Kujtimet e nji Mësuesi –
nga Kel Vila (1894-1963) (pjesa II)
Pjesa e jetës shkollore
Dita e parë në shkollën tregtare
Me 16 Shtatuer të vjetit shkollor 1907-1908, hapen dyert e shkollës. Mësimet fillojnë rregullisht që ndër ditët e para të datës së sipërme.
Shkolla prej konviktit ku ne banojshim, ishte larg gati dy kilometra. N’orën shtatë të nadjes të ditës në fjalë, Drejtori i Konviktit na ep urdhën me u nisë për shkollë, tue u pajisë me shka kishte nevojë klasa prej libreris që ishte pranë shkollës.
Nxansat shqiptarë, edhe unë së bashku me ta, i drejtohemi librerisë në fjalë tue hecë me nji hap të shpejtë, siç ishim porositun prej drejtorit të Konviktit. Hymë në librerinë e përmendun. Kjo ishte plot me nxansait e kësaj shkolle, por edhe shërbëtorët ishin të mjaftueshëm, të shkathët, gojëamël, e buzëqeshun.
Nji prej këtyne, pyet njenin prej nesh: Ç’dëshironi? Përgjegjia qe e kjarët: Na jemi nxansa të klasës së parë, e konviktorë të konviktit “Knabën Konvikt”, jemi drejtue prej z. Drejtor me qëllim që të na pajisni me ndoi letër e laps.
Ky pa vonesë flet me kryetarin, kështu ne na ep të gjithë librat e klasës, fletore, flet-tregtare, lapsa, penda, terse, kuti për to, rriga, bishtagyp etje.
Secili prej nesh pajiset me shka ma sipër u tha, por për ne ishin librat e sendet e tjera të panjoftuna, pesha e tyne ishte ma se pesë (5) kg.
Me çantë në dorë e fletoret nën sjetull i drejtohemi shkollës e njiherit klasës. Klasa dukej madhështore, plot me dritë e banka të mira e plot pastri.
Pa vonesë hapet dera, çohen të gjithë në kambë, e hyn mbrendë Profesori Kujdestar i klasës. Ky ishte nji burrë i moçëm, me flokë argjand. Ulet në kathedër, këndon emrat e nxansavet simbas rendit alfabetik, e kështu fillon mësimi. Në fund të mësimit na komunikon orarin e javës.
Mësimi vazhdoi deri në orën 1 (se trembëdhjetë) me pesë mësime të ndryshme e intervale të shkurta pushimi.
Përshtypjet e mësimit ishin për mue të shumta. Arsyeja ishte gjuha qe ende nuk mujshem me e kuptue mirë. Ky ishte me nji përqindje të vogël
Mbasditja ishte e lirshme dhe na nxansat shqiptarë e kaluem tue shkrue orarin, emnat mbi fletore e libra dhe aty këtu kënduem dishka mbi mësimet që ishin zhvillue n’at paradite.
2.IV.52
Java e parë shkollore
Si në paraditen e parë, ashtu vazhdoi mësimi për gjithë javën, me përjashtimin se tri ditë në javë kishim vetëm katër orë mësim në ditë. E kështu liroheshin në orën 12 ndër këto ditë.
Mbasditja na preokuponte me nxanien e mësimeve qi zhvilloheshin paradite dhe me pregaditjen e mësimeve, qi na epshin për ushtrime shtëpijet.
Ushtrimet e shtëpisë i plotësojshim ma s’mirit, për arsye se i epshim ndihmë njeni tjetrit ndër mësime. Po në kët mëndyrë u bante dhe nxansa tue kenë se ishin me nji gjuhë të huej mësimit na u dukshin t’randa aq shumë sa shpesh i bishim kresë me libra, tue kujtue se na ishim të trashë, e kështu i kalojshim ditët, javët e muejt.
