Libri “Aksion në vaskën e banjës”, i shkruar së fundi nga Sazan Goliku, më tërhoqi vëmendjen me freskinë dhe morinë e larmishme të këndvështrimeve të jetës, si dhe të hapësirave të krijuara nga fantazia e pasur. Por ai shfaq, krahas tyre, edhe një veçori tjetër, goditëse, në sajë të mbizotërimit të origjinalitetit: lakonizmi, që kërkohet me ngulm edhe për shkak të vështirësive të përqendrimit nga lexuesit e sotëm, vjen në këtë vepër me një ritëm marramendës, që ndoshta s’na le të mendojmë se për subjektet e trajtuara, që na dalin përpara syve si filma me metrazh te shkurtër, ka një proces te brendshëm autorial. Herë-herë duket sikur ato janë derdhur në letër thuajse drejtpërdrejt. Ndonëse dihet që nuk është krejt kështu, shumë gjëra që shpesh zhyten me shpejtësi thellë ndërgjegjes e poshtë saj dhe që zakonisht humbasin gjatë procesit krijues në sajë të vrapit e ritmit të të shkruarit, këtu kanë shpëtuar dhe s’kanë kaluar në firo, si ndodh zakonisht. Nuk e di nëse jam shprehur mirë për një veçori të tillë, po nuk besoj ta kem gabim sepse, në shumë nga leximet dhe shfletimet e ndryshme letrare e artistike, këtë s’kam arritur ta shoh kaq qartë. Për ndonjërin, që do t’i lexonte shënimet e mia përpara leximit të librit dhe do të mendonte se po e lavdëroj ca si tepër, do t’i përgjigjesha me këtë rrëfenjë që, meqë është e shkurtër, po e veçoj të pandryshuar nga libri:
Para nje beteje
Faqja e bardhë e letrës para meje është gllabëruese, e tmerrshme, e pamëshirshme. Si një femër e ndezur, e pangopur, përthithëse, e pacipë. Ajo kërkon të punohet mbi të me parmendë si toka në pranverë. Ajo pret të shkruhen fjalë, rreshta, paragrafë, të mbushet me shkronja cep më cep, të shkarravitet, anash, nga e djathta e nga e majta, të shigjetohet prapa, të nxihet e të kryqëzohet nga shenja konvencionale, nga shkronja të mëdha e të vogla, të lehta e të zeza, të plota e të dyzuara, me stil roman e gotik, me hieroglifë ose cirilike, me arabe ose greke…
Ajo gjakon, vetëm gjakon të punohet mbi të.
Dhe mua më dridhet dora. Lë një pikë, heq një vizë, hedh një pikëpyetje që pastaj të reflektohet në tru, rrotulloj një spirale pa fillim e pa fund, përfundoj një fjalë dhe shtang përpara së bukurës së dheut. Magjia e saj të çel befas fantazinë si një kopsht, si një lëndinë, si një luginë, si një fushë e pafund me lule shumëngjyrëshe e të shumëllojshme, të bardha e të zeza.
Dhe dora nuk e arrin dot fantazinë, që se si vrapon para shkronjave e fjalëve, nuk e arrin dot mendimin, që shtrihet si muzgu me rrezet e mbrame të turpshme, por të vendosura dhe të bindura, ngaqë janë bijat e diellit.
