Kujtimet e nji Mësuesi –
nga Kel Vila (1894-1963) (pjesa III)
Udhëtimi për në Berat
Kah fundi i Dhetorit, po të vjetit në vazhdim, tue kenë se nuk kishte komunikacione të rregullat, na u desht udhëtue me qerraxhi shka edhe u ba.
Z.z. Salih Gjuka, Kostaq Kota dhe unë xamë ka nji kalë, ku ngarkuem valixhet dhe hypëm në ta për udhëtim kah Berati.
Rruga ishte me pengesa të mëdha, por panorama e bukur, ujnat e qetë, fushat e gjana e malet e pyllëzuem. Rrugën e bame ma të shumtën në kambë, tue bisedue me njeni tjetrin, por të lodhmen ma tmadhe na e dha mali i “Sinajt” afër Kurveleshit. E megjithë edhe kjo rruga u ba dhe na mbrritëm në Berat.
Në Berat hymë aty afër mbramjes. Ky qytet i vjetër, në mjes të cilit udhëtonte Osumi dhe mbi të ishte kështjella si të ishte nji kunorë e qytetit.
Panorama e qytetit ishte e bukur, me Tomorrin përbri që e bën kët qytet të krahasohet me qytetet e Shvicrës. Mali thirrej prej qytetarëve Baba Tomorri.
Të nesërmen dalim në qytet dhe shofim se ky dahej në katër lagje. Vakuf, Gorricë, Mangalem e Kala (Murat Çelepias). Prefektuar dhe Bashkia n’atë kohë ishin në lagjen “Vakuf”
Shpijat ishin primitive. Bujtinat, edhe ato ishin po në të njajtin stil dhe quheshin hane. Na kishim zanë vend në Hanin e Backos. Shpijat ishin të gjitha të lyeme me të bardhë e ngjyrë të qiellit, ashtu siç paraqitej “Flamuri Grek”. Gjuha shqipe flitej mirë, por fjalët kalimera e kalispera nuk hiqeshin prej gojës së popullit, mbasi aty kishte luejtë nji propagandë të madhe greku me shkollat qi kishte çilë në kohën e sundimit turk.
Arsimi i parë në Berat
Arsimi i parë në gjuhën amtare në Berat u prit prej nji shumice të madhe të popullit të qytetit me nji kënaqësi të posaçme. Vetëm prej nji pakicës së vogël grekofonësh u kqyrte me nji sy të pa kandshëm.
Z. Salih Gjuka, qi ishte Drejtor i Arsimit, pa vonesë e pa bjerrë kohë, mbledh të gjithë arsimtarët qi ishin në qytet e qi dojshin me u shkrue, me mësue e me përhapë gjuhën shqipe, i emnoi si mësues dhe me 15 Kallnduer 1913, hapën shkollat qi vijuan në gjuhën shqipe.
Në lagjen Murat Çelepias, hapet nji Shkollë Normale me në krye si Drejtuer Abdyl Leskovikun, Profesor Qemal Përmetin etje. Po në kët ndërtesë hapet edhe nji shkollë fillore tre klasëshe me në krye si Drejtuer Dudë Karbunarën, patriot i vjetër, me moshë kund 70 vjeçare dhe mësues unë, Qerim Fuga (Vrioni) etje. Po ashtu hapet edhe nji shkollë fillore në lagjen Vakuf, e pa vonesë hapen edhe do shkolla të tjera ndër rrethet e Beratit.
Qindrimi i jem në Berat
Berati si qytet i vjetër, ishte prej natyret i kandshëm, e popullsija e tij përbahej prej besimit mysliman dhe orthodoks. Qytetarët ishin ma të shumtë me një jetë primitive. Këta merreshin ma të shumtët me tregtina të vogla dhe nji pjesë me bulqsi. Jeta shoqnore për këta ishte e pakët, pse ky vend nuk kishte pasë komunikacion me qytetet e tjera në kohën e robnisë turke… Na, si të huej për ta, ishim të shtrënguem me qindrue në Bujtinën e Backës. Jeta jonë për tre muejt e parë kje vetëm me punë, ku me fletue, me ba e me përpilue programet e mësimit, me mësimet e ditës dhe të javës. Kështu na kaluen tre muejt e parë.
Njitë mbas kësaj kohe ndihet se Qeverija Shqiptare, qi kishte qendrën e vet në Durrës, po përgatitej me pru si udhëheqës të saj Princin Wid në Shqipni.
