back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kush ishin 22 intelektualët e pushkatuar?! shkrim nga Kolec Topalli

Gazeta

Pllaka memoriale e Bombës në ambasadën Sovjetike
Pllaka memoriale e Bombës në ambasadën Sovjetike

Kush ishin 22 intelektualët e pushkatuar?!

shkrim nga Kolec Topalli

Mjaftoi një sasi e vogël dinamiti,
një krismë dhe disa xhama të thyer,
që pushteti komunist të shfrejë urrejtjen e tij
të papërmbajtur ndaj intelektualëve shqiptarë,
duke vrarë 22 prej tyre e duke burgosur,
duke internuar e duke dëbuar qindra të tjerë…

Prof. Kolec Topalli
Prof. Kolec Topalli

Ende pa u shuar jehona e zhurmës së bombës dhe pa u bërë asnjë hetim, vetëm disa orë pas këtij incidenti, ministri i Brendshëm në mbledhjen e Byrosë Politike kërkoi të arrestoheshin 100 deri në 150 vetë, nga të cilët 10-15 të pushkatoheshin pa gjyq, dhe krahas kësaj, të fillonte një operacion spastrimi, duke internuar e duke dëbuar familjet reaksionare nga Tirana. Dhe këto shifra jo vetëm u plotësuan, por edhe u tejkaluan nga Sigurimi i Shtetit. Si shembull do të shërbente terrori komunist që u ushtrua me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës, me ç’rast 14 burra nga familjet më të mira mirditore u groposën të gjallë në Qafë të Valmirit dhe qindra të tjerë u internuan në Turan të Tepelenës. E ndërsa në ato ditë shkurti të vitit ’51 vazhdonte mbledhja e Byrosë Politike, të nesërmen e incidentit filluan arrestimet sipas listave të hartuara që më përpara nga Ministria e Brendshme, ku vetë Mehmet Shehu shënonte me një kryq ata që do të pushkatoheshin. Dhe pa u mbushur java, më 26 shkurt, trupat e 22 intelektualëve u përshkuan nga plumbat. Është e qartë se, asnjëri prej tyre nuk kishte gisht në incidentin e Ambasadës Sovjetike dhe akuza e tyre gjatë hetuesisë si pjesëtarë të një organizate terroriste nuk u provua me asnjërin prej të pushkatuarve, që as nuk e njihnin njëri-tjetrin. Për ta nuk pati hetuesi e gjyq, mbrojtje e dëshmitarë. Pati vetëm një vendim politik të Byrosë Politike, një akuzë të përbashkët, një javë tortura e pastaj ekzekutimi dhe një gropë e përbashkët për trupat e tyre pa jetë. Çdo gjë bëhej nga Sigurimi i Shtetit, natën, me lista të përbashkëta. Madje, edhe shkresa për arrestimin e tyre është firmosur nga prokurori ushtarak disa ditë pas burgosjes së tyre.
Po përse kjo masakër e paparë ndaj këtyre intelektualëve? Diktatura me këtë rast, në plan të brendshëm donte të forconte pozitat me anë të terrorit dhe të lante hesapet me kundërshtarët e mundshëm të regjimit; kurse në plan të jashtëm, diktatori i vogël i Tiranës donte të tregonte besnikërinë e pakufishme ndaj diktatorit të madh të Moskës, në një kohë kur miqësia me druzhe Titon kishte dështuar.
Urrejtja e madhe me të cilën u shoqërua kjo masakër, ishte urrejtje ndaj intelektualëve, që kishin mësuar në shkolla perëndimore, shumica jashtë shteti, dhe ishin edukuar me ndjenja demokratike dhe liridashëse. Prandaj ishin kundërshtarë, ndonëse jo të deklaruar, të pushtetit totalitar që u instalua në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore. Cilët ishin ata?

