij i nxis të mësojnë, të lexojnë dhe të luajnë me shokët, por nuk iu imponoj asnjë lloj drejtimi, atë duhet ta gjejnë vetë…

Thanas L. Gjika
Nxenesi i Cabejt – Thanas L. Gjika

Gjatë viteve kur punova në Institut: prof. Çabeun e admironim të gjithë

Në janar të vitit 1970, u realizua transferimi im nga Radio Tirana në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë. Në Radio punën e fillova me qejf, por shumë shpejt e ndjeva se nuk ishte e ardhmja ime në atë punë. Mezi i shtyva tre vjet e gjysëm. Natyrisht përfitimi ishte i madh, u njoha nga afër me gazetarë të aftë e të talentuar, si Fuat Bozgo, Ruzhdi Pulaha, Kiço Blushi, Nasi Lera, me spiker të talentuar si Haki Bejleri, Kiço Fotiadhi, Vera Zhei, Meropi Xhai, Luiza Papavangjeli, etj. Aty mësova proceset e inçizimit e të daktilografimit; u njoha me intelektualë të formuar jashtë shtetit që punonin si përkthyes ose spiker, si Viktor Kraja, Abaz Xhomo, etj. Puna e atjeshme ma shkundi ngathtësinë…
Profesor Çabeu, për të më uruar mirë se erdhe në Institut, më ftoi një ditë për kafe. Shkuam bashkë tek një ëmbëltore në rrugën e Kavajës karshi kishës katolike, të cilën në atë kohë e kishin transformuar në pallat sporti dhe nga jashtë i kishin bërë disa maskime që të kujtonte ata kamjonët që parakalonin për festën e 1 Majit veshur me kompesato e beze. Eqremi mori një tas të vogël me hashure, unë një kafe, të dyja kushtonin nga 7 lekë të asaj kohe. Më sqaroi se hashurja i kujtonte fëmijërinë, familjen e Gjirokastrës. Pastaj më uroi për punën e re:
-Bëre mirë që kërkove të vish në Institut, këtu është vendi më i mirë për të vijuar formimin tënd shkencor. Ti je tani në moshën më të mirë për të mësuar gjuhë të huaja…
Unë i thashë se ndoshta do të ishte më mirë të kisha ardhur menjëherë nga bangat e shkollës, tani jam gati 26 vjeç dhe më duket se jam vonë për të mësuar gjuhët e huaja, të cilat i dij jo mirë.
-Jo, – ma preu ai, – ti ke ardhur në moshën më të mirë. Vitet e punës në Radio Tirana të bënë mirë, ke njohje më të gjerë për jetën, ke tjetër horizont. Kujtesën e ke akoma të freskët, pastaj tani je më i pjekur. Pjekuria të bën më të ndërgjegjshëm dhe ta shton vullnetin për studim.
Unë, pas pak, për t’u treguar i zgjuar, formulova një ankesë ndaj mbreti Zog, i cili duhej të kishte bërë më shumë për ekonominë, arsimin dhe shkencën.
-Mbreti Zog nuk duhet fajësuar shumë, – tha profesori, – në atë kohë ishte zor të bëhej më tepër. Ai u përpoq t’ia kthente fytyrën Shqipërisë nga Europa, por shqiptarët nuk ishin të gatshëm. Mbaj mend se mbreti kishte dhënë urdhër që të punësoheshin vajzat dhe gratë. Mirëpo në tërë Tiranën mezi pranoi një grua, a vajzë e moshuar, që të punësohej tek zyra e postës. Kur u ktheva nga Shkodra në Tiranë, pashë se shumica e meshkujve bënin xhiro duke kaluar nga ajo rrugë për ta parë atë femër tek dritarja e punës. Për ta ishte diçka dëfryse, ose e çuditshme.