Princi nuk vonoi, dhe me 7 mars 1913, zbriti në Durrës. Gëzimin që na ndiem ndër zemrat t’ona kje i papërshkrueshëm dhe për tri ditë pushoi ç’do ent dhe zyrë punën e vet. Në qytet nuk ndihej gja tjetër po vetëm kangë e valle të panjehuna.
Në kët kohë u ba dhe pritja e Oficerave Holandezë, qi ishin dhe si Organizatorët e gjendarmërisë shqiptare.
Po në të njajtën kohë në Rrethkomandën e Beratit ishte si Komandant N/toger Xhemal Aranitasi. Kështuqë me paqe e me punë kaluen tri muejt e parë.
Njitë mbas këtyne tre muejve fillojnë lëvizjet e grekofonëvet në qytet e rrethe. Këta tue dashtë me pengue hapjen e Shkollave Shqipe dhe ato të administratës, etje.
Qeverija në at’ kohë ishte e paorganizueme mirë. Për qetësi të vendit ishin në dispozicion vetëm nja njëzet gjendarmë e 4 policë. Këta ishin të pamjaftueshëm për me mbajtë qetësinë e nevojshme në kët qytet.
Për m’e përballue këto pengesa, mblidhen të gjithë krytarët e zyrave të ndryshme dhe vendosin: Nëpunsit civilë të marrin Rojën e Natës, përveç shërbimit të ditës. Kjo barrë i takon ma tepër arsimtarvet, të cilët u muerrën me e krye kët veprim.
Veprimi ishte mjaft i randë, po me gjithë kët, u zbuluen organizatat e mshefta të vendit e kështu mbahej, por anmiqtë e vendit ishin të shumtë.
Nuk kaloi shumë kohë dhe nisi të ndihet lëvizja kundërshtare e Haxhi Qamilit në Shqipninë e Mesme.
Kryengritja e Haxhi Qamilit
Nuk kaloi shumë kohë, e qetësia e Shqipnisë sa vinte e po prishej prej anmiqvet të vendit, e prej atyne të jashtëmvet. Në Jug të Shqipnisë, plasi kryengritja e Vorio-Epiriotvet, në Shqipninë e Mesme ajo e Haxhi Qamilit, i cili prej Kavajet po mësynte Fierin, dhe Esat Toptani në Durrës pregaditej me marrë sundimin e vendit, e kështu me nxanë vendin e Princ Vidit.
Prefektura e Berat merr nji vendim, m’e përballue kryengritjen e Haxhi Qamilit, mbasi kjo ishte tue u afrue qytetit. Për këtë çon kundra tij nji fuqi me 1500 vullnetarë beratas, me në krye Aziz Pashë Vrionin, tue i dhanë këtij me vedi edhe nji shumë të hollash prej 500 (pesëqind) lirash turke.
Aziz Pasha në fillim të muejit Maj, të vjetës 1914, i përcjellun prej nxansave të shkollave të vendit me tufa lulesh niset për në vendin e shenjuem.
Nuk kalojnë katër ditë dhe Aziz Pasha kthehet tue lajmue se fuqia e Haxhi Qamilit asht aq e madhe sa qi nuk përballohej në asnji mendyrë dhe se ky kishte rrethue Fierin.
Plogshtija e Aziz Pashës, i shtjeu nji grusht të vogël patriotësh qi gjindeshin në Berat si të emigruem, me marrë masat e fundit për me mujtë me i ndalue këto turbullime.
Salih Gjuka, qi ishte në atë kohë si Drejtuer i Arsimit në kët vend, lëshon kushtrimin në mes të arsimtarvet për me u nisë kundra kryengritasave sa ma parë.
Pregaditja e arsimtarvet
Kushtrimi i ma parë shkruem, u hap si rrfeja at natë. Arsimtarët u mblodhën tue marrë me vedi edhe nxansat e normales, që ishin të emigruem me moshë madhore, kështu u ba nji çetë prej 40 vetash dhe pa ague drita mirë u paraqitën në Prefekturën e vendit.