Sabiha Kasimati - Shqiptarja e parë shkenctare
Sabiha Kasimati – Shqiptarja e parë shkenctare

Sabiha Kasimati, është figura më e dhimbshme dhe më karizmatike e kësaj masakre, e vetmja grua që u arrestua të nesërmen e incidentit të bombës. Ajo kishte mbaruar studimet në Liceun Francez të Korçës, duke qenë e para vajzë që e mbaroi këtë shkollë perëndimore. Mësuese në shkollën “Normale” femërore të Korçës, pedagoge në shkollën shqiptaro-amerikane në Kavajë, plotësoi studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Biologjike të Universitetit të Torinos, të cilin e përfundoi me sukses me notat 30’/30′, me lëvdatë. Pasi mbrojti edhe doktoraturën, Katedra i propozoi vendin e asistentes në universitet, por ajo nuk pranoi dhe u kthye në atdhe, ku u emërua pedagoge në Institutin Femëror “Nana Mbretneshë” në Tiranë. Pastaj nisi punën në Institutin e Shkencave, ku për vite me radhë bëri shumë studime në fushën e iktiologjisë shqiptare. E tronditur nga vrasja e drejtorit të saj, shkencëtarit Selaudin Toto dhe shumë intelektualëve të tjerë, nga burgosjet dhe internimet e shumë miqve dhe shoqeve të saj, Sabihaja kishte shprehur pakënaqësinë ndaj regjimit komunist, që po zhdukte elitën intelektuale shqiptare. Për këtë emri i saj figuronte në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit si kundërshtare e regjimit. Si e tillë u arrestua, qëndroi si burrneshë në hetuesi dhe u pushkatua natën e zezë të 26 shkurtit, e lidhur me tela me gjemba bashkë me 21 burra të tjerë, që u hodhën në një gropë të përbashkët pranë Urës së Beshirit.

Tefik Shehu, pinjoll i një familjeje atdhetare nga Kosova, kishte mbaruar shkollën e lartë në Itali për Ekonomi-Financë dhe për Drejtësi. I arrestuar në vitin 1943 nga serbët, u shpëtua nga një grup ballistësh që e morën në sallën e gjyqit dhe e nxorën në Shqipëri, ku punoi në Bashkinë e qytetit të Tiranës si nënkryetar i gjendjes civile. Por nëse mundi t’i shpëtonte burgimit serb, nuk mundi t’i shpëtonte falangës ogurzezë të komunistëve shqiptarë, që e dënuan dy herë me vdekje, herën e parë në vitin 1945, kur e çuan për ta pushkatuar në Zall-Herr, por shpëtoi me ndërhyrjen e avokat Koço Dilos, dhe herën e dytë më 26 shkurt, kur u ekzekutua pa gjyq natën e 26 shkurtit. Tri ditë pas kësaj tragjedie, nëna e tij 82 vjeç, gruaja shtatzënë dhe vajza e vogël dy vjeçare morën udhën e internimit.

Pjerin Guraziu, bir i një familjeje të njohur intelektuale dhe atdhetare të qytetit të Shkodrës. Në Itali, ku ishte shpërngulur familja e tij, pas përfundimit të Shkollës së Mesme “Tregtare”, vazhdoi Universitetin në Fakultetin e Ekonomisë dhe në vitin 1929 mori doktoratën për Shkencat Ekonomike. I apasionuar për sportin, u shpall disa vite radhazi kampion në lojërat universitare italiane, duke arritur rezultate shumë të larta si atlet i shquar në nivel ndërkombëtar. Kur familja e tij u kthye në Shqipëri, u vendos në Tiranë, ku u emërua pedagog i lëndës së Ekonomisë në Shkollën “Tregtare” të Vlorës dhe më vonë drejtor i Doganës së Tiranës. Edhe pas vendosjes së diktaturës komuniste mori detyra të rëndësishme profesionale, si shef Finance në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Bujqësisë, por synimi i shtetit kriminal për të goditur intelektualët e formuar në Perëndim dhe familjet me emër, ishte i mjaftueshëm që edhe ky përfaqësues i elitës shqiptare të përfshihej në listat e vdekjes të Sigurimit të Shtetit, të arrestohej ende pa dalë urdhri nga Prokuroria dhe të ekzekutohej natën e zezë të 26 shkurtit.
Jonuz Kaceli, i përkiste një familjeje atdhetare të Tiranës. I angazhuar që herët me punët e tregtisë, u dallua për studimet e tij si autodidakt, duke mësuar disa gjuhë të huaja. Si demokrat dhe bir i një familjeje me emër, mori pjesë si vëzhgues në mbledhjen e Mukjes. I arrestuar natën e 20 shkurtit, u torturua në mënyrat më çnjerëzore derisa vdiq në qelitë e Sigurimit pas 5 ditësh tmerri e vuajtjeje të papërshkrueshme. Katilët e Sigurimit në gjasë të njeriut, për të humbur gjurmët e vrasjes, trupin e tij pa jetë e hodhën nga kati i dytë i ndërtesës, për ta paraqitur si vetëvrasje. Kjo qe vrasja e tij e dytë. Dhe vrasja e tretë do të vinte një ditë më vonë, kur kufoma e tij udhëtonte bashkë me të gjallët atë natë të zezë të 26 shkurtit për t’u vrarë e për t’u groposur me viktimat e tjera.

