back to top
3.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Kur komunistët grishnin Kristin Malokin në Shqipëri – nga Agron Alibali, LL. M

Gazeta

Prof. Krist Maloki (1900-1972)
Prof. Krist Maloki (1900-1972)

Kur komunistët grishnin Kristin Malokin në Shqipëri

nga Agron Alibali, LL. M

Sikurse u theksua më herët, Krist Malokin e kishte në qendër të vëmendjes edhe regjimi komunist shqiptar. Statusi i tij si dijetar e studiues i pavarur e me reputacion, me prejardhje nga Kosova, dhe që kishte mbajtur qëndrim përgjithësisht korrekt gjatë Luftës dhe deri diku neutral ndaj regjimit, e shtonte interesin e Tiranës ndaj tij.1
Nga ana e vet, “Maloki kishte shpresuar gjithnjë që të kthehej në Shqipëri, me gjasë për të zënë një pozitë të lartë kulturore atje”, raportonte informatori i CIA-s.2
Ambasada e Shqipërisë në Vjenë mbante lidhje të rregullta me Malokin. Nga Shqipëria atij i dërgoheshin vazhdimisht libra e literaturë, dhe me të ishte diskutuar edhe ngritja e Shoqatës së Miqësisë Austri-Shqipëri. Malokit mund t’i jetë akorduar edhe një dekoratë nderi nga shteti shqiptar. Kuptohet se të gjitha këto aktivitete nuk mund të mos kalonin nën filtrin e imët të organeve të kundërzbulimit shqiptar, dhe sigurisht, as atij Perëndimor.3
Sipas Raportit të vlerësimit të vitit 1966, “Tirana i kishte premtuar Malokit fitime të dyfishta të ndjeshme [double large profits] për përkthime dhe shërbime të tjera në fushën e propagandës”.4 Madje, Maloki mund të kishte “fitime të mëdha me përkthime nga gjermanishtja në shqip në fushën e ekonomisë [economics]”.5
Ndërkohë, sikurse u përmend, atij po i avitej mosha e pensionit. Në vitin 1962 Maloki vizitoi Shqipërinë “me mendimin se, me të dalë në pension, ai mund të shkonte bashkë me të shoqen në Shqipëri”. Ai i pat rrëfyer “Profesorit Zeta” se “në Graz jetonte i izoluar, dhe se dëshironte të kalonte pensionin në Shqipëri, ku kishte shokë të shkollës, si Prof. Eqrem Çabejn”.6
Vizita në Shqipëri i la Malokit mbresa të thella. Regjimi i rezervoi pritje shumë të mirë. Atij iu krijua përshtypja se miqtë e tij “bënin jetë shumë të këndshme” [his friends in Albania have a very pleasant living], ngaqë, “përveç punës së tyre, ata fitonin para me përkthime nga gjermanishtja në shqip.”7
Atij i kishte bërë veçanërisht përshtypje se “Aleks Buda dhe intelektualë të tjerë shqiptarë banonin [were assigned] në vila të mobiluara mjaft mirë në periferi të Tiranës.”8
Mirëpo kjo përshtypje iluzore merr përmasat e një tragji-komedie. Sipas Raportit vlerësues: “Prof. Eqrem Çabej kishte në dispozicion edhe një apartament të mobiluar në plazhin e Durrësit, përveç vilës së tij në Tiranë”.1 Nuk del e qartë se kush ishte burimi i këtij informacioni. E vërteta është se Çabej jetonte në atë kohë në një apartament shumë modest tek Rruga e Dibrës në Tiranë. Të ishte ky një inskenim i përkryer i Tiranës, keqkuptim i vetë Malokit, apo keqinterpretim apo lajthitje e informatorit?
 .
Krist Maloki, mes studentësh në Grac
Krist Maloki, mes studentësh në Grac

