back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Kumti i lirisë dhe i bashkimit i Mbretit Gjergj nga Anton Çefa

Gazeta

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu (Krujë)
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (Krujë)

Kumti i lirisë dhe i bashkimit

i Mbretit Gjergj

nga Anton Çefa

E quajte veten “Mbreti i  Epirotasve dhe i Maqedonasve”, në emër të fiseve të hershme e të lavdishme ilire, po ishe Mbreti i Arbërve.
Hyre në histori me një emër të dyzuar: me  emrin e truallit dhe me atë të të huajit dhe i ndave kohërat e fatet më dysh, me shpatën e Arbrit.
Hyre në luftë me Flamurin e Arbrit, ku valëvitej krenare dhe kërcënuese një shqiponjë me kokë të dyzuar. (Ç’të lexojmë në të, Mbreti ynë: profeci, shqetësim, vigjilencë, apo fatalitetin e Arbrit?).
Të ndoqi hija e dyzimit, Mbreti ynë, siç e ndoqi dhe e ndjek historinë e kombit tonë ky dyzim i shtrirë mes dy kontinenteve, mes dy botëve, mes dy qytetërimeve, mes dy kishave, mes dy besimeve.
Me madhështinë e personalitetit tënd dhe me trimërinë e bëmave Tuaja, Ti i kapërceve të gjitha dyzimet, sepse Shpirti Yt qe i njësuar tek liria, tek ideali i bashkimit  të gjakut, të gjuhës, të kombit.
Eshtë ky kumt – kumti i lirisë e i bashkimit – që shqiptarët e kanë ndjerë gjithnjë deri në skutat më të skajshme të vetëdijes së tyre arbërore. Eshtë ky kumt që shqiptarët ia kanë pasur dhe do t’ia kenë nevojën gjithnjë. Kumti që e shenjtërove, Ti, Mbreti ynë i dashur!
Na the: “Lirinë e gjeta në mes tuaj”. Vërtet, lirinë e kemi pasur gjithmonë me vete, në shpirt. Ti i dhe frymën e bashkimit dhe forcën e krahut dhe me to zulmën e lavdisë.
Në zemër kishe shqiponjën dhe, për t’i dhënë një emër të ri kombit, e vure në  Flamur, në parzmore, në vulë dhe në unazë. Në përkrenare kishe brirët e dhisë, mishërim i forcës së orëve e të zanave të alpeve tona, relike trojesh mitike.

Përkrenarja e Skënderbeut (në Vienë)
Përkrenarja e Skënderbeut (në Vienë)

E ngrite në Krujë Flamurin, duke pikëzuar historinë në një datë: 28 Nëntor. Eshtë kjo datë që ringjall hijen tënde në Krujë, në Deçiç, në Vlorë, në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë.
Vonë, shumë vonë erdhe në  Prishtinë, sado që atje ke qenë më i pranishëm se kudo dhe trevat dardane i ngazëlleve me magjinë e triumfit. Shpirt i ngurtësuar në shkëmb, shkëmb i trajtësuar në shpirt. Monument i lirisë dhe i pavarësisë, emblemë e lavdisë dhe e krenarisë.
Erdhe në Prishtinë për të pritur gëzimin e madh të pavarësisë që po afron. Të pritëm me mall, me lot, me shpresë, me mburrje, me mirënjohje. Të pritëm me shpirt, me mendje, me zemër.
Mirë se erdhe, Mbreti ynë!

Medalja e Skënderbeut - e përgatitur nga Isa Ndreu (pjesa para)
Medalja e Skënderbeut – e përgatitur nga Isa Ndreu (pjesa para)

* * *
Po vij tek Ti sot, Mbreti ynë, të lutem dhe të rrëfehem. Po vij në Krujë, po vij në Vlorë, po vij në Tiranë, po vij në Prishtinë, po vij në Tetovë. Po vij të të lutem për popullin tim, kombin më të lashtë të Europës, të lutem për shtetin shqiptar – “shtetin më të ri të Europës, aq të ri, sa nuk ka lindur ende!”. Po të lutem që ta rilindësh me kumtin tënd të lirisë e të bashkimit. Bashkimit të   zemrave, bashkimit të trojeve.
Koha Yte qe Koha e Bashkimit në luftë kundër armikut, që kishte ardhë tek porta. Koha jonë është koha e politikës, koha e grindjeve të turpshme për portofole ministrish e karrige deputetësh, koha e makiavelizmit, e prostitucionit, e çoroditjes
Ti i dhe Arbrit dinjitetin para Europës dhe botës. Iu bëre krah mbrojtës i qytetërimit. Europa të ra ndër këmbë dhe, më pas, të përjetësoi në monumente; por më pas, ne, bijve Tu, na harroi dhe na braktisi   dhe sot nuk na begenis. Për faje të sajat dikur,  për faje tonat sot.
Ti na dhe Kanunin e Nderit e të Besës. Ne, “stërnipërit e dikurshëm të një race së vjetër dhe bujare”, po e përdhunojmë atë çdo ditë. Po e përdhunojmë në Vlorë, në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup.
Me Besën e Lezhës i bashkove princat e lavdishëm, po kokëfortë e të pabindur. Na bashko edhe një herë me hirin Tënd, ne: kulltukofagët, karrieristët, partiakët,  ngatrrestarët, kokëkrisurit! Na blato me shenjtërinë e bashkimit dhe na largo stihitë e përçarjeve, që na faniten çdo ditë, çdo orë, çdo minut!!
Dhe të gëzojmë, bashkë me Ju, duke pritur ditë të mira për kombin. Të gëzojmë, Mbreti ynë, Gjergj! Ditë të bukura për Arbërin po vijnë!
Janar, 2001

Vula e Skenderbeut
Vula e Skenderbeut

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.