back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kur ëndërroja botimin e nji libri… Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 1984
Jozef Radi 1984

Kur ëndërroja botimin e nji libri…

nga Jozef Radi

Murat Nezha, ka qenë nji ndër profesorët e mi të letërsisë, po njiherësh edhe sekretar i Partisë i Gjimnazit “20 Tetori” të Lushnjes… Sigurisht, ai si Sekretar Partie i shkollës më në zë të qytetit, dhe unë si djali i “Armikut më në zë të Popullit”, s’mund të kishim ndonjë shkuarje fort të paqme mes nesh, mbasi dy përjashtimet e mia nga shkolla, (pa nji motiv të qartë – mungesa!!) sigurisht kanë pasur padiskutim edhe firmën e tij… Megjithatë edhe pse “armiqsia” mes nesh mund të ishte e ashpër, shpesh jam përpjekur të kuptoj arsyet e tij dhe arsyet e mia, ndoshta pse ndodheshim pak larg ideollogjikisht… dhe ishim “dy skaje të nji litari…” Por gjithsesi… ai ishte mësues im… unë thjesht nji nxënës i tij… dhe sado të tërhiqja unë… litari ishte i gjithi i tij…
Meqë unë do rrëfej nji ëndërr time të hershme… e gjej të arsyeshme të kujtoj sot edhe nji ngjarje që në të vërtetë e kisha harruar, por që ma kujtoj nji shoqja ime A.H. Si gjimnazistë e bënim zborin në Gramsh të Lushnjes. Orën politike e drejtonte profesor Murati dhe ai si duket ai, duke parë ndonji gjest timin midis me shumë se njiqind nxënsave të viteve të treta, më ngre dhe si ndëshkim me detyron të ngarkoja çantën e shpinës me nja tetë tulla dhe me to ngjitesha e t’i zbrisja kodrës ku ishte fjetorja derisa ai të thoshte mjaft.
E gjitha kjo skenë u zhvillua në sytë e krejt shokëve dhe shoqeve të mia…
Si i pafuqishëm para autoritetit të nji Sekretari Partie… e bëra kët “ushtrim zbavitës”! Por s’mund t’ia harroja aq lehtë…
Ditë më vonë, te salla e jashtme e ngrënies, ishte dhe guzhina verore e gatimit, ku profesor Murati ulesh shpesh mbi nji grumbull i sistemuar tullash. Bashkë me nji shokun tim nga Savra, L. Idrizi, aty afër drekës, pa rënë në sy i vumë dy tulla mbi pllakën e sobës… dhe kur ato ishin pothuaj të ndezura i vumë te vendi ku ai ulej Profesori… dhe me rrufjanllëk pritëm derisa ai të shkonte te vendi i tij… Zumë nji qoshe që ta shihnim krejt skenën pa u dukur, përndryshe ishim të marrë fund… të dy… Profesor Murati, me at të qeshurën e tij pak shpotitëse që ia nxirrte në pah dhëmbët e mëdhenj, shkoi gjithë qejf te qoshja e vet… dhe veç kur fluturoj si zog prej djegies së prapanicës… Nuk e di sa kemi qeshur, po ia kemi futur vrapit… dhe u ndalem te kroi duke u betuar njeri tjetrit se kjo ngjarje do të vdiste mes nesh… Mbasi fajtori ma i madh isha unë: i biri i “Armikut” po edhe Luani, edhe pse vërtet qe bir komunisti, e kishte zemëruar edhe atë ai ndëshkim fyes që më kishte bërë para shkollës…
Vite më vonë, vitin e fundit të Gjimnazit u detyrova ta mbaroj natën… Pse kur pothuaj e kisha mbaruar, më përjashtuan për së dyti para provimeve të maturës…
Në vitin ’84-’85 shkollën e natës, shkoja thjesht për qejf, mbasi të gjithë materiet i dija pothuaj në majë të gishtave…
Si mësues letërsie… kisha përsëri Murat Nezhën…
As ai s’kishte asnji iluzion ndaj meje, as unë asnji iluzion ndaj tij…
Qysh në fillim ai u përpoq të dëshmonte epërsinë e vet politike, po unë i dëshmova kokfortësinë time studiuese, bile me marifet u përpoqa t’i përballnim opinionet… Herën e parë më vuri nëntë… pastaj sa herë ngrinte të tjerë në mësim dhe i gjente të papërgatitur, tehun e vëmendjes e drejtonte nga unë… Unë isha i gatshëm t’i përgjigjesha pak në mënyrë motorrike që mos t’ma ndërpriste fjalën… Kjo u bë pothuaj e përhershme në orën e tij… Aq sa nji ditë nënshkroi aktkapitullimin… me nji fjalim që mbeti historik si në fyerje… edhe në lavdi… “O budallenj, o gdhenj, që i keni të hapura gjithë rrugët e dijes, ju vjen ky dhe ju e dëgjoni si guakër… S’u vjen turp! Po ky i ka të mbyllura gjitha rrugët e shkollimit, thjesht ai mëson për qejf, për kulturë, për dije, edhe pse e di që s’mund t’i hyjnë në punë fare… Ju i keni gjitha mundësitë, po s’jeni të zotët për asgjë… T’ju vijë turp!!… Partia shkollat i ka hapur për ju, dhe jo për këta… Ky lufton dhëmbë për dhëmbë me mua, dhe unë s’kam ç’i bëj, se nuk ia jap unë dhjetën atij, ai ma merr dhjetën mua… se ai është i vetmi që ma bën me kuptim shpjegimin, ma bën me kuptim orën e mësimit, ma bën me kuptim praninë time si mësues…! Turp të keni… Po ju nuk keni as turp e as cipë… Ju rroni vetëm për nji copë bukë, e për të kapur ndonji qoshe me kët shkollë që ne ua japim për hatër…!”
Atë vit shkollor 1983-1984, profesorit të letërsisë Murat Nezha i mora nji numër të pafund dhjetash…
Kisha fituar kështu nji betejë mjaft të rëndsishme të jetës sime…!!