Anton Delhysa, nga një familje me emër e Kosovës, që arsimin e parë e kishte marrë në Grac të Austrisë, erdhi në Shqipëri më 1918, ku vijoi mësimet në Shkollën “Teknike” të Harri Fulzit në Tiranë, të cilën e mbaroi me rezultate të shkëlqyera. Zotëronte disa gjuhë të huaja dhe pasi drejtoi punimet e ndërtimit të Shkollës Amerikane në Golem të Kavajës, u vendos në Tiranë, ku drejtoi punimet për ndërtimin e Shkollës “Teknike” të Fulzit dhe të Ambasadës Amerikane. Edhe pas ardhjes së komunistëve në pushtet punoi si teknik ndërtimi në të gjithë Shqipërinë, ku bëheshin ndërtime, si në fabrikën e sheqerit në Maliq, në Spitalin e Gjirokastrës, në fabrikat e tullave në Vorë, në Fier etj. E megjithëse ishte dekoruar me katër medalje pune nga Kuvendi Popullor, ishte po ky kuvend që nënshkroi edhe dënimin e tij me vdekje me akuzën për krime kundër popullit; kurse shkaqet e vërteta të vrasjes ishte qenia e tij kosovar dhe intelektual dhe shkolla amerikane që kishte kryer. Dhe mandatën e vrasjes, nëna e tij e mori tri ditë pas pushkatimit, kur erdhën për ta internuar.

Haki Kodra, nga një familje atdhetare dhe intelektuale dibrane, kishte kryer studimet e larta ekonomike në Universitetin e Zagrebit të Kroacisë. I pajisur me kulturë të gjerë, njohës i 6 gjuhëve të huaja, në pamundësi për të vijuar punën si ekonomist për shkak të përndjekjeve serbe, u largua nga vendlindja dhe u vendos në Tiranë, ku punoi si nëpunës. Demokrat e atdhetar, për më tepër paqësor nga natyra, i arrestuar më 20 shkurt, nuk pranoi asnjë akuzë të trilluar nga Sigurimi i Shtetit, e megjithë këtë u pushkatua bashkë me shokët e tjerë dhe familjen ia internuan, duke qëndruar nëpër kampe për 42 vjet rresht.

Gafur Jegeni, ishte një nga figurat më të shquara të fisit të Jegenëve të Dibrës. Ai u rrit me ndjenja kombëtare në një shtëpi që ishte kthyer në vatër atdhetarizmi dhe nga një baba që për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve ishte helmuar nga pushtuesit serbo-maqedonas. Si mbaroi studimet e larta ushtarake në Itali në Akademinë e Rojës së Kufirit, u kthye në atdhe ku filloi karrierën ushtarake. Atdhetar dhe ushtarak model, në prill të vitit 1939, organizoi rezistencën antiitaliane në Vlorë, për të cilën u arrestua dhe u dënua me vdekje nga gjyqi ushtarak fashist, dënim që iu kthye në internim në kampet e përqendrimit në Itali. E megjithë këto merita, ndonëse pas instalimit të diktaturës komuniste ishte tërhequr në jetën e tij private, ai u akuzua për pjesëmarrje në organizata terroriste, për veprimtari armiqësore kundër shtetit e popullit dhe se ishte vënë në shërbim të armikut. Me këto akuza u arrestua nga Sigurimi i Shtetit dhe u pushkatua pa gjyq në mesnatën e 26 shkurtit të vitit 1951 dhe familja e tij pësoi persekutimin 40-vjeçar.