Saliu nuk vonon. I veshun me petka udhëtimi i armatosun disi gjindet në mes tonë. Fillojmë do bisedime shoqnore, kush tue qeshë e kush tue këndue me za të lehtë kangë kombtare, presim me padurim Rreth-komandantin për me u armatosë. Nuk kalojnë pak minuta dhe menjiherë vjen ky, çilë magazinën dhe na nep ka nji armë italiane me ka 40 fishekë. Këto, na nuk ndalemi me i shikjue po i marrim në formën qi na i nepshin, kështu fyshekët i fusim ndër xhepa e armët i vemë në krah.
Të nisunit prej Beratit
Pregaditja u ba. Na ishim të gjithë të ri, e të paushtruem për armë e rrugë, këto dy gjana nuk na preokupojshin shumë, por me gëzim nisemi prej Beratit dhe dalim jashtë qytetit. Kështu shpejt mbrrimë te e emnuemja Ura e Hasan Beut, qi kishte nji distancë kund 6 kilometra në perëndim të qytetit.
Posa mbrritme te ura në fjalë, bajmë nji pushim të shkurtë dhe e vazhdojmë rrugën për kah Fusha e Myzeqesë, drejt Lushnjes. Këtu takojmë ndër do vullnetarë të Aziz Pashës. Këta i pvesim: “Po a i keni pa gegët? A ishin shumë ata?” Ata gjegjen: “A numrohet bari, aq munden me u numrue gegët!” Fjalët e tyne ne nuk na bane asnji përshtypje ma të vogël, por tue këndue kangë Kombtare vazhduem rrugën t’onë t’anë ditën dhe mbrritme para lumit të Semanit, kundrejt malit të Karbunarës diku afër Lushnjes.
Hana tash po e shëndritte kët vend kandshëm.
Na gjindeshim para Vaut. Këtu Salih Gjuka na nep urdhën me e prumë në kët anë barkën qi gjendej në anën tjetër, dhe menjiherë me çilë do gropa (istiqame) ndër kodrina për me mujtë m’e ndalue rrugën e udhëtimit të kryengritsavet. Urdhnesa u plotësue, e tash po presim ç’ka po ndodh.
Nata kaloi e qetë.
Shokët tue bisedue me njeni tjetrin nuk u mërzitën dhe agimi i dritës sapo filloj. Na të gjithë jemi shtri ndër istiqamet e shenjuem ma nalt.
Agimi tue dhanë dritën mbi ne, andej Semanit shifet nji çetë afër treqind vetash. Na këta nuk i njofim, por si lepujt i kishim sjellë sytë e veshët kah kjo çetë. Nuk vonoi shumë, në mes të kësaj çete vjen nji burrë me nji kal të bardhë, ky hap flamurin e Turqisë dhe turma nji zanit thërret “Padishahëm çok jasha!” (Rrnoftë e qoftë Padishahu). Tash na e murrme vesh se ai burri me kalë të bardhë kje Haxhi Qamili dhe çeta e tij.
Durimi ndër ne me pritë urdhna prej të parit, kje i pamujtun, po prej vendeve ku ndodheshim, sjellim armët kah turma dhe njiherit ndezet zjarrmi. Pushka kërset në të dy anët dhe kjo vazhdoi nja dy orë. Kryengritsit tërhiqen me të vramët e të plagosunit në Malin e Karbunarës afër Lushnje, na e vorrojmë nji shokun tonë qi kishte mbetë i dekun në përpjekje. Ky ishte nji djaloç prej Janinet, qi kishte vazhdue shkollën e ushtrisë në kët qytet. Dita na kaloi mandej e qetë, tue ba pregaditjet për me hangër ndonji send për darkë…
Dita e dytë në Fushën e Myzeqesë
Kryengritsit bashkë me Haxhi Qamilin kishin shkue nëpër malet e Karbunarës e në kishën e katundit, ku forcoheshin e na vëzhgonin ne ndër istiqame, mbasi ata tash ishin nëpër vende ma të forcueme, e na gjindeshim bregut të Semanit, në vendet e pregatituna prej nesh.
Agimi filloi me e lëshue dritën e vet.
Kryengritsit prej vendeve të tyne, nuk na lejshin ma ne, me ba asnji lëvizje ma t’vogël prej vendeve ku ishim, por edhe na në të njajtën mëndyrë nuk i lejshim ata me u zgjà në fushë. Kanga ndër ne nuk pushonte. Kryetari jonë Salih Gjuka u preokuponte, tue kërkue ndihmë prej Prefekturës së Beratit e të Vlonës, për me ba nji mësymje kundra anmiqve të vendit t’onë.
