back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kur ka ndodhur formimi i dy dialekteve të Shqipes nga Bahri Beci

Gazeta

Profesor Bahri Beci
Profesor Bahri Beci

Kur ka ndodhur formimi i dy dialekteve të Shqipes

nga Bahri Beci

Siç dihet, shqipja dialektore ndahet në dy krahina dialektore ose dialekte, krahina dialektore e veriut ose gegërishtja dhe krahina dialektore e jugut ose toskërishtja. Si kufi ndarës i tyre përafërsisht shërben lumi i Shkumbinit.
Lidhur me kohën e formimit të dy dialekteve të shqipes janë shfaqur mendime të ndryshme.
Z. G. Hahn është i pari dhe i vetmi që ndarjen e sotme dialektore në gegërishte dhe toskërishte e shpinte në rrethanat e kohës antike duke e vënë në lidhje me ilirishten dhe epirotishten.
Sipas tij, në zonën poshtë Shkumbinit deri në gjirin e Ambrakisë kanë banuar fise epirote etnikisht të një trungu me ilirët, çka mund të ketë shërbyer si pikënisje për formimin e dy dialekteve të shqipes.
“Në qoftë se ilirët dhe epirotët, shkruante Hahni, flasin dialekte shumë të vjetra të ndryshme të së njëjtës gjuhë, në qoftë se kufiri i ndarjes së tyre bie atje ku e vë Straboni kufirin midis epirotëve dhe ilirëve, në qoftë se epirotët nuk ishin helenë, a nuk është këtu tepër e mundshme që edhe në kohët e lashta të ishte po kështu, ashtu siç është tani dhe që epirotët të bënin pjesë në fiset ilire…”
Konkluzioni në të cilin arrinte Hahni ishte që “Shkumbini i ndan sot gegët dhe toskët sikundër që ka ndarë që moti stërgjyshërit e tyre ilirët dhe epirotët që kishin afrim gjaku…”.
Studiuesit e tjerë pas J. G. Hahnit, albanologë të huaj dhe shqiptarë, si G. Meyer, N. Jokli, K. Taliavini, E. Çabej, V. Polak, A. V. Desnickaja, J. Gjinari kanë mbrojtur pikëpamjen se dy dialektet e shqipes janë relativisht të reja.
Në tekstin e dialektologjisë shqiptare, ndër të tjera, është shkruar “…ndarja dialektore e gjuhës shqipe dhe ndarja krahinore e popullit tonë morën formën që kanë sot aty nga fundi i shekullit XVIII dhe fillimi i shekullit XIX(…). Në këtë kohë erdhën e u dalluan dy ndarje të mëdha krahinore, Toskëria në jug dhe Gegëria në veri… Nga pikëpamja gjuhësore në këto dy zona dalloheshin dy ndarje të mëdha dialektore: gegërishtja në veri dhe toskërishtja në jug(…) ”.
Në dallim nga autorët e mësipërm ne, më 1974, në pajtim me J. G. Hahn, kemi pranuar se ndarja dialektore e shqipes në dy dialekte, gegërishtja në veri dhe toskërishtja në jug, është e vjetër.
.
Johan Georg fon Hahn (1811-1869)
Johan Georg fon Hahn (1811-1869)
Nga jemi nisur që kemi insistuar për vjetërsinë e formimit të dy dialekteve të shqipes?
Fillimisht ne kemi veçuar a përcaktuar tiparet dalluese kryesore me vlerë absolute për veçimin e dy dialekteve të shqipes që, sipas nesh, janë: prania e zanoreve hundore në gegërishte dhe mungesa e tyre në toskërishte; prania e zanores së theksuar ë në toskërishte dhe mungesa e saj në gegërishte; kalimi i n-së ndërzanore në r në toskërishte (rotacizmi në toskërishte); prania në fillim të disa fjalë e grupit tingëllor vo-në gegërishte, kurse në toskërishte të grupit tingullor va-; prania e paskajores së tipit me punue në gegërishte dhe mungesa e saj në toskërishte.
Nga studiuesit e derisotëm janë sjellë të dhëna të mjaftueshme për të vërtetuar që tiparet kryesore dalluese me vlerë absolute për veçimin e dy dialekteve të shqipes të pranuara më sipër prej nesh, janë përftuar para huazimeve sllave në shqipen, nga fundi periudhës antike (shekujt IV-VI) ose në Mesjetën e hershme (shekujt VI-VIII).
.
Pyetja që shtrohet është se kur këto tipare dalluese të dy dialekteve të shqipes kanë fituar shtrirjen me të cilën na paraqiten sot, pra, deri në afërsi të Shkumbinit?
Duke pasur parasysh ligjin e gjeografisë gjuhësore sipas të cilit “afria kronologjike pasqyrohet me anë të afrisë gjeografike”, kemi pohuar që tiparet dalluese të dy dialekteve të shqipes të sjella më sipër, të cilat përkojnë edhe kronologjikisht (janë përftuar para huazimeve sllave të shqipes) edhe gjeografikisht (shtrihen deri në afërsi të Shkumbinit) duhet edhe të jenë përhapur pak a shumë në të njëjtën kohë.
Duke pasur parasysh rrethanat historike të vendit tonë duhet pranuar që këto tipare (të përftuara para huazimeve sllave në shqipen) nuk mund të fitonin shtrirjen që kanë sot (deri në afërsi të Shkumbinit) as në periudhën e mbretërive bullgare e serbe (shek. IX-XII), as në periudhën e formimit të shtetit të Arbërit (shek. XII-XIII), po as edhe në shekujt e mëvonshëm, në kushtet e sistemit feudal ushtarak turk, kur dihet që gjatë këtyre shekujve nuk ka pasur një ndarje politike, kulturore e administrative të qëndrueshme që të favorizonte shtrirjen e këtyre tipareve deri në afërsi të Shkumbinit.
Shtrirja e tyre në kufijtë e sotëm duhet të jetë më e vjetër dhe duhet të lidhet me kushtet politike, ekonomike dhe kulturore të vendit tonë para pushtimit sllav, pra, në Mesjetën e hershme (shek. VI-VIII) ose në antikitetin e vonë (IV-VI).
.
Norbert Jokl (1877-1942)
Norbert Jokl (1877-1942)