Myftar Jegeni – një tjetër pinjoll i fisit të Jegenëve, që u pushkatua atë natë të zezë shkurti. Si mbaroi Kolegjin Ushtarak të Napolit dhe më pas Akademinë Ushtarake në Modena, u kthye në Shqipëri ku shërbeu në Komandën e Gjindarmërisë në Lezhë e Tiranë. U dallua veçanërisht për organizimin e rezistencës kundër pushtimit italian në Durrës. Gjatë okupacionit shërbeu si oficer karriere në Tetovë, Prishtinë e Gjakovë. U lidh me forcat antifashiste dhe u inkuadrua në forcat nacional-çlirimtare, duke luftuar kundër gjermanëve. Pas mbarimit të luftës u emërua komandant i Komandës Ushtarake të Tetovës, por shpejt u zhgënjye nga politika antishqiptare e Partisë Komuniste Jugosllave dhe zëri i tij i protestës u pagua shtrenjtë: e arrestuan, e torturuan dhe e kërcënuan me pushkatim, më në fund e dërguan në Shqipëri për t’u dënuar, ku kaloi disa vite burg. Kur u lirua, nuk pranoi të vishej oficer e të bashkëpunonte me qeverinë komuniste. Këto fakte ishin të mjaftueshme që të arrestohej, të dënohej me vdekje dhe të ekzekutohej mesnatën e 26 shkurtit, dhe familja e tij të kalonte 40 vjet në internim.

Manush Peshkëpia, ishte një nga intelektualët më të shquar, i rritur dhe i edukuar në një familje nacionaliste dhe të kulturuar. E nisi krijimtarinë e tij letrare e përkthyese nga fundi i viteve ’20-të dhe u shqua në vitet ’30-’40 për krijime origjinale. Tërhoqi vëmendjen e publikut, të poetëve dhe përkthyesve, si edhe të studiuesve të huaj, veçanërisht të albanologut gjerman Maksimilian Lamberc, që botoi dy poezi të tij në “Antologjinë e letërsisë shqiptare”. Ndërsa, përkthyesi i talentuar Vedat Kokona, mik i ngushtë i tij, shkruante: “Për të vazhduar udhën që kishe ndërmarrë ti, na duhet ajo dashuri që kishe ti për vendin e shumëvuajtur dhe për gjuhën e ëmbël shqipe. Lum ata nga pasardhësit e t’u që do të vazhdojnë udhën tënde të ndriçuar nga drita jote”. Si demokrat e nacionalist, ai qe kundër çdo lloj diktature. Prandaj në periudhën e okupacionit ai hartoi një trakt, me anën e të cilit i bënte thirrje ushtrisë italiane të mos vazhdonte të bëhej mish për top për aventurat e çmendura të fashizmit. Për të njëjtën arsye, ai ishte edhe kundër diktaturës komuniste, gjë që i kushtoi jetën, duke u vrarë vetë i 22-ti e duke lënë familjen në mëshirën e komunistëve të pamëshirshëm, që vuajtën burgjeve e internimeve për 40 vjet me radhë.