Dikujt mund të mos i pëlqejë, po ja që faqja e bardhë kërkon të jetë faqe e zezë, si ara e mbushur me grurë të mbushulluar. Se nëpër ç’vuajtje kalon dhe ç’gëzim merr shkrimtari si shpërblim të punës së vet, më mirë se çdo gjë tjetër, po të kishte gojë, do ta tregonte ajo “Faqja e bardhë… që kërkon të jetë… si ara me grurë të mbushulluar”. Po ta shihnim në dorëshkrim e jo në shtypshkrim fletëkrijimin, ne do të mund të zbulonim edhe të tjera gjëra, të cilat do të na fokusoheshin më mirë, duke pasur parasysh këto fjalë të Stefan Cvajgut: “Nga shumë të fshehta të pazbuluara të botës, më misteriozi dhe më intimi, pra më ndjenjëpërfshirësi, vazhdon të mbetet misteri i krijimtarisë… Natyra nuk na le të njihemi me mënyrën se si lind vargu në shpirtin e njeriut… ajo me kryeneçësi fanatike lëshon perden dhe s’le askënd të depërtojë prapa saj me syrin kurreshtar. Madje as vetë poeti apo artisti, që e përjeton në shpirtin e vet procesin e krijimit, nuk është në gjendje më pas të na e shpjegojë të fshehtën e frymëzimit të tij”. Shpesh, lexuesi e le mënjanë këtë mister, i tërhequr nga ajo që i paraqitet drejtpërdrejt prej leximit dhe, jo rrallë, shumëkujt i ndodh që, nga libri që merr në dorë, të presi më shumë. Natyrisht, kur s’merr aq sa pret, zhgënjehesh dhe, sidomos kur gjërat vijnë me shumicë dhe vetëtimshëm, si në këtë libër, mund të krijohet përshtypja, sikur diçka të ikën, të rrëshqet dhe, dashur pa dashur nga “vrapi” e “rrëshqitja” mendja të vete për ndonjë mangësi. Por, ndodh dhe e kundërta. Unë iu riktheva shënimeve të bëra anash titujve të shkrimeve në libër dhe, s’kam pse të mos e them që te disa tituj s’kishte anash shenja pëlqimi prej meje. Veç, nuk i dhashë shpejt e shpejt të drejtë vetes. Sepse s’ka si të merret për mangësi vepre, ajo që përjashton pa lëkundje e subjektivisht anët subjektive të një saj.
Nuk duhet harruar që autori, apo lexues të tjerë, mund të mos jenë të një mendjeje me ty. Aq më tepër që titujt me shenjat e pëlqimit, të vendosura në faqet e këtij libri ishin shumë dhe, si të tilla, më detyruan t’u rikthehem disa pjesëve, i shpërblyer nga kënaqesi të tjera, teksa lexoja dhe kthjellohesha më mirë, për shumë gjëra. Duke u pushtuar nga ky sulm shkrimesh të arrira, nisa të mendoja jo më për mangësi, po për larminë e temave dhe subjekteve, gjuhën brisk që s’le barëra të tepërta në fraza, fjalët e reja të mbira në to natyrshëm, komunikimin me lehtësi të koncepteve filozofike dhe problemeve, që shqetësojnë njeriun e sotëm, ironinë therrëse, erudicionin e begatë, që të bën të endesh në vende ku koha dhe hapësira janë të pamata etj. Befas, i zhytur dhe gati i humbur në to, më erdhi pa trokitur në dyert e ëndërrave, ashtu si në libër, “Grimca Higgs”. Përndritja e saj më bëri të ndjehesha mes emocionesh të mrekullueshme dhe, ngaqë u ndjeva mirë, desha të isha më gjatë mes tyre.” Mirë të gjitha këto, thashë përsëri befas si kritizerët që kërkojnë qimen në tra, por mos ndoshta është i pamjaftueshëm emocioni në libër? Ndonëse askush nuk e mat apo e ve në peshore emocionin, u kujtova që në një çast, unë do të desha ta ndjeja atë më tepër. Dhe m’u duk se, jo pa keqardhje, e gjeta mangësinë. Veç, nuk kaloi shumë dhe ajo që m’u duk si mangësi, më doli vlerë. Sepse emocionet ishin brenda gurgullimave e vërshimit të atij përroi letrar, që ndoshta më bukur se kudo i gjen te shkrimi “Para një beteje”. Tashmë në ëndrrën time “me dyer të hapura” për grimcën Higgs, hynë me vrull përjetimet e “Përroit të ndërgjegjes” i cili, në shekullin e kaluar, i solli aq shumë vepra e kryevepra letërsisë botërore. Përroi i këtij libri, është tjetër gjë, po ujërat e tij mbartin, veç “gurëve” e “kuckave”, që përrenjtë i sjellin shpesh, edhe të tjera lëndë, mendime, ndjenja e shqetësime, zbrazur me shumicë nga koha jonë. Ato vijnë ngarkuar me emocione tronditëse, si te “Ballada e vajzës në pallatin 173”, që “harroi të vdiste”, apo te kronika tragjike e vrasjes së djalit të ri, kur shihet se vrasësit u dënuan vetëm me… një gjobë etj. Vijnë edhe nëpërmjet detajesh, përsëri tepër emocionuese, si te “Shpërblimi”, ku në më pak se në katër rreshta shkrim, s’të ndahet nga mendja imazhi i dhimbshëm i gështenjës së egër, të lëmuar dhe të shndritëshme, shkelur padashur. Por, ç’goditje emocionale vjen pas “krimit” të shkeljes, nga kontrasti i kësaj të papriture, paraqitur me brishtësi gati të pabesueshme, me lajmet për vrasjet e krimet më të rënda, të cilat në ditët tona janë bërë rituale ushqyese indiferentizmi.
