Kur statujat dhunojnë të përditshmen e qytetit… Jozef Radi
ose “Arbeit macht frei…”
Pak histori
Arbeit macht frei (gjermanisht do të thotë “Puna ju bën të lirë…) kjo ishte parulla në hymje të shumë prej kampeve të zhdukjes masive naziste, gjatë Luftës së Dytë Botnore.
Ideja për ta vendosur këtë thënie në Auschwitz, ka shumë mundësi të jetë e majorit Rudolf Hosh, i pari komandant përgjegjës për kët kamp shfarosjeje; fraza në fjalë është e shkëputur nga titulli i nji romani të vitit 1872, e shkrimtarit gjerman Diefenbach, dhe ishte përdorur në Dachau… Të burgosurit që e linin kampin dhe dërgoheshin po ktheheshin nga puna, ishin të detyruar të kalonin në rresht për nji, nën kangjellat e asaj porte, shpesh edhe nën tingujt muzikorë të marrsheve, prej nji orkestre e cila ishte ngritur kasten e gjitha prej të dënuarish.
Kjo parrullë me kalimn e kohnave fitoi nji kuptim të madh simbolik, duke përmbledhur kështu gjithë mashtrimet e kampeve naziste të përqëndrimit, në të cilat puna e detyruar, kushtet çnjerzore të të burgosurve, dhe fati i tyre përfundimtar që ishte vdekja, dëshmonte krejt të kundërtën e asaj çka ishte shkruar aty mbi hyrje… E megjithatë, jo ashtu siç asht paraqitur shpesh ndër filma, pjesa ma e madhe e të burgosunve të sjellë aty në kampin e Auschwitz II – Birkenau, nuk i kapërcente ato kangjella.
Jan Liwacz, i burgosur polak dhe jo ebre, me numër 1010, i sjellë në Auschwitz, me 20 qershor të vitit 1940, iu ngarkua detyra ta farkëtonte at thënie të mallkuar. Si profesion ai kishte pasë farkëtarin, dhe ishte kapo Schlosserei, Ofiçina që prodhonte shtylla dritash prej hekuri dhe objekte të ndryshme metali. Për të shkruar frazën e famshme Liwacz, vendosi ta saldonte gërmen B të fjalë së “Arbeit”, së prapthi për të dëshmuar moralisht mospajtimin e tij.
E shkulur prej ushtarëve rusë në fund të luftës, e shkruara u shkëmbye me vodkë dhe u vendos në një vend të sigurtë në bashkinë e Oswiecim… Me hapjen e kampit të shfarosjes si Muze, ajo u rivendos në vendin e saj të dikurshëm…
Mëngjesin e 18 dhjetorit 2009, forcat e sigurisë polake, u kujtuan se u qe vjedhur parulla mbi kangjellat e portës së hyrjes në Auschwitz. Telajo metalike nga një anë qe zhvidosur dhe nga ana tjetër qe shkulur. Vjedhja kishte ndodhur afërsisht midis orës 3 dhe orës 5 të mëngjesit të asaj dite. Përgjegjës për vjedhjen qe një grup neonazistësh, të cilët u arrestuan me 21 dhjetor. Parrulla, tashmë qe coptuar në tri pjesë dhe ajio u gjet në veri të vendit, mbas restaurimit u vendos sërish në vendin e saj…
***
Kjo ishte historia e nji parulle që ishte në portat e kampeve të dikurshme të shfarosjes naziste… e cila përmes idesë së një mikut tim më ktheu te nji qytet mjaft i njohur për kësi kampesh, ku ka kaluar nji pjesë e gjatë e jetës sime po edhe e shumë të tjerëve… dhe në vend të nji përkujtimoreje për genocidin gjysëm shekullor, sot është statuja e reformës agrare, statuja e kooperativizmit, e turmëzimit dhe e turpëzimit kolektiv.
Aty ku sot sundon kjo statujë, dikur ishte nji shesh i vogël me nji selvi të lashtë e rrethuar me shkallë dhe stola dhe mund të thuhet se ajo pemë hijerëndë vangogiane qendronte si simbol i qytetit në at vetmi krenare, dhe aty bri saj ishte nji nga ndërtesat më historike të qytetit, që kishte të gdhendur në ballë një datë të njejtë me atë të Kongresin e Lushnjes, kongres që i dha formën shtetit shqiptar… Brenda saj qe biblioteka e qytetit me sallat e leximit… Ajo ishte edhe qendra kulturore e qytetit, aty hapën të parat ekspozita të tyre Besim Golemi, Faslli Haliti, Uran Hajdari, Tah’sin Demiri, Ilir Çakalli e plot të tjerë; aty mbasditeve bëheshin kurset e muzikës, të korit, provat e estradës, teatrot amatore… me nji fjalë krejt jeta e qytetit ishte aty rreth saj… derisa nji ditë Lushnja, krahas rendimenteve të larta në misër, grurë, qumësht, pambuk e terror… pati rendimente të larta edhe në gjak të ri, për Komitetin Qëndror… dhe nuk vonoj… Ajo frymë pushteti bashkë me selvinë, mori edhe atë ndërtesë historike, për t’ia lëshuar vend kësaj statuje gjigandomane… që s’dëshmon asgjë më shumë veç at gënjeshtrën e madhe të lumturisë kolektive të të qenit koopertativë dhe ku 350 ditë të vitit hahej bukë misri… me racion…
Dhe kjo statujë u ngrit me gjithë arrogancën e pushtetit, dhe u vendos aty në at shesh dikur të hijshëm, për ta përdhunuar historinë e qytetit dhe qytetarëve… si e tillë, ajo do të vazhdojë ta përdhunojë edhe më tej atë qytet, sepse veç të qenit hambar, Lushnja s’duhet të harrojë se ka qenë edhe vend i kampeve ma të shumtë të interrnimit në krejt Shqipërinë, qyteti ku ndëshkoheshin shumë prej intelektualve të dënuar nga regjimi… Kjo edhe mund të mos merret në konsideratë… por si qytet ai s’ka pse ta pranojë kët gjigandomani të marrëzisë së dështuar… në jetë të jetëve…!!
Kjo statujë sigurisht do të vazhdojë të qëndrojë aty në këmbë, edhe për shumë e shumë vite, por tashmë ajo do të jetë aty jo si hijeshi, as si dëshmi historike, por si nji kërcënim, po po, si një kërcënim, se “Mund t’ju kthejmë sërish atje ku ishit… mund t’ua marrim të gjitha çfarë keni mbas shpirti dhe t’i bëjmë edhe njiherë tonat… mund t’ua kthejmë sërish kampet e interrnimit, që i vinin vërdallë gjithë Myzeqesë së madhe… mund t’ua kthejmë edhe bukën e misrit, ashtu si atëherë… me racion…
Ideja e mikut tim Ilir Priftit, që mbi duart e gruas (që ngrihet ca më lart nga burrat) t’i vendoset në duar parrulla e kampeve të shfarosjes naziste “Arbeit macht frei”, (Puna ju bën të lirë…) është nga më të gjeturat, dhe domethënëset, sepse bashkon në nji dhunën dhe hipokrizinë e dy kohrave dhe dy ekstremeve… sepse nji monumenti hipokrit të nji kohe hipokrite, i nevojitet sigurisht edhe kjo parullë hipokrite (mbas së cilës ishte terrori nazist) po edhe nji gjysëm shekulli terror të përditshëm mbi myzeqarët dhe krejt shqiptarët…
janar 2014