3.IV.52
Gjashtëmujori i parë
Shkolla për të cilën flitet, si rregullore të mbrendshme kishte dy (2) provime në vjetë. Provimin 6 mujor të parë dhe atë në fund të vjetës. Këto provime i bante çdo profesor, për landën qi ushtronte vetë, me za dhe me shkrim. Profesorat ishin mjaft të matun ndër klasifikime dhe ndër pyetje. Gjashtëmujori i parë, për mue kje mjaft i fështirë, për shkak të mungesës së gjuhës siç u cek edhe ndër fletët e kalueme.
Në kët periudhë mësimi, unë ndahem mjaft keq në dishmi marr tri nota të pakalueshme. Ky klasifikim nuk më demoralizoi, por ma shtoi guximin m’u ba edhe ma i zellshëm e mos me e bjerrë kohën kot…
3.IV.52
Vjeti i parë shkolluer
Vjeti i parë shkolluer, kaloi po me fështirsi të mdha, për arsye se mue më mungonte gjuha gjermane, por me gjithë këtë, tue nxanë me vullnet çeliku, kohë e pa kohë, e vend e pa vend, në fund të vjetit ia dola dhe e kalova klasën me nota të kalueshme.
Gëzimi nuk asht nevoja të përshkruhet. Çdo lexues mundet vetë m’e kuptue.
Mëndyra e veprimit shkrue ma nalt, shumë ma lehtë vazhdoi edhe për klasët e tjera e kurrnji vjetë ma nuk pata nota të pakalueshme.
Kështu kaloi moti i parë e tjerët rresht mbas tij.
3.IV.52
Jeta në konvikt
Jeta në konvikt, ishte nji jetë gjysë familjare e gjysë dishiplinore.
Ndërtesa ishte e madhnueshme, me orendi të bukura si dhomat e mësimit (studimit), ashtu dhe saloni i dëfrimit dhe dhomat e fjetjes e të bajave.
Dhoma e dëfrimit ishte e madhe. Mbrendë kishim nji biliardo, shah e të gjitha lojnat e tjera. Në të njajtën mëndyrë ishin edhe dhomat e tjera me mobiliet dhe veglat përkatëse.
Si mbikqyrës në konvikt, pos z. Drejtor kishim edhe nji Prefekt që ishte student i Universitetit. Ky e kalonte gjithë mbasdreken me ne, tue na përkrahë ndër mësime, ushtrime, etje. Po ashtu e kishte mbikqyrjen edhe në dhomat e fjetjes. Dishiplina e konviktit mbahej prej tij; të ramët me fjetë ishte me orar, të çuemët, të pastruemit, heja e të tjerat ishin të gjitha me orar.
Tryeza e bukës dukej fare familjare, pse në mes tonë kishim z. Drejtorin dhe znj. Drejtoreshën.
Shqnija vllaznore këtu nuk mungonte. Në mes tonë nuk kishim dallime të besimit, e aq ma pak krahinash e mendimesh.
Ditët e kremte (festat) mbas dreke për ne ishin të lira për shetitje , simbas dishirit qi kishim…
Jeta shoqnore
Konvikti për të cilin folëm ishte i shenjuem vetëm e vetëm për shqiptarë. Në kët ishin mbledhun afro 50 vetë prej të gjitha viseve të Shqipnisë.
Besimi i këtyre ishte i ndryshëm, mosha nuk kishte ndonjë ndryshim të madh në mes tonë pse të gjithë ishim nën moshën 18 vjeçare.
Degët që ndiqeshin prej nesh ishin të ndryshme: do ndiqshin shkollën Tregtare; do Normalen e disa të tjerë ndiqnin Shkollën Qytetse (Unike).
Nxansit për të cilët u shkrue ma sypër, ishin prej qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, prej Shkodret, Vlonet, Elbasanit, Durrsit, Beratit, Shkupit, Struget e Prizrendit.
Jeta në konvikt në mes t’onë nuk kishte asnji ndryshim ma të vogël, të gjithë posi të njij vllaznije dhe fjala në mjedis nesh ishte: “Të gjithë për nji e nji për të gjithë”
Kështu ishte edhe rreshtimi jonë në sofër të bukës dhe ndër dhoma të fjetuni etje.
Ndër netët e vallzimeve e ndër të kremte fetare, pa ma të voglin ndryshim, të gjithë merrshin pjesë pa diftue asnji shenjë përjashta.