Dihet se pasanikët i kishin qypat plot me florinj, por asnjëri prej tyre nuk bëri ndonjë investim në bujqësi ose në industri. Çdo gjë do kohën e vet…
Herën tjetër e ftova unë profesorin për kafe. Gjatë atyre minutave u hap biseda për punën e tij lidhur me etimologjinë e fjalëve të shqipes. U çudita kur tha se edhe gjuhëtarë të tjerë mund të merren me studime të tilla, mjafton pasioni dhe këmbëngulja. Tha se atë e bëri etimolog më tepër se shkolla, puna e vazhdueshme e me pasion. Pastaj shtoi:
-Shumë shpjegime të mia për origjinën e fjalëve mund dhe duhet të diskutohen, studimet etimologjike në fushë të shqipes duhet të pasurohen edhe nga të tjerë…
Në sjelljet, veprimet, bisedat e tij binte në sy karakteri burrnor. Ndryshe nga ne të tjerët, profesor Çabeu në biseda e shkrime nuk i përmendte emrat parti dhe Enver. Koha kur u shfaq edhe më dukshëm karakteri i tij i fortë ishte koha mbas vdekjes së djalit të tij. Vdekje tepër tronditëse, por që ai nuk e lëshoi veten, ruajti po atë temperament, po atë dashuri për punën, po atë sjellje me njerëzit.
Mirëpo fakti që ne, ish studentët e tij ndjenim për të një admirim të hapur, nuk durohej prej drejtorisë dhe instancave partiake. Në vitin 1973-74, kur udhëheqja e partisë rimori luftën kundër shfaqjeve të huaja, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë u organizua një mbledhje, për të luftuar shfaqje të tilla. Në fakt, punonjësit e Institutit ishin njerëz të thjeshtë, pa pretendime, shikonin punën, mirëpo dhe midis tyre duheshin gjetur ndikimet e huaja, dhe organizata bazë e partisë, sipas orientimeve, i kishte gjetur. U kritikua së pari zonjusha Beatriçe Keta për mbajtje të fundeve të shkurta deri tek gjuri. Beatriçja ishte vajzë e gjatë e pamartuar, fundet deri tek gjunjët i shkonin për bukuri. Të gjithë e pëlqenim atë pikërisht për ato fundet që i sajonte vetë me gusto, por ja që duhej kritikuar. Kritika vijoi, jo më kundër ndonjë punonjësi, po me sulm ndaj fëmijës së vetme të profesor Çabeut. U kritikua vajza e tij, atëhere 16-17 vjeçe, se mbante minifunde.
Për herë të parë e pashë profesorin të reagonte i revoltëuar e nervoz. U ngrit me furi dhe tha me zë të lartë:
-Këto janë shpifje, ime bijë hodhi shtat shpejt këto dy vjet dhe fundet e fustanet i rrijnë tek gjuri, këtë nuk e bën për ndjekje mode.
Nja tre vjet më vonë, kur Brikena, vajza e tij, tashmë studente, shkoi në aksion ku i mblodhi gjuri ujë, në fakultet i varën një fletë-rrufe, ku e kritikonin se mbante flokët e gjata, si ndikim i modës perëndimore…
Për të tilla sulme ndaj vajzës, fëmijës së vetme, që i bëheshin profesorit, ne na vinte turp, por nuk guxonim të flisnim. Kuptohej se të tilla sulme synonin që të na e shkulnin atë nga zemrat tona.
Për turpin e politikës së partisë, Eqrem Çabeu nuk u sulmua vetëm si person e si familje, por edhe në plan shkencor. Kështu, në fund të viteve ’50-të Eqremi mbaroi transkiptimin dhe transliterimin shkencor të veprës monumentale Meshari të Don Gjon Buzukut. Kjo vepër e tij mban datë botimi vitin 1962, sepse u dërgua atë vit në Rumani për botim, por në fakt ajo erdhi në Shqipëri e botuar pas disa vjetësh, pikërisht kur kishte filluar lufta kundër fesë. Ballkanologët rumunë u shprehën me superlativa. Për t’i treguar botës së huaj se partia e vlerësonte shkencën, kësaj vepre iu dha Çmimi i Republikës i klasit të parë, por ajo nuk u nxorr kurrë në shitje. Preteksti ishte se kjo vepër mund të përdorej si vepër liturgjike nga besimtarët e krishterë…
Vepra së cilës Eqrem Çabeu i kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe me të cilën dëshmoi aftësitë e ralla, formimin e lartë si komparativist dhe talentin e vet, është puna për shpjegimin e origjinës së fjalëve të shqipes. Mbas botimit të shumë artikujve me karakter etimologjik në revistën shkencore Studime Filologjike, ai ndërmori ripunimin, zgjerimin dhe përgatitjen për botim të veprës madhore Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes në disa vëllime. Në vitin 1975 dorëzoi për botim dy vëllimet e para, prej të cilëve, më 1976 u botua vetëm vëllimi i dytë. Vëllimi i parë nuk u lejua të botohej me preteksin se autori përmendëte aty me respekt Faik Konicën dhe Mustafa Merlika Krujën, si eruditë shqiptarë që kishin dhënë ndihmesë në fushën e etiomologjisë së gjuhës shqipe. Ky fakt u quajt gabim ideologjik, mbivlerësim i dy figurave reaksionare, por profesori nuk pranoi t’i hiqte emrat e tyre dhe vlerësimet për ta. Kështu vëllimi i parë u pezullua dhe u botua vetëm mbas vdekjes së tij, kur nxënësit e tij ia redaktuan (hoqën) ato fjalë e shprehje. Vëllimet e tjera, ndonëse ishin pothuaj gati, u botuan pak nga pak por jo të gjitha deri më1990 e më vonë…
Ata që donin ta përulnin Himalajën e shkencave albanologjike, përpiqeshin si e si të mos ia botonin veprat, sidomos kryeveprën, ose kur detyroheshin t’ia botonin, të mos ia nxjirrnin në qarkullim.
