back to top
5.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Kur gjithçka fillon prej “A”… Ilir Seci

Gazeta

Ilir Seci 2014
Ilir Seci 2014

Kur gjithçka fillon prej “A”… Ilir Seci

…Në vitet ’90, një shoku im i studimeve në Universitetin e Shkodrës, na ftoi në shtëpinë e tij, në një fshat të Nënshkodrës… Miku im ishte nga fëmijët e të përndjekurve, nga ata që quheshin “me biografi të keqe” dhe që u lejuan të shkojnë në shkolla të larta, vetem mbas fillimit të ndryshimeve…
Shkuam plot dëshirë një fundjave…
U njohëm me familjen e tij… Një familje e madhe… miku ynë kishte Babën, Nanën dhe shtatë vëllezër e motra… Më ka mbetë në mendja Vata, i ati i shokut tonë të shkollës, nji burrë shumë i mirë, njeri i zgjuar e punëtor, shihej se si e kish rregulluar shpinë, si e kish punuar tokën…
Veç këtyre, Vata kishte bërë edhe 15 vjet burg politik, për kundërshtim të kooperativizimit!! Kur u prezantuam me familjen e tij më bëri shumë përshtypje diçka… Emrat e të gjithë fëmijëve të tij fillonin veç me germën “A”?!!… Tetë fëmijë dhe të gjithë emrat me atë germë: “A”… Edhe emri i shokut tonë të shkollës njësoj, me “A” fillonte!?
Nuk m’u ndejt pa e pyetë Vatën pse ua kish vënë gjithë fëmijëve emrat me germën e parë të alfabetit?!!
“Eh more bir! – më tha Vata, – çka me të thanë! U kallzova që kam ba 15 vjet burg… dhe atje në burg punonim në minierë. Çdo mbramje në oborrin e burgut bahej rreshtimi e thirrej apeli i të burgosunve… Emnat thirreshin sipas rendit alfabetik e deri sa vinte rradha jeme, pra germa “V”, kishin krye punë tre çerekët e të burgosunve! Kur vinte apeli te emni im Vatë, në mencë s’kish mbetë gja me hangër! Shpesh më takonte me mbetë pa hangër! Prej njasaj kohe në burg, jam betuë që n’e dalsha jashtë e n’e baftë Zoti mbarë me krijue familje, tanë fëmijëve kam me ua vendosë emnat me germën “A”!
Kisha ba 15 vjet burg politik, e druhesha se edhe fëmijët e mi njaj fat i priste se “Fëmijët e armikut!” Herët a vonë në burg kishin me përfundue, kështu që thashë me i dalë së keqes përpara! Te paktën në burg mos me pritë gjatë kur të bahej apeli!
Njat nderë e kisha në dorë me ua ba të paktën!”
S’di pse m’u kujtua kjo bisedë me Vatën, babën e një shokut tim të shkollës, sot në Ditën e Fëmijëve!?
1 qershor, 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.