Tirana josh Malokin

Raporti vlerësues i CIA-s na sjell edhe një bisedë midis Krist Malokit dhe Spiro Kolekës, udhëheqës i lartë komunist, gjatë vizitës së të parit në Shqipëri në vitin 1962. Në atë kohë, kur Shqipëria sapo ishte prishur me Moskën dhe ishte shkëputur nga “kampi socialist”, në rend të ditës shtrohej pyetja se nga do të anonte Shqipëria: kah Lindja apo kah Perëndimi? Prandaj edhe takimi Maloki-Koleka nuk mund të zhvishet nga rrethanat e veçanta të kohës. Me sa duket, Maloki duhet t’i kishte përmendur bashkëbiseduesit ndryshimet dhe përparimet që kishte vërejtur në Shqipëri. Kjo mund t’i kishte dhënë shkas Kolekës për ta pyetur Malokin se çfarë mendonte për ekonominë shqiptare. Si gjithnjë, Maloki e dha mendimin e vet haptaz dhe drejtpërdrejt, çka ishte në karakterin e vet. Sipas tij, “Shqipëria nuk mund të jetonte me prodhimet e veta sepse ishte vend malor”. Dialogu më tej shkoi si vijon:
Koleka: “Ne po hapim kudo toka të reja dhe bukën do ta sigurojmë vetë”.
Maloki: “Po të çelni toka të reja ju do të shkatërroni kullotat malore, sepse të punosh tokën në mal dhe kodër do ta rrezikonte atë nga shirat dhe erozioni” [eruption në origjinal].
Dhe më tej vjen këshilla interesante e Malokit:
“Shqipëria duhet të fuqizojë blegtorinë [sheepbearing] dhe ta lidhë ekonominë e saj me Europën Perëndimore…”2
Natyrisht Maloki nuk ishte aspak naiv. Edhe pse për vizitën e tij në Shqipëri, si për këdo, u morën me kujdes masa që të paraqitej ana pozitive e regjimit, Maloki prapëseprapë kishte vënë re se gjërat nuk shkonin ashtu siç dukeshin. Kjo pasqyrohet edhe në raportin e CIA-s. Gjatë udhëtimit Maloki “vizitoi disa qytete në Shqipëri, duke vërejtur se, me gjithë progresin e arritur, populli jetonte në një regjim terrori dhe frike”.3
Vizita e çiftit Maloki në Shqipëri në vitin 1962, përshtypjet, episodet dhe rrethanat surreale të saj pasqyrohen edhe tek burime të tjera. Vizita zgjati përreth 2 muaj dhe çifti Maloki vizitoi Shqipërinë nga Gjirokastra në Shkodër. Dy episode të tjera spikasin: (I) Vizita në Muzeun e Shkodrës, ku Maloki kritikoi haptaz një artefakt që pretendonte të pasqyronte nënshkrimin e Bajram Currit, ndërkohë që, sipas Malokit, ky nuk dinte të shkruante, dhe (II) vizita incognito e Malokit, pasi ky i shpëtoi vëzhgimit të Sigurimit Shqiptar duke dalë nga dera e pasme e hotelit, për tek një frat françeskan në Gjuhadol të Shkodrës, që me gjasë, ka qenë Justin Rrota.4
Në këtë pikë, Raporti na sjell edhe përmbajtjen e një bisede surreale, të zhvilluar diku në një dhomë në Shkodrën e vitit 1962. Përballë janë Krist Maloki dhe Justin Rrota “atë françeskan dhe linguist i mirënjohur”. Gjatë bisedës Maloki me sa duket i tregoi Rrotës dëshirën për t’i kaluar vitet e pensionit në Shqipëri. Mirëpo, sikurse Maloki “i rrëfeu” [confessed] në mirëbesim informatorit, “Justin Rrota e shkurajoi që të kthehej në Shqipëri”.5
Është dramatike, e atëhere edhe mjaft e rrezikshme, se si thelbi i një bisede kokë më kokë, të kryer në rrethana të thella privatësie në një qytet të Shqipërisë, si dhe në besë të plotë midis dy miqsh, e kishte gjetur veten të pasqyruar tek një raport i CIA-s drejtuar qendrës në kryeqytetin amerikan.
Mirëpo pengesa kryesore e Malokit për t’u vendosur përfundimisht në Shqipëri duket se ishte e shoqja. Sipas Raportit, “ajo nuk dëshironte të jetonte as edhe një ditë të vetme në Tiranë”, pavarësisht nga premtimet që regjimi i kishte bërë Malokit.6
Zbulimi, si profesion dhe teknikë, bazohet tek faktet. Fjalët apo thashethemet kanë vlerë relative. Mirëpo Raporti, papritur, përcjell edhe të dhëna me bazë thashethemesh. Shkruhet aty:
“[Prof. Zeta] kishte dëgjuar disa kohë më parë në Mynih prej Prof. Babinger7 se njerëzit në Tiranë nuk e pëlqenin gruan e Malokit sepse, sipas tyre, ajo ishte mëndjemadhe [she is a megalomaniac]”.8
Mirëpo në letrën e tij për Çabejn të vitit 1962, Maloki jep një version paksa më ndryshe:
Kujt t’i besojmë? Përshtypjeve të drejtpërdrejta të Malokit të tetorit 1962, apo informatave të tërthorta, të shprehura në takimin e Mynihut në nëntor 1966?
Sa i takon së ardhmes së Malokit dhe raporteve të tij me Shqipërinë dhe Kosovën, informatori “Prof. Zeta” i raporton shefit të tij amerikan se:
“Maloki vlerësohet lart nga intelektualët e rinj kosovarë, dhe, në atë drejtim, dera mbetej gjithnjë e hapur; pra, me fjalë të tjera, Maloki do të kishte gjithnjë qasje të mirë me botën e kulturës në Jugosllavi, kurse mundësitë e afrimit të tij me Tiranën ishin praktikisht shumë të vakëta [very poor thing].”10
 .
Eqrem Çabej dhe Lasgush Poradeci studentë në Vjenë
Eqrem Çabej dhe Lasgush Poradeci studentë në Vjenë

