Prej nji torbe dorëshkrimesh
nga Jozef Radi
Para disa vitesh prej zonjës Ana Kamsi – Vila, mu dha mundësia që në nji qese të vjetër bezeje të merrja disa fletore katërlekshe shkrimi, me dorshkrimet nji mësuesi. Ishin kujtimet e të jatit të saj Kel Vilës… Ajo m’i dha si diçka të shenjtë, me i hjedhë nji sy atij dorshkrimi, që e kishte nisë diku aty nga fillimi i vitit 1952, duke më kërkue edhe nji mendim rreth vlerës së asaj çka ishte shkrue aty, n’ato fletore!
E mora me kënaqsi dhe i premetova se do t’i shkrueja.
Qysh në faqet e para u ndjeva në kohë e në vende të largëta, në botë interesante dhe me mjaft emocionuese… jo veç pse gjeta kaligrafinë e tij të përsosun prej mësuesi që ma bani të lehtë leximin; po edhe at rregullsi strikte e punës: (i ardhun prej “dojçkulturës”!!) si ndamja në kapituj, koha e Austrisë, njerzit, shkolla shqipe, Shpallja e pavarsisë, Haxhi Qamili, sakrificat e hapjes së shkollave… e shumçka tjetër… Fletë mbas flete të shkrueme me lapës kopjativ njofta at pasionin e tij me dëshmue at pjesë energjike të jetës së vet kur, themelohej shteti shqiptar kur merrte jetë përhapja e arsimit, kur krijonte familjen, dhe ndjeva aq sinqeritet në të rrëfyem me nji gegnishte aq të bukur e aq të ambël… sa mbeta i mahnitun. Gjeta aty edhe problemet e shkollës edhe ato të familjes; gjeta përkushtimein e mësuesit edhe krejt sakrificat e nji brezi idealistash… Pra, gjeta shumçka prej tij… dhe m’u duk vetja si t’i ishe futë nji zbulim arkeologjik…
Kur e mbarova, thashë se “Kel Vila, s’e kishte lanë vedin me ikë prej kësaj bote pa i lanë edhe do gjurmë të vetat me vlerë!”
Fill mbasi e mbarova, i shkrova Anës, se mund t’i kaloja me kujdes në kompiuter ato shënime, i bindun se ato 5-6 fletore dorshkrimesh, ishin nji thesar i vogël, që meritonte të nxirrej prej harrese e pse jo, nji ditë të mund të ishte edhe në duert e lexuesve…
Dhe Ana qe vërtet dashamire e kësaj ideje time… duke më lanë dorë të lirë me ba si të ishte ma mira dhe si ta gjykoja unë.
Me kohë, figura e Kel Vilës m’u shfaq edhe në qendër të nji fotoje të vitit 1923, midis Shkodrës intelektuale dhe ky qe nji sodisfaksion plotsues jo i vogël për mue. Ishte diku afër At Gjergj Fishtës, e shkodransh të tjerë “me namë”…
Në mbyllje, mundem me thanë se në këto shënime, mësues Keli kallzon të vërtetat e veta në pëlhurën e nji kohe të largët dhe besoj se ato faqe të pakta të mbrrituna deri te ne, do të jenë mjaft të vueshme me u përcjellë edhe ndër lexues të tjerë…
Me lejen e familjes, periodikisht kam me i publikue krejt këto shënime… të ndame me numra prej 1 deri në 10… E në secilën prej tyne do të gjeni edhe pjesë historie, ngjarje dhe personazhe, për të cilat janë krejt të pakta informacionet… Për gati dy vjet ai e kishte krye kët mision, duke na lanë këto kujtime jo vetëm mbi jetën e vet po edhe jetën e tjerëve…
Kel Vila, prej këtune dorshkrimeve, s’ka shpresue asnji lloj lavdie, as ka dëshmue ndonji lloj heroizmi… thjesht ka rrëfye ambëlsisht n’at gegnishten e tij, se dikur ndokujt ka me i ra ndërmend me e kuptue dhe me e çmue si duhet vlerën e tyne.