.

Po cilat janë shkaqet e formimit të dy dialekteve të shqipes?
Disa studiues të huaj e kanë shpjeguar formimin e dy dialekteve të shqipes me ndikimin e gjuhëve të tjera ballkanike.
Kështu p. sh., J. Erdeljanoviç ka shkruar se: “zhvillimi etnik i shqiptarëve në të kaluarën ka qenë bërë mbi një bazë etnike krejt të ndryshme në veri tek gegët në krahasim me toskët në jug…”
Edhe V. Polak, formimin e dy dialekteve të shqipes e ka shpjeguar me ndikimin e serbokroatishtes në veri dhe të bullgarishtes në jug. Ndër të tjera ai ka shkruar se “dukuri të tilla si përdorimi i paskajores në gegërishte, dallimi fonetik geg. ã tosk. ë (për këtë flet me rezervë), dallimet në gjatësinë e zanoreve në gegërishte (ai mendon se kemi të bëjmë me dallime në vijën melodike të zanoreve), rotacizmi etj. janë rezultat i ndikimit të dyfishtë sllav, të serbokroatishtes në veri dhe të bullgarishtes ose bullgaro-maqedonishtes në jug”.
Po edhe të tjerë, para dhe pas tij, janë përpjekur ta shpjegojnë ndonjërin nga tiparet e dalluese të dy dialekteve të shqipes me ndikimin e gjuhëve të tjera.
Ne mendojmë se, para se të vështrohen lidhjet e jashtme (pra ato me gjuhët e tjera ballkanike) të tipareve dalluese të dy dialekteve të shqipes, është e domosdoshme të vështrohen më parë lidhjet e brendshme të tyre. Ato janë të tilla që ndihmojnë edhe në ndriçimin e lidhjeve të tyre të jashtme.
Dukuri të tilla si rotacizmi, mungesa e hundorësisë dhe alternimi ã/ë në toskërishte, është provuar se kanë lidhje varësie e kronologjie.
Po kështu rotacizmi, mungesa e fonemave zanore hundore, prania e fonemës së theksuar ë (< ã), prania e grupit të tingujve va – në fillim të disa fjalëve, mungesa e infinitivit të tipit me me në toskërishte, për shkak të shtrirjes së tyre territoriale të njëjtë, duhet edhe të jenë përhapur afërsisht në të njëjtën kohë.
E në qoftë se pranojmë që rotacizmi është i periudhës parasllave, atëherë duhet të pranojmë që edhe fenomenet e tjera (kalimi i ã>ë, i vo>va, zhdukja e infinitivit) me të njëjtën shtrirje territoriale janë pak a shumë të kësaj periudhe, gjë që do të thotë që edhe, ndarja e shqipes në dy dialekte është e kësaj periudhe (pra, para shekullit VII).
Pra, lidhjet e brendshme të dukurive dialektore të shqipes dëshmojnë se para depërtimeve sllave në shekullin VII-të në territorin e Shqipërisë së Jugut ka pasur lidhje politike, ekonomike dhe kulturore që janë bërë shkak i zhvillimeve dialektore të toskërishtes, çka e përjashton mundësinë e ndikimit të gjuhëve të tjera.
.
Po lidhjet e jashtme me gjuhët fqinje ballkanike çfarë tregojnë?
Së pari, disa nga këto dukuri të toskërishtes si: fonema zanore e theksuar /ë/, rotacizmi, kalimi i vo-së në va nuk ndeshen në greqishte, çka e përjashton edhe mundësinë e ndikimit të greqishtes në këto zhvillime të toskërishtes.
