back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kur burrat shihen n’sy nga Fritz Radovani

Gazeta

Osman Kazazi (1917-1999)
Osman Kazazi (1917-1999)

Kur  burrat  shihen n’sy…

nga Fritz Radovani

Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…

Thonin të vjetrit:
“Zoti,
Burrat e mirë
i merr ma shpejt
pranë vetes!..”

Me datën 3 Mars 2014, u bane 15 vjet që Atdhetari Osman Kazazi, u nda prej nesh përgjithmonë, dhe shkoi në Mbretninë Qiellore, mbas 43 vjetësh që kaloi si burrat në ferrin komunist të Shqipnisë enveriste…
Osman Abdullah Kazazi ka lé në Tiranë, me datën 9 Korrik 1917 dhe ishte vllau i pesë motrave, që i shikonin sytë e ballit. Studimet e mesme i vazhdoi në Shkodër në Gjimnazin “Illyricum” të Françeskanëve. Ishte ndër ma të përgatitunit e asaj shkollë dhe si i tillë, vazhdoi studimet për farmacist në Romë. Mbas tri vjetësh ndërpret studimet nga rrethanat e veshtira të luftës atje dhe kthehet pranë familjes në Tiranë. Edukata e marrun nga shkolla Françeskane e Shkodrës, Osmanin e rreshton me atdhetarët demokratë që kishin synime republikane, dhe dëshira e Tij për një Shqipni të Lirë dhe Republikë Demokratike e angazhon me “Ballin Kombtar Shqiptar”.
Në përpjekjet per Liri, Osmani nuk pajtohet me veprat dhe luftën civile, që asokohe po zhvillonte partia komuniste shqiptare, nën kujdesin e jugosllavëve të ardhun me detyrë në Tiranë, që në formimin e saj në 1941. Ato pikpamje ai i shpreh haptas. Vetëm për kët fakt “…se nuk pajtohet me luftën civile të PKSh”, arrestohet me datën 14 Nandor 1944, nga forcat e Sigurimit të komunistëve të Tiranës. Asht ndër të parët atdhetarë që dënohet fillimisht me izolim, interrnim dhe burgosje të vazhdueshme për 43 vjet rresht.
Njeriu i heshtun i burgjeve të mnershme komuniste, Osman Kazazi, shikohet dhe trajtohet si nxanës besnik i njenës prej shkollave ma atdhetare po, edhe antikomuniste, ashtu si ishte në të vërtetë shkolla e Françeskanëve të Shkodrës, për të cilën Osmani pa frikë deklaron në hetuesi: “Nga profesorët e asaj shkolle Etnit Anton Harapi, Çiprian Nikaj, Mati Prennushi etj… mësova me dashtë Atdheun tim, ndërsa, nga “Lahuta e Malcis” që na recitonte At Gjergj Fishta, “mësova se pse unë duhet me vdekë per Atdhé! Ata ishin antifashistë se ishin Atdhetarë Shqiptarë, dhe si veten na edukuen edhe né!”