… dhe nuk e ka pasë gabim!
9 shtator 2015
Kujtimet e nji Mësuesi – (Pjesa I)
nga Kel Vila
Udhëtimi i parë
Familja prej së cilës unë u linda, ishte nji familje modeste.
Em atë, Kolë Vila, për m’i sigurue jetesën familjes së vet, kje i shtrënguem në kohën e robnisë turke, me shkue prej Shkodre në Prezrend, ku për me përballue shpenzimet familiare u muer me tregti.
Në kët kohë unë ishe tue vijue shkollën fillore në gjuhën amtare, ku mësohej edhe gjuha turkishte; por kët shkollë në moshën teme dhetë vjeçare e kreva ne vjetën 1906, ku kishe për mësues klaset zz. Mati Logoreci, Kolë Kodhelin, e për gjuhë turkishte hoxhë Tahir Efendinë.
Provimet e mbrame zakonisht përfundojshin në muejin e Qershorit, para nji komisionit, i cili përbahej prej Emzot Trokshit (Argjypeshkv i Dioqezit të Shkupit) z. Vicekonsull i Austro-Ungarisë, Prohaska, etje.
Me ndërmjetësinë e Emzot Trokshit shenjohem fill mbas provimevet me vijue shkollën në Vjenë.
Nuk kalon nji kohë e gjatë me plotësue formalitetet shëndetsore etje., të cilat u paraqitën në konsullatën e Imp. Austro-Ungareze.
Shi në kët vjetë, në muejin e Nandorit, vjen Kafazi i Korenllit, z. Lazër Lleshi, në nji mbasdreke dhe porosit tem amë, me më pregaditë, kshtu qi ne nesre të niseshem për Vjenë.
Bora ishte mbi sypërfaqen e tokës afër nji metër. Kafazi i përmendum, pa dalë drita vjen me nji karrocë (serem) ku më merr me udhëtue edhe mue.
Të ftohtit ishte i madh. Hejt e akullit ndër pullaze, ishin të trashë sa krahi. Bora e murlani fryjshin pa pushim, kështu tue mërdhitë, e kualt tue e ngrehë karrocën rrshitzash mbrritën në Ferizaj (Firizoviç) tue ba nji rrugë kund 80 kilometër.
Në Ferizaj më bjen ndërmend se Kafazi, z.Lazër Lleshi, u takue me Kafazin e Mitrovicës z. Llesh Kaçinarin, që të dy të armatosun me ka nji thes mushemajet, që mbrenda kishte nji arkë postet.
Nata e përgatitjes për vijimin e udhëtimit, ishte për mue nji natë plot andrrime të ndryshme, e që unë e kalova pa gjumë. Në Ferizaj, kur më shtinë në hekurudhë (Pampur S.O) rashë në gjumë i vdekun, e nuk më bje ndërmend asgja mbi mbrritjen t’eme në Shkup (Uskub) e deri në Kumanovë, ku ishte kufini i Turkisë me atë të Serbisë.
Këtu për të parën herë shof ushtarët kufizorë të Serbisë me ata të Turkisë dhe nji nëpunës civil austriak, që më merr e më shtjen në nji hekurudhë tjetër të klasit të dytë…
Tue udhëtue me të nëpër Serbi, diku çuet e diku përgjumshëm, shifshem prej dritsoreve do male, fusha e aty këtu ndoj qytet të vogël e të mdhaj, por emnat e tyne nuk i dijshem. Kjo mëndyrë udhëtimi vazhdoi deri në stacionin e Vjenës, ku më priti z. Prof. Gjeorg Pekmezi, i cili më muer përdoret dhe më shtini në nji karrocë me rrota gomet. Këtu porsa hime në qytet, Dr. Pekmezi ma hoqi fesin prej krejet. Ky më bleu nji kasketë dhe më çoi për darkë e me fjetë në Bujtinën “Fuchs” (Hotel Fuchs). Këtu mbasi hangra darkë më vunë me fjetë, tue më mblue për herë të parë me jergan puplash, e kështu kaloi nata e parë…
Dita e parë në Vjenë
Sapo kish fillue agimi, çohem prej gjumi, filloj pastrimin e zakonshëm e pa vonesë veshem me kostumin e shpisë, e ulem mbi karrike. Në kët kohë më shkote mendja te rrethi i shtëpisë si dhe te shokët e mij, me të cilët kalojshe ditën.