Profesor Çabeun, sa qe gjallë, e respektuan dhe e gëzuan si e meritonte intelektualët dhe zyrtarët shqiptarë të Kosovës, sidomos punonjësit shkencorë të Institutit Albanologjik të Prishtinës. Shtëpia botuese Rilindja botoi një përmbledhje të veprës së tij në gjashtë vëllime, botim lluksoz, me format të madh, lidhur me kapakë të fortë ngjyrë çokollatë. Punonjësit shkencorë të Institutit Albanologjik, pedagogët e Fakultetit Filozofik dhe studentët e Kosovës me pritjet shumë të përzemërta plot respekt, që i bënin prof. Çabeut gjatë vajtjeve të tij për leksione në Prishtinë, i krijuan atij emocione dhe gëzime të mëdha, të cilat na i tregonte me një ngazëllim të përmbajtur.
Në vitin 1975, mua më komunikuan qarkullimin, meqënëse kisha qenë martuar me vajzën e zv. ministrit të tregëtisë, Vasil Katit, i cili u arrestua atë vit me grupin e shpallur armiq në ekonomi. Unë, si shumica e atyre që u ndodhi kjo fatkeqësi, u ndava nga bashkëshortja, por ky veprim i imi nuk i kënaqi anëtarët e partisë së Institutit. Ata vendosën të më qarkullonin. Shokët filluan të më rrinin pak ftohtë…
Një ditë, mbas punës, kur po ecja vetëm në Rrugën e Kavajës drejt qendrës, m’u afrua profesor Çabeu dhe e bëmë rrugën bashkë. Zakonisht ai punonte nga ora 8:00 deri 13:00, atë ditë ndoshta kishte pasur ndonjë mbledhje që po shkonte në shtëpi me vonesë. Duke ecur e pyeta pse nuk e merrte autobuzin e Unazës për të mos u lodhur.
-Më pëlqen të eci në këmbë, e konsideroj si fiskulturë. Pastaj kam mendimin se ne që na bie rruga të kalojmë nga Qendra e Tiranës, kemi një favor, njihemi të parët me ndryshimet që mund të ndodhin në qendër. Këtë favor nuk e kanë ata që kalojnë rrugëve anësore.
Për të më dhënë kurajë, hapi bisedën rreth qarkullimit. U çudita kur tha pa drojtje:
-Qarkullimi, për kuadrot e rinj është i dëmshëm, sepse i shkëput nga proçesi i kualifikimit. Qarkullimi për ty është çkualifikim.
Ndoshta këtë mendim ai e kishte thënë edhe gjetkë… Im vëlla, kur dëgjoi prej meje mendimin e profesor Çabeut, mori kurajë dhe shkoi e u ankua tek një punonjës i Komitetit të Partisë së Tiranës, z. Bujar Kolaneci, i cili kishte punuar më parë në Kinostudio si ekonomist filmi. Ky duket se ndërhyri dhe organizata bazë e partisë së Institutit nuk nguli këmbë për të realizuar qarkullimin tim. Mbasi disa rrethe u përgjigjën se nuk kishin vende pune, qarkullimi im u la në qetësi. Pra profesori me idenë e çkualifikimit dhe Bujar Kolaneci me ndërhyrjen e tij, më shpëtuan nga qarkullimi, se kushedi si do më kishte shkuar filli.
