Kur mohon Babanë…
nga Kastriot Myftaraj
Luan Omari shkoi me dëshirë
apo u detyrua të shkonte
të merrte dekoratën “Nderi i Kombit”
për të atin Bahri Omarin!?!
Në 24 nëntor të këtij viti (2014) Presidenti Nishani dekoroi z. Bahri Omari (pas vdekjes) me dekoratën “Nderi i Kombit”, me këtë motiv: “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë e pamohueshme atdhetare, për ndihmesën e jashtëzakonshme politike dhe diplomatike në shërbim të Shqipërisë, si dhe në nderim të martirizimit të tij nga diktatura.”
Propozimi erdhi nga shoqata “Vatra” e shqiptarëve të Amerikës, veprimtar i së cilës kishte qenë dikur Bahri Omari, në fillimet e veprimtarisë së tij të gjatë atdhetare. Bahri Omari është i pari nga të dënuarit prej Gjyqit Special Komunist të vitit 1945, i cili dekorohet në Shqipërinë paskomuniste.
Gjyqi Special, ka dënuar ata që u quajtën bashkëpunëtorë të rangut të lartë të pushtuesve fashistë, të cilët diktatura komuniste mundi t’i arrestojë në atë kohë. Në këtë grup bënin pjesë ish-kryeministra, ish-ministra, ish-oficerë të lartë, si dhe nëpunës të lartë të shtetit shqiptar në vitet 1939-1944. Një prej tyre ishte Bahri Omari i cili kishte qenë anëtar i Këshillit të Shtetit dhe ministër në këtë periudhë. Bahri Omari ishte një prej 17 të dënuarve me vdekje nga ky gjyq të cilët u pushkatuan në prill 1945. Përveç Bahri Omarit, Presidenti Nishani, me propozim të “Vatrës” dekoroi edhe tre të dënuar të tjerë nga Gjyqi Special, të cilët kishin qenë veprimtarë të “Vatrës”, nga cilët dy, Aqif Përmeti dhe Kolë Tromara u dënuan me vdekje nga ky gjyq.
Normalisht, të majtët, që nga Partia Socialiste, shoqatat e ish-veteranëve komunistë, të ish-ushtarakëve të majtë, e deri te “historianët” e “akademikët” e majtë, do të kishin bërë zhurmë të madhe, duke protestuar për këtë dekorim të “kolaboracionistëve”. Dhe me siguri që kështu do të kishte ndodhur nëse në listën e veprimtarëve të dekoruar të “Vatrës” nuk do të kishte qenë edhe emri i Bahri Omarit, i cili është babai i Luan Omarit.
Luan Omari është një kult te e majta shqiptare, që nga viti 1945 e deri më sot, jo aq për aftësitë e tij si studiues, se për faktin që ai kishte mohuar babain e tij Bahri Omarin për arsye ideologjike. Ndonëse këtë gjë e kishin bërë dhe të tjerë në atë kohë, Luan Omari shkëlqente me atë që i ati i tij ishte kunati i Enver Hoxhës dhe vetë Luani nipi i diktatorit. Nga ky status i veçantë ideologjik i Luan Omarit, erdhi edhe statusi i tij i vecantë “shkencor”. Enver Hoxha e quante nipin e tij, Komisari politik i Akademisë së Shkencave. Në 1975, Luan Omari u bë sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave, duke qenë praktikisht drejtues i saj, si njeriu i besuar i Enver Hoxhës. Këtë post Luan Omari e mbajti deri në vitin 1993. Me rikthimin e PS-së në pushtet, Luan Omari e mori përsëri nën kontroll Akademinë e Shkencave, duke u bërë nënkryetar i saj. Luan Omari ka qenë këshilltar i afërt, si ekspert juridik, i të gjithë liderëve dhe Kryeministrave të PS, duke përfshirë edhe Edi Ramën. Luan Omari ka qenë njeri i besuar i së majtës në pushtet, si ekspert i çështjeve kushtetuese, që nga koha e Enver Hoxhës, e deri te Edi Rama sot. Kushtetuta e vitit 1976, nga pikëpamja teknike, mban nënshkrimin e Luan Omarit. Që nga krijimi i Fakultetit Juridik në Shqipëri, në 1957, i e vetmja shkollë e tillë në Shqipëri në atë kohë, Luan Omari ishte dekan i tij, post