Z. Dr. Gjeorg Pekmezi nuk vonon shumë, hap derën e i buzëqeshun më thërret në emën, tue më përkëledhë më ven përpara. E lamë bujtinën tuj dalë menjiherë nëpër rrugët e bukura të Vjenës.
Shetitja në kët mendyrë nuk ngjati shumë. Ky më shtini në nji dugajë të madhe, aty më veshi me petka të reja, çorap të gjatë e kundra me qafa.
I veshun për bukuri, Z Dr. Gjeorg Pekmezi me shkop e me mue përdoret shkojmë në kafen “Jozef Stat”. Aty zamë vend ndër poltrona, e pa ma të voglën vonesë vjen shërbysi (kamarjeri), e më ven përpara nji gotë të madhe me kafe, tamël (qumësht) e bukë të bardhë. Kët e hangra krejt pse ishe pak i unshem.
Koha nuk vonon, e rishtas i shoqnuem prej Dr. Pekmezit, në rrugën kryesore të Vjenës, dorzohem në Konviktin “Kapamanxhia” ku bashkohem me nja 10 (dhietë) shqiptarë të tjerë, Toskë e Gegë, prej vendeve të ndryshme të Shqipnis, e shumë të tjerë prej Serbijet, Bosnjet e prej Vjenet…
Dita e parë në Konvikt
Java e parë në konviktin “Kapamaxhia”, më kaloi tue i mësue praktikisht rregullat e këtij Instituti, tue u njoftë me shokët dhe personat drejtuese të Institutit në fjalë…
Në këtë javë më shkonte mendja pa ia da rreth gjindjes së familjes s’eme dhe shokvet me të cillët unë kishem kalue fëmijninë t’eme, po në kët mënyrë kujtojshem mësuesit e hoxhën, që më kishin mësue, njikohësisht bajshem edhe krahasimin e profesorave që tash po më udhëzonin në jetën e re…
Shoqnija këtu ishte mjaft e gjanë. Ajo përbahej prej serbjanëve, që ishin ma të shumtë si konviktorë, e që me mësue shkojshin ndër shkolla të ndryshme në Vjenë.
Shoqnia ishte prej kombësive të ndryshme. Seicilit i shtohej dashunija ma tepër për kombsinë e vet. Në kët mes tue pasë do njohuni të pakta në të folunit e gjuhës sërbishte, fillova praktikisht me e përvetsue këtë gjuhë.
Nuk kaluen dy ditë, kur profesori kujdestar i institutit më dha librin e parë të metodës “Bërlic” lapcë dhe fletore, e kështu bashkë me dy shokë më çuen tek z. Dr. Gjorg Pekmezi, për me mësue gjuhën gjermanishte.
Hapim derën e dhomës së pritjes së shtëpisë së Dr. Gj. Pekmezit, e përshëndesim atë. Dhe aty pa vonesë fillon mësimi i gjuhës qi u cek pak ma sipër.
Thuhet se gjuha gjermane asht e fshtirë me u mësue. Metoda e lehtë, urtësia e Dodë Korit, mue ma pruni mësimin shumë të lehtë. Në këtë mëndyrë vazhduem për nja gjashtë muej, tue marrë edhe pjesën e dytë të librit në fjalë…
N’Institut, në përgjithësi flitshim, ku me gabime e ku pa gabime, gjuhën për të cilën folëm…
Mueji e parë në Konvikt
Mësimi i gjuhës vazhdonte për çdo ditë dy orë. Këtij mësimi iu shtuen edhe dy mësime tjera me landë të ndryshme të shkollës Qytetse (Burgershule) apo unike. Mësimet, ato që ata na nepshin prej Profesorave kujdestarë të institutit në fjalë…
Javën para Këshndellave, kur fillojshin pushimet e mësimeve të vjetës parashkrueme po në të njajtën mëndyrë e kohë pushuen edhe mësimet t’ona, kështu vjen rasti i shetinavet në qytet e rrethet e tija. Nji të dielën e parë bora po binte flokë-flokë. Ne nxansit e institutit, çekun ma sipër, na rreshtojnë për dy dhe na drejtojnë për në institutin n’Eksport Akademi.