Shoqnija “Dija”
Robnija e Turqisë, sa po vinte e po shtohej në Shqipni. Në kët mëndyrë edhe zhvillimi i gjuhës shqipe po pengohej posaç brenda në kufi të kësaj.
Shqipnia në fjalë kishte përparim, në kët kohë me e përhapë gjuhën shqipe tek populli shqiptar sa ma shumë të ishte e mundun.
Kët parim kjo shoqni e përhapte me anën e revistës që u cek ma sipër, me artikuj e me vjersha të ndryshme. Revista në fjalë ishte mujore dhe përhapej në katër anët e Shqipnisë ashtu edhe nëpër vende të ndryshme ku gjindeshin shqiptarë të emigruem: si në Rumani, Bullgari, Amerikë, Itali etje.
Në javën e parë të Kallndorit, ditën e diel të vjetës 1908, mbas mësimit të gjuhës shqipe kishim mbledhjen e Shoqnisë, e cila mblidhej në Jozef Shtat, me nji anë të veçantë, mbasi vend të posaçëm nuk kishte.
Këtu shkruhemi si antarë të kësaj shoqnije dhe na nepet si detyrë për me përkthye për çdo javë ndonji gja që na e kishte kande me tepër.
Antarët aktivë qi u shkruen në kët revistë ishin shumë dhe nga vise të ndryshme të Europës si të mbrendshëm: Dr. Gjeorg Pekmezi, Zef Harapi, Kostaq Paftali, etje.
Kjo shoqni ishte njiherit dhe mikpritëse për të gjithë shqiptarët që vijshin në Vjenë. Në vjetën e sipërme si miq vizituesa kjenë: At Gjergj Fishta me veshje si frat, trup i shkathët, i lidhun mirë, esmer e me mustakë të zes. Z. Dervish Hima, me origjinë shqiptar prej Struge, me mjekër, ky njifej si veteran i kohës; Emzot Lazër Mjeda, Argjipeshkopi i dioqezit të Shkupit, me origjinë shqiptare, me petk kleriku, i shëndoshët dhe patriot, i lindun në Shkodër.
4.IV.52
Jeta praktike
Provimet e fundit mbaruen me ceremoninë e vet, tue u fotografue në mes të profesorave e shokëve të shkollës etje.
Klasifikimi i fundit kje për mue i kandshëm e me nota të mesme.
Dy javë mbas provimeve me urdhën të Z. Drejtorit të Konviktit, vehemi në punë praktike pranë Shoqnisë Orientale tregtare e cila quhej: Austro-Orientalische H.A.G.
Na shqiptarët morëm pjesë për nja gjashtë muej ndër punime të ndryshme të shoqnisë së shkrueme. Në vjetën 1911, na pritet bursa dhe pa vonesë na pagohen shpenzimet e udhëtimit. Kështu na drejtojnë nëpër qendrat ku na kishin marrë, tue na dhanë ka nji letër në dorë për konsujt ku do të ndaloheshim.
Unë kishem nji letër për Konsullin Gjeneral të Shkupit, e me të paraqitem. Mbas këtij të paraqituni, nuk kaluen tri ditë dhe unë emnohem në nji shoqni otomane qi quhej Dycherhoff und Vidmann, e cila ishte për ndërtim rrugash.
Kjo shoqni m’emnoi si arkëtar e njiherit përkthyes në degën e saj të Pejës, me nji rrogë mujore prej 15 lirash turke. Kjo shoqni kishte si detyrë me ndërtue rrugën Pejë-Mitrovicë, si dhe lidhje të hekurudhës me Mitrovicën. Në kët degë ishim tre nëpunës me tri kombsi të ndryshme. Kryetari ishte z. Grubhoffer, ingjinjer me kombsi gjermane, z. Salvisberg, shvicerian si konduktor dhe unë shqiptar, siç e theksova ma sipër.
Qyteti i Pejës nën robninë turke ishte i pazhvilluem, qytet i vogël, por me nji panoramë të bukur. Ky qytet si nënprefekturë, kishte si nënprefekt nji oficer që emnohej Xhaferr Taja, me origjinë turke.
