back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kur koha t’i japë jetë kohës dhe jeta t’i shërbejë jetës… Reflektim nga Merita Smaja

Gazeta

Stefan Çapaliku “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”
Stefan Çapaliku “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”

Kur koha t’i japë jetë kohës dhe jeta t’i shërbejë jetës…

Reflektim nga Merita Smaja

Mbas leximit të romanit
“Secili çmendet simbas mënyrës së vet”
të Stefan Çapalikut.
 
Sa herë që lexojmë diçka të re, presim të ketë risi, e unë vërtet mund ta them me plot gojën që u befasova, jo se nuk besoja në aftësinë e shkrimtarit, por me befasoi me mënyrën si e ka sjellë ngjarjen. Me befasoi, më dha kënaqësi, më bëri të mendoj.
Shumë interesant, gjithëpërfshirës, ku gjithkush e gjen vehten.
Një kthim mbrapsht në kohë.
Kush nuk do të dëshironte të kthehej e të dinte se çfarë ka ndodhur kur ai/ ajo po rritej. Si i shihte njerëzit përreth e ngjarjet dhe si i përjetonte ato.
E parë nga një këndvështrim fëmijëror gjithçka vjen në dukje e pafajshme, por sa shumë ka brenda kësaj pafajësie, sa karaktere, sa ngjarje, sa dhimbje, sepse ka kapërthim jetësh dhe kohësh.
Në pamje të parë duket gjithçka realiste si rrëfim, por unë mendoj se nuk është e tillë është absurd. Pse do thoni ju? Sepse, është kuptim jashtë gjendjes së heroit kryesor, ai kupton vetëm atë që është njerëzore, atë që ai prek, ajo që atij i bën qëndresë… e rrëfen atë që ndodh.
E ai personazh nuk arrin të bashkojë etjen për absoluten e unitetin me pamundësinë e botës për t’u reduktuar në një parim racional e të arsyeshëm, sepse nuk mundet t’i pajtojë ato.
Autori e çon heroin në një moshë ku fantazia është primare, por duke qënë një vëzhgues i mprehtë, i gjanave që duken krejt të parëndësishme, i kthen e i ban ato të randësishme, e jo gjithkush mundet me e ba… e jo gjithkush mundet me qenë kaq hulumtues në jetën e zakonshme sa t’i japë kuptim e ta bëjë atë të pazakonshme, ta bëjë të flasë me gjuhën e artit e të thotë kaq shumë. Në roman autori përmend një frazë të Soren Kierkegaardit: “Puna është se njeriu duhet të guxojë që të jetë krejtësisht vetvetja!”
Aktorja Merita Smaja
Aktorja Merita Smaja

Eeeee… sa e vështirë, por autori heroin e vet e ka vënë në këtë pozitë, që ai guxon të jetë vetja, gjithmonë, sepse është fëmijë, e një fëmijë i lejohet të ëndërrojë e të guxojë, ndaj është zgjidhje fantastike ky kthim në kohë.

Autori në roman ka kaq shumë situata të vështira që shpesh bëhen edhe komike sa qesh duke i lexuar, por qesh sot, dhe me sytë e heroit, jo të kohës, se po ta mendoje me atë mendësi do kishte vetëm zymti e vetulla të vrenjtura!
Autori kërkon të sjellë vetëm ato gjana që njeh, që sheh dhe jeton, e nuk ëndrron. E të jetosh një përvojë, një fat, do të thotë ta pranosh atë.
E shpesh kur heroi nuk kupton ka një ballafaqim me errësinën e vet, të përkohshme, e ka një revoltë e këtë e sjell nëpërmjet situatave të ndryshme që janë pranishme në shtëpinë e tij, nëpërmjet njerëzve që janë pranishëm.
Për heroin e romanit, kjo sasi përvojash është një pasuri e paditun, por është, e kjo varet vetëm nga ai vetë e rrethanat ku ka jetue. Ai ndjen jetën, që vjen aq bukur nëpërmjet rrëfimeve të tij, e dëshiron me pru ma shumë. Njeriu nuk zgjedh, absurdi dhe mbishtesa e jetës që ai përmban nuk varen nga vullneti i njeriut, por nga e kundërta e tij, që është vdekja.
Çmenduria dhe vdekja për njeriun janë të pariparueshme. Të gjitha moralet bazohen në idenë që një akt ka rrjedhoja, të cilat e përligjin ose e asgjësojnë. E autori përmes heroit të tij dhe ngjarjeve tregon se koha do t’i japë jetë kohës dhe jeta do i shërbejë jetës. Si? Duke mësuar nga ato ngjarje që vijnë aq këndshëm e shkojnë aq rrjedhshëm në roman. E vërteta duket bindëse e jo formale, sepse gjallërohet përmes karakteresh të spikatura njerëzore. Dështimet e një pushteti nuk ndihmojnë për të gjykuar rrethanat, por vetë pushtetin.
Kam lexuar një roman që ja vlen ta lexojnë të gjithë sepse të surprizon në gjithçka, dhe në fund t’i them autorit… thjesht:
Faleminderit për kënaqësinë!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.