back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Kur vriteshin Poetët Poemth nga Zhuliana Jorganxhi

Gazeta

Zhuliana Jorganxhi
Zhuliana Jorganxhi
I dashur dhe i nderuar, miku im Jozef!
Sot është dita kur para tre vjetësh zuri fill miqësia jonë në fb.
Ndërsa mua më duket se njihemi prej shumë vitesh.
Po ju nis një poemth, kushtuar Martirëve poetë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, 
shkruar dhe botuar vite më parë në vëllimin tim me poezi “Dhimbje e Ndaluar”.
Dorëshkrimin e këtij poemthi, ia kam dhuruar shumë kohë para botimit
vëllait të të ndriturit Vilson, Bedri Blloshmi dhe kushërirës së tij,
mikes sime të kahershme, piktores Lumturi Blloshmi.
Nuk guxova ta nxjerr në fb, se ndihem e zënë në faj, për disa nga krijimet e mia para viteve ’90
dhe për këtë i kam kërkuar falje fare hapur artdashësve tanë
dhe popullit tim me një poezi, që hap këtë vëllim “Më Falni! Më Falni!”
Ju përshëndes dhe njëherë përzëmërsisht, duke ju uruar shëndet dhe suksese!
15 mars 2017
Zhuliana Jorganxhi

Këmbza e Ekspertëve - Agim Sulaj
Këmbza e Ekspertëve – Agim Sulaj

Lexuesve dhe artdashësve të vendit tim

Më falni ju,
për këngën-
zhurmë brohoritjesh!
Më falni ju
dhe ju,
duhet të mësoheni të falni.
Që të krijonim,
na duhej të flijonim,
dhembje të ndaluara,
që brenda shpirti qanin…
1991
 

Perkujtimorja Vilson Blloshmi dhe Genc Leka
Perkujtimorja Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

Kur vriteshin Poetët

Poemth nga Zhuliana Jorganxhi

 
Martirëve të Demokracisë,
Poetëve të pushkatuar
Genc Leka dhe Vilson Blloshmi
 
Lermëni, të vij tek ju sonte,
o shpirtra të bukur, poetë të rinj!
Dhembja për ju këtu do më çonte,
Nën hijen e hënës t’u ndizja qirinj.
 
Vij para jush dhe bije në gjunjë…
Si plagë gjakoni paprerë në zemër.
Ku ishe, pyes vehten, ku isha vallë unë,
Kur varr nuk iu jepnin, ju linin pa emër?!
 
E deshët çdo lule, pranverën dhe vjeshtën,
mëngjeset sykaltër, qirinjtë kur ndez qielli…
Në fshatin e largët me emrin Bërzheshtë,
për herë të parë ju puthën nënat dhe dielli.
 
Ja deshët çdo fjalë me tingëllim poeti,
Kësaj gjuhës sonë, të lashtë arbërore.
Si bleta nektarë e mblodhi ky Genci,
leksikun e rrallë në skeda e fletore.
 
E donte Vilsoni, shqipen aq shumë,
sa gjithë gjuht’ e botës i deshi prej saj!
Poet i mençur, s’mendoi, jo, kurrë,
si Krisht të dënohej fajtor pa faj!
 
Poet ëndrrimtar, lirik, i ëmbël, Genci!
Mbi libra, ty Vilson, të perëndonin netët…
Po pse kaq përulur kjo jeta jonë eci,
Ku ishte zëri ynë, kur vriteshin poetët?!
 
“U fol për ta!”, thërrasin “ekspertizat”.
Çdo fjalë kanë plumb, sikur merrej hak.
Zukasin mbi vargjet, si kërmave mizat,
Ata “ekspertët” tanë, me duar në gjak.
 
Nga ç’gjirize vallë dolën “ekspertët”
që shpirtra poetësh kafshonin si minj?!
Me thonj të përgjakur ngrinin gënjeshtrën,
profesorë, poetë, shkrimtarë të rinj!
 
Ishin “kolegë” të Gencit, Vilsonit,
Të etur për “poste” e pak “lavdi”.
Kishin mësuar si të përgjonin,
shpirtrat e pastër gjer në magji!
 
S’ish “ideali”, që rrugën iu ndriste”
Aty katakombesh ku fshihej ligësia,
ky “zell” i tyre kërkonte dhe vriste
shpirtëra të bukur, që shkojnë tek liria!
 
O turp i madh, ç’llahtar dhe tmerr!
Pendim nuk shfaqën në asnjë rast,
Këta gjarpërinj, që derdhën veç vrrer
Sot ndërrojnë maskat nga çasti në çast!…
 
Por, ja më flasin nga varri poetët,
Me duart thyer nëpër zinxhirë:
“Të vdesësh i ri nuk qenka e lehtë,
dhe kaq i ndershëm, është e vështirë!”
 