Intriga kundrejt Çabejt

Prof. Eqrem Çabej (1908-1980) ishte ndër personalitetet më të shquara të gjuhësisë shqipe në mbarë botën. Ai kishte kontakte të hershme me kolegë në Lindje dhe në Perëndim.
Është fakt se, për vite me radhë, Prof. Eqrem Çabej kishte qenë objekt vëzhgimi të rreptë dhe hetimi të stërimët prej Sigurimit të Shtetit në Shqipëri.11 Çabej ndiqej kryesisht si “agjent i mundshëm i zbulimit gjerman” në nivelet e përpunimit 2/A dhe 2/B.12 E thënë shkurt, Çabej kishte qenë vazhdimisht, dhe deri në fund të jetës, në buzë të greminës.
Miqësia e Çabejt me Malokin i kishte fillesat në vitet 1930, kur të dy studionin në Graz. Në fund të viteve 1930 të dy kishin dalë në shtypin e specializuar shqiptar me shkrime thelbësore në lëmin e kritikës letrare dhe për vendin e Shqipërisë midis Lindjes dhe Perëndimit.13 Nuk dihet nëse të dy shokët e shkollës i kishin ruajtur në vijim lidhjet.
Sipas dëshmisë së Freya Malokit, “shok të mirë [Maloki] kishte Eqrem Çabejn që prej kohësh së studimeve në Vjenë dhe në Graz”.14
30 vjet më pas, në vitin 1962, sikurse u përmend, Maloki do ta takonte Çabejn në Tiranë, do ta vizitonte tek apartamenti i vet modest në Rrugën e Dibrës, si dhe në plazhin e Durrësit.15
Për takimin e Malokit me Çabejn në plazhin e Durrësit nuk mund të mungonte versioni i Sigurimit shqiptar në Dosjen Çabej të tij. Shënimet përgjuese agjenturore fillojnë me datë 7 gusht 1962. “Personat që janë takuar me Eqremin janë Vedat Kokona, Pasko Milo, Krist Maloki (që shkruhet Kristaq, shënim i autorit, A. A.), Hajdar Kërçiku, Aleksandër Bushati, Sulejman Resuli, Pashko Gjeçi etj”.16
Çabej mori pjesë në Kongresin e parë të Studimeve të Ballkanologjisë në Sofje, në verën e vitit 1966, kurse në fillim të vitit 1967, sipas raportit të informatorit të CIA-s, pritej të udhëtonte me punë në Gjermaninë Perëndimore.17
Maloki njihte dhe admironte punën, cilësinë dhe nivelin e lartë shkencor të Çabejt. Rrethanat e veçanta të Luftës së Ftohtë vështirësonin së tepërmi veprimtarinë shkencore dhe shkëmbimet përkatëse. Një Konferencë Balkanologjike [Balkanologen Tagung] do të mbahej në Mynih të Gjermanisë Perëndimore në tetor 1962. Aty do të ftoheshin edhe tre shkencëtarë nga Shqipëria, dhe kjo i ishte lënë në dorë Malokit. I ndërgjegjshëm për rëndësinë e aktivitetit, për vështirësitë e komunikimit me Tiranën, dhe për problematikën shtesë të lidhur me atmosferën e Luftës së Ftohtë, si dhe për domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së studiuesve shqiptarë të nivelit më të lartë në fushat e tyre, Maloki i shkruan Çabejt në tetor 1962:
“Sa për sektorin e historisë, kam propozue me grishë o Aleks Budën o Hasan Cekën; sa për sektorin Albanologjisë, Ti e dijsh mirë se kush mund të propozohet”…18
Duke ripërmbledhur, dy dokumentet e vitit 1966 të analizuara më sipër përcjellin këtë zinxhir ngjarjesh dhe galeri personazhesh:
(I) Të paktën një oficer i zbulimit amerikan i mbuluar me detyrë diplomatike në Vjenë, me gjasë Shefi Rajonal i CIA-s [Chief of Station, Vienna] udhëton në Mynih në nëntor 1966, ku takon informatorin e përmendur, “Profesorin Zeta”;
(II) Gjatë dy ditëve të qëndrimit ata takohen dhe mbulojnë aspekte të inteligjencies shqiptare, kryesisht në fushën e gjuhësisë dhe letrave;
(III) Bazuar në informatat e marra në Mynih prej “Prof. Zetës”, që kishte takuar Malokin në korrik të po atij viti, zyrtari i zbulimit amerikan harton Raportin e Vlerësimit për Malokin, si dhe Dispatch-in për Qendrën;
(IV) Sikurse përmendim tek (i), me gjasë, oficeri i zbulimit amerikan ka qenë vetë Shefi i Stacionit të CIA-s në Vjenë. Një Shënim në fund të Raportit të Vlerësimit përmend diplomatët shqiptarë që punonin asokohe në Vjenë, çka nënkupton se i pari përdorte mbulesën diplomatike, që i kishte mundësuar të kishte dijeni për punonjësit e Ambasadës së Shqipërisë në Vjenë, si p.sh. Gaqo Neshon.19
Pikërisht në momentet mbas kthimit nga Mynihu, Dispatch-i drejtuar Qendrës përmban një pasazh të çuditshëm. As më pak, as më shumë, aty yshtet manipulimi i Malokit për të përdorur Çabejn për qëllime zbulimi ndaj Enver Hoxhës. Me të vërtetë, pasi Dispatch-i pranon se,
“…edhe pse Maloki nuk duket që të jetë vetë ndonjë objekt tejet premtues [extremely promising target], ai ofron mjet për qasje [access] tek Eqrem Çabej, i cili raportohet se është në marrëdhënie të mira [good terms] me Enver Hoxhwn dhe Mehmet Shehun…”20
Nuk është e vështirë që të përfytyrohet rreziku me të cilin ballafaqohej gjuhëtari i madh, pasuesi i Gustav Mayer-it dhe nxënësi e miku i Norbert Jokl-it, i ndjekur nga Sigurimi shqiptar si “agjent i mundshëm i zbulimit gjerman”, nëse skenari i përdorimit të Malokit për të përdorur Çabejn dhe për të shfrytëzuar “afrinë” e supozuar të tij me udhëheqësit komunistë të Shqipërisë të ishte transformuar në hapa konkrete operacionale…
Dihej botërisht se Çabej e kishte prejardhjen nga Gjirokastra, vendlindja e Enver Hoxhës. Mirëpo shumë pak veta mund ta dinin se Çabej dhe Enver Hoxha njiheshin, dhe që, sipas raportit, kishin afërí [good terms].
Për më tepër, informacioni se Enver Hoxha dhe Eqrem Çabej kishin “afëri” ishte i ekzagjeruar, për të mos thënë se paraqiste, të paktën, zell të tepruar. Edhe pse të lindur në një qytet, vërsnikë dhe madje, me lidhje të largët farefisnie, të dy ishin takuar vetëm një herë në Gjirokastër në fillim të viteve 1930, kur Çabej ishte me pushime në vendlindje. Pas lufte kontaktet e tyre ishin shumë të rralla, aq sa mund të numëroheshin me gishtat e dorës.21
.
Koliqi - Camaj - Maloki
Koliqi – Camaj – Maloki