Qetsija ishte e dishrueshme pse më katër anët e rrethit të këtij qyteti kishte komita shqiptarë në kambë, prej të cilëve shqyeheshin zz. Isa Boletini i lindun në Mitrovicë; Zefi i Vogël i rrethit të Pejës, etje. Komitët shqiptarë pengojshin lëvizjen e rrugëve sidomos atë të postës së ushtrisë dhe ndërtimin e rrugave.
Nji natë ishem i ftohun me flamë. Ishem tue ndejë në bujtinë, tue pi konjak, kur qe në tryezë shof në nji pecë të pshtjellun 40 (katërdhetë) kokrra kollomoqi të bardhë. I habitun thrras rojtarin t’em dhe e pvesë se shka janë këto. Ky më gjegjet se komitat duen prej teje katërdhetë mexhide të bardha si gjobë. Kjo ndodhi në muejin e parë kur ishe në Pejë. Rashë në mendime. E lashë punën deri ne nesre në nadje.
Nadje herët i hypi kalit dori bashkë me rojtarin, Nexhip Ahmeti. Para se të delshem në punë shkoj ke inxhinjeri dhe ia paraqes çashtjen.
Ky më thotë: Edhe mue më kanë pru 40 (katërdhetë) kokrra kollomoqi, po të verdhë.
Më len mue në dhomën e zjarrmit e ky vet hyn në dhomën e fjetjes. Rojtarët e tij, katër kalorës ushtarë turq, dhe ata katër të mijtë me në krye ka nji rojtar shqiptar kambsuer me kuejt qindrojshin para deret të shpisë.
Inxhinjeri del prej dhomës së vet dhe më thotë: “Ti je i ri, sot mos del në punë! Po dal unë vetëm!”
Unë i gjegjem: “Ti je i martuem, ke grue e fmijë. Unë në Shqipni edhe beqar do të dal patjetër!”
Inxhinjeri gjegjet: “Shko poshtë, prapsoje rojen ushtarake dhe dy civilët të nisen e të shkojnë vetëm në vendin e punimit. Si t’i kesh ba këto eja nalt!”
Unë e kreva porosinë shpejt dhe hypa nalt në dhomë.
Inxhinjeri më thotë: “Tash si kurse je, hypi kalit, e si të kesh kalue qytetin, te Mullini i Jashar Pashës, ktheje xhaketën, veshe mbrapsht, vene nji rube të bardhë në krye dhe nëpër livadhe shko ke punëtorët dhe unë po vij në anën tjetër…”
Si u tha ma sipër u veprue dhe na shkuem në krye të detyrës. Unë kreva detyrën e kontrollit të puntorisë, inxhinjeri të vetën. Afër mjesdite vjen inxhinjeri i hypun në kalë dhe më thotë: “E ku janë shqiptarët e tu? Shkojnë për bukë?” Dhe pa e mbarue fjalën mirë i hypi kalit e nisemi për qytet.
Por sa bamë pesë metra rrugë, kërset pushka në katër anët. Kali i inxhinjerit plagoset ndër krahë e në dy kambët e para. Inxhinjeri bje në tokë. Kali jem hidhet dhe me qet mue në tokë, në një hendek të rrugës.
Kjo qitje pushkësh vazhdon nja dhjetë minuta. Çohemi të dy, shofim njeni tjetrin, por nuk kishim asgja. Inxhinjeri pa vonesë shikjon kalin tue u dridhë dhe të përgjakshëm shpatullash. Ky bahet me dal mendsh, pse e donte kalin shumë. Shpejt e çuem atë në qytet për mjekim.
Mjekimet u banë, por kot, pse mbas pak orësh kali cofi.
Pasi largsija prej qytetit nuk qe vetëm tre kilometra, pushkët ishin ndie edhe në Nënprefekturë. Kajmekami me nji batalion ushtarë vjen në vend për ndjekje, por më kot. Komitët ishin shpërnda.
