back to top
18.5 C
Tirana
E premte, 22 Nëntor, 2024

Kultura s’do të thotë dije, por mënyrë e organizimit të një shoqërie… – nga Ervina Toptani

Gazeta

Ervina Toptani
Ervina Toptani

 Kultura s’do të thotë dije,

por mënyrë e organizimit të një shoqërie…

nga Ervina Toptani

Jam kurioze të di si i mësojmë ndjenjat ne shqiptarët? Duke punuar për një temë mjaft të rëndësishme siç është arsyeja e rritjes së kriminalitetit tek të rinjtë, has në metoda e modalitete pune që në Shqipëri nuk besoj merren ndonjëherë në konsideratë.
Ndjenjat nuk janë diçka natyrore, nuk na vijnë natyrshëm, ato janë frut i kulturës, mësohen nëpërmjet saj. Shoqëritë primitive kishin mitet të cilat në epokën e sotme nuk i kemi më. Për shembull, zotat në Greqinë e lashtë sot ne i konsiderojmë si diçka të gënjeshtërt por për kohën ato kishin një rëndësi edukative shumë të madhe për njeriun, përfaqësonin në Olimp të gjitha ndjenjat dhe pasionet e mundshme. Çdo ndjenjë kishte një zot të vetin si model paradigme në mënyrë që të përftonin nocionin, t`i njihnin ato. Zeusi për shembull personifikonte fuqinë, Athinaja inteligjencën, Afërdita seksualitetin, dashurinë, Ares luftën, agresivitetin, Dionisi marrëzinë, Apollo bukurinë. Pra ndjenjat mësohen, kultivohen.
Ne sot nuk kemi më mundësi t`i kthehemi miteve por kemi letërsinë që e përkthyer në pak fjalë është: vendi ku njeriu mëson çfarë është dashuria më përpara se ta përjetojë atë, të njohë e të kuptojë dhimbjen, gëzimin, palumturinë, dëshpërimin, marrëzinë, çfarë është vetëvrasja, tragjedia etj. Në epokën moderne rolin e miteve e ka zëvendësuar letërsia. Nëpërmjet ndjenjave edukohet njeriu, nëse individi nuk është pikësëpari njeri atëherë nuk do të mundet të jetë as specialist i mirë në asnjë fushë.
Të rinjtë vuajnë jo vetëm për arsye psikologjike por vuajnë më së tepërmi për arsye kulturore. Kultura këtu nuk do të thotë dije por është mënyra e organizimit të një shoqërie. Dimensioni i tmerrshëm i mungesës së kësaj kulture që të rinjtë jetojnë sot si derë e mbyllur është se ju kanë hequr të ardhmen. Sot e ardhmja nuk premton asgjë, ndaj të rinjtë rendin për të ikur sepse ankthi që krijon fushëpamja e mbyllur, e errët e një të ardhmjeje që nuk duket në horizont krijon apati dhe dëshirë për t`u larguar në kërkim të plotësimit të vetvetes. Shpesh edhe prindërit që i shtyjnë fëmijët e tyre për të studiuar e dinë mirë sa të vakët janë në bindjen e fëmijëve të tyre pa pasur argumente të shëndosha që qëndrojnë vetë në këmbë, në lidhje me parashikimin e sigurte të një të ardhmjeje te begatë. Shoqëria e sotme i thotë të rinjve: të dashur të rinj, meqë të ardhme nuk ndërtoni dot atëherë kënaquni me të tashmen!
A ia keni bërë ndonjëherë pyetjen vetes pse flenë adoleshentët, të rinjtë deri në mesditë? Ose përse drogohen ata? Përgjigjet e shpeshta të tyre janë: për të provuar emocione (dmth duhet të marrin drogëra e ecstasy për të provuar emocione!) dhe për të mos ndjerë parëndësinë që ka individi në shoqëri, në këtë shoqëri që nuk ka nevojë për individin sa kohë që e ka kthyer në të paaftë për të ndërtuar një të ardhme. Individi është i parëndësishëm! Gjumi dhe droga funksionojnë si një lloj anestezie e cila duhet lexuar mirë nga prindërit, nga mësuesit, edukatorët e brezit në përgjithësi.
Nëse realiteti është një premtim bosh atëherë sigurisht që do të funksionojnë më së miri parimi i kënaqësisë trupore, momentale. Kjo është drama e një adoleshenti, një të riu sot. Kjo është arsyeja kulturore për të cilën parehatia rinore është qindfishuar në respekt me çka qenë më herët. Kultura dikur (në perëdim të paktën) garantonte një të ardhme, sot jo më. Eshtë deformuar me ndërgjegjje motivacioni që përcakton që në fillim parëndësinë shoqërore të individit.
A mund të bëjnë të rinjtë revolucion? Revolucioni, siç e shpjegon Hegeli, përbën konfliktin ndërmjet dy vullneteve, vullnetit të shërbyesit dhe atij të padronit. Por sot si punëtori si pronari shpesh janë të dy në të njëjtën varkë. Dhe çfarë kanë si kundërpalë? Merkaton, tregun e përbashkët që ndër të tjera sot është dhe global. Grupet e caktuara të interesit (ata që mbajnë në dorë frerët e njerëzimit) kanë krijuar një situatë ku tregu, që është një sistem racional, nuk dihet as kush e drejton. Sigurisht që ka drejtues por janë të panjohur, të padukshëm dhe njerëzit nuk e dinë kush janë ata që vendosin rregullat dhe për pasojë e kanë të pamundur të përplasen me ta. Dhe nëse individi nuk ka një antagonist si mund të organizojë revolucione?
Ervina Toptani