Figura e profesor Çabeut ishte shumë autoritare. Me personalitetin e tij, pa qenë kurrë shef, pa pasur asnjë pushtet administrativ, ai ndikonte tek punonjësit më tepër se drejtori, sekretari i partisë dhe shefat e sektorëve. Mbi të gjitha ai na bënte për vete me praninë e tij, me sjelljen korekte, me kulturën profesionale dhe thellësinë e analizave shkencore. Ai rezatonte kulturë në çdo lëvizje, në çdo fjalë. Rezatimi i kësaj kulture ndjehej tek të gjithë punonjësit e Institutit, madje nuk e teproj të them se kultura e autoriteti i tij ndikonin edhe tek komunistët e sigurimsat. Nuk ishte e rastit që valët e qarkullimit në vitet 1967-68 dhe 1973-74 në Institutin tonë u kaluan më lehtë se në institutet e tjera shkencore. Sejcili prej punonjësve përpiqej të ishte sado pak më zotni, sado pak më Eqrem. Kjo përpjekje deri diku i kishte fisnikëruar ata. Në atë institut, mendoj se jo rastësisht, nuk realizohej plani i arrestimeve, asnjë punonjës i tij nuk u arrestua gjatë mëse 30 vjetëve…
Në lagjen Ali Demi, mjaft afër me pallatin ku banoja unë, ishte dhe shtëpia e poetit Lazgush Poradeci. Shkoja tek ai bashkë me Julian, gruan time poete. Një ditë Lazgushi, duke qeshur, tha:
-Unë jap karakterizime shumë të shkurtra për njerëzit. Ja dëgjoni si e karakterizoj Skënder Luarasin: Shumë patriot, shumë demokrat, shumë nevrik.
Të lumtë se e paske qëlluar, i thashë, po për profesor Eqremin a mund të japësh ndonjë karakterizim?
-Pa tjetër, – tha Lazgushi dhe duke u drejtuar sikur do të recitonte, deklaroi: – Njeri shumë zotni, shkencëtar shumë i zoti. E duartrokitëm ne dhe vajza e tij, Maria, që ndodhej aty.

Meshari i Gjon Buzukut
Meshari i Gjon Buzukut

Profesor Çabeu e jepte opinion e tij për dikë me heshtje ose me fjalë jo fyese.

Në mbledhjet e sektorit dhe në mbledhjet e Këshillit Shkencor të Institutit, sa herë bëheshin diskutim artikujsh ose veprash të punonjësve shkencorë, binte në sy ndryshimi midis diskutimeve të profesor Çabeut dhe profesorëve të formuar në shkollën sovjetike, ose në atë të vendit që ishte një shkollë në formim e sipër. Profesori, së pari përpiqej të vinte në dukje vlerat e punimit dhe vështirësitë që kishte kaluar studiuesi, pastaj ndalej për të vënë në dukje dhe dobësi e mangësi dhe tregonte dhe ndonjë rrugë për kapërcimin e tyre. Raporti midis pjesës vlerësuese dhe asaj kritike ishte gati në proporcion të barabartë. Kurse profesorët dhe shefat e sektorëve që ishin formuar në shkollën sovjetike ose që po formoheshin gjatë punës në Institut, shquheshin për vëmendjen e madhe që i kushtonin diskutimit të dobësive dhe përmendnin me një a dy fjali vlerat e punimeve shkencore të kolegëve. Kjo frymë diskutimi duke i dhënë rëndësi të dorës së parë kritikave, mendoj se ishte krijuar nën presionin e ideologjisë sunduese të luftës së klasave, ose ndoshta fshehte egoizmin e diskutantëve dhe dëshirën për të treguar se ata ishin shumë të aftë…
Kultura europiane sipërore manifestohej tek profesori në çdo veprim e bisedë. Ai nuk merrej kurrë me thashetheme dhe nuk komentonte punën ose karakterin e dikujt në mungesë të tij. Nervozizmi, hakmarrja, mosmirënjohja, ishin të huaja për të.