Jeta në Pejë
Si u cek ma nalt, fillimi i jetës në Pejë, kje dhe vazhdoi me kenë për katër muej rresht në rrethana të ndryshme të jetës. Komita Shqiptare fillonte me i shtue veprimet e veta dhe numri i tyne sa vinte e shtohej ç’do ditë. Pengesat e komunikacionit me Gjakovën dhe Mitrovicën, pothuej ishin krejt të fishtira, pse çdo javë ndodhshin grabitje, vrasje, etje. Puna e ndërtimit të rrugës pothuaj u ba e pamujtun, pse nji ditë punohej e nji javë pushohej. E kështu kalonin ditë e javë.
Në kët kohë me anën e rojtarit shqiptar, Nexhip Ahmetit, njifem edhe unë me komitat. Si shqiptar e tuj i mbajtë besën njeni tjetrit për fjalë e punë, vazhduem për sa qindruem në Pejë.
Puna pengohej, po na tash ishim ma të lirshëm. Inxhinjierit ia kishte anda shetitjet nëpër rrethe të qytetit, e aq ma tepër edhe mue. Kështu bajshim shetitjet t’ona pa pengesa komitash, pse tash kta na shoqnonin dhe na nderonin mbas njohjeve qi bamë.
Në kët kohë filluem me ndejtë në shpinë të kalit, e ma të shumtën e kohës e kalojshim tue ba sheti të ndryshme në rrethin e Pejës, herë te kisha e Deçanit, herë në Zhlebin e Pejës ku binte Drini, e herë në Mitrovicë e në Shkup.
Nuk ngjati shumë drejtimi i Shoqnisë që u shkrue ma nalt, na urdhnuen m’u transferue prej Pejet. Inxhinjeri emnohet në Shkup dhe unë si magazinjer në Qyperli (Velesh) diku afër Shkupit, kund aty nja tridhetë kilometra largësi.
Kjo periudhë pune vazhdon deri në fund të tetorit të vjetës 1912. Këtu kam rasë me u ushtrue në gjuhën bullgare tue kenë se kjo nuk kishte ndonji ndryshim të madh prej gjuhës serbe.
Në vijim të kësaj kohe, plasi lufta Ballkanike dhe serbët i thyen ushtritë e i zaptuan këto vise.
Me kët rasë unë mendojshem Shqipninë, dhe si kaloi nji kohë e gjatë; sepse në fillim të Nandorit e vendosa me u ba si dalëzotës i Atdheut tem.
1.IV.52
Udhëtimi për Vlonë
Ushtrija Ballkanike, qi kishte dërmue ushtrinë Turke, ishte për atë kohë sa e fuqishme aq edhe e egër, e paraqitej e unshme. Mue tash më duhej për udhëtimin t’em në Vlonë, me kalue dy kufij të ndryshëm: atë të serbit dhe atë të grekut.
Për udhëtimin tem rrijshem tue mendue se si m’i kalue këto pengesa. Pa bjerrë kohë shkoj te Komandanti i vendit Kypyrli (Velesh) qi ishte serb, me kërkue lejen për udhëtim në Selanik. Si shkak paraqes nevojën për mjekim të syve dhe për tërheqjen e do rrogave të mija prej kah unë mvreshëm. Komandanti për të cilin asht fjala mbas sa pvetjeve qi m’bani me nji za të rreptë i urdhnoi nji kapterrit të më bate lejen e kalimit për në Selanik, ku të nesërmen paradite u gjetsh në qytetin qi u përmend.
Qyteti si në Ballkan, ishte i madh e i madhnueshëm, me ndërtesa të mëdha, panoramë të bukur, por valët e detit Jon (Egje) e bajshin këtë edhe ma të kandshëm.
Unë kishem xanë vend në Bujtinën “Telegraf”, ku rrijshem tue mendue si me kalue në vaporr. Tue hecë rrugës ndeshem në z. Mati Logoreci, qi udhëtonte për në Krue bashkë me fëmijë.
Këtij iu luta me më shti në listën e familjes së Tij, qi do ta vizonte për udhëtim, por gjegja doli negative.
