back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Kush ishte Ilir Ali Hashorva – biografi e shkurtër

Gazeta

Ilir Hashorva - Vepra e botuar e tij!
Ilir Hashorva – Vepra e botuar e tij!

Ndahet nga jeta Ilir Hashorva

nga Mehmet Shtylla

Mbrëme në New York, ndahet nga jeta Ilir Ali Hashorva, prej sëmundjes së Covid-19,
një intelektual antikonformist, patriot, shkrimtar, një person fisnik
që gëzonte respektin në gjithë rrethin shoqëror e më gjerë.
Duke lënë pas të shoqen, Lindën dhe dy fëmijët Dritanin dhe Enin,
si edhe motrën e tij Dr. Hysnije Shtylla.
Desha të ndaj me ju miq, një material të shkurtër të jetës (përgatitur nga familja e tij)
dhe veprimtarisë së këtij Intelektuali Patriot, që edhe pse larg atdheut,
nuk u nda prej tij, me shumë artikuj që ai ka botuar prej vitesh në publicistikën kombëtare.
.
Ilir Hashorva (1941-2020)
Ilir Ali Hashorva (1941-2020)

Kush ishte Ilir Ali Hashorva – biografi e shkurtër

Këto ditë u nda nga kjo jetë në moshën 79-vjeçare Prof. Dr. Ilir Hashorva, në New York të SHBA-ve, ku ai me familjen kishte emigruar në fillim të viteve 2000.
Iliri rridhte nga një familje gjirokastrite – intelektuale dhe patriote. Kjo familje ka nxjerrë personalitete, që me aksione dhe me penë patën shumë merita, por që për arsye të ndryshme, herë politike e herë të lidhura me interesa të ngushta, nuk u vlerësuan ashtu siç iu takonte. Xhaxhai i Ilirit, Veliu, do të mbahet mend si një nga pasrilindasit e fillimit të shek. XX në qytetin e Gjirokastrës. Në vitet 1920-24, Veliu botoi në Gjirokastër gazetën “Drita”, e cila njihet si një nga gazetat e para të shtypit të shkruar shqiptar. Në vitin 1920, Veliu mori pjesë në Luftën e Vlorës. Deri sa u largua për në Turqi, ai ishte një figurë e rëndësishme në ngjarjet historike dhe politike të viteve ’20 në vend. Babai i Ilirit, Aliu ka qenë një figurë e spikatur e arsimit shqiptar nga vitet ’30 deri në ato ’50 të shekullit të kaluar. Ai ka drejtuar Normalen e Elbasanit dhe Tekniken e Tiranës, dhe pas 1944-ës ishte profesor në Gjimnazin e Tiranës, ku u akuzua për formimin e grupit social-demokrat. I vlerësuar profesionalisht si Inspektor i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Aliu gjatë vitit 1941 u caktua si Kreu i Misionit të Çeljes së Shkollave Shqipe në Kosovë. Gjatë këtij misioni Aliu spikati për formimin e tij intelektual dhe patriotik, duke kryer një pune të jashtëzakonshme, për hapjen e shkollave në gjuhën Shqipe, të cilat ishin një bazë mjaft e rëndësishme për arsimin e Shqiptarëve të atyre trevave amtare. Për bindjet e tij anti-moniste dhe për qëndrimin e tij gjithmonë të drejtë dhe të pakompromis, pas viteve ’50, profesor Aliu u diskriminua politikisht dhe e mbylli jetën duke punuar si punëtor krahu.
.
Prizren - 13 korrik, 1941 Rreshti i parë në këmbë, i katërti majtas, Kryetari i misionit, Ali Hashorva
Prizren – 13 korrik, 1941 Rreshti i parë në këmbë, i katërti majtas,
Kryetari i misionit, Ali Hashorva