Cili ishte “Profesori Zeta”?

Edhe pse emri i agjentit informator është fshirë, të dhëna biografike për “Profesorin Z.” dalin aty-këtu në faqet e të dy dokumenteve.
Theksojmë se nuk është aspak qëllimi i këtij punimi çmaskimi [unmasking] apo identifikimi i “Prof. Zetës”, emërtim që në këtë punim nënkupton njëjësin ose shumësin (pra, mund të jetë një ose më shumë persona).22
Nëse hipotetikisht emrat e fshirë në kllapa ia atribuojmë “Prof. Zetës”, nga të dyja raportet mësojmë se “Profesor Zeta” (I) në nëntor 1966 jetonte në Mynih, ku edhe u takua me shefin e byrosë së CIA-s në Vjenë.23 Ai “ende nuk e kishte marrë shtetësinë gjermano-perëndimore”,24 çka nënkupton se ai (II) nuk ishte gjerman. Po ashtu, nga dokumenti del qartë se Prof. Z. (III) ishte studiues në fushë të filologjisë, pasi përmendet interesimi për “Kongresin e Filologjisë Ballkanike” të Sofjes, të mbajtur në datat 29 gusht – 2 shtator 1966. Kjo, megjithatë, nuk e kishte penguar atë të siguronte një listë të delegacionit shqiptar. Dhe më tej, “Prof. Z.” madje (IV) ishte studiues në linguistikën shqipe, pasi po atë vit “kishte botuar një libër” në këtë lëmë.25
Të dhëna të tjera për “Prof. Zetën” mësojmë edhe nga Raporti vlerësues për Malokin.
Kështu, në vitin 1952 ai kishte qenë në Beograd, Jugosllavi, “ku kishte njohur Krist Malokin”, kur ky kishte takuar “intelektualët e rinj kosovarë që studionin në Universitetin e Beogradit”.26 Pra, mund të themi se “Prof. Zeta” (V) kishte studiuar në Universitetin e Beogradit në vitin 1952. Në fakt, korrespondenca midis tij dhe Malokit kishte nisur në vitin 1951.27 Kurse në korrik 1966, d.m.th. 5 muaj para takimit me oficerët e CIA-s në Mynih, “Prof. Z.” kishte takuar Krist Malokin në Graz.28 Pra, informacionet e “Prof. Zetës” të vjela nga Maloki dhe të pasqyruara në dokumentet e përmendura, ishin të freskëta.
 