.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Leka Ndoja (Vrethee Lnika)
    Temë që bigëzohet mes shëndetit shoqëror si traditë – me karakteristika të trasformueme gjatë diktaturës – dhe reagimi i gjeneratës së re nga faktorët e jashtëm – luksologjia si ideologji moderne që konflikton grupet sociale.

    Ervina Toptani
    Vrethee Lnika fillesën e ka shumë të hershme në fakt si temë, po të duam të analizojmë filozofikisht, tek kultura kristiano-hebraike. Shoqëria perëndimore dy kultura njeh: atë greke antike dhe atë kristiano-hebraike. Më pas se si është zhvilluar shoqëria deri në shek. e 16 e njohim nëpërmjet historisë. Në shek. e 16 erdhi bumi shkencor me Dekartin, Galileun, Baconin etj. e në këtë kohë vjen në ndarjen e mentalitetit shoqëror teknika e bashkë me të dhe shkenca. Evoluimi teknologjik duke ardhur tek ne sot, solli përqëndrim pushteti tek financa, e cila zëvendësoi ekonominë duke e kthyer paranë në qëllim përfundimtar nga mjet që ishte. E kur mjeti kthehet në qëllim përfundimtar, gjithCka tjetër kthehet në mjet, edhe njeriu!! Eshtë ajo që shkenca e filozofisë e quan heterogjeneza e përfundimeve. Eshtë e epërme si temë dhe kërkon njohje të thellë të praktikave shoqërore, por nëpërmjet saj shpjegohet si e përse shoqëria erdhi duke u degraduar sot deri këtu, ku individi mori supremacinë personale duke lënë mënjanë shoqërinë si thelb e duke abuzuar ndjeshëm me egocentrizmin e tij.

    Leka Ndoja (Vrethee Lnika)
    Programi mësimor i viteve ’30 – ’40 i Liceut i Filozofisë, përfshinte Etikën dhe Sociologjinë me autorët Spencer, Durkheim, Levi Bruhl që ne i bamë në universitet. Shoqëria jonë u nda nga vlerat europiane – mbase jo përfundimisht – teknologjia e unifikoi bihevorizmin e rinisë sonë – ata kanë informacion më shumë global se atë konservativ. Hemoragjia e diasporës mbetet faktor i uljes së zhvillimit.
    Dhe migrimi i brendsherm ka sjellë bjerrje të kualitetit të grupit social të botës së kulturës.
    Sociologjia duhet të lindë ok!

    Ervina Toptani
    Vrethee Lnika me frazën e fundit e keni mbyllur për të hapur një reflektim shumë të thellë: sociologjia duhet të lindë! Ndërkohe bota sot shkon ndesh dhe në të kundërt me parimet filozofike. Kemi përqafuar parimet e logaritmave ekonomiko-financiare e teknike. Njeriu është kthyer në mjet dhe i shërben tashmë qëllimit përfundimtar: parasë. Një qerthull që e gllabëroi njeriun duke qënë se paranë e krijoi si mjet për të qënë vetë njeriu qëllimi e në fakt, nga padituria, etja dhe lëshimi pas egoizmit e bënë paranë qëllim e njeriun mjet…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.