Reiz Selfo, ishte nga një familje e pasur dhe e mirënjohur e qytetit të Gjirokastrës. Student në gjimnazin “Zosimeja”, filloi punën si inspektor i ndërtimeve të shoqërisë “Stamles” dhe më vonë hapi një shoqëri ndërtimi në Tiranë. Me emrin e tij lidhen ndërtime të shumta, si: Spitali i Vlorës, ura e Dragotit mbi Vjosë, gjimnazi i Gjirokastrës, ura e Bënçës e shumë ndërtime të tjera. E me gjithë meritat e tij u pushkatua mesnatën e 26 shkurtit, edhe pse emri i tij nuk figuronte në asnjërën prej listave të Sigurimit të Shtetit. Atëherë, kush e futi në listat e vdekjes këtë atdhetar nacionalist? Në kujtimet e tij, tirani sadist i Tiranës e quante Reizin tradhtar, armik të tërbuar, kriminel dhe një nga organizatorët e terroristëve që hodhën bombën në Ambasadën Sovjetike në Tiranë. Kjo urrejtje e papërmbajtur e kishte burimin në qëndrimin burrëror të këtij intelektuali ndaj diktatorit, të cilin e njihte personalisht. Por, Enver Hoxha nuk kënaqej ndryshe, veçse duke prerë kokat e kundërshtarëve të tij.

Qemal Kasoruho, ishte nga familja e njohur e Kasoruhove të Gjirokastrës, i rritur gjithnjë mes librave dhe njohës i mirë i shumë gjuhëve të huaja, me punën e tij arriti të bëhej kryeinspektor në doganën e Sarandës dhe më vonë drejtor i përgjithshëm i Monopoleve dhe Tatimeve në Ministrinë e Financave. Pjesëmarrës në rezistencën antifashiste, u detyrua të fshihej në Shëngjergj të Tiranës për t’i shpëtuar ndjekjeve naziste. E megjithë këtë, pas vitit 1944 u la pa punë dhe u përndoq prej regjimit komunist, derisa e futën në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit për ta pushkatuar mesnatën e zezë të atij shkurti të vitit 1951.

Zyhdi Herri ishte nga një familje e njohur nacionaliste tiranase. Student në Liceun francez të Korçës dhe të Tiranës, më 1939 mori pjesë në demonstratat antiitaliane dhe pas këtij viti u përjashtua nga të gjitha shkollat e perandorisë për shkak të veprimtarisë së tij antifashiste. Më vonë vazhdoi studimet për Jurisprudencë. Në vitet e luftës mori pjesë bashkë me të jatin si vëzhgues në Konferencën e Mukjes dhe pas lufte filloi punë si kryeredaktor në gazetën “Bashkimi”, por shumë shpejt u zhgënjye nga pushteti i ashtuquajtur popullor, që vendosi një terror të paparë, duke dhunuar çdo të drejtë e liri demokratike. Edhe ai u arrestua të nesërmen e incidentit të bombës dhe u pushkatua bashkë me 21 të tjerë, ndërsa gruan me fëmijët e vegjël i internuan ashtu si shumë familje të tjera.

Gjon Temali, nga një familje tregtare shkodrane kishte mbaruar Shkollën e “Fretënve” në qytetin e lindjes dhe më pas shkollën e mesme në Austri. Shërbeu si sekretar i Bashkisë së Shkodrës, kryetar komune në Mulisht të Beratit, në Shëngjergj të Tiranës, në Vrap të Peqinit dhe në Rrjoll të Shkodrës. Kreu edhe shkollën e plotësimit për oficer. Është marrë me filateli dhe me vlerat e antikitetit. Për të plotësuar studimet e larta, shkoi në Itali dhe studioi për farmaceutikë në Universitetin e Firences. Pas mbarimit të luftës u emërua asistent në Spitalin Civil të Tiranës dhe më vonë në farmacinë e këtij spitali. Më 8 shkurt 1951, për ta larguar nga Tirana, e transferuan në Lushnjë, por ai refuzoi të shkonte. Kjo mund të ketë qenë edhe arsyeja e vërtetë për të cilën u arrestua dhe u pushkatua atë natë të zezë të 26 shkurtit.