Dita për të cilën u fol kaloi, po me krizma pushkësh prej të dy palvet.. Nata, edhe kjo nën dritën e Hanës së kandshme kalon në të njajtën mëndyrë si dita, por na në mes t’onë kishim nji farë mundsijet ma të madhe me u takue me shoqi shoin, nën hijen e kaçubave të bregut të Semanit. Morali ndër ne ishte i pathyeshëm. Gazi e qëllimi kryesor i dashunisë ndaj atdheut të dashtun sa po vinte e po shtohej ndër rrembat t’ona.
Dita e tretë po në kët vend
Paraditja e po kësaj dite kaloi në të njatën mëndyrë. Po mbasditja ndryshoi, sepse na erdhën në ndihmë prej anës së Vlonës nja dhjetë vetë, ndër të cilët shquhej nëntoger Giliardi, në atë kohë me nji uniformë ushtarake Ungareze, si dhe Vasil Tromara dhe Mihael Bellkameni prej Korçës, etje.
Giliardi, si ushtarak qi ishte i pëlqeu veprimet t’ona, por mbasi ishim në pakicë e zgjanoi frontin që ishte afro 80 metra në i gjatë tue i shtue edhe 30 metra pa vonesë. Tanë kto veprime u kryen natën, tue punue pa pushim.
Dita e katërt, po në Brigjet e Semanit
Kryetari Salih Gjuka preokupohej gjithnji tue vu në korend për veprimet t’ona Prefekturën e Beratit dhe atë të Vlonës. Ay nuk pushonte tue kërkue nji fuqi ma të madhe qi të mujshin me e ba mësymjen sa ma parë.
Vlona na çoi nji çetë kund nja 20 vetë, me në krye nji oficier olandez qi kishte ardhë i organizuem me nji top me kalibër 7 dhe nji mitroloz. Çeta tash bahej afro tetëdhjetë vetash me dy ushtarakë në krye si dhe me top e mitaroloz. Pushkët ditë e natë nuk pushonin në gjuejtje, por tash filloi me iu ndie zani edhe topit t’onë që e rrahte kishën e Karbunarës, ku ishin të mëshehun mbrenda çetat e Haxhiut. Krizmat e pushkëve filluen me u rrallue. Armiqtë tash nuk mujshin ma me ba lëvizjet e lira si përpara, pse epërsija ushtarake sa po vinte e po shtohej kah na.
Tash na ishim ma të lirshëm me kërkue ushqimin t’onë në katunde, kështu që ishim ma të lirshëm edhe me u takue me njani tjetrin. Dy oficierat dhe kryetari, emnat e të cilëve i ceka ma nalt, s’prajshin tue na vizitue, e tue qeshë e tue folë me ne.
Ky veprim kso dohet vazhdoi për nja dhjetë ditë rresht, me ndryshimin se na ishin shkye petkat dhe fetyrat t’ona ishin të pa lame.
Mbrenda këtyre ditëve të fundit na si ushtarë kërkojshim me ba mësymjen sa ma parë, por dy oficerat e kryetari na thojshin: “Durim, se tash po na vijnë edhe do ndihma, kështu bajmë mësymjen e bashkohemi me fuqitë tona në Durrës.
Fjala e tyne për ne ishte e shejtë. Bindja ndaj tyne ishte edhe ma e fortë, kështu që vazhduem të presim.
Të dhetën ditë, prej mbramjet Prefektura e Beratit, na çon nji ndihmë prej 800 vetash, me në krye të këtyre vullnetarëve Hysni Toskën dhe Bektash Cakranin. Këtë ndihmë tashma ne e pritme me gëzimin ma të madh, pse këta si luftëtarë të ushtruem dhe me eksperiencë luftarake ma të mirë se t’onën do të dominojshin ma mirë e ma shpejt mbi fuqinë e kryengritsave…
Dita e mësymjes për në Lushnje
Kryetari j’onë Salihu, me dy oficerët e huej dhe me Hysni Toskën dhe Bektash Cakranin at natë ndejtën së bashkut tue u këshillue dhe në fund kishin marrë vendimin e mësymjes si vijon: Në lindje të malit të Karbunarës do të mësynte Bektash Cakrani; kah perëndimi i këtij mali do të mësynte Hysni Toska, ndërsa vaun dhe fushën do ta mësynte çeta jonë.
