back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kur Djemtë e Skelës u përleshën me “Vullnetarët e Enverit” – nga Gëzim Zilja

Gazeta

Gezim Zilja - Drejt Perëndimit - Ditar
Gezim Zilja – Drejt Perëndimit – Ditar

Kur Djemtë e Skelës u përleshën me “Vullnetarët e Enverit”

nga Gëzim Zilja

Pesë ditë pasi në Tiranë u rrëzua dhe u tërhoq zvarrë shtatorja e diktatorit, më 25.02.1991, komitetit i partisë organizoi një marshim demonstrativ me punonjësit e Pashalimanit drejt Sheshit të Flamurit, ku do të mbahej një miting në përkrahje të diktatorit. Punonjësve u ishin thënë se do tu paguhej dita e punës.
Ishte ora rreth 10.00 e paradites, kur autobusët, të mbushur plot me punonjës të Bazës së Pashalimanit, ndaluan në Skelë. Njerëzit filluan të zbrisnin dhe nën komandën e sekretarëve të partisë, filluan të rreshtohen. Në duar disa mbanin bukën e mbështjellë me gazetë, e të tjerë portrete të Enver Hoxhës e parrulla. Në krye, në gjatësinë e rreshtit, spikaste një beze e kuqe, e shkruar me të bardhë “Enver- Shqipëri” dhe “Vullnetarët e Enverit.” Pa u vënë akoma në lëvizje, turma që udhëhiqej nga drejtori i Pashalimanit, Luto Hasko, dhe titullarë të tjerë të partisë në rreth, filloi të bërtiste “Shqipëri-Enver, jemi gati kurdoherë”. Ndërkohë disa punonjës, tinëz u larguan nga grumbulli, duke mos dashur të shkojnë te Sheshi i Flamurit.
Sapo turma kaloi “Kulaçin” dhe përparoi rreth 50-metra, si me magji s’dihet nga mbinë rreth njëzet djem, të moshës 25-40 vjeç të gjithë skelarë ose zona përreth. Pjesa më e madhe ishin njerëz të thjeshtë dhe pa ndonjë angazhim politik. Njoha midis tyre Xhoxhi Priftin, berberin e Skelës; Hamdi Memetin, këpucar; Vilson Haskaj, pilot në port; Namik Mustafaj, teknolog në sodë; Koto Zilja, trainer pranë klubit sportiv “Flamurtari”; Nasip Imeri, saldator në fabrikën e çimentos; Kastriot Axhami, peshkatar; Gjergji Kallçia, Sulo Nebiu, Lefter Islami etj, të gjithë lindur e rritur në Skelë.
-Ndaloni more shkërdhata ku po shkoni! – ulëritën djemtë e Skelës ku spikaste Xhoxhi Prifti që nuk e kishte hequr as përparësen e berberit… Doni të ngjallni diktatorin, por nuk kemi për t’iu lënë. Kthehuni se do ta pësoni keq.