Ky institut Epruer, ishte për zhvillimin e gjuhëve të botës marë, ku për zhvillimin e këtyne gjuhëve merrshin pjesë filologët ma të shquem të kohës.
Në kët institut, për gjuhën shqipe, merrte pjesë edhe z. Doktor Gjorg Pekmezi (ky i lindun në Strugë, me kombsi shqiptare). I përmenduni ishte edhe kryetar i shoqnisë “Dija” qi qitte n’at kohë Revistën me po kët emën “Dija”.
Kjo e diel kaloi tue u njoftë me shokët e moshës madhore me kombsi shqiptare, që ishin studenta ndër institute të ndryshme, emnat e të cilëve po i cek shkurtimisht (zz. Kostaq Paftali, i lindun në Durrës, ingjinier dhe ish Ministër Botoret; Zef Harapi, lindun në Shkodër, e i vramë në vjeten 1911, në Bizë afër Durrësit, në luftë kundër ushtrisë turke; Kolec Deda, i lindun në Shkodër etjerë.
Ndërtesa ishte e madhnueshme, kathedrat, dritaret e të tjerat, ishin po me të njajtin stil.
Koha e bisedimeve nuk ngjati shumë, Dr. Gj. Pekmezi lajmoi pushimet e Këshndellavet e të vjetes së re. Z. Zef Harapi, si idealist kombtar, filloi me shokë kangën kombtare “Eja mblidhuni këtu këtu”.
Dalim prej salonit të mësimit në katin e Institutit të përmendun të rreshtuem bajmë nji fotografi në grup. Bora s’pushonte tue ra flok-flok mbi ne. At paradite seicilli nesh shpërndahet ndër caqe të veta…
Këshndellat e para në Vjenë
Ditën e parë të Këshndellavet, fill mbas agimit të gjithë nxansit shqiptarë të besimit katolik, rreshtohen dhe drejtohen kah kisha e quejtun “Lotiv-Kirehë” ku shofim Meshën e rastit. Fill mbas meshet, Profesori kujdestar i institutit, na qet me shetitë në kopësht t’Imperatorit Austro-Ungarez, Franc Jozef, i quejtun “Schon brun”. Kështu kalon kjo paradite, tue pa për të parën herë ndër dugaje e institute të ndryshme Pemën e Krishtit (Kristbaum).
Mbasdite vonë, Profesori i përmendun ma nalt, na rreshtoi dhe na urdhnoi qi të shkojshim në Kafen Jozef Schtat (Kaffe Jozef Schtat). Të drejtuem në vendin e caktuem, posa hime mbrendë shofim nji rreth të ma të gjanë studentash e nxansash të shkollavet të nalta e të mesme, i cili përbahej prej 40 vetësh.
Këtu tash ishin të mbledhun të gjithë shqiptarët pa dallim fejet e moshet që ishin pjestarë të shoqnisë “Dija”, si të ishin të gjithë gati të nji vllaznijet…
Mbasi për mue ishte e para herë, që u gjejshem në kët rreth shoqnuer, më bani përshtypjen ma të bukurën. Këtu mbas pijes punshit (çaj me konjak) fillojmë e shpërndahemi ndër caqe ku banojshim…
Vjeti i ri 1907 në Vjenë…
Si dihet, kremtimi i çdo vjetit të ri në Perandorinë Austro-Ungareze ishte i lirë e pa roje policësh, tue fillue prej orës 8 të mbramjes së 31 Dhetorit deri në orën 8 të nadjes së 1 Kallndorit.
