back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Kur Parku Rinia, të bëhet “më i gjelbër nga ç’ishte” – nga Atalanta Pasko

Gazeta

Atalanta Pasko
Atalanta Pasko

Kur Parku Rinia, të bëhet “më i gjelbër nga ç’ishte”*

nga Atalanta Pasko

Me çmim ose pa çmim për “performancë financiare”, duket qartë se Tirana ka pare të madhe. Nga i vijnë e si i vijnë paratë, këtë nuk e di dhe as e gjej dot, por më trondit thellësisht mënyra si shpenzohen këto para.
Nuk e kam fjalën për shkollat e kopshtet që ndërtohen e rikonstruktohen, dmth. për arsimin, të cilit sidoqoftë qytetarët i derdhin muaj për muaj nga 100 lekë në çdo sahat e faturë uji familjare – veç shumës që derdhin bizneset. Nuk e kam fjalën as për disa rrugëza që asfaltohen e sistemohen.
Fjalën e kam për paratë e hedhura p.sh. te Parku Rinia, që ky të bëhet “më i gjelbër nga ç’ishte” (hej, ç’m’u kujtua Millosheviçi që pasi e bombardoi, u zotua se do ta rindërtonte Dubrovnikun më të vjetër nga ç’kishte qenë!) Po ashtu e kam fjalën për transformimin e Bulevardit Zogu I megjithsej, megjithë fasadat e ndërtesave, kur ai kishte nevojë vetëm për rregullimin e rrugës: e kam fjalën për tonelatat e hekurishtave që mbillen rrugëve me vend e pa vend, duke krijuar nganjëherë edhe probleme në lëvizjen e qytetarëve apo duke zëvendësuar trotuaret normale, flas për kodrinëzat e bregoret e ngritura kudo nëpër qytet, si psh. te Selvia, betonimet, si rreth monumentit të Çajupit dhe sa e sa investime dhe para të hedhura për xhingra-mingra, kur Pedonales tek Kinema Millenium i është prishur kalldrëmi, kur kryeqyteti furnizohet në kohë shiu me 8-9 orë ujë, në thatësirë me 4-5 dhe nuk flitet për asnjë projekt burimi të ri furnizimi, veç Bovillës dhe ka sa e sa probleme të tjera…
Por më shumë se këto do desha të kujtoj buxhetet ose paratë e të ardhurat që ka në dispozicion pjesa tjetër e Shqipërisë… Ku fëmijët vuajnë se shkollat i kanë për të qarë hallin. Dhe i kanë larg e rrugën e kanë fare, po fare të keqe. E nganjëherë duhet të rrezikojnë jetën se ura mbi një përrua është prishur… Dhe shpesh nëpër fshatra s’ka as qendra shëndetësore… Dhe mungojnë kushtet më elementare të jetës e kujdesit për zhvillim… E megjithatë, ata që jetojnë atje janë shqiptarë, që flasin shqip, e janë qytetarë të Shtetit shqiptar. Në të gjitha mënyrat e mundshme ata ndikojnë në rritjen e “performancës” së Tiranës. Sepse Tirana merr (ose i japin) nga të katër anët e Shqipërisë… Siç mori ditët e fundit edhe gurin me mbishkrime të Mirditës. Si shkëmbim, Mirditës i japin… kompani koncesionare që futin lumenjtë në tuba ose koncesionarë të tjerë që e rjepin nga të katër anët… Dhe kjo nuk është as e drejtë dhe as e ligjshme.
.
Sheshi Skënderbej - Tiranë
Sheshi Skënderbej – Tiranë
Tirana ka një pafundësi mënyrash për të shprehur konkretisht mirënjohjen ndaj pjesës tjetër të Shqipërisë. Ky do ishte më fort një detyrim konkret, por gjithashtu edhe moral, sesa solidaritet.
Për fat të keq, Bashkia e Tiranës e angazhuar ngushtësisht me egoizëm brenda territorit të vet, duket sikur i ka hyrë një gare që ia ka shpallur kohës dhe vetvetes, për të shembur e transformuar me çdo kusht gjithçka të ndërtuar nga brezi që themeloi kryeqytetin e Shqipërisë…
.
Marrë nga muri i Atalanta Paskos, 11 shtator 2019
.
*Titulli redaksional radiandradi.com

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.