Në ato vite drejtor i institutit ishte profesor Androkli Kostallari, studiues i formuar në shkollës ruse. Në moshë të re kishte qenë partizan, mbas L2B u dërgua për studime në Moskë, ku përvetësoi arritjet e shkencës gjuhësore sovjetike. Mbas kthimit në atdhe udhëheqja e partisë e emëroi drejtor të Institutit të Historisë e të Gjuhësisë. Këtu mori dhe detyrën e shefit të sektorit të leksikologjisë, atë të kryeredaktorit të revistës Studime Filologjike dhe të kryetarit të Këshillit Shkencor të institutit. Ky studjues shquhej për ambiciet shkencore, për formim solid në fushën e leksikologjisë, aftësi organizative, etj, por si karakter njerëzor linte për të dëshiruar… Gjatë bisedave tona private me të, ndjeheshim shpesh herë ngushtë, por si frikamanë që ishim, nuk e kundërshtonim për pasionin me të cilin ai shprehte kritikat e tij ndaj kolegëve, sidomos ndaj profesorëve Çabej e Domi, në mungesë të tyre. Kurse gjatë bisedave tona private me këta dy profesorë ne ndjeheshim shumë komodë, sepse nuk dëgjuam kurrë pakënaqësi e kritika personale ndaj Androkli Kostallarit, apo dikujt tjetër.
Drejtori, sa herë hynte në institut, hynte me zhurmë duke u mëshuar takave të këpucëve të cilat i kishte të veshura me pafta hekuri. Donte patjetër të tërhiqte vëmendjen e atyre që ndodheshin në korrdor, salutonte me zë të lartë dhe për t’u treguar masovik ndalonte e takohej me ata që gjente aty. Kurse profesor Eqremi hynte në institut pa zhurmë me ecjen e tij të zakonshme, salutonte duke ngritur kapelën dhe mund të ndalej vetëm po të kishte ndonjë porosi për dikë që ndodhej në korridor.
Kur u kthye profesor Dhimitër Shuteriqi prej Italie, ku kishte bërë një ekspeditë kërkimore nëpër fshatrat arbëreshe, mbajti në Lidhje të Shkrimtarëve dhe Artistëve një takim ku tregoi për rezultatet e kësaj ekspedite. Midis tjerash ai tregoi se kishte gjetur, pra se i kishin dhënë për të dorëzuar në Arkivin e Shtetit, mjaft dorëshkrime poezish dhe veprash të poetëve arbëreshë. Profesor Shuteriqi e mbylli bisedën duke thënë:
-E shikoni këtë çibuk, dhe tregoi çibukun me të cilin pinte vetë duhan, ky është çibuku i Jeronim De Radës, ma dhanë bashkë me penën e poetit, të cilën e dorëzova në Arkivin e Shtetit bashkë me dorëshkrimet…
Ne që e dëgjuam ulëm kokat. Nuk na erdhi mirë që ky personalitet i letërsisë dhe i shkencës shqiptare kishte mbajtur për vete një relike me vlerë muzeale të poetit Jeronim De Rada. Të nesërmen rastisi që të pinim kafe me profesor Çabeun dhe ia treguam rezultatet e ekspeditës kërkimore të Dhimitës Shuteriqit. Po prisnim që dhe ai ta quante Shuteriqin hajdut, si e kishim quajtur ne në bisedat tona. Mirëpo profesori e formuloi mendimin e tij krejt ndryshe, pa asnjë fjalë fyese:
-Nuk është mirë që njeriu të mos dijë ç’është e tija dhe ç’është e shtetit.

Vizitat e fundit: Kujtimet për jetën e profesorit duhen shkruar

Në nëntor të vitit 1979 profesor Çabeu u sëmur rëndë. Sapo ishte kthyer nga Vjena, ku ishte dërguar për të mbajtur leksione, i shoqëruar prej leksikologut Jani Thomai. Apartamenti ku i kishte strehuar ambasada jonë nuk kishte ngrohje. Mushkëritë i kishin mbledhur ujë. Doktorët e përcaktuan sëmundjen: kancer në mushkëri, sëmundje që në atë kohë përparonte shumë shpejt.