Ç’u panë sytë e bukur, o djem shpirtkulluar!
Ç’tortura trupi, ç’dhembje shpirti,
N’ato qeliferri me ujq të tërbuar,
Të kryqëzuar ju ngjanit me Krishtin!
 
Ju bënë një gjyq, gjyq “shembëllor”
Gojëkyçur populli priste jasht’,
Ku nënave tuaja për djemtë therror,
iu dridhej zemra dhe palca në asht.
 
E morën rrugën drejt në Tiranë,
E thirrën me zë Ajkune at’ ditë,
Por vajet e tyre humnerash ranë,
As varr s’do t’iu jepnin, të qanin bijtë!
 
Të gjithë pa gojë nuk thamë një “Pse?!”
Përse kjo mynxyrë dhe gjithë kjo hata?!
Si jetën e deshën çdo gjë mbi kët’ dhé,
Veç ishin dy “ndryshe” e ishin “ata”.

Genc Leka & Vilson Blloshmi
Genc Leka & Vilson Blloshmi

* * *

S’i ndaja dot të dy, më vijnë kaq pranë
Dhe janë kaq të rinj, me plagë të vjetra!
“Shiko, thotë Genci, ca pika shiu ranë!”
Janë lotë të vonuar, nuk është “Vjeshta”!
 
“U rritën fëmijët?” U rritën, o Genc!
Ja lule mbi ty me lotë i ujitën.
Po nëna e shkretë, rri ty e të pret,
lart tek shtëpia aty, në Bërzhishtë.
 
Poet rebel shfaqet Vilsoni.
Një brengë në sy, si dallgë i mbeti.
Thotë: “Foshnjën, mos ma trazoni!
Ah, nuk e njohëm dot njëri-tjetri!”
 
I them, ta dish, sa është rritur!
E ti e doje siç doje dhe jetën,
linde e saj sa shumë e ke pritur,
emrin e bukura ia thonë, Enrietë!
 
Ai, më flet për një poezi,
“Saharaja s’di të ëndërrojë!”
Oh, kush ta quajti këtë herezi,
Gjumë mos bëftë, sa të rrojë!
 
Njeri i mirë, në ndjen poezinë
Muzikën klasike nëse ti e ndjen,
Dikur të dyja kanë bërë herezinë,
Që vrau poetët-profetë të mëdhenj!
 
Vij para tyre dhe bije në gjunjë…
Më falni vëllezër, në derdh ca lotë!
Janë të vonuar, e di, si unë,
me vargjet si lule, që po ju sjell sot.
Gusht 2005
 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Të kërkosh falje, është mirë, por jo, në emër të atyre që nuk ditën se çfarë bënë, por jo “se ata”,” nga ata” , jo në emër të përgjithshëm, por duke filluar nga vetja. Kjo do të ishte e domosdoshme për t’u falur, se Ju keni qënë një nga VIP-at e fjalës në Radio Televizori Shqiptar. Besoj, se nuk ka asnjë të brezit të Vilsonit e Gencit, që nuk e njeh zërin tuaj, apo shkrimet tuaja. A nuk ndjeni se, Ju qetë një vegël e Propagandës së Partisë së Punës? A nuk e ndjeni, që nuk i keni shërbyer së vërtetës, por mashtrimit, a e ndjeni që mbajtët pushkën e fjalës, kundër poetëve të vërtetë? Kur njeriu thotë, në ishim lolot e Partisë, siç ka thënë këngetarja Alida Hisku, kuptohet që ajo nuk e përjashton veten nga të gjithë ato, që mbështetën, që propaganduan për diktaturën, për Partinë e dhunës, për luftën e klasave, që qe vllavrasja më e madhe në Europe, matur në përqindje të njerëzve të zhdukur. Kjo falja Juaj tingëllon sentimentale, por jo aq mendjembushëse, se Ju nuk thoni unë, por ata….
    Si e shikoni, Ju faktin, që Enver Hoxha, Hitleri i Shqipërisë, mban akoma titullin “Heroi i Populli”? A keni akoma frikë, të thoni të vërtetën? A mendoni, që jetoni në sistem autokratik apo demokratik?
    A ndjeni që bëtë mirë, një punë të keqe?
    A nuk e kuptoni, se përgjigjja publike e këtyre pyetjeve, është e domosdoshme, për t’u falur, se vetëm lotet e keqardhjes, nuk mjafton, për t’u falur, se Ju ishit, një nga flamurtarët e propqgandës së ideologjisë dogmatike, që për 47 vjet torturoi pjesën më të madhe të shqiptarëve.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.