Kur “Lufta e Klasave” vetëm ndrron formë…*
Ukë Zenel Buçpapaj i shkruan Ambasadorit Donad Lu
“…I nderuar Ambasador
i Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
zotni Donald Lu…”
Ju shpreh mirënjohjen time të pakufishme për përpjekjet që keni bërë dhe po bëni për shëndoshjen e Lirisë së Kombit tim, aq sa më duket sikur jeni njëri nga ne që e dashurojmë marrëzisht këtë vend të bekuar nga Zoti dhe të rrënuar nga “robi”
Megjithatë, me dhimbje, më duhet t’Ju bëj me dije se reformimi i sistemit të drejtësisë, apo i shtyllave të tjera të Shtetit Demokratik, në emër të Rimëkëmbjes së Lirisë dhe të ecjes në rrugën e përparimit, është kryekëput i pamundur… sepse Sistemi Demokratik në Shqipëri është përmbysur përfundimisht për shkak të shkeljes së parimit të fshehtësisë së votës, edhe pse unë jam kundër këtij parimi: Sot Partitë Kryesore e kanë të regjistruar me emër dhe mbiemër çdo votues në përputhje me bindjet e tij politike, pra, dihet kush voton, dihet kush nuk voton, dihet për cilën forcë politike votohet: Për të vërtetuar këtë, mjafton të shihet numri i pushimeve nga puna me ardhjen në pushtet të njerës apo të tjetrës Forcë Politike:
Sikundër shihet, “Lufta e Klasave”, e cila zhvillohej hapur në kohën e Diktaturës së Proletariatit dhe ishte “Motori i saj”, këto dy dekada e gjysmë, në Kushtet e Lirisë, është zhvilluar dhe zhvillohet në kundërshtim me Kushtetutën, duke marrë përmasa përbindëshe, llahtarisht më të dhimbshme dhe më gjithëpërfshirëse se sa në kohën e Diktaturës së Proletariatit… Se çfarë “Ilaçi” mund të përdoret për rimëkëmbjen dhe shëndoshjen e Lirisë në vendin tim, unë nuk e di: Di vetëm se, për ta gjetur këtë “Ilaç”, duhet menduar thellë, shtruar dhe gjatë…”
Me nderim të veçantë,
Ukë Zenel Buçpapaj
*Titulli redaksional nga radiandradi.com