U pikëlluam të gjithë kur mësuam se ai nuk e kishte të gjatë. Filluam t’i bënim vizita për t’i dhënë kurajo. Jani Thomai, Minella Totoni, Gjovalin Shkurtaj dhe unë, që jetonim bashkë në një pallat të bërë me punë vullnetare anës lumit Lana, shkuam për vizitë. Profesori rrinte i qetë, nuk ankohej, tregonte ndonjë përshtypje nga Vjena, ndonjë plan për punën e ardhëshme. Ishte periudhë dimri, ndaj ai rrinte në kuzhinë, i vetmi ambjent me ngrohje. Aty na priti z-nja Shyhret sipas zakonit të saj.
Mbas disa ditësh a javësh, profesorin e dërgoi shteti në Romë, ku e operuan. Kur u kthye, shkova për vizitë sërisht, kësaj radhe me Julian, bashkëshorten time. Shyhreti po lante disa tufa me spinaq te çezma, i kishte duart akull të ftohta.
-Doktorët këshilluan që Eqremi të hajë sa më shumë zarzavate, – tha Shyhreti – Atij dhe neve na pëlqejnë zarzavatet, por ti Julia e di sa punë do spinaqi, dhe tregoi duart e skuqura prej ujit te ftohtë.
Kësaj radhe, profesori rrinte dhe më i qetë. Shyhreti e kishte shoqëruar në Romë dhe thoshte se mjekët italianë, me sjelljen e tyre shumë xhentile, me të folurën e qetë me zë të ulët, me ato rrobat e tyre shumë të bardha, i ishin dukur si engjëj.
Unë dhe Julia nuk ngopeshim së pari engjëllin që kishim para syve tanë, të cilin nuk kishim për ta parë më…
Ceremonia e varrimit të tij u zhvillua me një pjesëmarrje njerëzish shumë herë më të madhe se ceremonia e varrimit të djalit të tij. Gjithçka u zhvillua si atëhere me seriozitet, askush nuk qau me zë, lotët rrëshqisnin nëpër faqe, ose gëlltiteshin me ngashërim. Disa njerëz rrinin brenda në apartament, shumë të tjerë tek shkalla e pallatit, akoma më shumë rreth pallatit dhe të tjerë në rrugë. Kortezhi u bë shumë i gjatë, pikëllimi ishte shumë i madh. Ndjehej se Tirana dhe gjithë Shqipëria kishin humbur një personalitet vërtet të madh, që e donte pa ndërhyrjen e organeve të shetit…
Profesor Çabeu u nda nga jeta më 13 gusht 1980, në moshën 72 vjeçare, kur ishte ende shumë i gjallë e me kapacitet të plotë mendor. Ai u largua nga kjo jetë pa e humbur bukurinë fizike e shpirtërore, duke na lënë në kujtesë figurën e një njeriu madhështor dhe ndikues.
Me rastin e dyvjetorit të vdekjes, më 13 gusht 1982, në Institut nuk po ndjehej se do të shkonte kush tek familja e profesorit, si një vit më parë. Atëhere vendosa të shkoja me Palok Dakën, mikun më të mirë të profesorit dhe timin. Paloka kishte punuar me profesorin që nga viti 1949, që kur ishte krijuar Instituti i Shkencave. Ai ruante shumë kujtime për të, madje dhe shumë intimitete. Një herë ky më kishte treguar se Eqremin e kishin arrestuar në vitin 1951, kur u hodh një bombë në oborrin e ambasadës sovjetike në Tiranë, por e liruan pas dy javësh. Grupi i të arrestuarve kishte qenë 200 vetë. Qëllimi ishte që t’i pushkatonin të gjithë si “armiq të pushtetit”, por pas kundërshtimit që kishin bërë Ministri i Drejtësisë Manol Konomi dhe Presidenti Omer Nishani, për të mos i pushkatim pa gjyq, pushkatuan vetëm 22 vetë, midis tyre dhe Sabiha Kasimatin, një intelektuale e shquar. Disa net me radhë Eqremi, mbas lirimit, kishte fjetur në divan me pantallona e bluzë për të qenë gati po të vinin për ta riarestuar. Ai kishte bërë biseda të ndryshme kundër regjimit komunist me kolegen Sabiha Kasimati dhe ndoshta ajo mund të kishte treguar diçka nga ato biseda…
Po Paloka, më kishte treguar se si e kishin sulmuar profesorin në vitet e mbrapta 1967-1968. Në mbledhjen e organizuar në institut për të dënuar shfaqjet e huaja, në prani të Manush Myftiut, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Fadil Paçramit, sekretar i parë i K.P. të Tiranës, drejtori i institutit, Androkli Kostallari e sulmoi profesor Çabeun. E quajti kuadër që i nënshtrohej shkencës borgjeze. Si argument ai përmendi se profesor Çabeu në studimet e tij nuk citonte rezultatet e arritura të shkencës shqiptare që po zhvillohej nën kujdesin e partisë pas çlirimit; dhe se me rastin e vdekjes së albanologut gjerman Maksimilian Lamberc, ai kishte shprehur në shkrimin nekrologjik vetëm lavdërime, kur dihej se ky studjues borgjez kishte përkthyer në gjermanisht poemën Lahuta e Malsisë të poetit reaksionar Gjergj Fishta.
