back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kur punoja shtatoren e Françesk Radit, i rrethuar nga fotot dhe videot e tij muzikore Këze – Kozeta Zylo, bisedon me z. Ardian Pepa

Gazeta

Skulptori Adrian Pepa, Tefta Radi dhe statuja e Françesk Radit te Liqeni
Skulptori Adrian Pepa, Tefta Radi dhe statuja e Françesk Radit te Liqeni
Kur punoja shtatoren e Françesk Radit, i rrethuar nga fotot dhe videot e tij muzikore
Këze – Kozeta Zylo, bisedon me z. Ardian Pepa
-skulptor i shtatores së Françesk Radit në Kodrat e Liqenit Artificial, Tiranë

Shtatorja që ringjalli kantautorin e shquar Françesk Radi u realizua mjeshtërisht nga ju, ndonëse nuk e kam prekur dhe parë nga afër, shijet estetike që më la nëpërmjet ekranit m’u duk sikur artisti ishte i gjallë dhe luante në kitarë. Më tregoni ju lutem për punën dhe kohën tuaj derisa e sollët në sytë e publikut? – Që në momentn e parë që të besohet për të realizuar një vepër, apo një figurë, informacioni, njohja e personalitetit, e karakterit, stilit të jetës janë baza e frymëzimit tim dhe e çdo artisti.
Zonja Tefta Radi bashkëshortja e artistit, ishte shumë kërkuese, sidomos për karakterin, për kitarën, veshjen dhe aksesoret deri në imtësi, dhe sa herë vinte dilte me lot në sy. Ndjeja një përgjegjësi të madhe, ngaqë ajo kishte krijuar një besim të madh se do e realizoja figurën e Françeskut ashtu si e donte znj. Tefta. “Do ja arrish Ardian!” – më inkurajonte sa herë largohej.
Çfarë ju frymëzoi më shumë nga jeta dhe vepra e artistit të shquar? Me muzikën e Françesk Radit isha njohur herët, që fëmijë, por gjatë këtij procesit krijues e njoha më thellë në shumë drejtime, jetën e tij si artist, si bashkëshort, si prind, si qytetar. E njoha me anë të muzikës dhe bashkëbisedimin e vazhdueshëm me bashkëshorten e tij Tefta Radi, që vinte shpesh në studion time gjatë studimit të veprës, ku bisedonim për çdo detaj për ta bërë figurën sa më të vërtetë në atë që ai përfaqësonte në muzikën shqiptare.
Gjatë punës me shtatoren sa u lidhët me artistin dhe kitarën e tij, a kënduat gjatë punës me daltën, apo vendosët ndonjë kasetë nga këngët e tij të shumta për t’ju dhënë dhe më shumë muzë burim frymëzimi? – Ashtu si aktori kur përgatit një rol dhe futet në guackën e personazhit, ashtu u përfshiva dhe unë në melodinë e bukur e ritmike të Françeskut për ta dhënë shtatoren plot jetë e muzikë.
Gjatë gjithë kohës isha i rrethuar nga foto dhe video muzikore që artisti kishte krijuar. Padyshim punoja dhe duke kënduar.

Françesk Radi (1950-2017)
Françesk Radi (1950-2017)