të cilin e mbajti deri në 1974, për 17 vite. Ky status i veçantë i Luan Omarit nuk vjen nga aftësitë e tij. Ai në fakt ka kryer studimet për jurist, fillimisht në Beograd, pas vitit 1945, i dërguar në kryeqytetin jugosllav nga daja i tij, Enver Hoxha, që t’ i ikte hidhërimi për pushkatimin e babait, pastaj, i përfundoi këtu studime dhe u diplomua në Bullgarinë e Gjergj Dimitrovit. As Jugosllavia dhe as Bullgaria e kohës nuk kishin ndonjë shkollë juridike për t’ u lakmuar. Librat shkollorë që ka botuar Luan Omari janë vetëm plagjiatura të autorëve të huaj, që ai i boton për t’ ua shitur studentëve. Luan Omari deri më sot nuk ka arritur që të botojë asnjë libër të vetëm si studiues i çështjeve kushtetuese, të tillë që të jetë një studim i mirëfilltë, i standardit të lartë akademik. Edhe nga libri shumëvëllimësh “Historia e së drejtës kushtetuese në Shqipëri” për të cilin Luan Omari ka 50 vjet që thotë se është duke punuar, deri më sot nuk kemi parë as vëllimin e parë. Sot, në moshën 89 vjeçare, ndonëse është mirë me shëndet, dhe merret me gjithfarë veprimtarish politike, të shoqërisë civile etj., Luan Omari është një studiues i dështuar, ndonëse mban grada e tituj shkencorë dhe është profesor doktor.
Luan Omari është një kult te e majta shqiptare, jo si intelektual i spikatur, por si atmohues. Respekti pervers i të majtëve shqiptarë për Luan Omarin u shtua pas vitit 1990, kur ai mund ta kishte denoncuar lirisht Enver Hoxhën si vrasësin e babait, por jo vetëm që nuk e bëri këtë gjë, por madje e mbrojti ish-diktatorin. Pra, e majta shqiptare, që nga Enver Hoxha e deri te Edi Rama, e respekton Luan Omarin si një “Pavlik Morozov” shqiptar. Pavlik Morozov ishte ai adoleshenti rus, të cilit iu krijua një kult në Bashkimin Sovjetik të Stalinit, se kishte spiunuar babain si armik të pushtetit sovjetik, me ç’ rast i ati i tij u dënua me vdekje.
Luan Omari është një “Pavlik Morozov” në trajtë karikature, i cili në këtë çerekshekulli pas vitit 1990, nuk ka bërë asgjë në mbrojtje të reputacionit të të atit. Duke konsideruar mundësitë që ka Luan Omari si studiues, qoftë edhe me aftësi të kufizuara intelektuale, për ta bërë këtë gjë, atëherë mund të thuhet me siguri, se ai, për çdo ditë që nga dhjetori 1990, e deri më sot e ka denoncuar të atin si Pavlik Morozovi.
Unë nuk them që Luan Omari të mohojë bindjet e tij antifashiste të majta, dhe ta mbrojë të atin për veprimtarinë e tij zyrtare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por Luan Omari fare mirë mund ta kishte ndriçuar të vërtetën e babait të tij, duke bërë si studiues pyetjen se përse në të njëjtin gjyq ku Bahri Omari u dënua me vdekje, morën dënime krahasimisht shumë më të buta kryetari i parë i Partisë Fashiste të Shqipërisë Tefik Mborja, dhe dy herë kryeministri i Shqipërisë në kohën e pushtimit gjerman, Ibrahim Biçakçiu, eprori i Bahri Omarit.
Përgjigjen e kësaj pyetjeje Luan Omari e di mirë: I ati i tij u dënua me vdekje jo për veprimtarinë e tij kolaboracioniste, por se dinte shumë për Enver Hoxhën, të cilin e kishte strehuar në shtëpinë e tij në Tiranë, në kohën e “ilegalitetit” në vitet 1941-1943. Madje deri para disa viteve ekzistonte në rrugën “Qemal Stafa” në Tiranë, shtëpia ku kishte banuar Bahri Omari, dhe vetë Luani, në të cilën shtëpi gjendej pllaka përkujtimore e gurtë që thoshte se atje ishte strehuar Enver Hoxha midis nëntorit 1941 dhe majit 1943.