Konkluzione

Episodi i dokumentuar në Dosjen Maloki të CIA-s tregon se Lufta e Ftohtë zhvillohej në çdo terren të mundshëm të aktivitetit njerëzor, dhe se objekt i saj ishte edhe inteligjencia shqiptare, e cila nuk mbetej më as imune, dhe aq më pak, as jashtë vëmendjes së veprimtarive zbulimore apo operacionale të shërbimeve përkatëse.29
Ky episod i veçuar i Luftës së Ftohtë shpalos jo vetëm luftën e madhe e të paskrupullt që zhvillohej nga të gjitha palët pjesëmarrëse për të fituar, dhe pse jo, për të manipuluar mendjet e inteligjencies shqiptare “në të trija anët e kufirit”, por ai nxjerr në pah edhe interesin e ndikimin relativ që organet e zbulimit amerikan treguan për ecurinë e studimeve shqiptare, më saktë, të gjuhësisë.
Në shënjestër të zbulimeve nga të dyja anët e Perdes së Hekurt ishin edhe shkencëtarë shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova. Çabej ishte nën ndjekjen e Sigurimit të Shtetit në Shqipëri, kurse Krist Maloki në Austri ishte objekt i CIA-s amerikane.
Studiues nga të dyja anët angazhoheshin përkatësisht edhe si informatorë. Dosja Çabej përmban një mori informatorësh me pseudonime nga më të ndryshme; Dosja Maloki mbështetet kryesisht tek informatat e “Prof. Zetës”. Me shumë gjasë, kjo lagje studiuesish – informatorë, apo informatorësh – studiues siguronte mbështetje edhe për avancim në karrierat e tyre akademike, si dhe merrte mbështetje e ndihmë të prekshme përmes financimeve e sponsorizimeve të ndryshme.
Sikurse shihet më poshtë, zbulimi perëndimor financonte edhe shpërndarjen e literaturës shkencore të krijuar nga agjentura e vet për në vendet e Lindjes, përkatësisht në Shqipëri. Shembulli konkret është vepra studimore e “Prof. Zetës”. Me të vërtetë:
“Libri i ri i [Prof. Zetës] për linguistikën shqiptare tashmë është botuar”, përfundonte Dispatch-i i lartpërmendur, “dhe ai ua ka dërguar me postë 6 kopje personave të treguar në listën bashkëngjitur.”30
Fjala ishte për listën, hartuar nga “Prof. Zeta”, e delegacionit shqiptar që sapo kishte marrë pjesë në “Kongresin e Filologjisë Ballkanike” të Sofjes, 29 gusht – 2 shtator 1966.
Vijohet më tej:
“Sikurse u sugjerua në EAVW-20076 të 17 gushtit 1966, ne e paguam [Prof. Zetën]31për këto kopje, dhe do të paguajmë për blerjen dhe postimin edhe të disa kopjeve të tjera dhuratë”…32
Mbetet për t’u verifikuar nëse ky libër i paidentifikuar, i paguar nga CIA edhe si vleftë, edhe si postim, dhe që mund të përmbante dedikimin e autorit informator, ndodhet edhe sot e gjithë ditën në bibliotekat albanologjike të pasardhësve të profesorëve të nderuar në Shqipëri.
Nga pikëpamja e CIA-s, të dhënat e imta të marra nga informatori i tyre në takimin e Mynihut nuk kishin ndonjë vlerë të veçantë. “Edhe pse në materialin e [Prof. Z.-ës]33 nuk kemi gjetur asgjë me vlerë të qartë shpërndarëse [dissemination value], besojmë se disa nga të dhënat biografike [personality data] në raportin e bashkëngjitur të kontakteve mund të meritojnë indeksime për përdorime të mundshme të mëvonshme operacionale” [possible later operational use], i raportonte qendrës në Dispatch-in e tij Shefi i Stacionit të CIA-s në Vjenë.34
Me shumë gjasë, raporti i munguar i kontakteve përmbante edhe emrin e Eqrem Çabejt, çka mund të vërtetohet tërthorazi nga përmendja e emrit të tij në paragrafin tjetër sipas linjës Maloki-Çabej-Hoxha-Shehu. Ishte pikërisht perspektiva e përdorimit të mundshëm “operacional” të kësaj linje që do të përbënte rrezik ekzistencial për Çabejn.
