back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kur Lamtumira vjen nji ditë para Urimit – në kujtim të poetit Basri Çapriqi (1960-2018)

Gazeta

Basri Çapriqi (1960-2018)
Basri Çapriqi (1960-2018)

Kur Lamtumira vjen nji ditë para Urimit –

nga Adil Olluri, Agron Tufa, Sadik Bejko

në kujtim të poetit Basri Çapriqi (1960-2018)

Një shkrim lamtumire, në ditëlindjen tënde…

nga Adil Olluri

Sot është dashur të ta uroja ditëlindjen, profesor.
Mbrëmë nuk mund t’ju besoja lajmeve se ti ike dhe më nuk do të shiheshim as në Fakultetin e Filologjisë e as në “Kafe Z”, ku ti shpeshherë e pije kafenë e mëngjesit. Mbrëmë nuk doja t’i ktheja mesazhet e miqve që më ngushëllonin, më lajmëronin dhe më pyesnin për Ty, sepse ende besoja se ai nuk do të ishte lajm i vërtetë dhe ne sërish do të shiheshim dhe do të bisedonim për shkrimtarin tonë të preferuar, Ymer Shkrelin.
Pata nderin që të isha studenti Yt dhe të më mentoroje e të bashkëpunoje me mua në të gjitha ciklet e studimeve, bachelor, master dhe së fundi në doktoratë. Kurdo që do ta mbroj temën e doktoratës, të gjithëve do t’ju them se e kam mbrojtur te ti, profesor.
Nuk do të besoja se do të thurja një shkrim të tillë për ty, profesor. Do të doja që të shkruaja në email e në Viber e të të tregoja se ku kam arritur me punimin tim, për të cilin, edhe pse ishe në terapi, më shkruaje vazhdimisht. Më pikuan lotët derisa po shkruaj, sepse asnjëherë nuk e kam besuar se do ta thur një shkrim të tillë për ty, aq më pak në ditëlindjen tënde. Thellësisht besoja se ti do ta mposhtje sëmundjen e ligë dhe do ta vazhdonim bashkëpunimin aty ku e lamë.
Është pikëlluese të mendoj se më nuk do ta kemi në mesin tonë profesorin më të mirë që pati Fakulteti i Filologjisë dhe më të veçantin poet që kishim pranë nesh.
Ti ike si poet, pa pyetur se çdo të mendonim ne të tjerët për ikjen tënde, pa e vrarë mendjen në do të pajtoheshim ne të tjerët me ikjen tënde.
Qoftë data e lindjes sate, ditë e përhershme kujtimi dhe vlerësimi për veprën dhe jetën tënde, profesor!
.
Sadik Bejko  dhe Basri Çapriqi
Sadik Bejko dhe Basri Çapriqi

Nderim Basri Çapriqit

nga Sadik Bejko

Me hidhërim e thellë mora vesh humbjen e mikut Basri Çapriqi. U nda nga jeta në moshë të re. Basri Çapriqi ishte një profesor i letërsisë në Universitetin e Prishtinës, një përfaqësues i kulturës dhe letërsisë shqiptare. Poeti Basri Çapriqi ka përfaqësuar poezinë në gjuhën shqipe në shumë antologji kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka udhëhequr prej vitesh PEN-in e Kosovës.
Kam pasur rast të bashkëpunoj me të në shumë aktivitete për letërsinë. Bashkë me Sali Bashotën, Bashkim Kuçukun punuam për një antologji të poezisë shqipe të shekullit XX.
Basri Çapriqi ishte i pajisur me qetësinë, thellësinë dhe mençurinë e bashkëpunimit midis krijuesve, shkrimtarëve, virtyt ky jo shumë i pranishëm në mjediset e shkrimtarëve tanë. Humbja e tij i shkon kulturës letërsisë, familjes miqve. Ju shpreh ngushëllime Sazana Çapriqi, djemve dhe të afërmve. Ngushëllime krijuesve, profesorëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të Basri Çapriqit

.

Basri Çapriqi - Përkryerja e Shiut - Poezi
Basri Çapriqi – Përkryerja e Shiut – Poezi

In Memoriam për poetin Basri Çapriqi

nga Agron Tufa

(15 Janar 1960, Ulqin – 14 Janar 2018, Prishtinë)
Do të na duhet të mësohemi me “veprën e pandreqshme të vdekjes”, të flasim me folje të kohës së shkuar për një nga poetët më të mirë të poezisë shqipe, për profesorin, mikun, prindin, bashkëshortin, njeriun e qetë, të heshtur e të thellë, Basri Çapriqin… Ai la pas një vepër solide letrare, ishte pikë referenciale për poezinë bashkëkohore shqiptare, me një zë e intonacion të vetin, origjinal, të pangatërrueshëm me askënd tjetër. Na la në një moshë relativisht të re, në kulm të energjive krijuese. Le të ngushëllohemi me atë art të pashkatërrueshëm nga koha që Basriu la pas vetes, një “Dritare të hapur”, siç thotë titulli i një prej poezive të tij, për të parë detin (metaforik) ashtu si heroi i “Milosaos” së De Radës.
Le ta kujtojmë largimin e tij, siç besoj unë, në Përjetësi, me një cikl poezish nga pena e tij…
Lamtumirë mik e mjeshtër!
.
Basri Çapriqi (1960-2018)
Basri Çapriqi (1960-2018)

Kush është Basri Çapriqi

Basri Çapriqi ka lindur në Ulqin në vitin 1960. Ka mbaruar shkollimin e mesëm në Ulqin. Në Universitetin e Prishtinës ka studiuar letërsi shqipe, ku ka marrë gradën magjistër i shkencave filologjike në vitin 1988.
Në vitin 2004 merr gradën shkencore Ph. D. në Prishtinë në fushën e shkencave filologjike. Punoi profesor në Universitetin e Prishtinës, ku ligjëroi lëndët; Stilistikë, Semiologji dhe poezi bashkëkohore. Poezitë e tij janë përfshirë në shumë antologji të poezisë shqipe dhe në antologji të poezisë bashkëkohore në gjuhë të ndryshme.
Poezitë i janë përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rumanisht, polonisht, serbokroatisht, turqisht, arabisht, maqedonisht. Ishte kryetar i PEN Qendrës së Kosovës dhe njëherit themelues në vitin 2004. Ka qenë Kryetar i Bordit të Universitetit të Prishtinës, kurse nga viti 2012 ishte anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.
Shkroi poezi, kritikë letrare, ese, publicistikë. Ka botuar shtatë përmbledhje me poezi dhe pesë libra me kritikë letrare dhe studime. Librat më të njohur me poezi janë: “Ulli me dymijë unaza”, “Ma qet gjuhën”, “Frutat bizare”, “Zbutja e gjarprit”, “Përkryrja e shiut”. Librat me kritikë: “Mikrostruktura e tekstit”, “Simboli dhe rivalët e tij”, “Paradigma kadareane” etj.
Ka marrë disa çmime letrare për poezinë e tij: Çmimi i Mitingut të Poezisë në Gjakovë (1996, 2007), Çmimi Vjetor i Art Club, Ulqin, Çmimi Lasgush Poradeci, Shqipëri (1992), Medalen e Argjendë, në kompeticionin për poezi në Internacional Saloon of The Academie Europenne Des Arts, Bruksel (2007) etj.
Basri Çapriqi vdiq në Prishtinë me 14 janar 2018, në moshën 58-vjeçare.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.