Si u ndjetë në ditën e inagurimit dhe çfarë mbresash morët nga bashkëshortja e tij, gazetarja e mirënjohur e Televizionit shtetëror Tefta Radi? – Emocionet ishin të bukura, kisha realizuar një figurë të dashur për vete dhe për artdashësit dhe në radhë të parë për familjarët e tij dhe veçanërisht për bashkëshorten e artistit, Tefta Radi.
Tre prilli, ishte përvjetori i Françesk Radit dhe kudo kujtohej me dhimbje të madhe për humbjen e parakohshme të tij. Po, kisha arritur ta ktheja këtë figurë të dashur në përjetësi, në vendin ku ai këndonte me kitarë me shumë pasion gjatë jetës së tij.
Cila ka qenë fëmijëria juaj? – Fëmijëria ime është një fëmijëri normale për kohën kur dhe ku jetova. Vendlindja ime është Fushë-Arrëza. Aty kam bër shkollën fillore aty kam nisur të marrë mësimet e para. Talentin tim e zbuloi mësuesja kujdestare që njëkohësisht më jepte vizatim Kimete Cufaj, e cila më dha një shtysë dhe besim për të vazhduar Liceun Artistik
Vizatimet e para dhe shumë të dashura ishin si figura e Skënderbeut mbi kalë e shumë figura të tjera historike.
Cilat janë disa nga punimet tuaja në skulpturë dhe si janë vlerësuar nga kritika dhe mediet e ndryshme? – Një nga figurat e para të realizuar në bronx është ajo e futbollistit Brian Filip, e vendosur në një nga komplekset sportive në Ravena, Itali.
Një kompozim portret me duar të figurës së Nënë Terezës në bronx, është pjesë e një koleksionisti në Paris.
Dy portrete të figurës historike Nikollë Kaçorri dhe Pandeli Cale, ndodhen të ekspozuara në Muzeun e Pavarësise në Vlorë.
Portret i heroit Adem Jashari, bronx ndodhet në Muzeun Adem Jashari, Kosovë.
Shtatorja e Nënë Terezës, Bronx me lartësi tri metra e vendosur në Vaun e Dejës, Shkodër.
Dhe së fundi shtatorja e kantautorit të parë shqiptar Françesk Radi e vendosur në Kodrat e Liqenit Artificial, në Tiranë.
Vlerësimi ka qenë maksimal nga kolegët dhe kritikët e artit.
Duke jetuar në Amerikë, shoh shumë parqe që kanë skulptura fantastike, konkretisht po e nis me Parkun Qendror, një vend historik kombëtar në Manhattan, atje janë artistë, këngëtarë, historianë, shkrimtarë qe nga antikiteti e deri në ditët e sotme, unë magjepsem pas tyre, ndërkohë vendit tonë i mungojnë shumë, cili është opinioni juaj? – Mendoi se tani ka ardhur koha pas shumë vitesh tranzicioni të mendohet për veprat e artit. Pasi u bënë sheshe dhe rrugët u rregulluan, si dhe infrastruktura dhe me ndryshimet e bëra së fundi dhe interesi i bashkisë së Tiranës, si dhe i kryeministrit si artist mendoj t’i jepet liri artistit. Vitet e fundit janë bërë disa konkurse, për skulpturë parku, ku pjesëmarrja dhe interesi ka qenë i lartë nga artistët.
Ku e keni studion tuaj dhe çfarë vështirësish ndjeni gjatë punës suaj? – Si skulptori i ri m’u desh të gjeja një mjedis për të punuar dhe krijuar jo shumë larg Tiranës.
Një artist është i realizuar nëse merret vetëm me krijmtari. Por të jetosh vetëm me art në një vend siç është Shqipëria, është pothuajse e pamundur, më është dashur të punojë fort duke plotësuar nevojat e klientëve shpeshherë kapriçozë, por pa lenë asnjë ditë pasionin dhe dëshirën për të shprehur veten në krijimtari.
Sa i vlerësuar është arti nga Ministria e Kulturës? Si ndiheni ju si artist për këtë? – Janë bërë përpjekje me disa projekte nga Ministia e Kulturës, por shumë nga këto kanë ngelur të parealizuara për shkaqe të fondeve dhe vullnetit të pamjaftushëm.
Cilat janë disa nga projektet tuaja për të ardhmen? – Jam duke punuar për hapjen e një ekspozite personale në skulpturë me tematikë figurat historike të Kombit shqiptar.
Ju faleminderit dhe shumë urime!

Botuar te “VOAL” dhe “Tribuna Shqiptare”, 6 Prill, 2018
Staten Island, New York

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.