Mirëpo pikëtakimet, rastësore apo të kurdisura, të botës së inteligjencies shqiptare me jashtë, shiheshin me vëmendje, “vigjilencë” apo shqetësim edhe nga Tirana. Krist Maloki ankohej me takt në letrën e tij drejtuar Çabejt në adresë zyrtare të Universitetit të Tiranës. “Prej Teje – i shkruan Maloki Çabejt drejtpërdrejt dhe me respekt të veçantë35 – kam marrë vetëm njat ekstrakt mbi fjalët shqipe të terminologjisë buzë-detare. Mjerisht as nga shokët dhe kolegat e tjerë nuk kam patur gjër më sot donjë korespondencë me letra. Se ku qëndrojnë ndalesat apor pengesat nuk e marr vesht. Por nejse!”36
Nga ana e vet, sikurse përmendëm, Çabej i ishte nënshtruar vazhdimisht survejimit të pashembullt nga Sigurimi i Shtetit. Kurse jo më shumë se 7 vjet më vonë, në vitin 1973, udhëheqja komuniste shqiptare do të ndërmerrte një ndër fushatat spastruese më të bujshme, masive e gjakatare kundrejt inteligjencies vendase në historinë e pasluftës të vendit të vogël ballkanik e më gjerë.
Përplasja e nëndheshme midis dy zbulimeve antagoniste të Luftës së Ftohtë – CIA-s amerikane dhe Sigurimit shqiptar – për fatin e Krist Malokit, por sidomos përfshirja në këtë betejë të zinxhirit surreal të përbërë nga (I) “Prof. Zeta” [Mynih, Gjermani] – (II) Krist Maloki [Graz, Austri]- (III) Eqrem Çabej [Tiranë, Shqipëri] – dhe (IV) udhëheqja komuniste e Tiranës, ishte episod tejet i çuditshëm, thuajse tragjik. Përmes veprimtarisë në fushën e inteligjencës [zbulimit e kundërzbulimit], fushëbeteja gjeopolitike ishte zhvendosur tashmë edhe në lëmin e brishtë, të kthjellët, por plot mistere e gjetje shkencore, të albanistikës, gjuhësisë, filologjisë e letrave shqipe, si dhe të studimeve ballkanologjike.
Kësisoj, nga areali i saj i natyrshëm i librave, arkivave e konferencave, inteligjencia shqiptare befas gjendej e zhvendosur në “tehun” e mprehtë të Luftës së Ftohtë. Pyetja hipotetike është se si do të reagonte regjimi komunist në rast se kombinacioni i mundshëm Prof. Z. – Maloki – Çabej – Hoxha, të ishte vënë në zbatim?
Për fat kjo nuk ndodhi. Nuk ka të dhëna se amerikanët e ndoqën idenë e dalë nga takimi i Mynihut i nëntorit 1966. Megjithatë, pyetjes hipotetike mund t’i jepet përgjigje konkrete, dhe kjo del tek fatet e të dërguarve të ndryshëm të misioneve të përparshme të CIA-s etj. në Shqipëri,37 apo tek ngjarjet dhe spastrimet që pasuan Plenumet e IV, V, VI të KQ të PPSH në vitet 1973-1975 në Shqipëri.
Kërcënimet dhe rreziku ndaj jetës, me të cilin ballafaqoheshin shkencëtarë të mirëfilltë shqiptarë, si Eqrem Çabej, nga survejimet dhe hetimet e pafund të Sigurimit të Shtetit në Shqipëri, apo nga kombinacionet e mundshme operacionale të shërbimeve perëndimore ishte real, konkret dhe i skajshëm. E thënë figurshëm, sipari i Perdes së Hekurt për ta mund të kthehej në çdo kohë në satër.
Në mbyllje, lidhur me fatin e Bibliotekës së Krist Malokit, konfirmojmë se, pas vdekjes së të zotit, një pjesë e saj u kthye vërtet në Kosovë, më saktë, në gjirin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.38
Kurse, duke përfunduar me Çabejn, sikurse përmendëm, raporti Dispatch u hartua me 30 dhjetor 1966. Eqrem Çabej ndërroi jetë me 13 gusht 1980. Pra, ai jetoi edhe pak më shumë se 12 vjet. Qysh nga viti 1967 e deri në mbyllje të jetës, Prof. Çabej i dha fushës së dijes edhe 93 vepra, artikuj, kumtesa e punime të tjera madhore në fushë të gjuhësisë e të studimeve shqiptare.39 Është vërtet fat që kombinacioni zbulimor i sugjeruar në Mynih në nëntor 1966, nuk u vu në jetë. Përndryshe, mund të përfytyrohet lehtas humbja e jashtëzakonshme për shkencën në përgjithësi, dhe studimet shqiptare në veçanti, nëse Prof. Eqrem Çabej do të ishte bërë pré e intrigave zbulimore të Luftës së Ftohtë.
 .
Agron Alibali
Manchester-by-the-Sea, MA, SH.B.A.
Tiranë, Shqipëri Tetor – nëntor 2017
.
Refleksione - Veper e Krist Malokit
Refleksione – Veper e Krist Malokit