Shkova në konsullatën e Austro-Ungarisë, edhe këtu u luta qi të më shtinte në listën e përmendun. Konsulli nuk diftoi asnji kundërshtim për pamundësinë me ma dhanë këtë leje, por vetëm zoti Mati Logoreci diftoi pengime.
Vaporri i Llojdit ishte në limà. Këtu mendova dhe vendosa me marrë valixhen e vogël e me nji barkë me shetitë në limà të këtij Qyteti, shka edhe bana. Posa hina në barkë tue shetitë, i tham voztarit: “A kishesh me më çue deri ke vaporri që të marrim nji shishe birrë, e këtij me i pague edhe hakun pesë fish ma tepër. Kët propozim voztari e prandoi.
Sa vuna kamën në vaporr, paraqitem tek kapiteni i Vaporrit në fjalë, të cilit i parashtroj çeshtjen. Ky më gjegjet: “Ti tash mos kij kujdes për udhëtimin t’and, pse kët gja tash mundesh me e ba edhe pa leje.
Të nesërmen nisem për kah Vlona, n’orën gjashtë të nadjes. Era ishte e madhe. Valët e detit edhe ma të mëdha, kështu qi me ndërpremje udhëtimesh mbas katër ditësh, kur ishte data 26 Nandor mbrrijta në Vlonë…
Mbrritja në Vlonë
Me 26 nanduer 1912, porsa agoi drita, vaporri i Llojdit mbrriti në limanin e gjanë e të bukur të Vlonës. Ky i rrethuem prej Karaburunit (Hunda e Zezë) Ujit të Ftohtë, Sazanit dhe prej nji pjeset të vogël ranet. Në kët ishte një bisht uret druni, e gjatë dhe e vjetër. Pa vonesë vaporri lëshon fishkëllimin e vet për tre herë rresht. Me këtë ky lajmonte mbrritjen e vet në vend. Unë ishem hala përgjumshëm, fërkoj sytë e plot gëzim shof kët panoramë të bukur e të bekueme për Rilindjen e Shqipnisë, e për emnin e lirë shqiptar, qi ushtonte pas pesqind vjetësh, për të parën herë i lirë.
Vaporri pret me pushue e me zhgarkue por më kot… Ky nep fishkullimin e vet, e aty na vjen nji shqiptar i veshun me uniformën e turkut, me letër e lapsë në dorë për me plotësue formalitetet e rasës. Formalitetet u plotësuen e vaporri filloi me u zhgarkue. Ma parë del z. Kapiten i Vaporrit me nji sandall ku muer me vedi edhe nja dy thasë të mushun me tesha. Kështu fillon pa vonesë zhgarkimi i udhëtarëve e tjerët.
Unë me do shokë kombiet të ndryshme dalim në bisht te Urës dhe i paraqitemi policisë. Kjo e zhgatrrueme as nuk na pveti për emna, por na la të lirshëm për me hi në Vlonë.
Qyteti i Vlonës, prej Limanit mbante kund nja dy kilometër. Tash pa vonesë shumë hyme në Vlonë. Rrugës shifej nji livizje e madhe civilash e ushtarësh turq… Këta ishin do anës rrugës fjetun, do të tjerë të plagosun e do të tjerë në livizje si të habitun, tue hecë rrugëve andej këndej pa ditë se ku shkojshin. Rrugës shifeshin do armë të lëshueme, do matare, (pagure) etje. Vlona ishte nji qytet i vogël, me do shpija të vogla e të vjetra, përveç nja tri shtëpijave qi ishin diçka.
Në Vlonë kishin mbrritë njerëz të shquem prej shumë viseve të Shqipnisë, prej Beratit, Gjinokastërs, Kosovet, etje.
Prej Kosovet dallohej Bajram Curri, ky i lemë në Gjakovë… ishte i shoqnuem me Bajram Daklanin, Beqir Vokshin prej Gjakovet, e Abdyl Qerimin prej Krasniqet. Isa Boletini me djelmt e vet: Ademin, Bajazitin, nipin Tafilin prej Mitrovicet, Salih Gjuka prej Pejet; prej Shkodret dallohej Luigj Gurakuqi, Dom N. Kacorri, Dom Mark Vasa, Lukë Luka etje. Prej Pejet Bedri Pejani, prej Mitrovice, Rexhep Mitrovica; prej Gjinokastret Fejzi Alizoti etje; prej Beratit Aziz Pashë Vrioni, Sami Vrioni, Iliaz Vrioni etje. Dervish Hima prej Struge etje.