Pa ague mirë drita, tri çetat ishin gatue për mësymje. Çeta jonë pregatitet me hypë në lundër për me kalue matanë Semanin. Me të hypun në të dhe hapim Flamurin Kombtar.
Mbrenda nji kohet ndihet krisma e armvet drejtuar kundra nesh. Na vazhdonin punën tonë dhe dalim andej lumit tue pasë dy të vramë.
Kalojmë në bregun andej Semanit, por vala e pushkëvet dhe e mitrolozit sa vinte dhe po shtohej. Çetat kah Lindja e Perëndimi nuk kishin ndonji kundërshtim, por veç çeta jonë. Në fushë para Kishës së Karbunarës, kur ne gjindeshim pranë saj, na u dorëzuen dy oficiera me uniforma italjane, por me kombsi serbjane.
Në kët veprim, u pa se në kryengritje qindronin ngatërresat e Ballkanasve, të cilat në Luftën Ballkanike u treguen mjaft të unshëm për kundra Shqipnisë.
Dita po mbaronte e po fillonte me ra mbramja dhe tri çetat tona po gjinden ndër vende të veta qi u shkruen ma nalt. Pa u errë mirë Hysni Toska, Bektash Cakrani, Salih Gjuka dhe dy oficerat e sipërshkruem në fletët e maparshme, mblidhen e kuvendojnë për veprimet e rastit dhe napin vendimet.
Po sa të hypin dy fuqitë në Malin e Karbunarës do të ndeznin ka nji zjarrm për me na dhanë si shej mbrritje në vend, kështu na do të pastrojshim fushën.
Mbramja (nata ) në veprim
Ishim në fund të muejit të Majit.
Nata ishte e errët e gja nuk shifej. Na qindrojmë në vend, po tue pritë shejet e dy krahvet ku ishin Hysniu dhe Bektashi, por gja nuk shifej. Aty këtu ndihej nga nji tingull kumonet lope, qi gjoja po kullosnin në malin e Karbunarës. Nata po kalon, e agimi ishte pa u afrue kur bataret e pushkve filluen. Na tue kujtue se krahët i kishim të siguruem, shikjojshim vetëm malin përpara.
Sa filloi drita me ague, shofim se plumbat e pushkvet po na vijshin prirtas. Çoi kryet me pa, anmiqtë i kishim rreth e rrotull me nji distancë kund 100 metra. Salihun e kishem përbri, ia diftoj kët rrethimin t’onë, e ky më thotë shko te oficeri Hollandez e i thuej ta vejë topin në veprim. Unë la armën e gjatë përtokë, e barkas e zhagas paraqitem ke oficeri në fjalë dhe i kërkoj që të vihet topi në veprim.
Oficieri Holandez më gjegjet: “Kryengritsit janë fort afër dhe topi s’ka se si me u vu në veprim!” Giliardi s’pret me marue fjala rrok mitrolozin në shpinë, hjek thikat e topit dhe me njiherë fillon gjuejtjen, kundra këtyne dhe ne na nep urdhën me u largue menjiherë.
Na me oficierin Holandez e me shokët e tjerë fillojmë pa vonesë m’u largue tue u kthue ndër bazat qi kishim ma parë andej Semanit.
Semani si zakonisht ishte tan lym, uji i shumtë ndër disa vende, po me pengesa të mëdha, disi u kalue. Në bazat e vjetra po pastrohemi dhe po presim të kthehet Giliardi. Ky nuk vonoi dhe u kthye.
Riformimi i çetës
Çeta jonë dhe ajo e Vlonës qi na erdhi për ndihmë, u mblodhëm të gjithë sa ishim në qetësi. Nuk vonoi shumë korrieri që ishte çue me informue gjendjen e frontit në Prefekturën e Beratit, po kthehet me nji letër në dorë, të cilën ia dorëzon Salihut. Ky e këndon atë, po tue e këndue më thërret dhe ma difton përmbajtjen tekstuale:
“Vendi këtu u turbullue prej komitës greke: Komita e Vorio-Epiriotëve po zapton Gjinokastrën. Ju jeni në rrezik, prandej bani si të mundeni e kthehuni!”
Salihu bashkë me mue afrohemi pranë dy oficiervet qi cekem ma parë e ia përkthejmë lajmin tekstual në gjuhën gjermanishte. Këta të dy rrahne kambët dhe u skuqne ndër fëtyra, Salihu tue bisedue me ta, merr vendimin me u kthye. Çeta e Vlonës në vendin e saj dhe ajo e Beratit, po në Berat.