Kët kremtim na nxansit që ishim nën moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, nuk mujshim me e shijue, por studentat e tjerë shqiptarë merrshin pjesë edhe në kët kremte popullore.
N’institutin ku gjindeshim, kujdestarinë për at natë e kishim na nxansit vetë, pse Drejtori i Institutit dhe profesorat bashkë me familjet e tyne kishin dalë për me marrë pjesë në kët kremtim
(31.III.1952)
Bashkimi i nxansave shqiptarë
Si u cek ndër fletët e përparshme, konvikti “Kapamaxhia”, përmblidhte nxanës me kombsi të ndryshme. Shqiptarët ishin të ndamë do në qytete t’afërme të Vjenës e do ndër katunde.
Kështu dy ministritë, si e Jashtmja dhe ajo e Financës që mbajshin shqiptarët me bursa, këto hapën nji konvikt të ri ku u përmblodhën gjithë nxansat shqiptarë. Konvikti i ri e mbante mbishkrimin Knaben-Konvikt (Konvikti për të rinj).
Konvikti kishte si Drejtuer Z. Lǒbel (Loebel). Nxansat shqiptarë ishin ndër shkolla e degë të ndryshme, kush vijote në Normale, kush në tregti apo degë të tjera…
Pushimet e para verore
Zakonisht, pushimet verore u bajshin prej shumicës së banorëve të Vjenës, ndër katundet ma t’afërta të këtij qyteti. Kështu edhe ne, na muer Drejtori bashkë me të shoqen dhe na çoi me verue në nji katund afër qytetit, kund dy orë largësie me hekurudhë prej qytetit. (katundit nuk ia mbaj mend emnin). Pushimet filluen prej fillimit të muejit të korrikut të vjetës 1907 e vazhduen deri në fund të muejit të gushtit të vjetes në fjalë. Katundi ishte mjaft i bukur dhe i madh, me të gjitha komoditetet për verim, ku gjindeshin dugajë të vogla, fusha të gjana, male e vija ujnash.
Në pjesën tjetër të bujtinës, ku na kishim xanë vend, nuk kaluen dy ditë ia mbrrini aty shkolla e oficerave të Vjenës (Kadeten Schule) për me verue. Shkolla për të cilën po flasim përbahej prej 80 studentash. Drejtuesit e saj ishin nji major dhe nji kapiten.
Pushimet ishin të kandshme, dhe ditën e kalojshim nën hije të pemëve, tue ba baja dielli, shtri nëpër livadhe tue lexue libra e fletore gjithfarësh, e për ma tepër tue u mujtë me shokët ma të zot në gjuhën gjermanishte, e landë të mësimeve të shkollës Qytetse (Unike).
Çdo javë në mbramje u bajshin vallzime të ndryshme, këto tue fillue prej orëve të para të mbramjes, të cilat vazhdonin deri në agim. Në këto vallzime merrshin pjesë të gjithë nxansit e konviktit me drejtuesit e tyne.
Popullsija e katundit ishin njerëz të dashtun. Këta na dojshin, na nderojshin, na gostitshin me pemë dhe ne çdo vend që takojshim me ta na përshëndetshin si të ishim vendas. Në këtë mëndyrë i kaluem pushimet verore. Në fund u kthyem në Vjenë, të nziem prej bajave diellit e të shëndoshë si molla.
Provimet e para shkollore
Koha e re e historisë, na difton kjartë, se djepi i parë i kulturës për Rilindjen e Shqipnisë ka kenë Imperatoria Austro-Ungareze. Në kët kohë Shqipnia ishte nën okupacionin turk..
Shqipnia ishte e vorfën në zhvillimin e saj për ndër degë të ndryshme, kështu ne nxansat shqiptarë, na ndanë me vijue mësimet ndër degë të ndryshme: Kështu mue me disa shokë të tjerë më takoi me vijue ndër mësimet e tregtisë, në shkollën tregtare “Nene Wienir Handels” Akademie. Për me u regjistrue në kët shkollë ne na u donte me iu nënshtrue nji provimit.