Iliri ka lindur më 1 Tetor 1941, në Tiranë. Pas përfundimit të Fakultetit të Inxhinierisë ai punoi në Pashaliman, në Tropojë dhe më pas në Institutin e Hidrometeorologjisë në Tiranë, si Shef i Laboratorit të këtij instituti. Duke qene mjaft i rregullt në jetë, vështirë të mendohej se jeta e Lilit, siç e quajnë në familje, do të ndërpritej kaq shpejt dhe në mënyrë të befasishme pas përballjes me Covid-19. Iliri ishte njeri shumë familjar, studioz, mjaft kërkues, njeri fisnik dhe i dashur. Gjatë viteve të fundit, me një pasion të pashoq ai arriti të shkruajë disa libra, për jetën dhe veprat e disa personaliteteve botërore si Gandhi, Mandela, Martin Luter King etj. Sa më shumë lexonte dhe shkruante, i frymëzuar edhe prej personazheve dhe karaktereve rreth të cilëve sillej puna e tij, aq më modest dhe i tërhequr bëhej, aq më me pasion fliste për veprat, vlerat dhe virtytet e njerëzve të mëdhenj si Ghandi apo Martin Luther Kingu – vlera, të cilat, sipas tij, duhej t’i kishin të gjithë njerëzit. E nëse nuk i kishin, duhej t’i mësonin.
Gjatë viteve të fundit ai pati një interes të jashtëzakonshëm për zgjerimin e formimit të tij kulturor, duke shkruar dhe botuar mjaft libra për figura të njohura botërore. Formimi i tij intelektual, pa dyshim i tejkalonte njohuritë teknike, për të cilat ishte shkolluar. Përveç botimeve monografike, Iliri u shqua si një penë e fuqishme edhe në fushën e gazetarisë, duke botuar mjaft shkrime me natyrë sociale dhe politike. Pas viteve ’90, ai përshëndeti me realizëm dhe përkushtim fillimet e Demokracisë në Shqipëri, duke pasur si çdo intelektual objeksionet dhe zhgënjimet e tij. Duke pasur një trashëgimi familjare demokratike dhe antikomuniste, në artikujt dhe mendimet e tij ai reflektonte gjithmonë qëndrimet e tij të djathta, kundër monizmit dhe diktaturës.
Në aspektin personal, Iliri ishte një burrë korrekt dhe i përgjegjshëm, një baba i respektuar. Ai ishte një njeri pa vese dhe gjithmonë besnik i të drejtës dhe i të vërtetës. Në rrethin farefisnor, për karakterin dhe edukatën, si edhe për formimin intelektual, Iliri ka qenë dhe do të mbetet një pikë referimi. Me shuarjen e Ilirit, familja dhe shoqëria kanë humbur modelin e një personi të cilësive të larta dhe të një intelektuali të gjithëformuar, për të cilët ka aq shumë nevojë shoqëria e sotme shqiptare.
Qofsh i nderuar kurdoherë me emrin tënd! U prefsh në paqe Lili ynë i dashur!
.
Ps. Më poshtë janë dy dokumente të paraqitura nga një qytetar i Rahovecit, lidhur me të atin e Ilir Hashorvës, nv hapjen e shkollave shqipe në Kosovë.
Ngushëllime për familjarët e z. Hashorva. Me këtë mbiemër me lidhin kujtime jo vetëm në sajë të librit të Ali Hashorvës “Bashkëluftëtarët e Skënderbeut” të cilin e kam lexuar kur kam qënë në klasë të 6-të të Shkollës, por edhe për një fakt tjetër. Në vitin 1941, në sajë të angazhimit personal të Ali Hashorvës, përveç vendbanimeve të tjera, është hapur Shkolla e Pare Shqipe në fshatin tim, në Drenovc të Rahovecit. Dëshmi është dhe ky dokument i asaj kohe që ruhet në Arkivin e Shtetit Shqiptar.
Respekt për këtë trung gjenealogjik dhe u prehtë në paqe, Iliri!
.
Ali Hashorva - Deshmi te Komisionit te hapjes se shkollave ne Kosove (1)
Ali Hashorva – Deshmi te Komisionit te hapjes se shkollave ne Kosove (1)
Ali Hashorva - Deshmi te Komisionit te hapjes se shkollave ne Kosove (2)
Ali Hashorva – Deshmi te Komisionit te hapjes se shkollave ne Kosove (2)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.