Së dyti, këto dukuri, në tërësinë e tyre, nuk gjenden as në maqedonishte, as në bullgarishte. Por, edhe kur ekziston ndonjëra prej tyre siç është për shembull prania e zanores ë të theksuar në maqedonishte dhe bullgarishte, ajo është shumë më e re në kohë se ë-ja e theksuar e toskërishtes (është zhvilluar në këto gjuhë në periudhën ndërmjet shek. XII-XIII).
Po kështu edhe humbja e hundorësisë në maqedonishte e bullgarishte është një dukuri relativisht e re (hundorësia ka filluar të zhduket në maqedonishte në shek. XII, kurse në bullgarishte në shek. XIII). Rotacizmi nuk shfaqet fare në këto gjuhë.
Kështu që përjashtohet edhe mundësia e ndikimit të bullgarishtes e maqedonishtes në këto zhvillime të shqipes dialektore.
Lidhjet me rumanishten nuk mund të përjashtohen a priori. Janë të përbashkëta për shqipen jugore (toskërishten) dhe rumanishten ose dialektet e saj mungesa e kundërvënies sipas hundorësisë dhe gjatësisë, prania e fonemës zanore të theksuar /ë/, rotacizmi, kalimi i vo-së në va- (në rumanisht oa), si edhe zëvendësimi i paskajores me lidhoren. Këto dukuri në toskërishte dhe rumanishte janë të hershme.
Disa studiues, sidomos rumunë, duke u nisur nga izoglosat e përbashkëta shqiptaro-rumune, ndër të cilat edhe dukuria e rotacizmit në toskërishte dhe në dialektet veriore rumune, e zhvendosin vendbanimin e toskëve në territorin e Dakisë, në pjesën perëndimore të saj.
Po studiuesit që janë marrë më konkretisht me këtë problematikë, kam parasysh studiues si P. Skok, H. Bariç dhe A. I. Balota, kanë pranuar se këto dukuri janë ndikime të shqipes mbi rumanishten.
Këtu do të veçoja ato që ka shkruar Kr. Sandfeld. Sipas tij “të gjitha këto lidhje midis shqipes dhe rumanishtes nuk mund të jenë rezultat i rastësisë”, “shumica e gjuhëtarëve të huaj, vazhdon ai, kanë shikuar në raportet e ngushta të shqipes e rumanishtes miratimin e faktit që… kombësia rumune është zhvilluar në shekujt e parë të erës sonë, në jug të Danubit, në kontakt intim me shqiptarët dhe shtrirja e sotme e rumunëve i dedikohet një imigracioni të mëvonshëm…”
Me vjetërsinë dhe shtrirjen që paraqesin dukuritë dialektore të toskërishtes nuk mund të kenë lindur e të jenë konsoliduar si të tilla në një territor tjetër e pastaj të jenë bartur së bashku me popullin në territorin e sotëm. Kështu që duhet pranuar që dy dialektet e shqipes gegërishtja në veri dhe toskërishtja në jug janë formuar në territoret e tyre të sotme, çka flet në mënyrë të padiskutueshme edhe për vjetërsinë e pranisë së shqiptarëve në këto territore të paktën që nga koha antike.
Marre nga Voal
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.