Në shtatorin e vjetës në fjalë, Drejtori i Konviktit Lohbel, na këndon emnat dhe na drejton për në shkollën e sipërme, për m’u shtrue provimeve që ishin të parapame e të domosdoshme me rregulloret shkollore.
Na nxansit shqiptarë pajisemi me penda, letra, terëse, lapca etje., dhe drejtohemi në shkollën e shkrueme ma nalt.
Ndërtesa shkollore për të cilën bahet fjalë nuk asht nevoja të përshkruhet, gjendja e saj pse në vehte, kjo ishte nji ndërtesë e madhnueshme ku merrshin pjesë ma se 1500 nxanës e nxanse. Seksi mashkulluer merrte pjesë ndër mësime para dreke, ai femnuer mbas dreke.
Nuk kaloi nji kohë e gjatë e caktohet dhoma e provimeve. Kështu që të gjithë nxansit që do t’iu shtroheshin këtij provimi hynë mbrendë. Në kët dhomë mësimi baheshin nja 30 nxanës, që do t’iu shtroheshin provimevet. Nxansat ishin të kombsisë shqiptare dhe austriake, me shkollime të ndryshme; kush me seminar, kush me unike (Burgerschulen) etje.
Tue pritë profesorët, përshtypjet ishin të ndryshme në shpirtin t’em. Këto shtoheshin edhe ma tepër tue mendue se si do të jenë këto provime mbasi për mue ishte e para herë që hyjshe në provime.
Nuk vonon, dhe hapet dera e dhomës ku na gjindeshim. Hin Profesori, ky burrë i vjetër, me flokë të bardhë mbi krye. Ay pa tret kohë fillon e lexon emnat e nxansavet qi ishin për provim, ndër fletë të posaçme për provim, të cilat ishin të vulosuna. Kështu u pajisëm me fletët e provimit.
Provimi fillon me gjuhësi, po njiherit edhe me histori. Profesori shenjon temën: Na shkrueni çfarë dini mbi historinë e Grekëve të Vjetër.
Fleta e provimit ishte dy tabakësh, me nji trajtë paralelogrami 20 cm me 40 cm.
Landa e provimit për mue ishte e njoftun, këtu pengesën ma të madhe e kishem me gjuhën gjermane. Shoqi që kishem në cep të bankës, ishte austriak e me besim hebre. Fillojmë shkrimin. Unë mbrenda nji oret shkruej vetëm katër fjali, ndërsa shoqi bri mejet mush katër faqet.
Koha mbaron. Mblidhen fletët e njiherit në kohën e intervalit qortohen në Drejtimin e shkollës dhe çmohet puna. Fletët e provimit ishin njitas me shoqin qi përmenda. Këtij puna i çmohet me njish e mue me notë të pakalueshme 5 (pesë).
Po të dy dalim në provim gramatiket me za. Profesori pvetë shoqin ndër folje, ky nuk din me iu gjegjë, unë gjegjem. Ky pytet ndër lakime emnash, shoqi nuk përgjigjet, ep vetëm nji përgjigje të shkurtë, të cilën e plotësova vetë, e kështu vazhduen pesë pyetjet. Këtu klasifikohem me njish unë, e shoqi me pesë. Dhe të dy kalojmë me notën 3 (tresh).
Po në mëndyrën e sipërme vazhduem mësimet e landve Mathematikë, Gjeografi e Histori. Në kët mëndyrë dola fitues ndër provime.
Trishtimi i math që ishte para provimeve tash u ndrrue në nji gëzim të pashoq, aq sa as unë as shokët e mi shqiptarë nuk e shifshim rrugën prej gëzimit, derisa shkuem në Konvikt.
Në konvikt na pret Drejtori dhe drejtoresha. Këta si na panë se ishim shend e verë prej gëzimit, na napin fjalën se do të na blejshin dy fuçia birrë dhe se do të bajshim nji natë vallzimit…
Nata e vallzimit u ba.
Ajo kaloi në mes kangësh kombtare shqipe dhe brohoritjeve…
1.IV.52