back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kur krimi bëhet kryefjalë… lukunia bashkë kundra Agron Tufës – nga Jozef Radi

Gazeta

Shkrimtari Agron Tufa
Shkrimtari Agron Tufa

Kur krimi bëhet kryefjalë…

lukunia bashkë kundra Agron Tufës

nga Jozef Radi

Që krimi ka qënë kryefjalë e komunizmit shqiptar, kjo “s’do as mend e as kalem”, por sot falanga të këtyre krimeve, shfaqen përmes emrave të shumë prej atyre që nxinë e vazhdojnë të nxijnë jetët e njerëzve që pësuan kalvare të pafundme, ndërkohë që dokumentat e arkivave, edhe në atë pak dritë të hedhur mbi to, dëshmon se i ka vënë në lëvizje e në ulërimë gjithë këtë lukuni ujqësh, duke na shpërfaqur kështu një nga fenomenet më të pabesueshme e më të neveritshme historike…
E gjithë kjo lukuni titullarësh (shumëkush i quan bisha) në marrdhënie të pastra gjakatare me diktaturën dhe me shpërblime tejet të mëdha me të sotmen, është një nga spektaklet më makabre që prej kohësh po improvizon neodiktatura.
Asgjë s’është rastësi, asgjë s’është punë të matufepsurish, as të rrjedhurish, por një strategji 30 vjeçare e përpunuar në zyrat e errësirës së djeshme, që mbasi kanë realizuar gjithë detajet e një projekti famëkeq, ka atë të fundit: gjetjen dhe shpalljen e një “Armiku të ri popullit”! Për këtë kthejnë shikimin pas dhe kërkojnë ndihmë te Lufta Nacional Çlirimtare, a thua se nuk u kanë mjaftuar 75 vite për të realizuar gjithë çka sollën mbas kësaj lufte: diktaturën më të egër e Europës Lindore. Kështu janë bërë bashkë hetues, sigurimsa, drejtorë burgjesh, ambasadorë e ideollogë famëkqinj me gjithë spazmat e Bllokut të dikurshëm, që mbas një periudhe maskash me “rilindjen”, janë në periudhën më të përndritur: jo thjesht për të kërcënuar, por për ta rikthyer të djeshmen…
Armiku u bë kohë që është gjetur: janë ish të përndjekurit e djeshëm dhe fëmijët e tyre sot, pikërisht ata që arritën të realizojnë gjatë kësaj periudhe postdiktaturë një pjesë të ëndrrës së tyre. Këtyre mbetjeve të diktaturës me një gjuhë të drunjtë e të dalëboje, u duhej një target, një komandant, një intelektual!!  Dhe shpejt ai u gjet! Për gjithë kriminelët e diktaturës komuniste u gjet një Hitler i Ri, një ballist, një carist dhe ai e ka emrin Agron Tufa!
Po kush është Agron Tufa?!
Agron Tufa është shkrimtar, poet, studiues, përkthyes dhe profesor, fitues çmimesh dhe figurë e respektuar… kaq mjafton për ta urryer çobanët qëe çobanizuan Shqipërinë… Agron Tufa është baba i pesë fëmijëve dhe kaq mjafton për ta kërcënuar te puna çobanëria që gjithnji ka pasur ideal ndëshkimin e të pafajshmëve; Agron Tufa është drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, promovues i mbi 150 veprave që janë në themele të së vërtetës historike, i dhjetra promovimeve mbi heronjtë e kulturës dhe qëndresës shqiptare, çka i ka vënë në alarm celulat e fjetura të çobanërisë, se po na u vidhka “lavdia e luftës”; Agron Tufa mbi të gjitha është Njeri me kurajo morale që i ka dalë përballë së Keqes që sot shfaqet me emrat e Spartak Brahos, Edmond Cajës, Bujar Sheshit, Fatos Tarifës, Shaqir Vukajt, po edhe një lukunie të admirueshme ndjekësh të tyre, që në ulërimë kopeje kërkojnë të na shpikin një Hitler shqiptar, i cili po na u bënka genocid kriminelëve të diktaturës…!!
.
Agron Tufa dhe Familja e tij
Agron Tufa dhe Familja e tij
E vërteta është se e gjitha kjo s’është një fenomen i shkëputur, por një sistem zinxhir që nisi me rënien e bustit të diktatorit dhe euforinë që solli ky akt; me ligjet që i lanë të varfër e të çveshur nga prona pronarët e që na pasuruan njerëzit e diktaturës dhe politikës së re, duke mos i lënë asnjë shteg kthimit të pronës te i zoti; te mosdënimi i krimeve të diktaturës dhe përdorimi i veglave të tyre në përmasa të frikshme; tek zhurma e dëmshpërblimeve të ish të burgosurve që s’u bënë kurrë të vërteta po vetëm një farsë demagogjike; te mospërfaqësimi i shtresave të gjëra as në nivelin parlamentar, as atë ekzekutiv dhe as në pushtetin lokal; te mbajtja e shoqërisë civile dhe drejtuesve të shoqatave të përndjekurve në nivelet më të ulta të kërkesave dhe përdorimi apo kërcënimi përmes dosjeve të kujdo që gjente pak kurajo për ta shpalosur apo denoncuar të vërtetën e krimeve…
Të gjitha këto shërbejnë si shumatore e sipërfaqshme, që ka bërë bashkë gjithë politikën shqiptare, e cila merret më shumë me çeshtjen e pushtetit, mbrojtjen e interesave dhe favoreve që ajo i ka krijuar vetvetes, duke bërë të bashkëjetojnë harmonishëm hijet e së djeshmes me hijet e së sotmes, duke bërë pilastra të politikës njerëzit më të neveritshëm të nji shoqërie, që rreken të dëshmojnë se e përfaqësojnë  atë, por që faktikisht tejet pak janë marrë me zgjidhjen e problemeve madhore apo rritjen e standartit të jetesës së kësaj shoqërie…
Sot përfaqësuesit e të përndjekurve, janë thjesht viktima të rrogës dhe të privilegjeve. Ata veç dalin e përqurren, duke folur për vuajtjet dhe çfarë kanë hequr ata si individë e si familje… po asnjë veprim juridik, dinjitoz, asnjë denoncim të krimeve, asnjë dëshmi të kulturës së protestës nuk e ke, e as ke për të pasur prej tyre… Në sulmet e egra të lukunisë komuniste ndaj Agron Tufës dhe Visar Zhitit, ata s’janë gjëkund, kështuqë me heshtjen dhe skuthërinë e tyre meskine ata janë vendosur në krah të rrogës, privilegjeve dhe prapaskenave… pra persekutorevë të djeshëm e të sotëm…
Për sa kohë që s’do të dënohen publikisht dhe ligjërisht krimet e komunizmit, do të lindin viktima të reja të pafajshme prej këtyre mbetjeve toksike dhe s’do të jenë në qendër të kësaj egërsie e ta pësojnë v etëm individë të spikatur si Agron Tufa apo Visar Zhiti, po krejt një shoqëri, siç po ndodh në të vërtetë. Për sa kohë që brezat e rinj largohen nga diktatura pa pasur një ide qoftë edhe të vakët, një kuptim historik dhe një betejë legale ndaj saj, pësimet e pësuara do të rriten në progresion gjeometrik, dhe kjo shoqëri është e kërcënuar dhe e destinuar të jetë viktimë e së Keqes së prodhuar prej saj.