Do të desha të ndalesha me kaq, po s’më le një fije jeshile bari me tejdukshmërinë e saj të dielltë, mbirë pas 2000 vjetësh në një sfond të errët malesh të zinj e të ngrirë, mirësi e pabesueme e tjetërsimit të së keqes. Ky imazh goditës është nga ata që më kujtojnë fjalët e Juan Miro-së: “Mund ta shohësh një imazh për një javë e pastaj të mos mendosh më për të. Ndërsa mund të shohësh një imazh tjetër, vetëm për një sekondë, dhe të mendosh për të në gjithë kohën, që të ka mbetur për të jetuar!”.
Në çastin kur po bëhesha gati ta nisja këtë shkrim, u kujtova se elektronika është më e sakta dhe më e shpejta mënyrë nisjeje… Po ja që, pas pak, u kujtova se ka dhe një mundësi tjetër, sigurisht më të mirë. Më shpejt se elektronika erdhi parafytyrimi. Në të, fija e dielltë e barit ishte tashmë në dorën e marathonomakut të ri. Dhe mendova se s’ka gjë më te bukur se përcjellja nëpërmjet atij që vrapon, vrapon dhe vetëm vrapon, për të dhënë një kumt krejt të ndryshëm dhe krejt ndryshe, atë të fitores pa jetëhumbje, ku fjala “Fituam!” është zëvendësuar me mbjelljen e një luleje në zemrën e njeriut Njeri.
Duke e ndalur leximin për një çast pushim-meditimi dhe duke i hedhur edhe një herë një vështrim kopertinës, lexoj përsëri titullin e librit, që s’di pse s’më pëlqen. Veç, riprodhimi aty i një fragmenti i një vepre nga Pollock-u, që është një gjetje e përkryer artistike, më bën ta harroj titullin dhe të kujtohem për punën e autorit. Ai duket se ka operuar me lazer mbi ato ganglione nervash, që nxijnë imazhin, i cili nuk jep asnjë shpresë shërimi. Dhe, ndonëse shumë njerëz e shohin shoqërinë tonë si në këtë kopertinë dhe shpesh shprehen se ajo nxin e tëra e s’ka shpëtim, mendja më shkon përsëri te rrëfenja e vogël për përbindëshin e ngrirë midis maleve të akujve të zinj dhe te shpërthimi mes asaj zezone vdekjeje e fijes së barit, me ngjyrë, tejdukshmëri e ndriçim diellor.
Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.
To provide the best experiences, we use technologies like cookies to store and/or access device information. Consenting to these technologies will allow us to process data such as browsing behavior or unique IDs on this site. Not consenting or withdrawing consent, may adversely affect certain features and functions.
Functional
Always active
The technical storage or access is strictly necessary for the legitimate purpose of enabling the use of a specific service explicitly requested by the subscriber or user, or for the sole purpose of carrying out the transmission of a communication over an electronic communications network.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistics
The technical storage or access that is used exclusively for statistical purposes.The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
The technical storage or access is required to create user profiles to send advertising, or to track the user on a website or across several websites for similar marketing purposes.