Disa nga shokët e klasës Sh. Sollaku, Sh. Këmbora, P. Kice
Disa nga shokët e klasës – Sh. Sollaku, Sh. Këmbora, P. Kice

Nga fundi i atij viti shkollor, i tregova se kisha përgatitur nji libër poezish, dhe ia kisha nisur në shtëpisë botuese “Naim Frashëri”. Mbasi i rraha gjitha dyert, dhe letra gjegjëse e redaksisë me firmën e Isuf Nelajt, ishte tejet shpresdhënse, pse lihej të kuptoj se ishte i mundur botimi…
Jetoja diku midis qiellit dhe tokës… dhe sigurisht ndër diskutime me Profesorin e letërsisë Murat Nezhën, gjeta  rastin dhe ia dëshmova përgjigjen e shtëpisë botuese…
S’e di nëse bëra keq a mirë… por një mbrëmje mbasi mbaruam orën e mësimit, ai më ftoi në sallën e mësuesve, dhe mbasi më prezantoi me mjaft seriozitet para mësuesve të tjerë, nji pjesë e të cilëve më njihnin mirë… dhe u dëshmoi jo pa emfazë se: “…ky mund të jetë nji poet i ardhshëm edhe pse e ka pak biografinë  blozë…”
Dreq o punë, – thashë me vete, – edhe mbas nji vlerësimi, s’mund t’i shpëtohet blozës biografike… S’e dhashë aspak veten, po folëm gjatë bashkë, dhe ai me mirsjellje më kërkoi, që nëse dëshiroja… ai mund ta lexonte dorshkrimin, bile dhe të më linte shënime dhe vërejtje përkatëse mbi të…
Për kët fola edhe me tim atë. “Cilatdo që të jenë pasojat le ta lexojë edhe ai… Asht e pamundun me ta botue librin tand, – më tha im atë, – po gjithsesi le t’i shkojmë deri në fund kësaj pune… S’kemi asgja ç’ka humbasim!”
Ia dhashë… Jo ma shumë se dhjetë ditë ma vonë, Profesor Murati, më ftoi te zyra e tij, që e ndante me nëndrejtorin. Nxorri dy fletë formati, të palosura, ku dallova at shkrimin e tij mjaft estetik dhe nisi të më flasë për dorshkrimin e librit “Trokitje…” E nisi me fjalët e mira, po gjithsesi të rezervuara e të pakta… megjithatë, ndjeja se libri përgjithësisht i kish pëlqyer, por detyra dhe përkushtimi i tij politik, e shtynin të ndalej veç te vërejtjet dhe pikat e dobta, të cilat ai me nji mjeshtëri klasike i kishte nxjerrë në pah… Ato pak fjalë të mira, i tha të gjitha me gojë, vërejtjet i kish bërë me shkrim. Ishin gjithsej pesëmbëdhjetë, por të shoqëruara me gojë dhe me shfletimin e dorëshkrimit u bënë shumë më shumë…
Ndejtëm rreth dy orë bashkë… Ai ishte i qetë, entuziast dhe sigurisht cinik… Ndërsa zbrisnim shkallët për të dalë në hollin e madh të shkollës… para se të më jepte dorën me nji entusiazëm të frenuem, më tha at shprehjen që njeriut i mbetet e pashlyer nga kujtesa për sa të jetë gjallë: “Po, Jozef, të shkruash pse jo… vazhdo të shkruash! Ka plot shkrimtarë e poetë që bëhen të famshëm edhe mbas vdekjes!!”
Ky ishte inkurajimi më fantastik që kam përjetuar ndonjëherë… prej nji mësuesit tim… E pra, më duhej të shkruaja, për at famë që mund të vinte veç mbas vdekjes sime, ndërkohë s’kisha asnji ditë ma shumë se 25 vjeç…
Fjalët e fundit m’u dukën të ngrohta dhe nxitëse, për të vazhduar të punoja e të kërkoja më shumë…
Shkallët deri te holli i shkollës dhe daljen tek dera e bëra sikur po fluturoja… Sepse marrëzisë shpesh i mjaftojnë veç pak fjalë… për t’i ndjerë flatrat… (ndoshta pse qe endrra e nji libri që s’u botua kurrë…)
maj 1984
(marrë nga ditari 1977-1991)