Mbasdreket kjo urdhnesë u përhap ndër shokë dhe pa vonesë u vu në zbatim, megjithëse ishim të lodhun e të zheluem.
Kthimi në Berat
Udhëtimi prej Semanit në Berat për ne ishte nji dekje. Megjithë këtë hyme për terrin e muzgut në Berat. Qyteti ishte i tmerruem. Prefektura nuk kishte ma fuqi administrate. Nuk na mbetej tjetër, por me marrë valixhet e me u nisë për Vlonë. Natën tash po e kalojmë tue u pregatitë për kët udhëtim, pa ma t’voglin pushim.
Pregaditjet u bane. Pa dalë drita mirë, e t’anë çeta jonë mblidhet e marrim udhëtimin e shkruem, tue kalue malin e “Sinait” për në Vlonë
Në Vlonë takojmë nji shumicë patriotësh, qi ishin mbledhë prej shumë viseve, e qyteteve të ndryshme të Shqipnisë. Bisedimet me ta nuk kishin tjetër, po vetëm ato të rastit.
Qendrimi në Vlonë
Ditët e para qi po qindrojmë në Vlonë, për ne ishin si ditë mjerimesh. Me kalimin e kohës gjendja e qytetit po keqsohej. Berati kishte ra në duert e Haxhi Qamilit. Ky fuqinë e vet ia drejtoi Vlonës, por ky qytet mësyhej edhe prej komitës Himarjote. Fuqia qeveritare sa po vinte e po ligshtohej, me kët edhe banorët e vendit vijshin tue u ligshtue.
Rrethanat e krijueme më shtrënguen me marrë nji vendim: Me u largue prej Vlonet dhe me u nisë pa humbë kohë për Durrës.
Kët mendim e pëlqyen edhe dy shokët e mi, dhe na pa kalue nji kohë e shkurtë nisemi prej Vlonet për në Durrës, me u bashkue aty me fuqitë qeveritare të vendit. Kët gja e bame pa vonesë, kështu në fund të majit 1914, u gjetëm në kët qytet…
Largimi i jem prej Shqipniet
Vjeti 1914 (1913), kje për Shqipninë e Vogël, nji vjetë ndër ma të kqijat, arsye kjo që pat rrjedhimet e veta prej Luftës Ballkanike të vjetës 1912, dhe prej tradhtarve të vendit.
Kjo fatkeqsi me sa u pa në vendin t’onë, rrjedhimet e veta i kishte për nxitjen e Luftës së Parë Botnore, shka edhe nuk vonoi shumë, pasi në 1914 plasi lufta e Europës.
Në Shqipninë e vogël plasi revolucioni kundra Regjimit të Durrësit, prej Esat Pashë Toptanit, Në Shqipninë e Mesme ai i Haxhi Qamilit, e në atë të Jugut Lufta Vorio Epirote.
Këto tri revolucione iu dhanë nji grusht të randë patriotëve shqiptarë, me u largue prej vendit të tynë ma të shtrenjtë: Shqipnisë.
Me hypjen e Esat Toptanit në fuqi, i cili si qendër kishte Durrësin, patriotët shqiptarë mbetën në këtë kohë rrugave, pa ndonjë fuqi, mbasi kjo nuk kje e organizueme.
Rrugë e vetme për të përmendunit ishte vetëm emigrimi jashtë atdheut. Ky edhe mbrenda pak orësh u ba. Disa murrne rrugën për Brindizi, disa për në Korfuz, e do të tjerë arratinë nëpër malet e atdheut të tyne.
Unë dhe shokët e mij vendosëm arratinë për në Brindizi. Në mes të kësaj shoqnie ndodheshin pesë (5) baballarë të Teqeve nga rrethet e Vlonës dhe Beratit, tre arsimtarë, dy prej Veriut të Shqipnisë dhe nji prej Gjinokastre.
Udhëtimi jem prej Durrësi në Itali (Brindizi)
Limani i Durrësit i pa përkitmë me dorë njerit për ndërtim kishte vetëm nji bisht uret të gjatë dërrasash me nji gjatësi afro 20 metra qi shtrihej në Adriatik.