Footnotes

 1.Raportime të ndryshme në Dosjen Maloki të CIA-s përcjellin sa më poshtë: Maloki ishte propozuar për të marrë dekoratë nga Shqipëria [dt. 20 mars 1964]; “paraqiste interes për shërbimin e zbulimit shqiptar” dhe për Legatën Shqiptare në Vjenë [dy raporte, dt. 2 korrik 1964]; ishte në kontakt me Jorgaq Mihalin, e Legatës Shqiptare në Vjenë [dt. 31 korrik 1964]; po ashtu, me ministrin shqiptar në Vjenë, Gaqo Nesho [10 dhjetor 1964]; po ashtu, me Sekretarin e Parë Llazo Dano [16 shkurt 1965]; Dosja Maloki e CIA-s.
2.Raport vlerësues për Krist Malokin, EAVA-39417/01, datë 30 dhjetor 1966, f. 1.
3.Shih Shënimin 47. Po ashtu, Malokit i ishte propozuar të punonte me përkthime për Legatën. Diskutimet për Malokin dhe me Malokin brenda Legatës Shqiptare në Vjenë përcillen me imtësi mbresëlënëse në Raportin Ref. ROMA – e palexueshme, datë 12 maj 1966 lidhur me “Kristo Malokun” [sic] dhe Hajdar Kërçikun.
4.Po aty, f. 3.
5.Po aty, f. 2.
6.Po aty, f. 1.
7.Po aty, f. 2.
8.Po aty, f. 2.
9.Po aty, f. 2.
10.Raport vlerësues për Krist Malokin, EAVA-39417/01, datë 30 dhjetor 1966, f. 1.
11.Po aty, f. 2.
12.“Krist Maloki, refleksione, kritikë (letrare), analiza dhe mendime”, përgatiti Albert Ramaj, Konica, Prishtinë, 2005, Hamdi Oruçi, “Prof. Krist Maloki vdiq”, ff. 317-318, dhe “Intervistë me Freya Malokin”, ff. 335-338; kjo e fundit përmend pozitivisht Ramadan Sokolin gjatë vizitës në Shqipëri: “Kur ishte Ramadan Sokoli me ne e ndija veten më të sigurt…”. Po aty, ff. 336.
13.Po aty, f. 2. Sipas Raportit, vetë Maloki “ia kishte rrëfyer” informatorit këtë episod.
14.Po aty, f. 3.
15.Profesori i njohur gjerman Franz Babinger [1891-1967), studiues, historian, turkolog dhe albanolog i shquar, autor, ndër të tjera, edhe i veprës “Fundi i Arianitit” [Das Ende der Arianiten], vdiq aksidentalisht në plazhin e Durrësit në qershor 1967. Shih Babinger, Franz [15.1.1891 – 23.06.1967), tek Robert Elsie, A Biographical Dictionary of Albanian History, f. 22.
16.Po aty, shih Shënimin 60 më lart.
17.Letër e Christoph Malokit për Eqrem Çabejn, Graz, 1 tetor 1962. Arkiva e Institutit Çabej, mirënjohje [courtesy] Brikena Çabejt.
18.Raport vlerësues për Krist Malokin, EAVA-39417/01, datë 30 dhjetor 1966, f. 3. Për raportet e Malokit me Kosovën shih edhe Sesionin shkencor “Krist Maloki në Kosovë”, mbajtur me rastin e Javës së Bibliotekës në Kosovë, 5, Prishtinë, prill 2008.
19.Shih Dosjen Formulare 2383, kategorija 2/B, Nr. 2885 për Eqrem Çabej, Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Punëve të Brendshme, Tiranë, botuar pjesërisht në Gazetën 55, 18 shtator – 27 shtator 2008.
20.Po aty. Niveli 2/A është përpunim aktiv, d.m.th. ndjekje e plotë e një personi apo grupi që zhvillon veprimtari aktive “armiqësore”. Niveli 2/B është kontroll operativ për persona me origjinë armike, por që nuk shfaqin veprimtari “armiqësore”. Kastriot Dervishi, Sigurimi i Shtetit, 1944-1991, Shtëpia Botuese 55, Tiranë, 2012. Shih edhe “Aleksandër Meksi përmes fjalës së tij”, Tiranë, Luarasi, 1997, ff. 83, 84.
21.Eqrem Çabej, “Për gjenezën e literaturës shqipe”, Hylli i Dritës, Shkodër, 1938, Krist Maloki, “A asht poet Lasgush Poradeci?”, Përpjekja shqiptare, Ti;anë, nr. 18-24, ff. 333-350; nr. 25-27, ff.10-31.
22.Intervistë me Freya Malokin nga Albert Ramaj, tek “Krist Maloki, refleksione, kritikë (letrare), analiza dhe mendime”, përgatitit Albert Ramaj, Konica, Prishtinë, 2005, f. 337. Shton znj. Maloki: “Çabejn edhe unë e kam njohur. Ky njeri për mua ishte gjentelmen që meritonte respekt. Ai më shkruante mua edhe pas vdekjes së Kristit. Me të jam takuar disa herë”. Po aty.
23.Vetëm në vitin 1968 Çabejt iu dha një apartament pak më i gjerë, pra edhe me një dhomë pune, ku jetoi deri në mbyllje të jetës së tij. Sipas dëshmisë gojore të Brikena Çabejt, së bijës së Prof. Çabejt, tetor 2017.
24.“Si ndiqej Eqrem Çabej nga Sigurimi i Shtetit”.”Ndjekja e plotë e Çabejt gjatë kohës së pushimeve në Durrës”, Dosja Formulare 2383, kategorija 2/B, Nr. 2885, për Eqrem Çabej. Dossier 7, Gazeta 55, e mërkurë, 24 shtator 2008, ff. 16-17.
