back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Kur Poetët caktohen me gisht… – Kolec P. Traboini bisedon me mikun e tij poet, Sulejman Mato

Gazeta

Kolec Traboini
Kolec Traboini

Kur Poetët caktohen me gisht…

Kolec P. Traboini bisedon me mikun e tij poet Sulejman Mato

Padyshim që ke të drejtë në polemikë revoltën tënde për çfarë po ndodh me krijuesit sot në Shqipëri. Por punët janë të ngatërruara përtej Shtëpizës së Librit dhe të Qokave, ekzistenca e së cilës nuk është se prish shumë punë, ajo thjesht po përpiqet të marrë atribute që nuk i takojnë. Kështu ndodh kudo ndër ne. Të gjithë e bëjnë, kush më pak e kush më shumë. E kjo se kemi një komunitet shkrimtarësh që nuk gjen forcë të organizohet në një shoqatë larg ndikimit të Ministrisë së Kulturës, që është një aparat i fryrë e që nuk bën asgjë të dobishme për letërsinë dhe artet. E sajesa e saj Shtëpiza e Librit dhe e Qokave, si të ishte një bibliotekë lagjeje, panatyrshëm do të marrë atributet e Shoqatës së munguar të Shkrimtarëve të Shqipërisë. Kësisoj duke mos njohur terrenin, duke bërë një punë të mbyllur, kjo administratë si një fole pëllumbash për miqtë, do të vazhdojë avazin e caktimit të poetëve e shkrimtarëve me gisht.
Pra, administratorët, nëpunës të pushtetit të kenë skeptrin e caktimit, ti je e ti nuk je krijues, poet, shkrimtar, të venë portretet bardhë zi të përzgjedhurve të vet, në atë kthinën e fshehtë Shtëpiza e Librit dhe e Qokave që për të shkuar aty duhet të kalosh përmes një kafeneje me avuj rakie e scotch whisky. Dhe askush nuk gjykohet nga veprat, por nga fytyra e bukur që ka, sepse as nuk lexojnë e as nuk e dinë çfarë shkruhet.
Shqipëria është mbushur tumllas me agnostiçistë. Ti ekziston se jam unë që të perceptoj dhe përcaktoj ekzistencën tënde. Por, po të keshë para t’u japësh, shkruajnë me ditirambe dhe të bëjnë poet, talent i madh me shenja gjenialiteti e vulë e poezisë shqipe. E kjo është në vartësi me shumën që do të japësh. Po u dhe shumë dollarë të bëjnë edhe poet ndërkombëtar.
Nga kjo mani ekstraletrare të caktimit të talenteve me gisht nuk vuan veç një njeri që drejton, po vuajmë të gjithë në një mënyre a ndonjë tjetër. Ja po të them, por  pa hatermbetje. Mos vallë më vjen mirë mua që kam botuar 20 libra me poezi e 4 libra me përkthime nga poezia botërore dhe nuk e gjej veten në asnjë nga listat që hartohen, madje as ndër komentet mbi letërsinë. As të mohojnë e as të pohojnë, thua je ufo, inekzistent. Është e kuptueshme kjo mungesë, nuk mund të flitet për diçka që nuk e njeh, që nuk e ke lexuar. Dhe biem rob të listave të përhershme që edhe në gjumë jemi në gjendje t’i themi.
Deri kur do trajtohen krijuesit me gisht? Deri kur do lëmë të tjerët të na caktojnë ex catedra jemi a nuk jemi krijues, bën apo nuk bën krijimtaria jonë.
Sa për laureatin e poezisë shqipe në Kazanë e Tiranës, e kam thënë e do ta them se sa kohë që caktohet me gisht, nga lart, anash apo edhe nga poshtë, ata thjeshtë do zgjedhin një shtupë. Një shtupë krijuese nën hijen e një administrate hijerëndë dhe antipoetike.

Kolec P. Traboini, 24 shtator 2023, marre nga Muri i FB

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.