Vaporrat qi e vizitojshin Durrësin ishin ato të shoqërisë italjane Puglia dhe ato Austriake të shoqnisë së Llojd-it. Vizitimi i këtyne vaporravet në Durrës ishte dy deri në tri herë në javë. Ky i shërbenteve limaneve të Shqipnrisë ma të shumtën për transportim njerëzish se sa për lëvizje tregtare, mbasi në Shqipni në atë kohë nuk kishte as ndonji prodhim për eksport përveç do voeve dhe bagtive. Rrjedhim i këtij moszhvillimi nuk ishte tjetër por vetëm pengesa e okupacionit turk në Shqipni dhe koha e shkurtë e lirisë, në të cilën nuk kje e mundun me u zhvillue ndonji industri.
Largimi i jonë prej Durrësit na takon po në dy ditët qi mungonte udhëtimi i vaporrëve dhe ne na u desh patjetër me marrë nji lundër e me pritë afër brigjeve dhe Shkambit të Kavajës vaporrin e parë që do të vinte për udhëtim
Kaluen nja pesëmbëdhjetë orë. Kur tue ague drita duket tymi i nji vaporrit qi po vinte. Lundërtari po sa e heton tymin na lajmoi dhe na me shpejtinë ma të madhe i dalim përpara këtij. Prej lundret i napim nji shej vaporrit Puglia, ku kapiteni i vaporrit për të cilin asht fjala, u gjegj pa vonesë me ndalimin e udhëtimit, ku na pa lanë me humbë kohë, iu afrueme atij.
Kapiteni na pvetë në gjuhën italjane se ç’nevojë kishim. Gjegja jonë kje: së pari i diftueme se jemi të ikun prej regjimit të Esat Toptanit, jo si kriminela por si patriotë. Së dyti se ne dëshirojshim me udhëtue dhe me u vendosë në Itali dhe së treti i lutemi të na pranojë për udhëtim në vaporr…
Kapiteni nuk vonoi dhe na muer mbrenda në vaporr, me gjithë se ky udhëtonte për në limanin e Durrësit.
Udhëtimi jem për në Brindizi
Vaporri i vogël i shoqnisë lundruese Puglia, na muerr dhe na e filluem udhëtimin prej Durrësi në Vlonë dhe prej Vlone në Brindizi.
Udhëtimi për të cilin po flasim, ngjati tri ditë, me pushimet qi bame në Durrës dhe në Vlonë.
Deti Adriatik ishte i qetë, kështu që udhëtimi bahej i kandshëm, shoqnia me të cilën udhëtojshim ishte e sinqertë e atdhedashëse. Era qi na frynte mbi këtë lundrim pat kenë e lehtë, e ndër ato ditë të xeta ishte mjaft e kandshme.
Tue udhëtue në mes të shoqnisë që ishim, herë u bisedonte se si do t’i shkonte halli Atdheut t’onë, herë tue u prrallë njani me tjetrin, deri sa ma në fund mbrritëm në Brindizi.
Qendrimi jem në Brindizi
Në moshën teme, afro 20 (njzet) vjeç, për të parën herë mbas sa e sa mësimeve qi kishem ba mbi Italinë, në shkollë fillore, Qytetse dhe Tregtare, më nepet rasti në nji kohë mjerimesh të mija me e pa kët vend për së afërmi, e jo ma trajtën e saj si nji çizme në hartën e Gjeografisë.
Unë qysh ma parë kishem nji kurreshtje të madhe me e pa kët vend.
Frymza e lundrueses na lajmon ndalimin e lundrimit dhe mbrritjen në limanin e Brindizit. Limani i këti qyteti, për të cilin bahet fjalë ishte në at kohë i vogël, dhe në të nuk mujta me pa ndonji send me randësi. Prej vaporrit u shifshin tue u endë, dy të ashtuqujtun karabinierë. Këta ishin të veshun me nji uniformë të mirë e me dorca të bardha.
Qyteti ishte i vogël, e me do ndërtesa të bukura. Rruga e vetme e kryesore e këtij qyteti, ishte ajo që lidhte limanin e qytetit me atë të stacionit të hekurudhës.
Dy muej qi qindrova në kët qytet, kohën ma të shumtë e kalojshem me shokët baballarë, e të tjerë shqiptarë, tue bisedue mbi sundimin e tradhtarit Esat Toptani në Shqipni, mbasi ndonji punë tjetër nuk kishim përveç mjerimit që materialisht ishim krejt dobët.