Bulevardi i Portokalleve - Vlore
Bulevardi i Portokalleve – Vlore

Pa komandë, pa udhëheqës, djemtë e Skelës, filluan të ndjekin turmën, që marshonte (shumë ishin larguar) në mes të bulevardit, ku dalloheshin instruktorët dhe sekretarët e partisë, që lëviznin gjithandej dhe ruanin kompaktësinë e turmës. Me gjithë të sharat dhe ofendimet, “vullnetarët” me portretet e Enver Hoxhës vazhdonin përpara. Atëherë grupi i vogël, që lëvizte paralel me turmën e humbi, durimin. Dikush lëshoi kushtrimin: U bini me gurë komunistëve! I qëlloni me gurë zagarët e Enver Hoxhës! Mos i lini qentë e Enver Hoxhës, të shkojnë në Sheshin e Flamurit! Poshtë komunizmi! Kaq u desh. Dhjetëra gurë filluan të fluturonin mbi turmën, që vazhdonte të thërriste: “Shqipëri, Enver.” Asnjë gur nuk shkonte dëm. Ndërkaq grupi i djemve të Skelës ecte në trotuar, paralel me turmën, duke bërtitur “Liri-Demokraci – Kokë e Dullës në tepsi”. Pa arritur te dera e ish-Kombinatit të Peshkut “Ernest Telman”, pikërisht në krah të bufe “Skelës”, turma stërmadhe e protestuesve të Pashalimanit u ndodh ballëpërballë me ata pak djem, që donin t’i ndalonin. Përplasja ishte e shpejtë dhe e egër. Qëllohej me ç’të mundej. Pas dhjetë minutash, turma u praps, duke lënë në asfaltin e rrugës dhjetëra parulla, portrete, një beze të madhe, të kuqe, të grisur, gurë e copa pllakash të shkulura nga trotuari, shishe të thyera, hunj gardhesh, e gjithfarë sendesh, që mund të përdoreshin në këtë dyluftim të pa parashikuar, trup me trup. Rreshtat e rregullt të punonjësve të Pashalimanit u shpërbënë, duke ia mbathur kryesisht në drejtim të godinës së madhe të komitetit të partisë, që ndodhej aty pranë, të ndjekur nga thirrjet dhe goditjet me gurë të sulmuesve. Turma e gjakosur u shpërnda në të gjitha drejtimet; një pjesë e përbërë nga “Vullnetarët e Enverit” u grumbullua në godinën e komitetit të parties. Për dy orë njerëzit u strehuan në godinë: “vullnetarët” me frikën e djemve të Skelës, që prisnin aty pranë si skifterë gati për t’u përleshur, dhe drejtuesit e punonjësve me instruktorët e Partisë, me shpresën e një marshimi të ri drejt Sheshit të Flamurit. Kundërshtarët në një distancë të afërt shkëmbenin të shara. Një instruktor partie, kërcënoi:
-Në burg do t’ju kalbim! Nuk e lëshojmë pa gjak, se me gjak e kemi marrë. Një plakë çame e lagjes që kalonte rastësisht aty, e dëgjoi, ktheu kokën dhe mallkoi:
-Mos paçi varr, o Zot i Madh!
Nuk i shau, nuk i kërcënoi, nuk kërkoi të hakmerrej, vetëm kërkoi, që ajo farë e njerëzimit që quhej komunizëm, të dënohej përjetësisht me harresë, të mos kishin më, as emër e as varr. Plaka ishte e veshur me tumanet karakteristike të zonës së Çamërisë dhe mbi kokë i ndrinte lahuria e bardhë. Nuk e ktheu më kokën prapa. Në ditar atë ditë kam shkruar edhe këto rreshta: “Shikoja me vëmendje njerëzit e strehuar te godina e K.P-së dhe këta të tjerët, të gatshëm për sulme të reja në qoftë se turma do të nisej përsëri në qendër. Njësoj të veshur, të ushqyer, ndoshta dhe pa ngrënë mëngjes atë ditë, njësoj të varfër, dhe ashtu si unë e im vëlla, kishin në turmë të afërmit e tyre, ndoshta edhe vëllezërit e baballarët. Duke parë instruktorët e Partisë që nuk pushonin së vrapuari midis punonjësve të Pashalimanit mendoja: “Përse i vënë njerëzit kundër njëri-tjetrit, në emër të kujt? Unë isha i bindur se, në qoftë se punonjësit e Pashalimanit do të ishin treguar të vendosur, në marshimin e tyre drejt Sheshit të Flamurit, me siguri te “Kulaçi,” Skela do të kishte patur në të ardhmen një pllakatë për të vrarët e asaj dite. Rrugët e kësaj lagjeje të vjetër, me banorë të varfër, që rrojnë me djersën e ballit, trima e kokëkrisur, do të ishin larë me gjak të pafajshmish. Falë Zotit që kjo nuk ndodhi! Punonjësit një e nga një e dy e nga dy dilnin nga godina e komitetit dhe ia mbathnin për në shtëpi. Mitingu në përkrahje të Enver Hoxhës dështoi në sajë të shpirtit demokratik e guximtar të djemve të Skelës, të etur për liri.”
Për më hollësi shiko librin ditar: Drejt Perëndimit. PS. Kiço Mustaqi bashkë me Xhelil Gjonin ishin themelues të shoqatës ekstremiste, famëkeqe: “Bashkimi i Vullnetarëve të Enverit” më 12 shkurt 1991, në Berat. Marshimet, kërcënimet dhe antimitingjet e anëtarëve të kësaj shoqate ogurzezë për rivendosjen e busteve të diktatorit, do të mbahen mend për një kohë të gjatë, nga ata që i përjetuan ato ngjarje. Më 20.02.1991, populli i Tiranës rrëzoi shtatoren gjigande të diktatorit, duke e tërhequr zvarrë nëpër rrugët e kryeqytetit. Ishte e pamundur që në atë turmë qindramijëshe të lëshoje forcat e armatosura, megjithëse Nexhmia Hoxha deklaronte: “…Të paktën atë çast duhet të vritej një njeri…!”
Marre nga Gazetat Flaka, Tribuna,16.11.1992.”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.