Petro Konomi, vinte nga një familje intelektuale përmetare. Student i Kolegjit Francez në Kajro, ku ishte vendosur familja e tij, vijoi studimet e larta në “Robert Kolezhin” e Stambollit dhe në Akademinë Ushtarake në Itali. I pajisur me kulturë të gjerë, zotërues i 5 gjuhëve të huaja, në kohën e Luftës së II Botërore u dërgua në frontin grek, prej nga u largua si shumë patriotë të tjerë, duke e quajtur absurde luftën e nisur. Pas vitit ’44, u emërua shef i sektorit të jashtëm në ATSH. Por origjina e tij nga një familje me emër, kultura e tij perëndimore dhe miqësia me demokratë të ndershëm antikomunistë qenë të mjaftueshme që ai të arrestohej natën e 20 shkurtit dhe të dënohej me vdekje bashkë me 21 të tjerë.

Niko Lezo, ishte një tjetër intelektual i shquar nga Delvina. Ai kishte mbaruar Universitetin e Tuluzës në Francë, në Fakultetin e Kimisë, dhe me t’u kthyer në atdhe kishte themeluar laboratorin e parë kimik në Shqipëri. Më 1923, u zgjodh deputet në Parlamentin shqiptar. Si patriot dhe nacionalist arrestohet në vitin 1940 dhe internohet në ishullin Ventotenë të Italisë, ku qëndroi disa vjet. Kur lirohet dhe kthehet në atdhe, fillon të punojë sërish si kimist në laborator, punë që e vijoi edhe pas luftës, derisa arrestohet më 23 shkurt të vitit 1951 dhe pushkatohet pa gjyq në mesnatën e 26 shkurtit. Me vrasjen e tij, Sigurimi i Shtetit eliminoi edhe një shkencëtar tjetër të shquar, të shkolluar në Perëndim.

Intelektualet e pushkatuar me 26 shkurt 1951
Intelektualet e pushkatuar me 26 shkurt 1951

Pandeli Nova, rridhte nga një familje e pasur e Oparit të Korçës. Ishte njeri me kulturë dhe zotëronte disa gjuhë të huaja. U mor kryesisht me tregti dhe pas luftës punoi në një shoqëri tregtare çeko-shqiptare në Tiranë, por kur u arrestua, ishte i papunë. Akuzat ndaj tij, krejtësisht absurde, ishin: rrjedh nga një familje e pasur, është përpjekur të formojë një “Parti Popullore”, është takuar me elementë të dyshimtë, është agjent i të huajve, armik i pushtetit popullor etj. I arrestuar më 22 shkurt, pas 4 ditësh u pushkatua pa gjyq dhe 4 ditë më vonë familja e tij u dëbua nga Tirana.

Thoma Katundi, bir i një familjeje të njohur korçare. Në SHBA ku kishte emigruar familja e tij, u aktivizua në Federatën Panshqiptare “Vatra”. Pas vitit 1929 u kthye në Shqipëri. Dhe megjithëse nuk u përzie fare në politikë, por u mor vetëm me ndërtime, Sigurimi i Shtetit e futi në listat e zeza të vdekjes, duke e akuzuar si agjent të Legatës Franceze dhe informator për gjendjen e Shqipërisë. Dhe të gjitha këto vetëm se i shkruante një kushëririt të tij në Amerikë. Këto mjaftuan që ai të pushkatohej dhe familja e tij të internohej në rrethin e Beratit, duke vuajtur për vite të tëra.

Mehmet Ali Shkupi, vinte nga një familje e kamur e qytetit të Shkupit, që banonte prej vitesh në Tiranë. Nuk ka pasur asnjë veprimtari kundër diktaturës, por bindjet e tij antikomuniste ishin të mjaftueshme që ai të merrte dënimin me vdekje dhe djali i tij të dënohej me 15 vjet burg politik. Në listat e Sigurimit të Shtetit, të hartuara nga Pilo Shanto, shënohej pa asnjë dëshmi se dyshohej si agjent i Legatës Franceze dhe zhvillonte veprimtari terroriste kundër pushtetit popullor. Sigurisht, për pushtetin e diktaturës ishte e nevojshme që edhe nga trojet shqiptare të gjendeshin armiq, që duhej të zhdukeshin, në një kohë kur miqësia me Jugosllavinë titiste ishte shndërruar në armiqësi.