 .

Visar Zhiti i burgosur
Visar Zhiti i burgosur
Prandaj sulmi ndaj Agron Tufës nuk është thjesht përplasje mes nji individi të djeshëm me një tjetër individ që bëri një trajektore të spikatur, por një arsye për të krijuar një konflikt të ri, një sulm i mirorganizuar i së djeshmes kundër së nesërmes, i veglave të verbëta të diktaturës, ndaj djemve që u shkolluan dhe po i japin vlerë së vërtetës, i rrënojave të imoralitetit politik, kundra kollonave të moralit intelektual, i tragjedisë për ta kthyer kohën pas dhe frymës për të ecur përpara; i së paligjshmes dhe abuzives, ndaj legjitimes dhe barazisë.
Prandaj kundra Agron Tufës eshtë krejt një frymë politike dhe mbetje të mekanizmave të diktaturës… mbasi vetëm një ringjallje e re e luftës së klasave mundet ta shpëtoje korrupsionin dhe degjenerimin e kësaj politike e cila në thelb është e sinkronizuar, dhe vetëm në fasadë shfaq kundërshti politike…
Prej kohësh po theksohet me të madhe se krimet e djeshme dhe abuzimet e sotme janë bërë sinkron i njëra tjetrës dhe kryefjalë e jetës politike…
Në këtë lojë të gaforres, ku ne bëjmë më shumë hapa pas se para, luajnë edhe institucionet ndërkombëtare, të cilat ndërsa flasin për futjen e Shqipërisë në Europë, të gjithë lëvizjet e saj jo që dëshmojnë se nuk e kanë seriozisht kët gjë, po distanca me Europën kohët e fundit është duke shkuar drejt një humnere të frikshme… Është pikërisht kjo frymë e Europës që i ka dhënë zemër krejt një kësaj politike ku rikthimi nën një diktaturë të re është gjithnji e më dukshëm, dhe ashtu si dje Shqipëria do të braktiset në fatin dhe mjerimin e saj dhe gjithë emisarët e kësaj situatë do të shfaqen nesër si ponc pilatër…
Prandaj e theksoj me forcë se jam me Agron Tufën, dhe jam Agron Tufa, dhe besoj se çdo qytetar që e do lirinë e tij, të familjes së tij dhe vendit të tij duhet të jetë me Agron Tufën duhet të jetë një Agron Tufë…
prill, 2019

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.