Për ta bërë më konkrete dhe më korrekte kët bisedë… Paraqes gjitha vërejtjet me shkrim të mësuesit tim, për të cilin mund të them se edhe në të keqen e madhe, edhe me at bindjen e tij klasore, më ndihmoi të luftoj dhe të besoj… se edhe “mbas vdekjes” ai që përpiqet, diçka i mbrrin…  

Murat Nezha... shenime
Murat Nezha… shenime

e Para “Legjenda e Fisit”
-Ideja e rëndësishme po i mungon poezia
-nji narracion i thatë

e Dyta “Bashkë”
Nji poezi që nuk ngrihet në nivelin e më të mirave, dhe që nuk thotë gjë me rëndësi…

e Treta “Vallja e Shqipes”
-nuk arrin nivelin e më të mirave,
-ka nji farë vargëzimi, ndonëse s’i mungojnë vargje dhe strofa të punuara;

e Katërta Vrull
-nji meditim që nuk thotë gjë të madhe
-një mani për të përdorur sa më shumë figura, gjë që flet për formalizëm…

e Pesta “Myzeqea”
-e paarrirë… S’thotë gjë të saktë, e të veçantë për Myzeqenë

e Gjashta “Ngjitet, ngjitet”
-Meditim
-I ndikuar nga Ekzistencialisti Zhan Pol Sartri autor i romanit “Neveria” dhe i drames “Me porta të mbyllura”… (Unë s’jam më ai që isha dje, e nesër s’do të jem ai që jam sot…)
Socializëm s’do me thëne vetëm “shpatulla”, por edhe “ballë”, edhe “sy” edhe “zemër”, edhe “duar”

e Shtata, Poezia e çizmeve
-Tri strofat e para të mira. Vargjet e tjerë nuk thonë asgjë të re…

e Teta, Kur zgjohet dashuria
-poezi intime
-i këndon një dashurie larg punës
-meditim që nuk thotë asgjë me vlerë shoqërore

e nënta, Dashuria e Madhe,
-Vjershë e paarrirë
-nuk thotë asgjë të re, origjinale, të ndjerë
-Anaforat dhe metaforat s’e ngrejnë në nivelin e poezisë së vërtetë…

e Dhjeta, Fustani i gjelbërt
-Vjershë e rëndomtë, s’ngjitet ndër të mirat

e Njëmbëdhjeta, Besa Jonë
-Ideja e mirë, po e parealizur artistikisht, i mungon frymëzimi, vuan nga prozaizmi
-nuk të shkakton emocione

e Dymbëdhjeta, Kurbetziu…
-Temë e trajtuar që nga Rilindja
-të krihet nga esklamacionet e pyetjet retorike, të vihet në qendër ideja e habisë që i shkakton kurbetliut Atdheu socialist…

e Trembëdhjeta, Tim Vëllai
-meditim që nuk thotë ndonjë gjë të rëndësishme
-artistikisht e paarrirë; s’të ngjall mbresa…

e Katërmbëdhjeta, Rozafa
Përpiqu të komunikosh më mirë me lexuesin e zakonshëm, qartësoje më shumë mendimin duke e dhënë të kaluarën aktualisht

e Pesëmbëdhjeta “Dashuria ime është guri!”
-e paqartë për lexuesin
-dhe të tillë e ka bërë marria për të rendur pas figuracionit të tepruar

nënvizimet të prof. Muratit

Ndërsa ky është shënimi im në fund të faqeve ku kishte shënuar, profesor Murati…
Me profesor Murat Nezhën folëm qetë… pothuaj si të ishim kolegë… Më tha se i kishte hedhur nji sy krejt librit dhe më foli fillimisht për të përgjithshmen e librit, pasi pëlqimet ishin të shumta dhe shenja e aprovimit ishte e vendosur në mjaft prej poezive… Kishte nji mendim të mirë, të paktën kështu u shpreh… qoftë edhe si dukje.
Biseduam rreth nji orë e pak… U ndal mjaft gjatë tek vërejtjet të cilat ishin rreth pesëmbëdhjetë… U përpoq edhe të m’i ilustronte vërejtjet e veta nji per nji…
1984

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Ky shkrim me ngjalli dhimbje. M’u kujtua gjyshja ime, kur futej në kotecin e pulave dhe zogjve më rrebelë dhe ju priste flatrat që të mos fluturonin te oborret e komshinjve. Dhe juve do ju krahasoja në këtë moment me at zogun krahëprerë që duan me cdo kusht t’ia ndalin fluturimin… natyrisht nuk ta ndalen dot, se ti fluturimin dhe lirinë i kishe brenda teje… krahët ishin aksesorë të jashtëm… të dukshëm.
    Krahët mundën të t’i prisnin, por shpirtin nuk ta vranë, nuk mundën të ta burgosnin, se nuk burgoset dot një shpirt i lirë.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.