25.Dispatch EAVA 39417, 29 dhjetor 1966. “Vizita” e Çabejt në Gjermaninë Perëndimore nuk ka ndodhur. Çabejt, në fakt, i ishte propozuar të jepte mësim në Universitetin e Vjenës në vitet 1967-1968, por kjo nuk u miratua nga regjimi. Dëshmi e Brikena Çabejt.
26.Nënkuptimi qartazi i drejtohej Çabejt. Letër e Christoph Malokit për Eqrem Çabejn, Graz, 1 tetor 1962. Arkiva e Institutit Çabej, mirënjohje [courtesy] Brikena Çabejt. Termin “Albanologie” e gjejmë të përdorur për herë të parë nga Jacob Phillipp Fallmerayer, tek “Albanesische Element in Griechenland”, Munchen, 1857, f. 13.
27.Gaqo Nesho shfaqet si i Dërguar i Jashëzakonshëm me gradën Ministër i Republikës së Shqipërisë në Vjenë në “Österreische Zeitschrift für Aussennpolitik”, Volume 6. Sekretar i Parë i Ambasadës del Rakip Zeqiri. Nesho ishte akredituar me 9 mars 1962, Akten zur Auswärtigen Politik der Bundesprepublik Deutschland, 1962, f. 2186.
28.Pikat e retiçencës janë në origjinal. Despatch EAVA 39417, 29 dhjetori 1966, para 2.
29.Sipas dëshmisë së Brikena Çabejt, tetor 2017. Sa u takon marëdhënieve me Mehmet Shehun, raporti është i pasaktë, sepse ato ishin inekzistente, pasi ky i fundit dëshmohet se shprehej negativisht ndaj Çabejt. Po i njëjti burim
30.Për analogji, i referohemi këtu rastit hipotetik të spektatorit në sallën e teatrit para se të ngrihet sipari. Ai nuk e di se sa aktorë janë pas perdes, një, dy, ose më shumë. Kllapat në dokument janë si perdja. Ne nuk e dimë se çfarë emri apo emrash fshihen midis tyre. Emërtimi “Prof. Zeta” është krejt gjenerik. Krahaso, p.sh. me “John Doe”.
31.Shih Disptach, EAVA 39417, 29 dhjetor 1966, para. 1. Dosja Maloki.
32.Po aty, para 3.
33.Po aty, para 4.
34.Raport vlerësues për Krist Malokin, EAVA-39417/01, datë 30 dhjetor 1966, f. 1.
35.Po aty, f. 1.
36.Po aty, f. 2.
37.Për një “përthyerje” më bashkëkohore të bashkëveprimit midis inteligjencies dhe shërbimeve të “inteligjencës” në universitetet amerikane, shih Daniel Goldon, “Spy Schools, How the CIA, FBI and Foreign Intelligene Secretly Exploit American Universities”, Melia Publishing Services, 2017.
38.Dispatch EAVA 39417, 29 dhjetor 1966, para. 4.
39.Emri bosh midis kllapave mendojmë se i referohet “Prof. Zetës”.
40.Dispatch EAVA 39417, 29 dhjetori 1966, para 4.
41.Idem, si Shënimi 84.
42.Dispatch EAVA 39417, 29 dhjetori 1966, para 1.
43.Ndofta ky letërkëmbim na sjell një risi veçanërisht të bukur në letrat shqipe, atë të Njëjësit të Respektit. Në dallim nga Shumësi i Respektit, që në shqipen jepet me “Ju”, Maloki na përcjell këtu afërinë sëbashku me respektin dhe shoqërinë e pastër përmes trajtës së rrallë me “Ti” të Njëjësit të Respektit.
44.Letër e Christoph Malokit për Eqrem Çabejn, Graz, data e papërcaktuar; nga zarfi del gusht 1963. Arkiva e Institutit Çabej, mirënjohje [courtesy] Brikena Çabejt.
45.Shih, p.sh. morinë e dokumentacionit të deklasifikuar në rreth 20 kuti për operacionet zbulimore përkatëse tek NARA, si dhe botimet e ndryshme, si p.sh. Ben Macintyre, A Spy Among Friends, Kim Philby and the Great Betrayal, with an aferward by John Le Carré. Crown Publishers, New York, 2014, ff. 121-122, 124-128, 129-131, 138-141.
46.Një fond prej rreth 700 njësish bibliotekare nga biblioteka personale e Krist Malokit, disa prej të cilave me “vlerë të jashtëzakonshme”, i është dhuruar Bibliotekës Kombëtare të Kosovës nga Mark dhe Gonxhe Kaçinari. Korrespondencë përmes postës elektronike me Rudina Tahiraj, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, datë 18 tetor 2017.
47.Eqrem Çabej, Bibliografi, (1929 – 1981), hartuar nga Prof. Jup Kastrati, variant i plotësuar, botuar në Prishtinë nga Prof. Begzad Baliu. Arkiva e Institutit Çabej.
48.Po aty.
49.National Archives and Records Administration, NARA, Plan for Albania, Dosjet e CIA-s për operacionin OBOPUS BGFIEND, ff. 24-25.
Marre nga Gazeta Shqiptare 23.02.20


 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.