Profesori e kishte mbrojtur veten me pak fjalë:
-Për citimet në veprat e mia shkencore unë ndjek parimin ndërkombëtar, sipas të cilit citohen vetëm veprat e botuara në shtypin e lartë, pra në libra dhe revista shkencore. Unë nuk kam cituar e nuk mund t’i citoj rezultatet e studjuesve tanë që janë botuar nëpër dispenca, sepse artikujt e botuar në to konsiderohen jo përfundimtare, mbasi janë në përpunim e sipër. Botime të tilla nuk i ruan as Biblioteka Kombëtare.
Për studjuesin Maksimilian Lamberc dhashë vlerësime pozitive, sepse në shkrime nekrologjike nuk shprehen kritika e rezerva.
I ndodhur ngushtë Manush Myftiu e mbylli diskutimin duke thënë se partia e ka vlerësuar Lambercin me titull të lartë dhe në nekrologji, vërtet shprehen vetëm vlerat pozitive…
Duke kujtuar të tilla momente gjatë ecjes në këmbë i thashë Palokës se ishte rasti që ai t’i thoshte z-njës Shyhret, se ajo dhe njerëz të tjerë të afërt, të shkruanin kujtimet për profesorin. Kur arritëm në shtëpi nuk gjetëm njerëz të tjerë përveç zonjës së shtëpisë dhe vëllait të profesorit, një burrë që i ngjante atij, por ishte më i shëndoshë dhe më i madh në moshë. Ai jetonte në Lushnjë, ku kishte punuar si mjek.
Paloka e gjeti rastin dhe tha se mbledhja e kujtimeve për jetën e profesor Çabeut është punë me vlerë dhe duhet bërë sa më parë. Z-nja Shyhret nënqeshi, dhe tha: po, po, duke na lënë të kuptonim se dhe ajo e vlerësonte këtë mendim dhe një ditë do të shkruante kujtimet e saj…

Busti i Eqerem Çabej
Busti i Eqerem Çabej

Profesor Çabeu më ndihmoi edhe i vdekur

Kur erdha në Amerikë më 1996, 52-vjeçar kisha gradën Doktor dhe titullin Profesor i Asocuar. Duke mos ditur anglishten u detyrova të punoja pjatalarës, ndihmës kuzhinier, pastrues, roje, punëtor fabrike në turnin e tretë, etj. Shkova në shkollë nate dhe munda të mësoj anglisht në nivelin që mund ta flisja dhe ta shfrytëzoja këtë gjuhë. Atëhere thashë me vete: ky është ai qarkullimi që më mbeti pa bërë në rini. Tani nuk jam më fillestar, ky qarkullim nuk do të më çkualifikojë, prandaj duhet të filloj të merrem dhe me punë shkencore. Dhe fillova nga leximet, studimet dhe grumbullimi i materialit për sqarimin e problemit se a kishte punuar apo jo Shën Pali gjatë udhëtimeve të tij në trojet ilire.
Pas gati tetë vjet pune me përqendrim të lartë arrita të provoja e ta shpija përpara traditën gojore shqiptare e cila thoshte se shën Pali kishte punuar në territore shqiptare (atë kohë ilire). Këtë mendim para meje e kishin formuluar me disa të dhëna, por pa e provuar bindshëm disa historianë, si italiani Daniele Farlati (1817), amerikani Edwin Jacques (1995) dhe shqiptarët Marin Barleti (1520) e Kristo Frashëri (2001). Unë e shpura këtë rezultat më tej, duke provuar se shën Pali jo vetëm kishte punuar për krijimin e kishave të para të krishtere në troje ilire, por dhe kishte shkruar dy letra në Durrës (Dyrrach) dhe një letër në Nikopol të Epirit.