Ibrahim Rugova dhe Osman Kazazi...
Ibrahim Rugova dhe Osman Kazazi…

Tue fillue nga burgu i Burrelit, kampi i shfarosjes së Maliqit dhe Bedenit, e derisa asht lirue në vitin 1987, asht e vështirë me përcaktue ku i kaloi jeta Osman Kazazit, po vetëm një gja asht e sigurt: “Ishte Burrë i matun dhe i pathyeshëm nga vuejtja!”
Me 6 Mars 1998, kur po kalojshe nga Sheshi Avni Rrustemi, në Tiranë, ndigjova se më thirri një zà burri… Ishte Tanush Mulleti. Më dha një ftesë për dekorimin “Qytetar Nderi i Tiranës” së z. Osman Kazazit…” Më kërkoi me folë dishka për atë Burrë! Shkova në shtëpi dhe u përgatita, ndonse, fusha e vuejtjeve të Tij ishte e pakufishme…
Mbasdreke u takuem me Tanushin dhe shkueme te “Teatri i kukllave” ku organizohej ceremonia. Kishte shumë qytetarë të Tiranës, dhe personalitete politike.
Më erdhi koha me u çue për me ba përshndetjen. Gati askush s’më njihte, dhe s’besoj se më kujtonte as vetë z. Osman, me të cilin kisha pasë vetëm nji takim…
Fillova fjalën time: “I nderuem z. Osman Kazazi, i masakruem nga komunistët vetëm pse ishe nxanës i Françeskanëve Shqiptarë të Shkodrës, po, edhe besnik i atyne bankave ku more nektarin e Atdhedashunisë, dhe ndjenjën e vetflijimit për Atdhé e Fé…
Sot prej zemret, po Ju baj urimet e mija në gjuhën e Profesorëve të nderuem të Tuej, të cilët nuk rrnojnë asnji, po nder 43 vjet vuejtje të Tuat që ke kalue ndër burgjet e diktaturës së Enver Hoxhës, Ata ishin udhrrëfyesit Tuej që të forconin dhe të banin ma optimist për me qëndrue si Burrat… Filluen duertrokitjet… Nuk kuptova pse? Unë nuk e kisha perfundue fjalën dhe salla ishte çue në kambë… Duertrokitjet vazhdonin…
Sesi mu dha me shikue nga drejtuesit e tubimit, dhe shoh z. Osman tue fshi lotët me një shami, kishte hjekë gjyslykët dhe vazhdonte me lotue… Ndërpreva fjalën dhe iu afrova te tavolina. U përkul dhe më përqafoi me lot për faqe: “I nderuem z. Radovani, edhe zani yt m’u duk si i Atyne Burrave që më edukuene ndër bankat e asaj shkollë, ku unë mësova kujt i thonë Nder, Atdhé e Zot!..” I lexova edhe dy rreshtat e fundit dhe në mes turmës që vazhdonte me qëndrue në kambë e tue duertrokitë shkova te vendi.
Njeriu ndër ato rasa nuk e sheh veten… Tanushi më tha: “Gja e veçantë!”
Mbas dy ditësh i shkuem për vizitë bashkë me Tanushin në shtëpi… Një pritje e paharrueshme për mue. U ulëm në një divan, ku me siguri aty asht ulë edhe Burri i Madh i Dardanisë Rugova… Portreti i qeshun i Osman Kazazit përballë Tij, më futi ndër këta mendime. Osmani më foli gjatë për kohën e rinisë së vet në Shkodër…
U ndalue në një episod të trishtueshëm të rinisë, kur ishte i pranguem në burgun e Tiranës, me datën 19 Shkurt 1946… dhe tue shkue në WC, roja e len në korridor dhe ai hyn në nji magazinë… Ku ndigjon nji zà: “Osman! Osman!… Jam Padër Antoni!… Osman, a asht kush këtu afër?”  – u përgjegja – Jo Padër. Nxorri një letër të vogël nga xhepi dhe më tha: “Rueje po, mos ta gjejnë kur të kontrollojnë!” E mora, e futa në gjoks… dhe eca tue e shikue mësuesin tim fort të dashtun, Padër Anton Harapin, që ishte i pranguem duer e kambë nën nji shkallë, gjithë Ai Burrë nuk dukej ma shumë se nji grumbull plaçka të hudhuna në çimento, nuk kishte as shtroje as mbulojë veç nji tas alumini pa ujë, i rrethuem në hekra ku nuk mujte kurrë me u ngritë në kambë, se ishte vendi i ultë, ndërsa Padër Antoni, ishte i gjatë dhe për sa muej qëndronte aty gjithmonë i krrusun…
Të nesërmen At Anton Harapin e pushkatuen… ishte 20 Shkurt 1946…”
Më tregoi se Osmani e kishte ruejtë letrën dy vjet, po kur ka humbë shpresën se lirohet, atë letër ia kishte dhanë nji kushrinit të Lef Nosit, që ishte para lirimit. I vinte keq se nuk dinte gja për fatin e asaj letre, mbasi kur asht lirue Osmani, qytetari Nosi, nuk jetonte ma prej sa kohe… E koha e pafund e burgut vazhdonte me përpi kujtime!
Osman Kazazi ishte nji galeri e pafund ngjarjesh që vetëm ndërpriteshin kur iu ndalonte zani: “Ishte Burrë i mirë fort… po vdiq në kët  kamp… ndërsa, i biri nuk deponoi dhe e mbytën ndër tortura… Po, me klerikët katolikë, nuk mund të krahasohet askush… Ndoshta, gaboj, po kam bindje se vuejtjet e Tyne ishin të veçanta në krejt Europën!”
Jam gëzue fort kur mora vesh se Osman Kazazin edhe Vatikani e kishte dekorue me Medaljen e Artë “Joannes Pavlvs PP II”. Ndoshta, për kët arsye i kanë shembë edhe shtëpinë e Tij në Tiranë… ashtu si Luigj Gurakuqit në Shkodër… E tash së fundit po mendojnë me lanë me u shembë edhe shtëpinë ku banonte At Fishta!

Busti i Osman Kazazit (1917-1999)
Busti i Osman Kazazit (1917-1999)

Burra si Osman Kazazi nuk kanë nevojë për “shtëpija”…
Ata me vuejtjet e gjakun e Tyne, kanë ndërtue Kështjella të Pamposhtuna!
Pavdeksia e Atyne Kështjellave asht vdekja e komunizmit!
Ato Kështjella me Emnat e Tyne të Pavdekshëm janë Shqipnia Europjane!
Melbourne, Mars 2014

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.