back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kur vdekja do të vijë… (K. Trebeshinës) – poezi nga Shqiponja Axhami

Gazeta

Kasem Trebeshina dhe botuesi i tij në Prishtinë Abdullah Zeneli
Kasem Trebeshina dhe botuesi i tij në Prishtinë Abdullah Zeneli (mars 2016)

Viti 2016, është vit jubilar
i shumë prej personaliteteve të kulturës shqipe,
të cilët për fatin e keq të Ministrisë së Kulturës së këtij vendi
disa u përcollën zulme e lavdi e disa të tjerë me heshtje e shpërfillje…
gjë e cila tregon më së thjeshti se kjo Ministri Kulture…
veç Kulture s’mund të jetë.
2016-a, ndër të tjerë është vit jubilar i 90 vjetorit të Kasem Trebeshinës,
90 vjetor i shkrimtarit, poetit, dramaturgut, eseistit e antikonformistit...
Përballë heshtjes institucionale e kemi për detyrë
t’i mbrojmë e t’i vlerësojmë figurat e lavdisë sonë të përbashkët,
qoftë edhe jashtë Institucioneve,
duke besuar se kjo përbën alfën e moralit intelektual…
Mbetet i mirëpritur kushdo që dëshiron të shprehet
përmes shkrimeve mbi jetën, veprën dhe kontributet e Trebeshinës…
j.radi, 27 mars 2016

Shqiponja Axhami
Shqiponja Axhami

Kur vdekja do të vijë…

K. Trebeshinës

– poezi nga Shqiponja Axhami

Kur vdekja do të vijë
do mblidhen si trumcakë të qullur
një tufë të zgjuarish
do u përdridhet para këmbëve
pluhuri i fjalës tënde
në një heshtje solemne..
kokëulur si qengja të masakruar
do shohin njëri tjetrin me një buzë që dridhet
si mështenkë në ngricë..
do zërë të bjerë një shi i idhët
si orët e terrta të përçmimit…

O i verbëri i mizanskenave tragjike
kur vdekja do të vijë
ti do të jesh i rrethuar me rrathë drite
do të jetë aty rreshti i librave që shkruajte
komotë me vazot e orkideve
një kavanoz frutash kumbulle…

Odin… me ndje që të përmend vdekjen
por ti vdiqe mijra herë
sa herë vdiq një shpend në udhnajë
sa herë mbi tokën tënde
shpërthyen trandafila betoni
dhe sa herë zhvirgjëroheshin vlera
në një trysni zifti…

Odin… gjithsesi ndjeje se si vijnë rreth teje
tufat e largëta të drerëve
koriet në currile vishnjeje
dheu i jasemintë i një revolte
do të shtrohet një fushnajë orizi
në mes të së cilës Ti rend i vogël
dëshpërimisht i dëshirueshëm…
do të lësh pas të verbërin e indiferencës
nën një mantel Sokrati
dhe tej një dyzinë kritikësh të hutuar
si relike të ndryshkura muzeu..

Odin… mos i kujto të trishtat,
luftrat
molepsjen
ti e dënove me verbëri vdekjen..
jeto jeto i verbëri i fjalës
kavanozi i frutave të qullta
do kthehet një ditë në pemë
mbi të cilën një trumcak i hutuar
do i këndojë mëvetësisë tënde…

Marrë nga muri i fb i Shqiponja Axhamit, 27 mars 2016

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Viti 2016, është vit jubilar
    i shumë prej personaliteteve të kulturës shqipe,
    të cilët për fatin e keq të Ministrisë së Kulturës së këtij vendi
    disa u përcollën zulme e disa të tjerë me heshtje dhe shpërfillje…
    gjë e cila tregon më së thjeshti se kjo Ministri Kulture…
    veç Kulture s’mund të jetë.
    2016-a, ndër të tjerë është vit jubilar i 90 vjetorit të Kasem Trebeshinës,
    90 vjetori i shkrimtarit, i poetit, i dramaturgut, i eseistit, i antikonformistit…
    Përballë heshtjes institucionale e kemi për detyrë
    t’i mbrojmë e t’i vlerësojmë figurat e lavdisë sonë të përbashkët,
    qoftë edhe jashtë Institucioneve,
    duke besuar se kjo është alfa e moralit intelektual…
    Mbetet i mirëpritur kushdo
    që dëshiron të shprehet përmes shkrimeve
    mbi jetën, veprën dhe kontributin e Trebeshinës…
    j.radi, 27 mars 2016

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.