Duke ditur se në mbarë gadishullin Italik deri në shekullin e IV përdorej greqishtja si gjuhë predikimi midis besimtarëve dhe se latinishtja u bë gjuhë fetare, gjuhë e kishës, vetëm mbasi u përkthye Bibla prej Shën Jeronimit në fund të shek IV fillim i shek V, më lindi një mendim. Përhapja e Krishtërimit në qytete ilire prej vetë shën Palit e nxënësve të tij që në shek I e pastaj në shek II-IV duhej të ishte kryer në gjuhën greke, gjuha e predikimeve fetare të atyre shekujve. Pra dhe terminologjia fetare në ilirisht duhej të kishte hyrë fillimisht prej greqishtes duke u përshtatur në gjuhën vendase. Pra duhej që të vërtetoja se disa fjalë nga kjo terminologji, gjuha ilire (shqipja) i kishte marrë, ashtu si latinishtja, drejtpërdrejt nga greqishtja e lashtë që në shekujt I-IV dhe jo nga latinishtja. Ndikimi i latinishtes në këtë fushë duhej të kishte ndodhur mbas shek V.
Mendimin se shqipja i kishte marrë fjalët e terminologjisë fetare prej latinishtes ishte formuluar prej disa studiuesve gjermanë në kohën kur sundonte mendimi se krishtërimin në popullin ilir e kishin sjellë misionarë të ardhur prej kishës së Romës. Këtë mendim e kishte pranuar dhe profesor Çabeu. Me një fjalë më duhej që për origjinën e disa fjalëve kishtare të jepja një shpjegim ndryshe nga ai që kishte dhënë idhulli im. Mendo e stërmendo. Herë pas here sillja në mend fjalët e tij: “Mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime, kur mendoni ndryshe. Shumë shpjegime të mia për origjinën e fjalëve mund dhe duhet të diskutohen, studimet etimologjike në fushë të shqipes duhet të pasurohen…”
Shkova në Shqipëri dy herë, bleva gjashtë vëllime të fjalorit etimologjik të Çabeut dhe lexova e rilexova vëllimin e parë (hyrja teorike) mbajta shënime, lexova me kujdes shpjegimet për shumë fjalë. Lexo e vra mendjen, kujto profesorin e prapë lexo, prapë vra mendjen dhe më në fund dhashë shpjegimet e mia se disa fjalë si apostull-i, ungjill-i, engjëll-i, kish-ë-a, etj disa fjalë e terma të tjera të Krishtërimit, të cilat latinishtja i kishte marrë vetë prej greqishtes, edhe ilirishtja (nëna e shqipes) i kishte marrë drejtpërdrejt prej greqishtes dhe jo prej latinishtes.
Më 2007 e botova librin tim Kur dhe Ku u Shkrua Dhiata e Re dhe shkova në Tiranë ku organizova promovimin e tij në Muzeu Kombëtar. Aty kisha trajtuar dhe këtë problem. Mirëpo punonjësit e Institutit, pikërisht ata që merreshin me studime gjuhësore, vlerësuan aspekte të ndryshme të veprës, por u stepën, nguruan të jepnin gjykime për nënkapitullin ku jepja sqarimet e mia etimologjike për këto fjalë. Dukej se ata vuanin nga mendimi se brezi ynë ishte i papërgatitur për të dhënë ndihmesë në fushën e etimologjisë. Ata e kishin kthyer Çabeun në një tabu, gjë që ai vetë nuk e kishte dashur, madje e kishte luftuar.
Me këshillat e punën e tij, profesor Çabeu më ndihmoi edhe mbas vdekjes, këtu në Amerikën e largët, duke më dhënë kurajon e nevojshme për të punuar edhe në fushën e tij, aq të vështirë…
Tani vonë mësova se profesor Kolec Topalli ka hartuar e botuar një fjalor etimologjik të shqipes në tre vëllime. E përgëzoj z. Topalli se po ecën në rrugën e porositur prej vetë mësuesit tonë profesor Çabeut.

(*Ky shkrim u ripunua e plotësuan në shkurt 2016, me rastin e arrestimit te profesor Eqerem Çabeut).

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.