Ali Qorralliu, ishte një tjetër intelektual që pësoi të njëjtën goditje nga Sigurimi i Shtetit. Me origjinë nga një familje e pasur tiranase, studimet e larta i kishte kryer në Kolegjin Juridik të Selanikut. Gjatë luftës kishte mbështetur Ballin Kombëtar dhe nuk ishte pajtuar kurrë me komunizmin, prandaj u burgos nga regjimi komunist dhe u dënua me vdekje. Para se ta pushkatonin xhelatët me fytyrë njeriu i shkulën dhëmbët prej floriri.

Fadil Dizdari, ishte nga një familje e njohur e qytetit të Shkodrës, që banonte prej vitesh në Kavajë. Ish-sekretar nënprefekture, njeri me kulturë dhe me etje për dituri, kishte hapur një dyqan për tregtim librash, ku mblidheshin herë pas here intelektualët e qytetit. Por kjo dashuri për librin dhe kulturën iu kthye në akuzë. Sigurimi e akuzoi se, dyqani i tij frekuentohej nga armiq e spiunë. Kaq mjaftonte për t’u dënuar me vdekje. Ishte i ri, më i riu i të gjitha viktimave të kësaj masakre e s’kishte veçse 3 muaj që ishte fejuar, dhe në gisht mbante unazën e fejesës me datën 30 nandor 1950. Ajo u gjet pas 42 vjetësh, kur u zbulua varri i përbashkët.

Hekuran Troka, ishte nga qyteti i Kuçovës dhe kishte ardhur në Tiranë ku merrej me tregti. Megjithëse pa asnjë aktivitet politik, Sigurimi i Shtetit e futi në listat e zeza të dënimit me vdekje me akuzën absurde si njeri i dyshimtë dhe tregtar spekulant, për më tepër u akuzua edhe si agjent i huaj dhe terrorist. Edhe ky u ekzekutua mesnatën e 26 shkurtit dhe familja e tij, e internuar 4 ditë më vonë, vuajti vite me radhë kampeve të internimit, duke bërë punët më të rënda për të nxjerrë bukën e gojës.

Lluka Rashkoviç, kishte lindur në Mal të Zi, por kishte ardhur në Shqipëri bashkë me familje qysh në kohën e Mbretërisë. Bashkë me Lluka Xhumarin, një tregtar nga Durrësi, kishin formuar shoqërinë automobilistike SAKT, me anë të së cilës kryenin transport udhëtarësh në Shqipëri dhe Ballkan. Por, megjithëse i papërzier në politikë, ata nuk e donin komunizmin, që ishte pengesë për ekonominë e lirë të tregut dhe për lëvizjen e lirë të njerëzve. Prandaj, ende pa marrë mirë pushtetin, komunistët e arrestuan dhe e pushkatuan pa gjyq ortakun e shoqërisë, Lluka Xhumarin bashkë me 14 intelektualë, tregtarë e ish-ushtarakë të pafajshëm, kurse për Llukën tjetër rasti u gjet më 20 shkurt të vitit 1951, kur e arrestuan dhe e pushkatuan sërish pa gjyq, ndërsa e shoqja, Maria, vijoi kalvarin e vuajtjeve, e internuar në një fshat të Beratit.

Arben Shira - Pushkatimi
Arben Shira – Pushkatimi

Dhe numri 22, që mbyll masakrën e shkurtit të vitit ’51, mbeti i hapur për masakra të tjera, se një pushtet që lind me gjak, do të vazhdojë me gjak derisa të mbytet në gjakun e vet. Historia e Makbethit, që u bë mbret me vrasje, përsëritet në vende e kohë të tjera.
Plagët e hapura para 60 vjetësh nuk janë mbyllur ende. Se plagë të tjera ka hapur diktatura për familjet e të pushkatuarve dhe për të persekutuarit e tjerë, se autorët e krimeve nuk kanë kërkuar ende falje dhe fantazma e komunizmit sillet ende nëpër këmbët tona. Të mos i harrojmë krimet e diktaturës, nëse duam që ato të mos përsëriten.
http://www.shqiptari.eu

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.