Kështu, në kulmin e terrorit fashist në Tiranë kur kryeqyteti kontrollohej shtëpi më shtëpi për të gjetur komunistët, të cilët rrethoheshin në bazat e tyre e vriteshin duke luftuar, si Vojo Kushi me shokët e tij, apo si Qemal Stafa, kur komunistët vriteshin rrugëve të Tiranës të ndjekur nga fashistët, si Misto Mame e Mihal Duri, apo kapeshin në Tiranë e vareshin si Muhamet Gjollesha, Hamid Shijaku etj., Komandanti, shoku Enver Hoxha, na strehohej në shtëpinë e anëtarit të Këshillit të Lartë të Shtetit kolaboracionist shqiptar të kohës së pushtimit fashist, Bahri Omarit, që ishte njëherësh edhe kunati i tij! Dhe fashistët kinse nuk dinin gjë se kush strehohej në këtë shtëpi që nuk ishte më tepër se 150 metra larg Drejtorisë së Policisë Fashiste.
Bahri Omari u pushkatua se ai dinte të vërtetën e bashkëpunimit të Enver Hoxhës me shërbimin e fshehtë fashist italian, bashkëpunim për të cilin Bahri Omari kishte qenë ndërmjetës. Luan Omari e di mirë këtë të vërtetë. Se Luan Omari ka qenë 16 vjeç në 1941, kur Enver Hoxha doli “ilegal” duke u strehuar në shtëpinë e tij. Luani hesht jo se ai e do Enver Hoxhën më shumë se babain, por se ai e do “Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare” më shumë se babain. Nëse Luani thotë këto të vërteta, atëherë shembet ngrehina e mitit të “Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare”. Dhe ashtu si Pavlik Morozovi që e donte pushtetin sovjetik më shumë se babain e tij, edhe Luan Omari e do mitin e “Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare” më shumë se babain e tij.
Por megjithatë Luan Omari, në 24 nëntor 2014 shkoi bashkë me gruan në ceremoninë e Presidentit të Republikës për të marrë dekoratën për babain e tij, ose më saktë u detyrua të shkonte. Arsyeja nuk është e vështirë që të kuptohet. Nëse Luan Omari nuk do të kishte shkuar që ta merrte dekoratën, si familjar i Bahri Omarit, atëherë dekoratën në emër të Bahri Omarit do ta merrnin përfaqësuesit e shoqatës “Vatra”. Ky do të ishte një turp i madh për Luan Omarin, se kështu ai do të pohonte se e kishte mohuar krejt babain e tij, deri edhe biologjikisht. Si gjirokastrit, Luani e dinte se ndër të tjera do të bëhej shënjestër e qesëndisë së famshme gjirokastrite.
Prandaj Luan Omari zgjodhi që ta marrë dekoratën në heshtje, duke mos bërë asnjë deklaratë në media. Domethënë Luan Omari shkoi ta marrë dekoratën si qen i rrahur.
Murmurimave të pakënaqësisë së të majtëve për marrjen e dekoratës nga ana e Luan Omarit, në emër të të atit, u përpoq t’ ju përgjigjej dhëndrri i Luanit, Pëllumb Xhufi, i cili tha se Bahri Omari e meritonte dekoratën për veprimtarinë e gjerë patriotike që ka pasur para vitit 1939. Pëllumb Xhufi e bën këtë përjashtim vetëm për një kolaboracionist, gjyshin e gruas së tij, Bahri Omarin, se kur është fjala për të tjerët, të cilët kanë pasur para vitit 1939 veprimtari shumë më të spikatur atdhetare se Bahri Omari, Profesor Xhufi thotë se: me qëndrimin e tyre kolaboracionist me fashistët në Luftën e Dytë Botërore, ata i humbën meritat e së kaluarës. Kështu thotë Xhufi për “Mustafa Krujën, Rexhep Mitrovicën, Eqrem Vlorën, Mehdi Frashërin, Mithat Frashërin, Xhaferr Devën…! etj.
Luan Omari ka një njohje të dyfishtë për të vërteten e babait të tij, si dëshmitar i drejtpërdrejtë në ngjarjet dhe si studiues. Kështu që edhe faji i tij është i dyfishtë.
Marre nga http://www.aafhsite.com 15 dhjetor 2015