Kur poezia ruhej veç me kujtesë… Dine Dine
Një rrëfim mbi dy poezi të Luan Burimit që i kam ruajtur me kujtesë…
Krimet e diktaturës gjatë më shumë se katër dekadave qenë të pafundme. Shumë intelektualë dhe njerëz të ndershëm pësuan drama nga më të dhimbshmet… aq sa edhe “Ferri” i Dantes dhe tragjeditë e Shekspirit do të zbeheshin para atij teatri makabër që njëra palë e shqiptarëve luajti ndaj palës tjetër shqiptare – pra njerëzit e pandershëm me ata të ndershmit. Kjo tragjedi do të mbetet në histori për sa të jetë jeta. Popujt e tjerë e kanë të vështirë ta besojnë dhe ta kuptojnë si duhet. Edhe ne që i përjetuam vetë, apo që i dëgjuam nga baballarët, nënat, vëllezërit e motrat tona, s’duam t’u besojmë – këtyre paradokseve shqiptare të shekullit të 20-të. Sepse shpesh duam t’i harrojmë ato dekada të turpshme që na bënë të gjithëve kundërshtarë dhe armiq të popullit. Duam të harrojmë dhe të falim… edhe pse kujtimet dhe plagët në trup i kemi ende të freskëta.
Luan Burimi është një ndër viktimat e shumta të sistemit totalitar që përjetoi një realitet tejet të dhimbshëm. U dënua qysh në moshë të njomë dhe të ëmën me dy vëllezërit ia syrgjynosin në Kotë të Vlorës. Të shoqen me dy fëmijë të mitur, njëri dy vjeç dhe tjetri gjashtë muajsh, ia internuan në Libofshë. E ëma, duke mos mundur ta durojë këtë dramë, përfundon në vetëvrasje pranë ujrave të Kotës. E shoqja, për të shpëtuar fëmijët, detyrohet të kthehet te mbiemri i sajë dhe të jetojë më vonë pranë familjes së vet.
Kalojnë vite. Luani, i dërrmuar fizikisht, ngaqë nuk e duronte sistemin, vazhdon të vuajë burgjeve dhe birucave. Të ftohtit, mungesa e ushqimit, torturat e dobësojnë fizikisht, por jo shpirtërisht.
Ai është akoma i ri dhe përbalon gjithçka.
Eshtë viti 1973, dhe ka shpërthyer Revolta e Spaçit. Luani është në vijën e parë të përplasjes, duke shfryrë britma urrejtjeje, aq sa ka humbur edhe zërin, kështuqë gjyqtarët kukulla e kanë të lehtë ta gjejnë fajtor – kjo mbetet prova më autentike e fajësisë së tij!!
Brenda 24 orëve, dënohet përsëri – 25 vjet burg dhe dërgohet në Burrel, ku do të vuajë bashkë me shumë intelektualë të tjerë, si Dom Nikoll Mazrekun, Pjetër Arbnorin, Daut Gumenin, Kurt Kolën, vëllezërit Çoku, Sherif Merdanin, etj. Të gjithë këta burra nuk i bashkonte vetëm urrejtja ndaj sistemit, por edhe interesi që ata kishin për shkencën, kulturën, artin, fenë, muzikën…
Rrethanat s’e kishin lejuar Luanin të mbaronte as shkollën e mesme, por ai kishte lindur poet, i denjë për të konkuruar me pasionin e tij të poezisë. Prandaj s’është rastësi që në konkursin e shpallur në Burgun e Burrelit poezia e tij me titull: “Të lutem Hënë” fitoi çmimin e parë.
Ja ç’shkruan për të, poeti i njohur Visar Zhiti në RD: “Kjo poezi në burgun e Burrelit fitoi çmimin e parë në konkursin “Cila do të jetë poezia më e bukur për hënën” të shpallur nga Z. Pjetër Arbnori – “Atë hënë që s’hynte dot nga frëngjitë, veç drita e saj vërshonte në shpirt”. Fituesi u shpërblye me dy kg duhan që i kish ardhur nga shtëpia kryetarit të jurisë së poezisë.
Ardhja e Shtrausit, këtij shtetari të shquar gjerman në Shqipëri, ngjalli shumë shpresa e iluzione ndër të bugosurit politikë, e sidomos te ata të Burrelit. Ato ditë, Luani do të shkruante vargjet me titullin “Baba”, ku do të shfrente gjithë mllefin e grumbulluar në vite ndaj sistemit që vrau pa mëshirë qindra njerëz të pafajshëm, si bëri edhe me babanë e tij e dhjetë – dymbëdhjetë të tjerë, që u thirrën nga kriminelët komunistë dhe u vranë pabesisht “atje tek ara mbi kulmakë, tek ara mbushur me zambakë…”
Poemthi u shkrua, por rreziku mbeti përherë i pranishëm! U vendos që dorëshkrimi të zhdukej dhe për të mos humbur, Pjetër Arbnori dhe Daut Gumeni e mësuan atë përmendësh.
Mbas 14 vjetësh në Burgun e Burrelit, Luan Burimi transferohet në kampin e Qafë-Barit, ku ndër të tjera mësova për veprimtarinë e të burgosurve të Burrelit, për subjektin e veprës “Kur dynden Vikingët” të Pjetër Arbnorit dhe interpretimin e saj nga shkrimtarët e diktaturës. Aty u njoha edhe me artin poetik të Luan Burimit për tragjedinë e jetës së tij. Kur mendoja vuajtjet e rënda që kish hequr dhe e shihja ashtu të dobësuar e të mpakur, pyesja veten se ç’forcë e kish mbajtur gjallë këtë qenie njerëzore.