Veshja e personave ishte e ndryshme, me fesa të turkut në krye, kush me kapela, disa me kësula të bardha, të mathun me gjysë opingash e do me këpucë.
Fuqia greke s’prante tue rrahë Vlonën me top. Komita Himarjote ishte në kamë. Ismail Qemali, ditë natë ishte me parinë e vendit me këshilltarë e delegatë qi u shenjuen
Me 27 të Nandorit në mbramje, tue ra muzgu i territ këta kishin ngrehë Flamurin Kombëtar me nji shtizë mjaft të naltë, në mes të limanit të Vlonës, e kështu me 28 Nanduer 1912, tue ague drita, porsi rrfeja hapet ky lajm në mes të popullsisë, edhe ndër shtresa të cilat edhe këta ishin pushim.
Ndër rrugët e qytetit shifet nji livizje e madhe. Këtu tash nuk binte as kokrra e melit në tokë. Rrugët ishin plot me pleq e plaka, me të reja e të rijë, gra me çarçafë e pa çarçafë, me fëmijë përdore ose të ngarkuem mbi shpinë.
Fetyra e këtyne shkëlqente prej gëzimi. Kujt i shkojshin lotët prej shendit, kush nuk i shihte këta aspak, e do të tjerë nuk dijshin se ku e vejshin kamën prej gëzimit. Zani i madh qi ushtonte ndër rrugat e qytetit ishte: “Rroftë Plaku i Vlonës”, “U njall përsëri Skënderbeu”; “Rroftë Flamuri i Shqipërisë!”
Banorët e Vlonës pa përjashtim kishin lanë dyert e shpijave çilë, e bashkë me delegacionet e ndryshme të Shqipnisë, të gjithë ishin mbledhë rreth Falmurit që rilindi e valonte mbas vdekjes së Skënderbeut. Pa vonesë në mes të kësaj turme popullsiet paraqitet Ismail Qemali me delegacionet e hueja. Këtij i shndrisin qimet e mjekrrës, faqet kuq si kokrra e shegës. Ky në mes të popullit filloi bisedën e ditës.
Biseda kje e amël, me fjali të zgjedhuna patriotike, këtu populli qi gjindej përbri e pritte këtë me gëzim të madh, me brohoritje e duartrokitje. Menjiherë mbas bisedet i qitën poshtë fesat e kuq dhe kapelat tue i zevendësue me qeleshet e bardha. Nuk kalon nji orë, e del e përhapet falas gazeta me titullin “Rilindja e Shqipnisë”. Kjo përmbante në faqen e parë të shtypun Flamurin e Shqipnisë me Zhgabën (shqipen) dykrenshe, e mbi krue si kunorë helmen e Skënderbeut dhe nji vjershë të bukur me titullin “Julius Caesar”, shkrue prej pendës së Luigj Gurakuqit. Në faqen e dytë kishte fotografinë e Ismail Qemalit, me fes të kuq në krye. Kjo gazetë drejtohej prej Muço Qullit dhe ishte si fletore e përditshme.
Menjiherë merren në dorëzim zyret administartive dhe si prefekt emnohet Nexhip Bashai (ky ishte prej Pejet). Drejtor i përgjithshëm i arsimit Lukë Luka etjerë me rradhë.
Nën hijen e valëvitjes së Flamurit, merrte frymë të lirë tash vetëm vona, me nji rreth të ngushtë, i cili erdhi tue u zgja shpejt e shpejt, në Berat, Elbasan etje.
Në Berat, si prefekt i parë nën lirinë e Shqipërisë emnohet z. Fejzi Alizoti. Drejtor i Arsimit për kët prefekturë emnohet Salih Gjuka me inspektor të Arsimit Kostaq Kotën dhe unë emnohem mësues në Berat.