Pa dyshim, shpresa dhe poezia…, poezia dhe shpresa, dhe… BRNOJA.
Në Qafë-Bari, mbas 18 vjetësh, Luani pati takim me të shoqen… Një takim që zgjati vetëm një minutë…! në prani të komandantit të kampit. Rasti e solli që të jem mu aty pranë dhe të bëhem dëshmitar i një skene tepër të dhimbshme, ku të dy bashkëshortët s’mundën, o s’patën kohë, o fjala e kish humbur çdo lloj kuptimi… pashë veç dënesat e një burri dhe një gruaje që u takuan dhe u ndanë pa i thënë asgjë njëri tjetrit!!
Poezinë “Baba” e mësova edhe unë përmendësh dhe i premtova autorit se do ta ruaja në kujtesë. Vargjet i kushtoheshin babait të tij, por edhe gjithë baballarëve tanë që u vranë mizorisht nga kriminelët e kuq.
Kam bërë çmos t’i riprodhoj këtu në origjinal, sepse ato edhe mund të jenë harruar nga autori. Po i botoj në shenjë mirënjohje ndaj babait të Luanit po edhe gjithë “baballarëve të tjerë që u shndërruan në kala” duke dhënë jetën si antikomunistë, për idealet e shenjta të kombit, dhe që emri dhe jeta e tyre të mos mbulohen nga pluhuri i harresës.
Riprodhimi i këtyre dy poezive është vetëm përmes kujtesës sime… kërkoj ndjesë nëse mund të kem harruar, apo ndryshuar diçka me kalimin e viteve
Dy poezi nga Luan Burimi
Të Lutem Hënë
Pse e rrudh ti njërën vetull,
Pse e fut kryet nën sqetull,
Pse largohesh me vërtik,
mos ke frikë?
Pse mbi ne sikur përgjon,
Pse si njerkë ne na shikon,
Pse na pështetesh në dritare,
tretesh fare?
Fluturo siç ta ka ënda,
Hidhe çapin, futu brenda,
Lehtë, fshehtas, pa shamatë,
veç një natë!
Dhe mos rri pa më dëgjuar,
Kam diçka për të t’besuar:
Nëse sheh atë që dua,
fol për mua.
Mos i thuaj, që kam thinja
Sa ç’ka halëza dëllinja,
Ngushlloje si për vete,
përshëndete!
Baba!
Ata që ishin prerë veç më lak,
Por që një komb të tërë në lak e hodhën,
Ata që pabesinë për shoqe zgjodhën
çdo ditë vjellin gjak.
Fshehtas, dhe n’ëndërr, kam ardhur zemërngrirë,
Kam ardhur aty tek ara mbi kulmak,
Tak ara e mbushur me zëmbak.
Sa ishit martirë.
S’të kam trazuar mjaft vite, se donja
Të shihnja gjithçka, të vështronja mirë,
Dhe lapurakët dhe punët këllirë,
pastaj të t’i thonja.
Mirpo nga t’ia nis këtë lëngatë,
Lëngatë të nemur, përftuar nga terri,
Shtyrë e pështyrë nga ferri,
Nga t’ia nis o atë?!
Të flaç për ta, të merr të pështjellët,
Mulli si ky s’përshkruhet as në përralla,
Një lloj mulliri që bluan veç kokalla
Bluan dhe të pjellët
Të zott e tij se ç’kanë mbi fytyrë!
Një bojë pa bojë, as për bisha mali,
As ujk e çakall, s’di në e ka djalli.
Ç’është ajo ngjyrë?
Ja dhe tani që ty me ngulë të shkruaj,
Kam njërin prej tyre brenda në qeli.
e njëjta bojë varur seç rri!
Mos është gjaku juaj?
Mos lyen me të krimi kthetra e gjymtyrë,
E sulet i tërbuar të përpijë?
Ai krim që s’njeh as bir as bijë,
e për gjak ka zgjyrë?
Ju e njihnit atë kob të huaj,
Që sulur prej Skithie përsipër ju ra,
E t’i prisni hovin, u shndërruat kala,
dhatë jetën tuaj.
Ndaj yt bir të thotë, jo për të të bindur:
Baba fli në paqe. Tani sheh qorri,
Ç’ka se gjej në vatër i ka shkuar plori.
Drita ka rilindur.
Ata që një ditë ju erdhën te pragu,
që ju vodhën ëndrra, djersë e jetë,
Ata që veç turpin kanë të vërtetë,
i ka mbuluar gjaku.
Nëse sheh atë që dua… fol për mua… kaq pak fjalë në këto vargje, por mbajnë brenda një shpirt të tërë.
Nuk ka brengë më të madhe se ndjenja e pa jetuar, dhe të burgosurit e ndërgjegjes janë prova vetë, Vuajtën si të burgosur të ndërgjegjes, por ajo që ju dhëmbi më shumë besoj se ka qenë vetburgosja e ndjenjave, e dashurive dhe ëndrrave të pajetuara, të paprekura… Eshtë dhimbje!
Më pëlqeu shumë poezia e Luanit… I mbaj mend sepse shpesh i citonte Dinia… Edhe pse nuk e njof, vetëm kam degjuar për Luanin, kam shumë simpati për… Kam takuar gruan dhe familjen e tij, mbasi Dinia u lirua nga burgu ia kishte amanet t’i takonte… Edhe historia e tij është një tjetër histori e dhimbshme që vlen të lexohet… Janë histori të jetuara dhe të vuajtura deri në qelizë… edhe pse të rrëfyera sot ndokujt mund t’i duken edhe të pabesueshme!!